Redoni, hyu ilir i detrave

July 20, 2018 16:01

Redoni, hyu ilir i detrave

Moikom Zeqo

Nuk mund të ketë asnjë histori të vërtetë të mitologjive të Evropës dhe të botës pa shënuar dhe folur për mitologjinë ilire.

Kjo temë subjektore, ose më saktë ky subjekt tematik është ndër më të ndërlikuarit dhe më të çuditshmit, por nuk është as i shpikur dhe asnjë motiv fantazmagorik.

Në të vërtetë është një realitet i mbijetuar.

Të dhënat e autorëve antikë mbi ilirët dhe Ilirinë si dhe zbulimet arkeologjike kanë dimensionuar një strukturë të mitologjisë të popullit të stërmadh të ilirëve në lashtësi. Janë më tepër të dhëna të tërthorta por edhe të drejtpërdrejta, që flasin për mendësinë mitologjike të ilirëve ose të protoilirëve që nga periudha e matriarkatit. Zbulimet prehistorike, kanë shtyrë në skajshmëri që në mijëvjeçarin e IV para Krishtit dijen tonë për hyjnitë ilire apo ato më të kryehershmet para-ilire.

Shumë objekte kultike prej balte të pjekur dhe bronxi, të gjetur në fushën e Korçës, në tumat anembanë Shqipërisë si dhe koleksioni i mrekullueshëm i idhujve prehistorike të zbuluar në Kosovë, përbëjnë një material fundamental për të rikonstruktuar botën mitologjike më të kryehershme madje dhe në rrafsh evropian.

Dihet, që në fillim hyjnitë ilire kanë qenë aikonike, d.m.th. pa fytyra, pa simbole ikonografike.

Ato kanë qenë simbolizim i forcave të natyrës, apo forma të një panteizmi shpirtëror të pafund të njeriut të lashtë me tokën, ujrat, erërat, dukuritë astronomike të kozmosit.

Mitologjia klasike është produkt shumë i gjatë i një mitologjie paraprijëse.

Përgjithësisht zanafilla e mitologjisë zotërohet nga matriarkati, kurse periudha historike e mitologjisë përfaqësohet nga figura mashkullore pa harruar asnjëherë tërësinë e figurave femërore, por lëviz dhe krijohet një hierarki e re.

Të tëra mitologjitë klasike nuk i shmangen këtij rregulli.

***

Të shumtë janë autorët mitologë që kanë shkruar për mitologjinë ilire, por strukturimi i kësaj mitologjie ende nuk është kataloguar dhe specifikuar siç duhet.

Në një studim, dijetari shqiptar Sami Frashëri për mitologjinë ai përmend mitologjinë pellazge, mitologjinë e asirëve, skitëve, iranianëve, indianëve, kinezëve, fenikasve, kartagjenasve, etruskëve, keltëve, arabëve, koptëve të Egjiptit, skandinavëve, peruanëve, meksikanëve, japonezëve etj.

Samiu pra synon të konstruktojë një mitologji botërore.

Sot ka një mitologji globale botërore dhe zbulimet mitologjike të Frejzerit, Eliades dhe Klod Levi Strosit kanë krijuar teorinë e arketipeve universalë, që lindin dhe mbijetojnë tek secili popull i lashtë pavarësisht nga ndikimet reciproke.

Çdo të thotë kjo gjë?

Kjo do të thotë që autorësia e monopolizuar e mitologjive është tepër konvencionale.

Në studimet mitologjike ka zotëruar teza evropocentriste e mitologjisë klasike greke por edhe asaj romake si një entitet i dytë i së parës.

Është injoruar dhe nuk është përfillur mitologjia klasike ilire si një entitet më vete.

***

Unë kam botuar dy libra, një i quajtur “Aspekte të mitologjisë ilire” (në shqip dhe në frëngjisht) dhe tjetri me titull “Panteoni ilir”.

Duke shfrytëzuar burimet shkrimore antike dhe zbulimet arkeologjike jam munduar t’i shndërroj në një strukturë mitologjinë klasike ilire.

Jam i bindur që kjo do të fitojë qytetarinë e saj nga studimet e mëvonshme.

Ideja gjeniale e dijetarit të Kembrixhit Hamond, se djepi i figurës së Zeusit si hyjni supreme e rrufeve është pikërisht bregdeti shqiptar i Akrokerauneve (Mali i vetëtimave), në Karaburunin e sotëm në Shqipërinë jonike, vërteton se elementi burimor i mitologjisë greke, ka ardhur nga veriu i Greqisë, ashtu siç janë përvetësuar nga grekërit edhe elementët mitologjikë të hindusve dhe egjiptianëve të vjetër.

Origjina veriore, ose e quajtur ndryshe hyperboreale e Apolonit është një tjetër dëshmi e rëndësishme për lëvizjen koncentrike në procesin fermentues të mitologjisë klasike greke.

Dyndja dorike nga Veriu i Ballkanit, ka mbartur botën e Ilirisë së Veriut drejt Jugut ballkanik.

Pikërisht Veriu i gadishullit, Iliria e Veriut, por edhe ajo e Jugut, kanë dhënë substancën jo vetëm të mitologjisë klasike ilire por edhe asaj të më të stërnjohurës mitologjisë klasike greke.

Studimet e ndërthurura tregojnë qartë që mitologjia klasike ilire ka qenë një entitet i dallueshëm madje zyrtar shtetëror në kohën e shtetit ilir, sidomos në shekujt IV-II para erës sonë.

Ilirët dhe qytetërimi ilir para së gjithash si qytetërim qytetar kanë patur hyjnitë e tyre të mëdha.

***

Dy janë hyjnitë kryesore të ilirëve: Hyu Medaur, si hy i luftërave dhe i karakterit luftarak, që dëshmohet arkeologjikisht mjaft saktë, dhe hyu Redon i detrave, i mendësisë mitologjike ujore.

Ky dioskurizëm mitologjik, dëshmohet në monedhat dhe monumentet arkeologjikë në mbishkrimet dhe të dhënat e autorëve antikë.

Do të ndalem posaçërisht te figura ikonografike dhe e veçantë e hyut Redon.

Çështja e identifikimit të hyut Redon ka lindur si çështje e mirëfilltë arkeologjike.

Dëshmia më e plotë e hyut Redon ka gjithashtu karakter të palëkundur arkeologjik.

Ky hyj nuk është aspak i shpikur, por është një figurë e dokumentuar qartë.

Meritën e madhe për zbulimin e identitetit të Redonit e ka dekani i arkeologjisë moderne shqiptare, numizmati i njohur, miku im i vjetër Hasan Ceka. Hasan Ceka, ky dijetar kaq i përkorë dhe me një akribi maksimale jo vetëm e ka ngritur problemin e identifikimit të Redonit por edhe e ka vërtetuar katërcipërisht.

Historia e zbulimit dhe identifikimit është interesante. Hasan Ceka, duke studiuar koleksionin e monedhave të Lezhës bën befas zbulimin në fjalë.

***

Më 1976 në revistën arkeologjike “Iliria”, Hasan Ceka boton studimin “Busti i mbretit Gent apo figurë e mitologjisë ilire?”. Ceka merret me një mori monedhash të ndryshme të disa qyteteve ilire, që bartin figurën e një djaloshi me një kapele karakteristike në kokë, të tipit “kausia” për të shoqëruar shpesh me legjenda të ndryshme.

Kjo figurë është studiuar edhe nga dijetarë të tjerë. Fjala vjen arkeologu Selim Islami e ka quajtur si portretin e mbretit ilir Gent.

Më vonë ai e revizionon këtë mendim dhe e quan Hermes.

Kemi të bëjmë me një identifikim midis një figure historike mjaft të njohur të mbretit ilir Gent dhe të një hyu të mitologjisë klasike greke të quajtur Hermes.

Një dritë të re për sqarimin e këtij problemi hodhi zbulimi i një monedhe me legjendën Labiatam në rrethin e Kukësit.

Kjo monedhë nuk ndryshonte nga tipat e njohur më parë, të prerë nga mbreti Gent, nga qyteti i Lezhës apo edhe nga daorsët ilirë.

Nuk ka dyshim se ishte fjala për një monedhë ilire të këtij pellgu, të prerë në njërën nga tri krahinat autonome të Romës të krijuara nga Roma mbas vitit 168 p.e.s. mbi gërmadhat e Ish Mbretërisë Ilire. Tit Livi, banorët vendas pas pushtimit romak i quan labeatas, gjë që del edhe nga legjenda e monedhës.

Monedhat kanë një tipologji të përbashkët ndonëse disa kanë legjendën Lissitam, Labiatam apo Taorson.

Këto tri legjenda të monedhave me të njëjtën tipologji, plotësojnë pasazhin e paqartë të Tit Livit, për t’i emërtuar të tri krahinat pseudoautonome të ish Mbretërisë Ilire si të lisianëve, labiatasve dhe të daorsëve.

Krahinat e emërtuara nga Roma, kanë ruajtur një farë autonomie lokale, të shoqëruar edhe me të drejtën e prerjes monetare nën siglën e Romës. 168 p.e.sonë Mbreti ilir Gent u zu rob dhe u internua në Gubio të Italisë, ku ruhet ende sot varri i tij monumental.

Mbreti Gent, ka qenë një mbret i madh, të cilit i takon merita e shndërrimit të shtetit ilir nga një shtet vasal i kohës së Pleuratit në një shtet të përparuar, të pavarur, të tipit helenistik, që bazohej në një bazë të fortë ekonomike siç është centralizimi i prerjes monetare. Shkatërrimi i shtetit ilir do të thotë edhe një shkatërrim i monopolit të prerjes monetare të tij.

Pas 168 p.e.sonë romakët fitimtarë nuk mund të pranonin kurrsesi, që në krahinat ilire të kontrolluara administrativisht nga ata, të priteshin monedha me figurën e mbretit Gent.

Kështu që identifikimi i figurës së djaloshit me “kausia” në kokë, në prerjet mbas vitit 168 p.e.s. nuk mund të jetë ai i mbretit Gent.

Po çfarë ndodhi?

Në monedhat që u prenë në tri krahinat ilire vazhdon të dalë figura ikonografike e djaloshit me “kausia”.

Ajo që bëri zbulimin e misterit qe një monedhë e Lezhës e datuar si e vitit 132 p.e.sonë, pra 36 vjet pas disfatës së mbretit Gent dhe shkatërrimit të shtetit ilir.

Kjo monedhë e Lezhës, e ka figurën e djaloshit me “kausia” por është pajisur edhe me mbishkrimin sqarues REDON.

***

Jo vetëm numizmatët por edhe gjuhëtarët nuk i kushtuan vëmendje këtij mbishkrimi.

Është merita e Hasan Cekës, që emrin Redon e klasifikoi si emrin e hyut të detrave, duke sqaruar përfundimisht se figura ikonografike e këtyre monedhave është pikërisht figura e këtij Hyu.

Emri Redon është emër tipik ilir dhe bën pjesë në grupin e emrave ilirë si Agron, Baton, Dandom. Emri mbi faqen e monedhës së Lezhës, është i lidhur me një toponim, që lidhet me krahinën ku u pre monedha, me emrin gjeografik Rodon: Kepi i Rodonit, që njihet nga populli edhe si Muzhli i Skënderbeut.

Toponimi Kepi i Rodonit, njihet në dokumentet mesjetare të vitit 1324 edhe me trajtat Redonum dhe Redones për të kaluar përfundimisht në emrin e sotëm toponimik Rodon.

Logjika mbështetet edhe nga fakti se pjesa e prapme e monedhës ka si gjithnjë figurën e lembes, anijes ilire.

Kjo figurë është e kultizuar dhe shoqëron atributin mitologjik të Hyut të Detrave.

Kaq bëri Hasan Ceka dhe mendimi i tij duket sikur u mbyll brenda një monedhe.

Pati nga ata që edhe dyshuan tek ky identifikim.

Ende dhe sot shumë arkeologë e botojnë figurën e djaloshit me “kausia” në kokë si figurën e mbretit Gent.

Në të vërtetë zbulimet e ashpra arkeologjike vërtetuan tërësisht identifikimin e drejtë të Cekës.

***

Në vitet 70 të shek. XX miku im, arkeologu Kazimo Pagliara erdhi në Shqipëri dhe më tregoi mua fotografitë e disa mbishkrimeve të gjetura në Kepin Leuka, në shpellën e quajtur të Santa Marias të Leukës në Jug të Italisë.

Këto mbishkrime ngjanin shumë me ato që unë kisha zbuluar dhe botuar gjatë shtatë ekspeditave në Karaburun në vite të ndryshme në Gjirin e Gramatës.

Mbishkrimet ishin tipike, mbishkrime detarësh, që gjatë qëndrimit në tokë, vazhdonin zakonin shekullor të gdhendjes në shkëmb të emrave të anijeve të tyre.

Kështu në një mbishkrim të Leukës, dallohej qartë emri i anijes së detarëve ilirë, që e quanin Redon. Mbishkrimi i takonte si kohë shek. I p.e.s., pra një shekull më vonë pas shkatërrimit të shtetit ilir.

Detarët nuk kishin harruar dhe e quanin si krenari të ligjshme, që hyun e tyre Redon të detrave ta nderonin ende, madje të bënin edhe blatime rituale dhe ta fiksonin emrin e tij në mbishkrim.

Ky zbulim i dytë arkeologjik më bindi mua përfundimisht se Ceka kishte të drejtë.

Pagliara ka botuar një studim të gjatë për këtë fakt, ku më përmend edhe mua edhe Cekën dhe është gjithashtu i bindur në identifikimin e hyut Redon.

Por problemi përsëri nuk u mbyll në guackë.

***

Më 1991, për herë të parë unë vizitova fshatin Leshok pranë Tetovës.

Në një monument kulti, që ruhet në këtë fshat zbulova një pllakë përkujtimore me një mbishkrim në greqisht, që qe një epigramë poetike prej 4 vargjesh, që një ilir i quajtur Geta i kushton fëmijëve të tij të vdekur dhe pikërisht një nga ata kishte emrin ilir Redon.

