Epo, të shkosh në spital dhe ta lësh veten në dorë të mjekut, vetëm këtu ndodh!

August 9, 2016 11:03

Epo, të shkosh në spital dhe ta lësh veten në dorë të mjekut, vetëm këtu ndodh!

 

Raporti i fundit i Zyrës për Mbrojtjen e Pacientëve nga Vetvetja, ZMPV, vëren me shqetësim rritjen flagrante të rasteve të keq-ekzaminimeve dhe gabimeve me mjekimin e të sëmurëve në spitalet shqiptare.

Shtyse për hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, thonë Gojët e liga, ishte ankesa e një pacienti se gjatë një operacioni dy vjet më parë, atij i kishin hequr gabimisht zemrën në vend të bajameve, dhe mjeku kirurg nuk e kishte vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe.

“Në fakt, unë dyshova diçka, sidomos këtë vitin e fundit. Shpeshherë nuk i ndieja më rrahjet e zemrës”, thotë ish pacienti Zemrush Shpnetka, “vetëm tani po e kuptoj se ime shoqe dhe fëmijët kishin të drejtë kur më thoshin se nuk isha më i përzemërt si më parë”.

Por nga ana tjetër, ZMPV vë në pah edhe fajin e pacientëve, të cilët nuk e kontrollojnë veten para se kirurgët të qepin plagët pas operacionit.

Sipas drejtuesit të Zyrës, Projekt Leku, “pacientët shqiptarë, ndoshta edhe për faj të tranzicionit të zgjatur, janë apatikë dhe të paorganizuar. Madje, të papërgjegjshëm do të thoja. Ata preferojnë t’ja fusin gjumit gjatë operacionit dhe të kujtohen pas të vjelit”. Për zotin Leku, pacientët si grup interesi, nuk bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe vuajnë nga mungesa e organizimit.

“Kemi bërë një vëzhgim në spitalin “Nënë Tereza”, me ndihmën e një fondi luksemburgas prej 2 milionë eurosh”, thotë Projekt Leku, “dhe konstatuam se asnjë nga pacientët nuk tubohej në protesta e peticione. Ata parapëlqenin të rrinin shtrirë në shtrat gjithë ditën e perendisë. Shumica ishin aq dembelë, sa mezi hapnin sytë kur kishin vizita. Janë mësuar thjesht të zgjasin dorën për të kapur ndonjë kavanoz komposto mbi komodinë. Epo, të shkosh në spital dhe ta lësh veten në dorë të mjekut, vetëm këtu ndodh!”

 

 

******

SHËN.RED. / Gojët e Liga është një rubrikë satirike në DITA. Çdo përputhje me ngjarje apo rrethana reale është krejt rastësi

August 9, 2016 11:03
Komento

3 Komente

  1. Petro April 26, 00:27

    Eshte fakt i pamohushem, qe pacientet vijne te semure ne spital ndaj skan fuqi te protestojne. Jazek

    Reply to this comment
  2. Teli April 26, 00:28

    Hahahaha, i kishin hequr zemren ne vend te bajameve, dhe ndjeu qe dicka mungonte??????

    Reply to this comment
  3. gjermani i fundit August 9, 22:12

    Edhe zonjes Qeflie Sallami i kishin ekzaminuar pjeshken ne vend te bajameve, por ajo nuk protestoi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*