Realizimi i shpenzimeve kapitale deri në dhjetor: Për zyrat e pajisje 100%, për rrugët 73%

January 19, 2016 11:13

Realizimi i shpenzimeve kapitale deri në dhjetor: Për zyrat e pajisje 100%, për rrugët 73%

Gjatë 12 muajt e 2015-s institucionet qeveritare kanë qenë në gjendje të realizojnë 100% planin për rikonstruksionin e godinave e zyrave dhe blerjen e pajisjeve, ndërkohë që fondet që kanë pasur në dispozicion për rehabilitimin e lumenjve dhe kanalet kulluese janë shpenzuar në përqindje më të ulët dhe ka raste që nuk janë përdorur fare.

Akoma më i dobët është realizimi i kontratave të planifikuara për rikonstruksion apo ndërtime rrugësh, që në disa raste arrin dhe në 30-40%.

Të dhënat bëhen të ditura në tabelën e Thesarit të Ministrisë së Financave, “Niveli i ekzekutimit të projekteve për investim ende në vazhdim nga ministritë e linjë dhe institucionet qendrore të pavarura deri në dhjetor ” (I detajuar në fund).

Në total, niveli i realizimit të shpenzimeve kapitale është 76% për vitin 2015. Peshën më të madhe në këtë mosrealizim e mban Ministria e Transporteve, me një sërë projektesh rrugësh që ose nuk janë kryer fare, ose kanë performuar më ulët sesa plani.

Nga ana tjetër, pothuajse të gjitha Ministritë nuk janë kursyer në fondet për rikonstruksione zyrash, godinash, apo blerjen e pajisjeve.

Ministria Zhvillimit Ekonomik ka realizuar pothuajse 100% projektet e saj për rikonstruksion zyrash dhe blerjes pajisjesh laboratory, fondin one stop shop për investitorët e huaj dhe mbështetje për biznesin kreativ.

Ministria e Bujqësisë ka realizuar 100% fondet për rikonstruksionin e ambienteve të saj. Investimet për rezervuarë dhe kanale ujitëse e rehabilitime janë kryer në përgjithësi, megjithatë ka dhe projekte që nuk janë realizuar fare, si Pastrim sistemim lumi fshati Remenj-rruga Pogradec, apo Rehabilitimi i sistemit kryesor ujites te rezervuarit te Bazit. Në total, Ministria e Bujqësisë ka realizuar 91% të projekteve për investime kapitale.

Ministria e Transporteve, që ka dhe fondin më të lartë të shpenzimeve kapitale, është ajo që ka kryer dhe realizimin më të ulët, në total 73% (79 miliardë lekë, nga rreth 108 që ka pasur në dispozicion). Shumë pak projekte janë realizuar 100%, shumë të tjera as nuk kanë filluar dhe pjesa më e madhe nuk ka arritur të ryejë punimet e parashikuara. Psh “Ndertim rruga Kukes-Morine Loti2 (dy viadukte) dublimi (shtesë) ka realizuar vetëm 22% të kontratës.

Një tjetër projekt me vlerë të lartë, Sistemim Asfaltim rruga Tre Urat Leskovik, me fond 1 miliard lekë është realizuar vetëm 53%. Për sistemim Asfaltim Rruga Korce – Erseke Loti është shpenzuar vetëm 61% e fondit prej 1.9 miliardë lekësh.

Fondi i Zhvillimit Shqiptar, një tjetër institucion i rëndësishëm për projektet e infrastrukturës rrugore, ka arritur të shfrytëzojë 87% të fondeve prej 2.2 miliardë lekë që kishte në dispozicion.

Ministria e Arsimit dhe Sporteve, një tjetër institucion i rëndësishëm, që ka pasur në dispozicion 4.9 miliardë lekë, kryesisht për rikonstruksione shkollash e terrenesh, ka arritur ta realizojë atë vetëm 77%. Ndërsa fondet për trajnime dhe studim/projektime, ky institucion i ka realizuar 100%.

Ministria e Shëndetësisë ka pasur një realizim më të lartë plani të shpenzimeve kapitale, në rreth 89%.
Për ministritë e tjera, realizimi i projekteve varion dhe përgjithësisht është më i lartë se 90%. /Monitor/

January 19, 2016 11:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*