Ky monument ishte i kohës së shekujve II-III të erës sonë.

Kështu arkeologjikisht vërtetova se emri Redon ka mbijetuar i gjallë në monedha dhe në monumente nga shek. II p.e.sonë deri në shek. III të erës sonë.

Këto 5 shekuj të dokumentimit të emrit Redon mund të quhen faza e fundit dhe e shuarjes së kujtesës mitologjike për këtë hy kryesor.

Vendosja e krishterimit ka rrafshuar përfundimisht edhe kultin e hyut pagan politeist ilir Redon.

Por faza më e fuqishme dhe më e gjallë e kultit të Redonit janë shekujt IV-II p.e.s. kryesisht shek. III p.e.sonë është ai i fuqisë së shtetit ilir.

Fakti, që figura e Redonit me “kausia” në krye është në monedhat e shtetit ilir flet qartë për karakterin superior dhe kryesor të këtij hyu, që përbën emblemën mitologjike zyrtare të shtetit ilir.

***

Kështu Redoni është simboli më domethënës i panteonit ilir.

Figura ikonografike e Redonit paraqet një interes shumë të madh.

Ajo është në profilin e djathtë të fytyrës.

Duket qafa e gjatë, hunda e drejtë, syri i madh, buzët e rregullta dhe nofulla e rrumbullakët.

Kapelja me strehë të gjerë e tipit “kausia” është një kapele ceremoniale me atribut mbretëror, që e kanë përdorur edhe mbretërit ilirë dhe ata maqedonas.

Ajo që të bën përshtypje shumë të madhe tek ky portret ikonografik, është që hyu Redon, paraqitet pa mjekër, ndryshe nga shumica e hyjnive të panteonit grek por edhe romak, që kanë si një rekuizitë autoritare edhe mjekër si p.sh. Zeusi grek apo Jupiteri romak.

Heqja e mjekrës është një element qytetërimi dhe u bë modë, sidomos tek romakët.

I pari ndër më të mëdhenjtë mbretër të botës së lashtë që paraqitet gjithnjë i rruar dhe pa mjekër, është Aleksandri i Madh i Maqedonisë.

Ndonëse Aleksandri i Madh bëri sinkretizimin e miteve të Lindjes dhe të Perëndimit dhe gjoja u mbiquajt si Zeusi Amon, prapë në të gjithë skulpturat, monedhat apo mozaikët që paraqesin Aleksandrin e Madh ai tregohet pa mjekër.

Kjo do të thotë që edhe mbretërit ilirë si fjala vjen Agroni apo Genti kanë preferuar modën pa mjekër të paraqitjes së tyre ndryshe nga bashkëkohësit e shteteve greke, që rëndom e paraqesin veten me mjekër në shëmbëlltyrat artistike apo numizmatikë.

Portreti ikonografik i Redonit është një kryevepër e vërtetë arti.

Mund të thuhet se ky portret ka qenë arketipi ose dhe prototipi i të gjithë shëmbëlltyrave të tjera të Hyut Redon në tempujt a monumentet që i kushtoheshin atij.

Ky portret ikonografik tregon një nivel shumë të lartë të artit skulpturor apo miniaturës.

Portreti i Redonit hyn kështu në kryeveprat e historisë së artit ilir të gjithë kohërave.

Përsa i përket atributeve të tjera të këtij hyu, mund të them se ai ka qenë jo vetëm Hyu i detrave, por ka pasur edhe atribute të karakterit luftarak apo të kryetarit të panteonit politeist ilir të ngjashëm me ato të Zeusit të parthinëve, fis ilir në Shqipërinë qendrore, pranë Lezhës. Identifikimi i hyut Redon plotësohet edhe nga zbulime të tjera arkeologjike.

***

Më 1988 kam zbuluar nën ujrat e lumit Drinasa në urën e Bunës në Shkodër disa fragmente guri të një tempulli, ku ishin të skulpturuar figura delfinësh.

Tempulli i takon shek. II para erës sonë.

Figura e delfinit është gjithnjë në monedhat e shtetit ilir nën figurën e anijes ilire Lembes.

Delfini është kështu kafsha detare dhe sakrale e Hyut të Detrave.

Ka shumë mundësi, që monumentet e skulpturuara me delfinë nën këto ujëra të kenë qenë të një tempulli, kushtuar hyut Redon.

Rëndësia e identifikimit të hyut Redon është e shumëfishtë.

Duke qenë hyu kryesor i ilirëve dhe kryesisht i ujërave dhe detrave është provë e autoktonisë shumë të lashtë të ilirëve.

Hyjnitë e ujërave janë nga më të kryehershmet në mitologji, se lidhen me elementin kozmogonik të ujit në gjenezën e botës dhe njeriut pra dhe të etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve.

 

July 20, 2018 16:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*