RAPORTI/ BE: Shqipëria përparim të qëndrueshëm

December 15, 2015 11:54

RAPORTI/ BE: Shqipëria përparim të qëndrueshëm

Bashkimi evropian vlerëson “përparimin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria në trajtimin e 5 përparësive kyçe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, ndërsa vë theksin te reforma në Drejtësi e çmon “angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe përputhshmërinë e saj me politikën e Jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Këto elementë vihen në dukje në dokumentin e siguruar nga Zëri i Amerikës, lidhur me përfundimet që pritet të miratohen sot nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Edhe një herë, Bashkimi evropian “nënvizon se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për  reformat që lidhen me Bashkimin evropian do të jetë jetik për përparimin e mëtejshme drejt BE-së”.

Lidhur me 5 përparësitë kyçe Këshilli vlerëson “në veçanti, reformën në administratën publike dhe  përgatitjen e një reforme të plotë të sistemit gjyqësor”, duke inkurajuar Shqipërinë “të vazhdojë përpjekjet e saj”.

Në raportin e Progresit të paraqitur muajin e kaluar nga Komisioni europian, përcaktoheshin qartë detyrat e mbetura për plotësimin e të gjithë prioriteteve të identifikuara si kusht për hapjen e bisedimeve.

Megjithatë ky hap do të kërkojë kohën e vet, pasi më parë, Komisioni do të duhet që fillimisht t’i rekomandojë vendeve anëtare hapjen e bisedimeve. Këshilli duket se lë hapur mundësinë, sic ka ndodhur dhe në të kaluarën, që nëse këto përparësi përmbushen, t’i drejtohet menjëherë vendeve anëtare.

“Komisioni ftohet të raportojë, përvec Raportit të Progresit për vitin 2016, në mënyrë gjithë përfshirëse dhe të detajuar, mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 përparësive kyce”, theksohet në përfundimet e Këshillit, ku nënvizohet gjithashtu se “duhet të garantohet dhe zbatimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i 5 përparësive”.

“Këshilli vëren do të nevojiten përpjekje të mëtejshme për këto 5 përparësi – shkruhet mes përfundimeve – në vecanti, miratimi i paketës së reformës gjyqësore si dhe përparim i mëtejshëm në krijimin e një bazë solide provash për hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë trafikun e armëve dhe të drogës”.

Duke u ndalur vecanërisht te reforma në Drejtësi, Këshilli nënvizon se ajo “ është kyce për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe se kjo reformë, mund të jetë transformuese dhe për reformat e tjera”.

Lidhur me procesin e dekriminalizimit, për të cilin palët në Shqipëri kanë ranë tanimë dakort, “Këshilli pret miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për përjashtimin e personave me aktivitet kriminal nga funksionet publike, gjë e cila do të forcojë besimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre politik dhe institucioneve publike”.

Në përfundimet mbi Shqipërinë përmendet dhe nevoja për “një legjislacion efikas dhe masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat antidiskriminuese”, ndërsa lidhur me ekonominë theksohet se “Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e saj ekonomike që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë të trajtojë informalitetin e lartë në ekonomi e të përmirësojë klimën e biznesit dhe të investimeve, ku nevojiten përpjekje të mëtejshme”.

December 15, 2015 11:54
Komento

1 Koment

  1. Macoku December 16, 07:31

    Shqiperia perparim te vazhdueshem???Fale qeverise perparim ne azil ne te gjithe europen.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*