RAPORTI / Shqiptarët ecin gjithnjë e më pak me brekë nëpër këmbë

March 12, 2018 11:45

RAPORTI / Shqiptarët ecin gjithnjë e më pak me brekë nëpër këmbë

Një raport të dhënat e të cilit ekspertët i kanë quajtur tejet dekurajuese, ka zbuluar së fundmi se shqiptarët e rritur të moshës mbi 18 vjeç ecin shumë herë më pak me brekë nëpër këmbë, nga sa thonë legjendat urbane.

Raporti i përpiluar pas një studimi të Universitetit Euro-super-Galaktik të Tiranës, pohon se një shqiptar i rritur, mesatarisht nuk ecën më shumë sesa 1 kilometër në vit me pantallona ose të mbathura nëpër këmbë.

Akoma më dramatik është zbulimi se kjo lloj ecjeje, në fakt ndodh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si për shembull kur mbaron befasisht letra e tualetit, dhe nuk është aspak një trend në rritje që mund ta hasësh rrugëve të Shqipërisë.

Një nga përpiluesit kryesorë të raportit, filozofi Shafran Qurri, pohon për Gojët e Liga se shqiptarët duhen lexuar mes rreshtash kur vjen puna për pohimet e tyre mes shokësh dhe të njohurish në jetën e përditshme.

“Nëse pyet një banor të Tiranës, Durrës, Kavajës apo Korçës, se si i ka punët dhe hallet, nuk është çudi të të thotë: Po ja ashtu, me brekë nëpër këmbë,” thotë Qurri, duke shtuar i nervozuar, “Mos i besoni. Të gënjen sy për sy”.

 Sipas raportit, rastet e rralla kur shqiptarët ecin me brekë nëpër këmbë, përveç situatave të tualetit, janë kur bie zilja e derës teksa ata po zhvishen, apo kur kanë harruar të mbërthejnë zinxhirin dhe kopsat në nxitim e sipër për në punë.

“Megjithatë, këto janë raste të papërfillshme,” thotë Qurri. Ai pohon se për fat të keq, shqiptarët janë dembelosur dhe nuk ecin më si dikur me brekë nëpër këmbë.

“Ne i inkurajojmë nismat për rrallimin e makinave në qendrat e mëdha urbane. Por duket se ato nuk ndikojnë në shtimin e kësaj ecjeje. Madje po na merr malli edhe për ecjen ordinere, me pantallona dhe benevrekë veshur,” thotë Qurri.

Më tej, në një bisedë të lirë me të dërguarin e Gojëve të Liga, kur filozofi u pyet sesi po ja çonte atje në Universitetin Euro-super-Galaktik të Tiranës, ai u përgjigj, “e mo ja ashtu, me brekë nëpër këmbë”.

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike që është pro ecjes…

March 12, 2018 11:45
Komento

2 Komente

  1. Mjerishte ne Shqiperi gjithcka iken me brek neper kemb March 12, 12:06

    ky o stili preferuar i shqiptarit 🙂

    Reply to this comment
  2. Niko March 12, 22:07

    eshte e vertete, edhe andej nga liqeni askush nuk vrapon me breke neper kembe. Gjynah, dikur behej nami

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*