Rasti i veçantë i Vietnamit: 95 milionë banorë, 268 të infektuar, asnjë i vdekur

April 23, 2020 13:10

Rasti i veçantë i Vietnamit: 95 milionë banorë, 268 të infektuar, asnjë i vdekur

Ka një vend që po bën dallim nga mbarë bota në përballimin e pandemisë së koronavirusit: Vietnami.

Me 95 milionë banorë, pas katër muaj pandemie, në këtë vend ka vetëm 268 të infektuar, asnjë të vdekur dhe 171 të shëruar.

Kjo e dhënë është edhe më me vlerë nëse merr parasysh se Vietnami ka kufi tokësor me Kinën, vendin e origjinës së epidemisë.

Një arsye për këtë menaxhim thuajse fatlum është fakti se autoritetet nuk u vonuan për asnjë çast në përgjigjen  ndaj epidemisë dhe morën masa dhe udhëzuan spitalet që përpara se të niste verifikimi i rasteve të para.

Më 16 janar u lëshuan urdhëresat e para urgjente, kurse më 23 janar u konfirmuan dy rastet e para në qytetin Ho Shi Min, që ishin dy kinezë nga Wuhani.

Më 30 janar, Vietnami krijoi Komitetin Kombëtar për Parandalimin e Epidemisë, po atë ditë që Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi shpërthimin e CoVid-19 si Emergjencë Shëndetësore Globale.

Në momentin që vendi regjistroi vetëm 6 raste, kryeministri Nguyen Xian Phuc shpalli gjendjen e epidemisë në shkallë kombëtare duke informuar të 700 spitalet e vendit për atë që po vinte.

Në fund të shkurtit Vietnami kishte vetëm 16 raste, të gjithë të shëruar, ndërkohë që i 16-ti u infektua më 13 shkurt dhe u rikuperua tërësisht më 25, që do të thotë se për 12 ditë Vietnami nuk pati asnjë rast të ri.

Pacienti i 17-të që kishte një histori udhëtimi në Europë u shtrua në spital më 6 mars dhe vetëm dy ditë më vonë, zv.kryeministri dhe ministër i Shëndetësisë, Vu Duc Dam deklaroi hyrjen në fazën nr. 2.  Autoritetet miratuan përdorimin e një aplikacioni për gjurmimin dhe raportimin e pacientëve të mundshëm për të identifikuar vatra të mundshme.

Zbulimi i dy vatrave të reja çoi në fazën 3 më 22 mars që konsistonte në mbylljen e kufijve. Më 31 mars u vendos karantinimi i kufizuar i mbarë vendit deri në prill.

Ky sukses analizohet si pasojë e një zgjedhjeje menaxheriale të zgjuar, të shpejtë dhe që kompensonte mungesën e infrastrukturës spitalore të ngjashme me vende si Tajvani apo Korea e Jugut.

Kjo është cilësuar si një qasje proaktive duke mos hezituar në marrjen e masave të forta. P.sh autoritetet vendosën në karantinë komunën Son Loi me 10 000 banorë ku kishte 8 pacientë të konfirmuar dhe ngriti dy spitale fushore. Karantina u hoq vetëm 20 ditë pasi nuk pati më raste të reja.

Një tjetër shpjegim është edhe efektiviteti praktik i masave dhe zbatimi i tyre rigoroz.

Autoritetet e shpallën virusin si një armik të jashtëm dhe bënë thirrje për unitet popullor.

Që nga dita e parë, Partia Komuniste e Vietnamit deklaroi se “lufta kundër epidemisë është si lufta kundër armikut”.

Një arsye tjetër – disi befasuese – është transparenca. U ndërtua një faqe online, kishte raportim të vazhdueshëm nga ajo që po ndodhte në Itali, Spanjë, apo Francë në funksion të edukimit të njerëzve me rrezikun që po përballej vendi. Sondazhet verifikuan perceptimin pozitiv për qeverinë: 62% e vietnamezëve mendojnë se qeveria ka bërë atë që duhet.

Nuk ka një shpjegim shterues për suksesin e Vietnamit.

Patjetër që karantina dhe aplikimi i saj strikt janë një arsye që duhet vlersuar, por përmbajtja e përhapjes së sëmundjes mbetet diçka që kërkon shpjegime shtesë. Tanimë është pranuar se CoVid-19 ka goditur në mënyrë diskriminuese, asimetrike duke shfaqur simptomologji të ndryshme në vende të ndryshme.

Është një e panjohur e madhe që do të kërkojë kohë të sqarohet.

“The Diplomat”

j.l./ dita

April 23, 2020 13:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim