Raporti/ Si spiunonin kolegët njëri-tjetrin në RTSH

October 5, 2016 09:36

Raporti/ Si spiunonin kolegët njëri-tjetrin në RTSH

Publikohet për herë të parë dokumenti sekret i 12 korrikut të vitit 1982, i funksionarit të lartë të aparatit të Komitetit Qendror, Leko Mako, me kritika, akuza, spiunime e denoncime, që punonjësit e Radio-Televizionit dhe komunistët e atij institucioni kanë bërë ndaj njëri-tjetrit dhe kuadrove drejtues…

Të gjitha akuzat se çfarë thuhet në raport për drejtuesit kryesorë, Çajup Rusmali, Marash Hajati, Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, regjisorët, redaktorët e gazetarët, si Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Arjan Bakiri, Shpresa Musliu etj., e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë të atij institucioni….

Edhe pse kishin kaluar plot dhjetë vjet nga furtuna e madhe që përfshiu RadioTelevizionin Shqiptar, pas Festivalit të XI-të të Këngës, ku mjaft prej kuadrove drejtues kryesorë, bashkë me disa kompozitorë, këngëtarë, regjisorë, redaktorë, gazetarë etj., u shkarkuan dhe u dërguan në prodhim, apo përfunduan burgjeve e internimeve në skajet më të largëta të vendit, akoma aty s’kishte qetësi…

Agron Çobani, gjatë një kronike televizive
Agron Çobani, gjatë një kronike televizive

Kontrolle pas kontrollesh, inspektime, mbledhje pas mbledhjesh, informacione, raporte pas raportesh, relacione, letra pas letrash me gjithçka ndodhte aty, intriga, spiunime, thashetheme, sajesa, të vërteta, të pavërteta, gjysmë të vërteta etj., etj., i dërgoheshin udhëheqjes së lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që kishte në vartësi direkte atë institucion, nga më të rëndësishmit të atij regjimi.

Këtë gjë, veç të tjerash, e tregon më së miri edhe ky dokument arkivor i datës 12 korrik 1982, i cili publikohet për herë të parë nga gazeta “Panorama”, ku në 6 faqe të daktilografuara, i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Leko Mako, u bën me dije shefave të tij në sektorin e edukimit, mbi gjithçka ka mbajtur shënim në bllok, rreth atyre ç’ka ka parë, dëgjuar dhe konstatuar nga dy mbledhjet e organizatave bazë të Partisë të RadioTelevizionit, ku ai ka asistuar.

Koha kur janë mbajtur këto mbledhje që përshkruhen në dokumentin e mëposhtëm, përkon me periudhën pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete.

Dhe pas kësaj ngjarjeje, në të gjithë vendin zhvilloheshin mbledhje të shumta, ku diskutohej e merrej në analizë letra që Komiteti Qendror i PPSH-së u kishte dërguar organizatave bazë të partisë, me temë: “Tablo sinoptike, mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit Mehmet Shehu”.

Në këtë kontekst, janë mbajtur edhe dy mbledhjet në Radio Televizionin Shqiptar, ku komunistët e organizatave bazë të partisë të atij institucioni mjaft të rëndësishëm, kanë diskutuar në frymën e asaj letre të Komitetit Qendror, duke akuzuar mjaft ashpër kolegë të tyre dhe deri te drejtuesit e Radio-Televizionit.

Në studiot e RTSH-së
Në studiot e RTSH-së

Në pamje të parë, ajo çka bie në sy nga sa shkruhet në atë informacion janë kritikat me akuzat ndaj disa emrave e personazheve nga më të njohurat e Radio-Televizionit Shqiptar, si Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Shpresa Musliu, Zhaneta Petushi etj., e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë të atij institucioni.

Duket qartë se etiketimi që bëhet “për paaftësi”, ndaj emrave të tillë si: Keko, Gjata, Ndocaj apo dhe Bakiri, ka qenë tendencioz, pasi për hir të së vërtetës, duhet thënë se ata ishin dhe janë ende edhe sot, nga më profesionistët e Radio-Televizionit Shqiptar.

