Raportimi sekret i vitit 1962 për Shtëpinë e Bardhë: Moska donte Mehmet Shehun për lider të partisë

Thanas Mustaqi August 28, 2015 19:02

Raportimi sekret i vitit 1962 për Shtëpinë e Bardhë: Moska donte Mehmet Shehun për lider të partisë

Për perspektivën më afatgjatë Mehmet Shehu ka qenë njeriu i zgjedhur nga Moska, si shqiptari më i besueshëm dhe kompetent për të udhëhequr; këtë pohim të bujshëm e bën shërbimi sekret amerikan. Vetëm 26 vjet pas vdekjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu (1913-1981) dhe kur nuk ishte më gjallë as Enver Hoxha (1908-1985), në maj të vitit 2007, CIA nxori nga “skutat” e veta një dokument sekret dërguar Shtëpisë së Bardhë.

Shkëputja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në vitin 1960 shkaktoi jehonë të madhe ndërkombëtare, ndaj dhe stafi shkencor-kërkimor i Agjencisë Qendrore të Kundërzbulimit (CIA) të SHBA ndërmori një studim sekret të gjerë mbi “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare në periudhën 1940-1960” (Soviet-Albanian Relations, 1940-1960).

Po bëjmë publik mendimin zyrtar të Uashingtonit për Kryeministrin shqiptar të asaj kohe (në vitin 1962 kur është dërguar në Shtëpinë e Bardhë), duke botuar dhe faksimilen e dokumentit të daktilografuar.

Është për t’u vënë në dukje shënimi në fund të mbulesës së dokumentit dhe që shpjegon arsyet e klasifikimit: “Materiali përmban informacion që ka të bëjë me mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nënkupton se u nënshtrohet ligjeve për spiunazhin… Transmetimi dhe zbulimi i këtij informacioni personave të paautorizuar ndalohet me ligj”.

Tërheq vëmendjen dhe fakti se pjesa për Mehmet Shehun nuk është censuruar, kur ky dokument, ndonëse i deklasifikuar, ka shumë vende të fshira me korrektor.

 

DOKUMENTI

“Për perspektivën më afatgjatë”

Faqja 9 e materialit të CIA-s, 22 qershori 1962, ku me ngjyrë blu është mbuluar pjesa, ku flitet për rekrutimin e Mehmet Shehut nga Moska në vitin 1945

Faqja 9 e materialit të CIA-s, 22 qershori 1962, ku me ngjyrë blu është mbuluar pjesa, ku flitet për rekrutimin e Mehmet Shehut nga Moska në vitin 1945

“Në vendimin për Hoxhën dhe mënjanimin e Xoxes, Moska mund të ketë zgjedhur njeriun e konsideruar më të dobët nga të dy, dhe më të përshtatshëm (more amenable) për të drejtuar. Por për perspektivën më afatgjatë (for the longer haul), Shehu mund të ketë qenë njeriu i zgjedhur nga Moska, si shqiptari më i besueshëm (the most reliable) dhe kompetent për të udhëhequr partinë. Kjo mund të shpjegojë gradimin e tij të papritur në pozitën e numrit dy të partisë në nëntor 1948. Ai ka qenë gjeneral jashtëzakonisht i suksesshëm në luftën partizane, dhe kishte kaluar një kohë më të gjatë (në vitet 1945-46) në BRSS se figura të tjera kryesore shqiptare. Pas kthimit të tij, u emërua shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, por para nëntorit të vitit 1948 ai nuk kishte mbajtur në parti pozitë më të lartë se sa kandidat për anëtar të komitetit qendror”. /Marrë nga studimi i 22 qershorit 1962 prej 79 faqesh “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare, 1940-1960”(Soviet-Albanian Relations, 1940-1960), përgatitur nga stafi i CIA-s për Shtëpinë e Bardhë, deklasifikuar në maj 2007, faqe 9 e origjinalit/.

 

POHIMI I DEZERTORIT TË KGB-SË

Ishte pro-sovjetik

1 mehmet shehu CIA KGBKëtë version të CIA-s të vitit 1962 e mbështet në vitin 1991 edhe dezertori sovjetik, ish-kolonel i drejtorisë së parë të KGB-së, Oleg Gordievski. Ky i fundit dhe historiani britanik Kristofer Endrju (Christopher Andrew) shkruajnë në librin me titull “KGB-ja: Historia nga brenda e operacioneve të kundërzbulimit nga Lenini deri te Gorbaçovi” (KGB: The Inside Story of Its Foreign Operations from Lenin to Gorbachev):

“Konflikti sovjetik-jugosllav i vitit 1948 e ndihmoi Hoxhën të fitojë luftën për pushtet me Xoxen. Në atë kohë, kur këshilltarët sovjetikë u larguan nga Beogradi, oficerët e MGB-së ( “Ministria e Sigurimit të Shtetit”, më vonë KGB: “Komiteti i Sigurimit të Shtetit” – Th. M.) mësynë në Tiranë. Pas prishjes së Titos me Moskën Hoxha urdhëroi të dëboheshin menjëherë të gjithë nëpunësit jugosllavë dhe iu turr kundërshtarit të tij. Xoxe u përpoq pa sukses të shpëtonte, duke u maskuar me besnikërinë ndaj Bashkimit Sovjetik. Ai dhe mbështetësit e tij u arrestuan, kurse postin e ministrit të punëve të brendshme e zuri Mehmet Shehu me prirje pro-sovjetike, i cili me ndihmën e këshilltarëve nga MGB-ja bëri spastrimin dhe riorganizimin e ‘Sigurimit’”.

Thanas Mustaqi August 28, 2015 19:02
Komento

8 Komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*