Kreditë e këqija, 3 ndryshime ligjore

January 29, 2016 09:35

Kreditë e këqija, 3 ndryshime ligjore

Niveli i lartë i kredive të këqija ka detyruar qeverinë që të ndryshojë ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

Në Kuvend është depozituar nisma ligjore, ndërsa pritet të diskutohet në komisionet parlamentare. Sipas relacionit, ky ndryshim vjen edhe nga kërkesa e FMN-së, për shkak siç thuhet, kur ka nivel të lartë të kredive të këqija në një vend si Shqipëria, tregon gjithashtu edhe problemet juridike.

“Në raportin përfundimtar të dërguar nga FMN-ja është konkluduar se trajtimi i problemit të NPL-ve është i rëndësishëm për ringritjen e nivelit të kreditit në Shqipëri”, thekson relacioni.

Sipas relacionit, u ngrit një grup pune për të adresuar këtë problem me synim reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar.

“Në raportin e dorëzuar nga FMN-ja theksohen fusha të caktuara në kuadrin ligjor, ku një përpjekje për të përmirësuar më tej këtë kuadër ligjor mund të prodhojë rezultate më të mira në uljen e nivelit të NPL-ve”, thuhet më tej.

Qeveria thekson se nisma ligjore nuk ka karakter politik por vetëm teknik dhe se firmën për këtë e ka dhënë kryeministri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Në Shqipëri, problemet e ekzekutimit dhe të mbledhjes së detyrimeve janë disa nga faktorët kryesorë që qëndrojnë pas një shkalle shumë të lartë të kredive me probleme në një nivel prej mbi 20%.

Projektligji parashikon 3 ndryshime.

Ndryshimi i parë lidhet me riformulimin e pikës 3, të nenit 22, të ligjit në fuqi, ku parashikohet se: “Një pjesë e të ardhurave, që do të rezultojnë të pashpenzuara në fund të vitit financiar, trashëgohen në buxhetin e vitit ushtrimor pasardhës dhe kalojnë në fondin rezervë vjetor, masa e krijimit dhe kriteret e përdorimit të të cilit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Të ardhurat e tjera të papërdorura të vitit korent mbarten në vitin buxhetor pasardhës dhe përdoren për projektet e investimeve në drejtim të regjistrimit fillestar, përmirësimit/përditësimit të të dhënave që administron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe dixhitalizimit të sistemit dhe të të dhënave të pasurive të paluajtshme.”.

Ndryshimi i dytë lidhet me riformulimin e pikës 2, të nenit 46, të ligjit në fuqi, sepse kjo pikë nuk zgjidh çështjen e sigurisë juridike të palës së tretë, lidhur me kontratat e sipërmarrjes/porosisë mbi ndërtimet e reja, pasi regjistrimi i këtyre akteve juridike lihet në vullnetin e palës se interesuar (porositësit/blerësit), gjë që dëmton palët e treta që mund të jenë banka kredituese.

Sipas propozimit të grupit të punës, u riformulua kjo pikë e nenit 46, duke e bërë të detyrueshëm regjistrimin e aktit juridik (kontratës së sipërmarrjes) nga çdo palë, në të kundërt bankat nuk mund të pretendojnë të drejta përparësore ndaj palëve të treta që e kanë realizuar këtë regjistrim.

Riformulimi i këtij neni bën që regjistrimi të mos rrezikojë për të qenë fakultativ. Është kërkuar pikërisht dhënia fund e veprimeve abuzive të shoqërive ndërtuese në dëm të kreditorëve banka dhe të vetë qytetarëve porositës (shitjet e dyfishta/dhënia e garancisë për kreditë e objekteve të shitura me parë, vendosja garancive për pjesët takuese të pronarëve të truallit etj). Synimi përmes këtij riformulimi është bërja e detyrueshme e këtyre regjistrimeve. Pra, shoqëria e ndërtimit do të ketë detyrim ligjor regjistrimin si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes/porosisë, duke rritur dhe sigurinë juridike për ketë kategori koletaralesh.

Gjithashtu, nga grupi i punës është sugjeruar të rishikohe edhe neni 47, sa i përket çështjes së regjistrimit të karabinave dhe statusit të mëtejshëm me këtë pasuri, kur kalon në pronësi të një banke kreditore, në përfundim të procedurave përmbarimore. Shqetësuese është mënyra se si është konceptuar në ligj “statusi i karabinasë” dhe veçanërisht pamundësia e transaksioneve me këto pasuri të paluajtshme, çka përbën një ngërç ligjor për bankat kreditore, duke i penalizuar ato për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga shoqëritë ndërtuese.

Në bazë të këtij konstatimi, propozohet që në nenin 47 të shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje: “3/1. Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës, e cila ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri. Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat/vërtetimet e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, sipas nenit 48, të këtij ligji.”.

Në projektligj parashikohet edhe një dispozitë kalimtare, ku përcaktohet se përjashtimisht, të gjitha të ardhurat e krijuara dhe të papërdorura të vitit 2015 do të mbarten në vitin 2016 dhe do të përdoren për projektet e investimeve në drejtim të regjistrimit fillestar, përmirësimit/përditësimit të të dhënave që administron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe dixhitalizimit të sistemit dhe të të dhënave të pasurive të paluajtshme.

Projektligji propozohet të miratohet me procedurë të përshpejtuar për arsye se në fund të muajit mars mbyllet bilanci vjetor dhe të gjitha të ardhurat e papërdorura duhet të derdhen në buxhetin e shtetit sipas ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe udhëzimit për mbylljen e pasqyrave financiare. Sa më sipër, ndryshimet ligjore janë të nevojshme të bëhen para kësaj periudhe, meqë të ardhurat e papërdorura janë gjendje në llogaritë rrjedhëse të ZRPP-së në bankat e nivelit të dytë, deri në momentin e mbylljes së bilancit. /Dita/

January 29, 2016 09:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim