Kur ligji vlen vetëm për shou publik: Pjetri dhe pakti Marku-Zguri

August 14, 2019 11:24

Kur ligji vlen vetëm për shou publik: Pjetri dhe pakti Marku-Zguri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë dështuar të zbatojnë ligjin e dekriminalizimit të cilin vetë ato u angazhuan tre muaj para zgjedhjeve për ta respektuar.

Më 12 mars 2019, tre muaj para zgjedhjeve të 30 qershorit Klement Zguri dhe Arta Marku firmosën para mediave një marrëveshje ku merrnin përsipër me pompozitet  të verifikonin në mënyrë të thelluar çdo kandidat në garë për zgjedhjet lokale.

Verifikim i cili do të paraprinte një ndalesë të rastit të Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut të Shkodrës i cili rezulton se ka fshehur një arrestim e më pas dënim për drogë në Itali.

Siç thuhet në gërmën (ç) të pikës (I) në këtë marrëveshje, KQZ angazhohet t’i dërgojë Prokurorisë brenda afateve formularët e dekriminalizimit për të kryer verifikim të thelluar.

Nga ana tjetër Prokuroria angazhohet të kryej këtë verifikim sa më parë dhe të informojë publikun për rezultatet.

Një tjetër angazhim që marrin përsipër këto dy institucione është edhe ngritja e aplikacioneve kompjuterike të përbashkëta për të ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të krimeve elektorale apo informacioneve për efekt të dekriminalizimit.

Edhe kjo pikë ka qenë krejt formale pasi si para edhe pas zgjedhjeve një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk është promovuar apo të funksionojë qoftë edhe në portalet zyrtare si atë të KQZ apo Prokurorisë.

Pas kësaj marrëveshje është kërkuar informacion zyrtar me e-mail pranë Prokurorisë së Përgjithshme, me pyetjet:

Është person në hetim nga prokuroria shqiptare ndonjë nga këta shtetas? Duke listuar listën me kandidatët zyrtarë regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit.

Ka nisur ndonjë verifikim për efekt të dekriminalizimit sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ?

Në këtë listë është edhe emri i Valdrin Pjetrit, për të cilin tashmë Prokuroria e Përgjithshme tani thotë se ka nisur një verifikim por pas denoncimit të një partie.

Ajo çka nga pikëpyetje është fakti se përse prokuroria një proces që kërkon jo më shumë se pak minuta deri në 24 orë, ka mbi dy muaj që ende s’e ka kryer.

Katër muaj nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të mjaftonte për të verifikuar të shkuarën e çdo kandidati, minimalisht në Europol, Interpol, apo edhe shtetet ku ata kishin qëndruar si student, emigrant apo pushime ndër vite.

Por kjo nuk ka ndodhur, edhe pse ishin më pak se sa 70 kandidatë përfshi 61 të Rilindja ata të Bindjes apo edhe të pavarur.

Por institucionet shqiptare të cilat i detyron ligji dhe paguhen me taksat e publikut, jo vetëm se kanë kryer një gjë të tillë por edhe pasi ligjit i kanë shtuar një marrëveshje, sërish gjithçka ka qenë fiktive.

Na rrofshin kostumet firmato dhe poompoziteti publik i përditshëm i politikanëve dhe krerëve të institucioneve, sepse kur vjen puna te serioziteti i zbatimit të ligjeve dhe marrëveshjeve, pas fikjes së kamerave nuk kemi asnjë produkt.

b.b/dita

August 14, 2019 11:24