Raport i KLSH për disa nga Bordet e Institucioneve Shtetërore

October 13, 2015 10:29

Raport i KLSH për disa nga Bordet e Institucioneve Shtetërore

Nuk përmirësojnë punën e institucioneve që mbikqyrin,shënojnë në procesverbale mbledhje fiktive dhe në disa raste marrin pagesa që ia caktojnë vetes jashtë çdo kriteri e logjike pagash në administratë.

Ky është konkluzioni i një raporti të KLSH mbi Bordet Mbikqyrëse të disa Institucioneve Shtetërore.

Më poshtë, njoftimi i plotë i KLSH mbi këtë auditim:

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit Nr. 527 Prot., datë 15.05.2015 ka ushtruar auditim tematik në Institucione Qendrore dhe Shoqëri Anonime për funksionimin e bordeve drejtues dhe strukturave të tjera kolegjiale drejtuese të tyre, në përfundim të të cilit KLSH i ka përcjellë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Financave, Ndërmarrjeve të Ujësjellësa-Kanalizimeve në rrethe dhe institucioneve të tjera përkatëse, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare me Vendim nr 137, datë 30.09.2015 të Kryetarit të KLSH-së.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

Në zbatimin e kuadrit rregullator ekzistues mbi krijimin përbërjen dhe shpërblimin e bordeve/komisioneve dhe Këshillave Mbikëqyrës, rezultoi një numër i konsiderueshëm punonjësish kryesisht të nivele të larta menaxheriale (Drejtorë Kabineti të Ministrave, Këshilltarë, Sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë të Përgjithshëm, Zëvendës Ministra, Drejtorë të Drejtorive etj) të angazhuar në kohë të pjesshme në cilësinë e kryetarëve/anëtarëve në borde, komisione, këshilla dhe organe të tjera kolegjiale.

Kjo kategori punonjësish përveç pagës në ushtrim të funksioneve te tyre organike, përfiton të ardhura të tjera nga angazhimi në këto struktura kolegjiale, që shkojne nga 2-4 struktura apo edhe më shumë per çdo punonjes, si dhe në disa raste edhe në struktura të sektorit privat, duke perfituar fonde të konsiderueshme në trajtën e shpërblimeve.

Konstatojmë se, në aspektin e performancës në punë dhe kontributit të këtyre punonjësve është realisht e pamundur si kohë fizike dhe jo vetëm kaq, angazhimi njëherazi si në institucionet ku janë të punësuar, ashtu edhe kontributi real në përbërje të bordeve, komisioneve, këshillave apo organeve të tjera kolegjiale. Impakti në këto raste është një pjesëmarrje formale, jo funksionale, jo kontribuese, pa efektivitet dhe i vetmi përfitim janë shpërblimet e konsiderueshme monetare vetjake, me pasojë abuzimin me fondet publike.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion, rezultuan pagesa të konsiderueshme të anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës në shoqëritë anonime ndërkohë që këta punonjës nuk kanë marrë pjesë ose kanë marrë pjesë në një numër minimal mbledhjesh, duke sjellë për pasojë absurditete te tilla të pagesave kundrejt mungesës së kontributit, dhe shpërblime për punë që nuk është kryer nga përfituesi, me impakt të drejtpërdrejte abuzim të fondeve publike.

Nga auditimi u konstatuan raste të përfitimit të shpërblimeve të ekzagjeruara për pjesëmarrje në këshillat e bordet, të cilat shkojnë nga 60.000 -162.000 lekë/për mbledhje, në disa raste edhe duke mos marrë pjesë në mbledhje!