Por akuzat më të rënda i janë bërë Agron Çobanit, një prej profesionistëve më të spikatur apo siç konsiderohej ndryshe: ikonë e Radio-Televizionit Shqiptar, në atë kohë dhe më pas, i cili akuzohet se ka ndërhyrë për të marrë në punë në RTSH dhe se i kishte nxjerrë shkollën e lartë punonjëses Mirela Llakaj, vajzës së Veli Llakajt, shefit të Shtatmadhorisë të asaj kohe dhe njëkohësisht zëvendës i parë i Kadri Hazbiut

. Dhe gjithashtu “lidhja e tyre”, vazhdonte më tej, pasi dy-tre persona të tjerë nga familja Çobani (Astriti, Petriti etj.), ish-ushtarakë të lartë të diplomuar me rezultate të larta në Bashkimin Sovjetik, shërbenin ende në ushtri si oficerë madhorë, vartës të Kadri Hazbiut e Veli Llakajt…

Përveç kësaj, Agron Çobani akuzohet në atë raport edhe për favoret që u ka bërë dy punonjëseve të tjera të Radio-Televizionit (Teuta Meçaj e Siera Vaso), ku njëra prej tyre ishte e motra e një drejtuesi të lartë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë (vartës direkt i Feçorr Shehut), që mbulonte inteligjencën, pra dhe RadioTelevizionin.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Agron Çobani ishte vëllai i gruas së Feçorr Shehut, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, i cili vetëm dy-tre muaj më vonë, në tetorin e atij viti, u arrestua së bashku me Kadri Hazbiun, duke u akuzuar si pjesëtarë të grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu.

rtsh 1

Ndërsa Veli Llakaj i shpëtoi ndëshkimit vetëm me degradim, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, pas një viti hetuesie dhe torturash, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim. Dhe në këtë kontekst të zhvillimit logjik e real të ngjarjeve, duket qartazi se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe e kopsitur hollë deri me detaje që më parë, për të “gjetur lidhjet” e mundshme të Agron Çobanit me Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Veli Llakajn…

Këtë hipotezë e përforcon edhe më tej fakti që në raport, i deleguari i Komitetit Qendror, sugjeron: “…Të thërritet Agron Çobani dhe të thotë se përse ka ndërhyrë për vajzën e Veli Llakajt etj…”.

Kështu, kritikat e akuzat që u bëheshin personave të përmendur në raport nuk ishin gjë tjetër veçse një skenar i mirëmenduar dhe përgatitur nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, me në krye Enver Hoxhën, në kuadër të goditjes dhe eliminimit të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Ziçishtit, Llambi Peçinit etj., që u pushkatuan si pjesëtarë të ashtuquajturit “Grupi armiqë- sor i kryesuar nga Mehmet Shehu”.

(Dokumenti arkivor që po publikojmë më poshtë botohet integralisht siç është shkruar, pa asnjë ndryshim).

INFORMACION I SEKTORIT TE EDUKIMIT NE KOMITETIN QENDROR TE PPSH PER KETE PROBLEM: FIGURA MORALE-POLITIKE E PUNONJESEVE TE RADIO-TELEVIZIONIT

Informacion

Më datën 5 dhe 8 korrik 1982 mora pjesë në dy mbledhje të organizatave bazë të partisë të Radio Televizionit, në atë të radios së brendëshme dhe të televizionit, ku u diskutua për problemet që ngrihen në letrën e Komitetit Qëndror të partisë drejtuar organizatave bazë të Partisë; njëkohësisht u informova dhe për zhvillimin e mbledhjeve për këtë problem dhe në organizata të tjera të këtij institucioni.

Komunistët ishin njohur me përmbajtjen e letrës disa ditë më parë, mbledhjet ishin përgatitur në përgjithësi mirë, kish preokupacion nga komunistët, të cilët u solidarizuan me letrën dhe në diskutimet e tyre bënë përpjekje të kritikonin të metat e shfaqjet e huaja që vihen re në organizatat e tyre, në institucionin e radio-televizionit dhe jashtë tij.

Në tërësi në këtë mbledhje u theksua se në Radio-televizion ekziston një gjëndje morale dhe politike e shëndoshë. Ka luftë e përpjekje për zbatimin e detyrave që ka shtruar Partia dhe është formuar në një shkallë më të lartë uniteti i kolektivit dhe i vetë organizatave bazë të partisë. Komunistët dhe kuadrot në përgjithësi kanë luftuar për pastërtinë e figurës moralo-politike të tyre.

