RAPORTI BEFASUES / Në rast sulmi, 99% e punonjësve do përdornin shefat si mburojë njerëzore

April 17, 2018 17:35

RAPORTI BEFASUES / Në rast sulmi, 99% e punonjësve do përdornin shefat si mburojë njerëzore

 

TIRANË – Duke cituar të dhënat e mbledhura gjatë dy muajve të fundit anembanë spektrit të të punësuarve, si në sektorin publik, administratën e çdo niveli, sektorin privat, politikë, organizata jo dhe aq fitimprurëse etj, ISTNAT-i bën me dije një zbulim befasues: plot 99% e shqiptarëve të punësuar nuk do ngurronin as një fije për të përdorur eprorin e tyre direkt, ose çdo shef që do t’u ndodhej atypari, si mburojë njerëzore në rast të ndonjë sulmi të çfarëdollojshëm në vendin e punës.

“Siç del nga raporti, gjëja e parë që shumica dërrmuese e punonjësve shqiptarë do bënte nëse përballej me një sulmues të armatosur, ishte rrëmbimi i eprorit më të afërt dhe vendosja e tij para vetes si mburojë njerëzore,” deklaroi për mediat specialisti i ISTNAT-it Leontjev Dhjaksi.

Sipas studimit, padyshim që punonjësit do preferonin një epror të bëshëm dhe shtatlartë, që të bllokonte me trup sa më shumë plumba ose goditje me thikë, shkopinj gome apo thupra thane.

“Por sidoqoftë, askush nuk do t’i bënte naze një shefi imcak dhe të shkurtër,” theksoi Dhjaksi.

Specialisti sqaroi se shumë punonjës nuk kishin asnjë ankesë nga shefat e tyre, madje në 25% të rasteve marrëdhëniet epror-vartës ishin shumë pozitive.

“Por të vendosur përpara një situate sulmi agresiv, 99% e tyre nuk do hezitonte asnjë sekondë të vendoste me dhunë shefin mes vetes dhe agresorëve,” tha Dhjaksi, duke shtuar se 80% e të anketuarve do shfrytëzonin edhe shansin e kapjes së një eprori të dytë, nëse i pari nuk do bënte më punë.

Duke dhënë një shembull konkret, specialisti e ilustroi raportin me deklaratën e arkëtares bankare Efterpi Cjapi.

“Po të bëhej ndonjë vjedhje në bankë, unë do kapja nga leckat Jurgenin, përgjegjësin tim kaçaflaq 25 vjeçar që e ka punën me mik, dhe do ta vija para. Bile do t’u thoja grabitësve: Na, ky ka lekë, merreni!”, deklaroi Cjapi.

Gjithashtu i punësuari Sabile R., pohoi se megjithë raportin e ngrohtë dhe miqësor, nuk do ngurronte të mbrohej pas trupit të shefit të tij Lulrrafsha M.

“Nuk kam asgjë me Rrafshën,” kishte sqaruar Sabile gjatë anketimit, “djalë i mirë, ta pish në kupë. Por ç’kusur kam unë i shkreti të ha dajakun e nisur për të, kur s’kam bërë gjë?”

Në fund, specialisti Leontjev Dhjaksi bëri me dije se ky raport mbetet i bazuar mbi situata hipotetike. Kjo sepse gjasat janë që në rast sulmesh të tilla, shefat të kyçen në zyrat e tyre të mbrojtura, apo në makinat e blinduara, dhe t’i lënë gjithë të tjerët në mëshirë të fatit…

 

Shënim / Gojët e Liga është rubrikë satirike që në rast sulmi do nxirrte përpara rubrika të tjera, më serioze…

April 17, 2018 17:35
Komento

1 Koment

  1. Une... ti... ne te gjithe... April 23, 12:51

    Tju qijne vrromat se me cnjerezor se punedhenesit shqiptare nuk ka.

    E kemi ne gen qe po e vume tjetrin nen vete nuk e meshirojme deri ne fryme te fundit, – jemi njesoj kur vjen puna per tja shkerdhyer tnetrit keshtu qe nuk ja supriza ketu.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*