Kemi vërejtur se nga ana e titullarëve të Ministrive janë emëruar pjesëmarrës në borde, komisione, këshilla apo organe të tjera kolegjiale Drejtorë Kabineti dhe Këshilltarë Ministrash të cilët referuar Ligjit nr 152/2013 “Për nëpunësin civil” neni 2 pika gj “Fusha e veprimit”dhe neni 4 “Përkufizime” pika c nuk përfshihen në kategorinë e punonjësve të nëpunësve civil por “Funksionarë kabineti”. Pjesëmarrja në struktura kolegjiale e kësaj kategorie punonjësish, e cila nuk gëzon statusin e nëpunësit civil sjell për pasojë ndërrimin e tyre sa herë që ndërrohen titullarët e Ministrive, ndërkohë që Këshillat Mbikëqyrëse/Drejtuese janë organe drejtuese te shoqërive me funksione vendimmarrëse dhe mbikqyrëse e në këtë aspekt duhet të funksionojnë si organe thellësisht teknike.

Në një numër të konsiderueshëm shoqërish anonime, nga Titullarët e Ministrive ( Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtise, Turizmit dhe Sipermarrjes(MZHETTS), Ministria e Financës dhe Ministria e Transporteve dhe Industrisë) jane propozuar dhe emëruar si anetare ne Keshillat Mbikqyres punonjës, detyrat funksionale te te cileve nuk kishin të bënin me veprimtarinë dhe sektorin në të cilën bënte pjesë shoqëria anonime, duke sjellë për pasojë mungesën e ekspertizës teknike dhe për më tepër shpenzimin e fondeve për shpërblimin e tyre për një punë/shërbim të cilën ata nuk mund ta ofrojnë duke shkaktuar në këtë mënyrë abuzime me fonde publike dhe ulje të performancës funksionale dhe vendimmarrëse të këtyre strukturave.

Nga auditimi u konstatua se në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 642, datë 11.10.2005 “Për Këshillat Mbikqyrës të shoqërive anonime shtetërore” në Udhëzimin e METE Nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikqyrës në shoqëritë anonime shtetërore”, nuk është përcaktuar se kush është struktura përgjegjëse në Ministri që kryen përzgjedhjen e kandidaturave si dhe struktura që duhet të mbajë bazën e të dhënave të angazhimit të punonjësve të Ministrisë apo dhe të institucioneve vartëse të angazhuar në struktura kolegjiale. Në udhëzimin nr. 318, datë 08.04.2009 vetëm për përfaqësuesit e MZHETTS, është përcaktuar se kandidaturat paraqiten nga drejtues të dikasterit. Për ministritë e tjera të linjës nuk ka një procedurë të përcaktuar, pra rezulton boshllëk procedural se si dhe cila strukturë në dikaster i propozon përfaqësuesit në Këshillat Drejtues.

Në opinion të përgjithshëm, KLSH konstaton se Këshillat Mbikqyrës, me vendimmarrjet e tyre favorizuese dhe arbitrare jo vetëm nuk luajnë një rol mbikqyrës, drejtues dhe përcaktues për zhvillim, me efekte rritjen e performancës së shoqërive anonime shtetërore, por, krahas paefektshmërisë së tyre, me nënshhtrimin e plotë ndaj atij që u paguan borderotë, në disa raste shfaqen dhe në rolin e “avokatit mbrojtës” ndaj administratorëve abuzivë dhe shkelësve të ligjit, dëshmi jo vetëm e mungesës së profesionalizmit, por edhe papërgjegjshmërisë së këtyre organeve.

Në përfundim të auditimit, KLSH ka dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e bazës ligjore dhe funksionimit të organeve kolegjiale, ndër të cilat më kryesoret janë:

Për kufizimin e numrit të pjesëmarrjes në strukturat kolegjiale dhe abuzimet qe rrjedhin me fondet shteterore, kemi rekomanduar që funksionarëve politikë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës publike t’u ndalohet pjesëmarrja me të drejtë pagese në më shumë se një këshill, bord, komision apo organ tjetër kolegjial në njësitë e qeverisjes qendrore dhe në shoqëritë anonime.

Përjashtohen nga kufizimi i mësipërm anëtarësimi me zgjedhje në Organet e Arsimit të Lartë Publik; i) Këshilli Administrativ ii) Senati Akademik iii) Këshilli i Fakulteteve.