Por nga diskutimet që u bënë nga komunistë në këtë mbledhje dalin dhe këto problem; ka të meta dhe dobësi në punën që duhet bërë për të rritur rolin udhëheqës të organizatave bazë të Partisë. Të forcohet kritika dhe autokritika.

Vumë re se brenda organizatës-bazë, komunistët zhvillojnë pak kritikë dhe autokritikë për njëri-tjetrin, ka hezitime për të reflektuar ndaj të metave që vihen në dukje, ka justifikime. U shtua detyra që komunistët të bëjnë më shumë përpjekje e të jenë në rolin pararojë, duhet të luftojnë më shumë, që të rrisin cilësinë në krijimtari dhe në përgatitjen e emisioneve.

 Faksimile të raportit që Leko Mako i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë në vitin 1982
Faksimile
të raportit që Leko Mako i
dërgonte Komitetit Qendror
të Partisë në vitin 1982

U tërhoq vëmëndja dhe u bënë kritika në organizatën bazë të Partisë se dhënia llogari e kuadrove para masës, nuk bëhet si dhe sa duhet, në këtë drejtim mungon dhe shëmbulli personal i komunistëve. Nuk punohet mirë në marrjen e kuadrove në të gjithë sektorët e radiotelevizionit.

Shqetësimi i komunistëve ishte se në radiotelevizion vijnë mjaft kuadro me hatëre, me ndërhyrje. Kjo ka bërë që të futen në këtë institucion shokë dhe shoqe të paaftë për detyrën që kryejnë, këta përbëjnë rreth 40 veta.

Njëkohësisht vihet re, u tha në diskutimin e komunistëve, se ka shumë lidhje farefisnie: vëlla-vëlla, vëlla-motër, kushërinj, si dhe 27 çifte, këta përbëjnë 90 veta. Ekziston tendenca për të sjellë dikush nipin a mbesën, duke bërë presion, pasi i dinë vëndet vakante: ekziston dhe tendenca tjetër tek ata që dalin në pension për të prurë në radio-televizion dikush vajzën dhe dikush djalin.

Liri Çeli, përgjegjëse e redaksisë së programacionit, tha se na sjellin kuadro në sektor dhe nuk na marrin asnjë mendim. Puna e kuadrit është mbyllur në “kullën” e drejtorit.

U muarrën në punë tha ajo, Mirela Llakaj, e bija e Veli Llakaj, nuk u pyetëm. Mirela kishte dy muaj në punë dhe mori të drejtën nga Agron Çobani për vazhdimin e shkollës, shumë të tjerëve nuk u jepet.

Në organizatën e Partisë të Radios së brendëshme u tha se kemi pasur ndërhyrje për vazhdimin e shkollës së lartë, për t’u dhënë të drejtë disa daktilografisteve etj., në një kohë që u është refuzuar kërkesa për t’u dhënë të drejtë studimi disa redaktorëve.

Në organizatën e Partisë të Televizionit u kritikua marrja në punë e Teuta Meçaj e Siera Vaso, duke mos marrë më parë mendimin e përgjegjësve të sektorëve ku ato punojnë. Teuta Meçe, u tha, është motra e Latif Meçe, oficer në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës, që mbulon Radio-Televizionin.

Teuta ka ardhur nga Vlora, veprimin për marrje e saj në punë e ka bërë Agron Çobani. Në praktikën e punës së kuadrit vitet e fundit vihet re se nga ndërhyrjet e shumta merren kuadro nga rrethet e disa herë edhe nga rrethet e vogla, si Puka, Gramshi, që kanë nevojë për kuadro.

Gjatë tre vjetëve të fundit janë marrë nga rrethet 28 kuadro. Komunistët kritikuan këtë praktikë, duke vënë në dukje edhe emra kuadrosh që janë marrë si; Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Leonard Gjata etj, që nuk janë sa duhet të aftë.

Ndërhyrje të shumta ka pasur për të sjellë në Radio-televizion Vilma Bletën, e shoqja e Maqo Bletës, e cila është laborante në Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha” dhe ka ardhur arkiviste, këtë lëvizje disa komunistë që diskutuan nuk e quajtën të drejtë. Ndërhyrje ka pasur edhe për Arjan Bakirin, që ka mbaruar fizkulturë, punon sot në programacion, i paaftë etj….

12 korrik 1982

Leko Mako

October 5, 2016 09:36
Komento

7 Komente

  1. andromeda October 5, 09:49

    Mua më duken si pallavra të gjitha këto. Vërtet që Agroni u ‘dënua’ pse kishte lidhje familjare me Feçorrin dhe Kadriun, por si u hoq nga TV shkoi në kinostudio si skenarist, një tjetër institucion propagande. Sa për të paaftët që citohen më lart, mendoj se të tillë kanë qenë atëhere dhe më pas. Pse nuk publikohet lista e atyre që kishin vulën e spiunit 80 leksh? Kjo po që do ia nxirrte horllëqet RTSH.

    Reply to this comment
  2. anticensurë 25642654 October 5, 10:35

    titulli:
    “Raporti/ Si spiunonin kolegët njëri-tjetrin në RTSH”
    më poshtë kemi një raport të mbajtur nga një i dërguar i KQ “Më datën 5 dhe 8 korrik 1982 mora pjesë në dy mbledhje të organizatave bazë të partisë të Radio Televizionit,”!!
    pra nuk kemi spiunim por ngritje problemesh!!
    për gjithçka thuhet në këtë raport nuk shoh ndonjë gjë të keqe!!goditje e nepotizmint dhe e paaftësisë!!
    dikush mund të thotë se me të vërtetë ishte parapregatitja për feçorrin me shokë!?
    por në fund të fundit në këtë rast nuk kemi asgjë të jashtëzakonshme,nuk kemi spiunim,por të dhëna të folura në një mbledhje ku duhet të kenë qënë dhe personat e akuzuar,nëse kanë qënë komuistë!!
    këto në vënd të quhen “SPIUNIME”,mentaliteti i mutit i shqiptarit që mbron padrejtësinë pavarsisht se goditet prej saj,duhet të quhen kritika për mbarvajtjen në punë!!në vënd që të përçmohen duhet të vlersohen dhe të praktikohen tashti!!
    por duke u bazuar dhe në shkrim,tarrallak,shoh vetëm tendencë për manipulim,indoktrinim!!
    pavarsisht kohës dhe ndoshta qëllimit që është bërë,ai është për të marrë shëmbull e për ta zbatuar sot!!
    sot ke të njëjtat gjëra!!spiunime dhe spastrime në bazë të këtyre spiunimeve sa herë ndërrohen partitë në qeveri!!spiunime që nuk janë të mbajtura në protokolle por të thëna në vesh!!
    sot,RTSH është një organ shtetëror i gangrenizuar,i çuar në atrofizim vetëm e vetëm për të marrë para nën dorë nga televizionet private!është thjeshtë një vatër e ngrohtë për të strehuar përkrahësit politik!për të marrë një rrogë duke bërë sikur punon!!

