“Ramushi qau dhe na tha: Dua të bëhem njëherë kryeministër”

July 30, 2018 10:22

“Ramushi qau dhe na tha: Dua të bëhem njëherë kryeministër”

Një ish-veteran i luftës së Kosovës Shukri Klinaku ka postuar një rrëfim në rrjete sociale, të botuar më pas në mediat kosovare, ku flet për një moment dobësie të Haradinajt.

Shkruan Klinaku:

“Pak para se të dilnim nga “koalicioni” të thirrëm në selinë e LKÇK-së (aty ku sot është selia e LB-së). Ishte mbrëmje e errët dimri (dhjetor 2000), madje edhe pa rrymë. Në seli ishim vetëm 4, ne tre (Sabit Gashi, Fatmir Humolli, unë) dhe ti. Ishim të ulur përreth tavolinës së rrumbullakët. Sabit Gashi filloj duke i kujtuar disa nga shtyllat e idealit për të cilat kishim luftuar. Sabit Gashi i kujtoi aty disa emra të dëshmorëve, përfshirë edhe dy vëllezërit e tu. Pastaj, Sabit Gashi vazhdoi t’i përmend disa nga veprimet e tua të atij 6 mujori, e të cilat, sipas nesh, binin ndesh me ato të parat.

Pas kësaj, radhën e kishe ti. A të kujtohet Ramush, çka bëre dhe çka the ti? Në fillim qave Ramush! Po nuk qave pak, qave shumë! Jo si “dy lotët” metaforik, por dhjetëra lot të vërtetë lagën tavolinën. Kur u ngope vaj, u përpive dhe the: “Ju keni të drejt! Krejt ashtu është! Por, unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”! Le të përfundoj këtu kujtimi, se edhe ashtu, takimi ishte i shkurtër.

Po sot Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin? Në fillim anulo vendimin për rritjen e pagave, largo të gjithë zëvendësministrat dhe disa ministra dhe grumbullo njerëzit e dijshëm dhe të pa korruptuar rreth vetes! – Po, por më prishet partia, thua ti. Po le të prishet o Ramush, se nuk të vlen gjë ajo parti që nuk të përkrahë për përparimin e Kosovës. – Po, vazhdon ti, edhe me vendos që mos me ruajt partinë, me punu drejt, ma prishë qeverinë PDK-ja.

Po le ta prishë, o Ramush, se nuk të vlen gjë qeveria që miraton demarkacion jo transparent, që bën dhe lejon korrupsion, që bën dialog jo transparent. Ti, tri vjetët në vijim mund t’i përdorësh që të përmendesh edhe 30 të tjera, si njeriu që shënoi epokën dhe filloi erën e Kosovës pa korrupsion dhe zgjidhjen e mbarë për të gjitha problemet. Vetëm kështu do të bëheshe kryeministër. Se, me qeverisjen e këtij viti që shkoj, për mua nuk je kryeministër.

E di, se kjo punë nuk bëhet duke thënë; por më fal, se nuk munda pa të thënë”.

b.m. / dita

 

July 30, 2018 10:22
Komento

1 Koment

  1. Bureto July 30, 14:52

    Sa ngjajnë kryeministrat shqiptarë me njëri-tjetrin. Dikush më shumë e dikush më pak, më shumë se çdo gjë duan pushtetin. Nuk dihet në do të kujtohet ndonjëri prej tyre, për atë gjënë e madhe që po ëndërohet, Shtetin e së Drejtës, demokracinë dhe përparimin. Ndërkohë që të molepsur me edukimin komunist kanë patur si moto “Partia mbi të gjitha”!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*