Masa e shpërblimit mujor për funksionarët politikë, nëpunësit civilë dhe punonjësit e administratës publike e përfituar si e ardhur nga paga, në ushtrim të funksioneve organike të punonjësit si dhe të ardhurat e realizuara nga pjesëmarrja me kohë të pjesshme në struktura kolegjiale (këshilla, borde, komisione apo organe të tjera) nuk duhet të kalojnë nivelin e pagës mujore të Presidentit te Republikes ose të Kryeministrit, pavarësisht numrit të strukturave që ata marrin pjesë.

Në kuadrin e ri rregullator të vendoset kufizimi sipas të cilit: Përjashtohen nga pjesëmarrja në këshilla, borde, komisione apo organe të tjera kolegjiale punonjësit që në ligjin nr 152/2013 “Për nëpunësin civil” përfshihen në kategorinë “Funksionarë kabineti”.

Në funksion të eliminimit të shpërblimit të anëtarëve të Këshillave Mbikqyrës pa marrë pjesë në mbledhje, kemi rekomandua që në kuadrin e ri rregullator të parashikohet një klauzolë ku shpenzimet për kryerjen e pagesës së punonjësve në përbërje të Këshillave Mbikqyrëse të kryhen bazuar në dokumentin vërtetues të pjesëmarrjes në mbledhje.

Të rishikohen kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillave Mbikqyrës në shoqëritë anonime, duke synuar përcaktimin e kritereve specifike në drejtim të kualifikimeve, përvojës, eksperiencës dhe ekspertizës teknike që duhet të disponojë kandidati dhe që kanë lidhje organike me aktivitetin që zhvillon shoqëria anonime.

Krahas sa më sipër, si kriter parësor duhet që kandidati të jetë personalitet i fushës, të emërohet nga strukturat shtetërore që kanë në administrim shoqërinë anonime shtetërore.

Si kriter i veçantë duhet të jetë dhe orientimi i kandidaturave drejt profesorëve të universiteteve publike që janë profesionistë të fushës, ekspertëve, gazetarëve ekonomikë etj, pra individë të spikatur në fushën dhe aktivitetin që mbulon shoqëria.

Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë përfaqëson një bord specifik me detyra të rëndësishme dhe komplekse të lidhura me drejtimin dhe monitorimin e një tregu të rëndësishëm si ai monetar, me reflektime të qarta dhe të mprehta në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, dhe në këtë aspekt angazhimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues në organe të tjera kolegjiale sjell për pasojë dhe risqet potenciale gjatë procesit të vendimmarrjes. Kemi rekomanduar që në kuadrin e ri rregullator të vendoset kufizimi sipas të cilit: Anëtarëve të Këshillit Drejtues të Bankës së Shqipërisë u ndalohet pjesëmarrja në borde/komisione/këshilla apo organe të tjera kolegjiale të administratës shtetërore apo enteve publike, përveç strukturave të fushës akademike dhe shkencore.

Në funksion të unifikimit të mënyrës së pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kemi propozuar qe Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ministrinë e Financave, të ndërmarrin nismën ligjore dhe të paraqesin në Këshillin e Ministrave, projekt-vendim mbi mënyrën dhe masën e pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kryesisht në rregullimin e problemeve të rezultuara nga auditimi:

Në këtë kuadër të rishikohet numri i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, me synim reduktimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, pasi deri tani si shoqëritë me një numër minimal punonjësish dhe ato me mbi 600 punonjës kanë të njëjtin numër prej 6 anëtarësh.

 

 

 

October 13, 2015 10:29
Komento

1 Koment

  1. ina October 14, 07:11

    Mendoj se ligji nuk duhet te lejoj kaq shume hapesira per emerime te shumefishta ne organe kolegjiale. Ndoshta percaktimi i kritereve me te qarta per te qene pjese e tyre do te ishte me mire. Gjithashtu nuk kuptoj se si nje individ i vetem i emeruar ndoshta ne dy opo tre organe kolegjiale mund ta gjeje kohe te punoj me rendiment per te tre?! Kjo eshte cudi e madhe …..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*