    Reply to this comment
  3. shpatar October 5, 11:05

    Spiunlleku ka qene dhe mbetet veci cnjerzor i kombit shqiptare .Spiunlleku ne Shqiperi u evolua me tradhetine qe se bashku po bejne dhe sot kerdine .Te shesin, jo vetem ata me te cilet nuk ke lidhje fisnore apo familjare, por dhe gjaku yte .Kjo rrjedh se shqiptaret jane produkte i intrigese dhe i pabesise per te perfituar nje jete me te mire edhe brenda familjes .
    Familja shqiptare ne kohen e Zogut ishte me e konsoliduar .Ndoshta dhe per faktin qe jetohej ne bashkesi ku kryefamiljari kishte pushtet .Kur filloj tu kapi by..gjize shqiptarve si ne kohen e komunizmit dhe tani pushteti kaloje nga kryefamiljari tek kapot e politikes dhe te pushtetit .Mafia ne pushtet shkaterroje familjen sa sot kemi degjuar e degjojme qe djali vret babane ,dajon ,vellajne dhe spiunlleku dhe tradhetia jane c’vleftesuar .Pra nga spiun ne tradhetar ,ne vrases dhe perfundimi shkaterim kombetar .
    Defektet jane te shumta si pasoje e politikave jo eficente ne sensin kombetar .Na duhet te bejme nje ndryshim rrenjesor me dhimbje qe te normalizojme kete shkaterim mbarekombetar .Jo vetem sistemi i edukimit por dhe reforma ne gjithe fushat shoqerore e ekonomike.
    Gjasat jane te largeta te ndodhin ndryshimet ne mentalitetin kafsheror qe eshte edukuar ne vite .Ky cperfytyrim ne demoktaci i menyres se Drejtimit e te jetuarit normalizohet me masa drastike ndaj fenomenit ckombtarizues qe vepron lirshem tek shqiptaret .Kombi eshte mohuar nga politika dhe klasa intelektuale qe mendojne vetem si te jetojne pervehte .Beni nje krahesim se si jetojne politikanet dhe te pushtetshmit. Llogarisni pasurit e tyre dhe do kuptoni se sa te tradhetuar jemi nga kjo klase .
    Themi jemi ne kapitalizem qe i ka keto elemente .Por harrojme se per ke kapitalizem flasim .Kapitalizmit ne bote ju deshen shekuj te arrijne ato standarte qe jane sot .Politikanet tane e pushtetaret i arriten me dy mandate drejtuese. Pra parimet, me te cilen vepron sistemi kapitalist ,nuk kane lidhje me ato qe kane ndodhur e po ndodhin tek ne .
    Etja e cfrenuar per tu pasuruar me cdo cmim ka sjell gjithe kete gjendje qe dhe diskutohet si rutine neper shtypin e perditshem .Zhurmojme brenda kllapave te politikes merjane .
    Shume shtete te botes e kane patur kete fenomen por shpejte e kane korigjuar .Ne me keto simtoma, qe kemi ,as behet fjale ti kaperxejme pa nje perbysje supernova .

    Reply to this comment
    • anticensurë 25642654 October 5, 12:55

      “Familja shqiptare ne kohen e Zogut ishte me e konsoliduar”
      ke të drejtë!!
      në kohën e zogut,prandaj dhe nastradini pshurret sa herë e kujton,ka qënë fantastike!!njerëzit nuk tradhëtonin kurrë!!nuk i lëpinin bythën të parit të vëndit,bile e detyronin të bëhej mbret!!administrata kishte rregulla të forta që askush nuk ishkelte ndonjëherë!!
      or lal,
      fara që të mbijë do tokë pjellore!nuk mbin gjë në shkretëtirë!!
      mut ka qënë në kohë të zogut e muti vazhdon akoma sot!!
      nepotizmi ka egzistuar atëherë egziston dhe sot!
      të paktën në kohë të enverit luftohej deri diku si nepotizmi dhe më shumë korrupsioni!

      Reply to this comment
  4. guri October 5, 11:08

    Andromeda duhet te tregosh emra si Xhevati nga Kavaja keshtu qe del mendimi qarte.Sa per Agronin ai qe burre i zoti.

    Reply to this comment
  5. Zyfer Caco October 6, 14:40

    Ju nuk kini konceptin se kush është spiunim e kush është informacion i dalë nga analizat në institucion e në organizatat e partisë apo organizatave të masave.
    Ju djeg keqas puna e madhe që bëhej atëhere dhe analizat serioze që bëheshin për mbarëvajtjen e punëve në institucionet shtetërore.
    Harroni se sot ju vetëm kritiKoni njëri tjetrin politikisht si pozitë-opozitë e vetëm llapni e nuk merrni asnjë masë ndaj abuzimeve e vjedhjeve, bile as ndaj atyre që konstaton edhe i ashkuquajturi KLSH.
    Mos harroni se dhe vet e dini se spiunllëqet e juaja ndaj njëritjetrit, apo nga përgjimet e nga “qytetari dixhital” paguhen dhe i përdorni për të kapur njëri tjetrin me qëllim korruptimi e jo në interes të publikut, ashtu siç’ bëhej në atë kohë.

    Reply to this comment
  6. Agron December 10, 11:45

    Agronin , per dijenine tuaj e derguan mesues te thjeshte ne Kraste te Bulqizes ku punoi me dinjitet dhe profesionalizem. Njerezit e thjeshte , minatoret apo inxhinieret e minieres se Krastes e donin dhe respektonin pikerisht per cilesite qe kishte dhe tregoi edhe ne ate vend te ashper ku i ftohti shkan -16 grade celsius.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim