Rrëfimi i inxhinierit që projektoi dhe drejtoi punën për elektrifikimin e Ishullit të Sazanit

October 5, 2015 16:07

Rrëfimi i inxhinierit që projektoi dhe drejtoi punën për elektrifikimin e Ishullit të Sazanit

Duke dëgjuar rrëfimin e Manes për punën e bërë për këtë vepër kaq komplekse, natyrshëm të shkon mendja tek niveli i lartë shkencor i kuadrove tona, të cilët janë të shumta por sistemi që u ndërtua pas viteve 1990 nuk i institucionalizoi e nuk i vuri në punë për zhvillim e vendit, por i la të iknin nëpër botë e kontribuojnë për të tjerët. Intervista e inxhinier Mane Alikajt bën apel për më shumë besim tek talenti i njerëzve tanë

 

– Zoti Mane, si i keni pritur të dhënat e fundit për Ishullin e Sazanit dhe për elektrifikimin e tij?

– Disa shkrime të këtyre ditëve për Ishullin e Sazanit më ngacmuan edhe mua, më ngjallën nostalgjinë e atyre viteve që kam punuar për të, më nxitën të shkruaj e të tregoj sado përmbledhtas punën e jashtëzakonshme deri në kufirin e të pamundshmes për studimin, projektimin dhe zbatimin e atij projekti kompleks për të lidhur Ishullin e Sazanit me sistemin elektrik të vendit. Me gjendjen ekzistuese të Ishullit të Sazanit u njoha në prill të vitit 1975 kur shkova për herë të parë me një ekip për ndihmë e kontroll nga MMP-ja nën drejtimin e gjeneral Arif Haskos, drejtor i Drejorisë të Përgjithshme të Prapavijave. Ishulli i Sazanit në atë kohë ishte si një republikë e vogël më vete. Jetonte një ushtri me rreth 1500-2000 ushtarë e oficerë aktivë, e pajisur me gryka zjarri të artilerisë të rëndë bregdetare, rreth e rrotull ishullit strehuar në bunkerë, me artileri kundërajrore, me flotë luftarako-detare, reparte xhenjoje, artmitraliere, ndërlidhjeje, pika sinjalovrojtuese e specialitete të tjera. Në Ishull, jetonin rreth 200 familje të ushtarakëve. Kishte çerdhe, kopshte, shkollë fillore e tetëvjeçare spital, kinema, tregti, rrobaqepsi, bagëti, kantier ndërtimi, hotel etj. Ishulli gjeografikisht është mjaft i bukur.

 

– Po përpara kësaj periudhe, si furnizohej Sazani me rrymë elektrike?

– Sazani shtrihet në drejtimin Jug-Veri në një gjatësi rreth 6 km dhe në gjerësi Lindje-Perëndim rreth 3 km. Ishulli ushqehej me energji elektrike nga centrali i diezel-gjeneratorëve i tunelizuar, tre të tillë nga 250 kv, që punonin në paralel. Po në tunel ishte edhe kabina e transformacionit 04/6 kv. Prej këtej me linja ajrore 6 kv ushqehej me energji elektrike i gjithë ishuli nëpërmjet pesë kabinave 6/04 kv. Puna e parë që nisa në ishull, ishte rikonstruksioni i të gjithë rrjetit shpërndarës. U hoqën të gjitha linjat ajrore pasi së pari, erërat e forta në ishull shkaktonin gjithnjë difekte dhe ndërprerje energjie, por duhej të ishin edhe të maskuara. U zëvendësuan me linja kabllore 6kv të futura në tokë në kanale të thella 1-1,5 m të hapura me ushtarë nën drejtimin teknik të specialistëve elektrikë të ndërmarrjes të ndërtimeve ushtarake, djemve të shkëlqyer si Hazis Ferra, Bashkim Mema, Ilir Kureta etj. Përfundimisht, pas rikonstruksioneve të bëra, i gjithë rrjeti shpërndarës dhe kabinat e transformacionit, ishin nën tokë. Dalloheshin vetëm shtyllat e ndriçimit rrugor që natën dukeshin si vija zjarri dhe i jepnin ishullit një pamje shumë të bukur. Mbetej problem shqetësues harxhimi i madh i karburanteve dhe vajrave lubrifikante si edhe transporti i tyre për në ishull që i kushtonte shumë shtrenjtë ekonomisë. Vetëm një dizel-gjenerator harxhonte 60 litra naftë në orë. Ky fakt, kufizonte shumë kohën e punës të dielave, pra edhe ndriçimin e ishullit i cili bëhej me orar të reduktuar, 4 orë në mëngjes dhe 4-5 orë mbas dite.

 

Mane Alikaj

Mane Alikaj

– Si u zgjidh përfundimisht ky problem?

– Mungesa gjatë 24 orëve e energjisë, sillte probleme shqetësuese në gatishmërinë ushtarake dhe në jetesën e popullatës të ishullit. Kryeministri, njëkohësisht edhe Ministër i Mbrojtjes i asaj kohe, Mehmet Shehu, në vitin 1978, shtroi me forcë elektrifikimin e Ishullit nga sistemi elektrik i republikës. Në formën e urdhërit ai kërkoi që ky problem të zgjidhet nga specialistët tanë duke shfrytëzuar edhe kapacitetet teknike e teknologjike për prodhimin në vend të kabllove që do nevojiteshin. “Mos e mbani mendjen për zgjidhje nga jashtë”, porositi ai. Kjo detyrë teknikisht në radhë të parë binte mbi mua si kryespecialisti elektrik i MMP-së që merresha me problemet e elektrifikimit të ushtrisë dhe menjëherë nisa punën përgatitore. Duke studiuar praktikën që ishte ndjekur para meje për këtë çështje, më rezultoi se qeveria e kishte shtruar për zgjidhje edhe dy herë të tjera: Në vitet gjashtëdhjetë u ishte kërkuar kinezëve zgjidhja, por ata ishin përgjigjur se nuk kishin përvojë për ndërtim linjash kabllore nënujore dhe nuk prodhonin kabllo të tilla, prandaj edhe rekomanduan dizel-gjeneratorët. Problemi për zgjidhje i ishte shtruar edhe Ministrisë të Ndërtimit në vitin 1973, por përgjigjja që i ishte kthyer qeverisë kishte qënë e tillë: Nuk kemi përvojë për ndërtim linjash të tilla, prandaj propozojmë të dërgohen jashtë shtetit specialistët tanë të përgatiten për projektimin dhe ndërtimin në det të kësaj linje dhe kablli të blihet jashtë. Këto kërkesa nuk ishin miratuar nga qeveria.

 

– Dhe si u zgjidh çështja?

– Detyra që na vuri Kryeministri i shkoi edhe Ministrisë të Industrisë dhe Minierave me qëllim që UTE-ja në Shkodër të studionte mundësinë e prodhimit të kabllit special nënujor, sipas kërkesës së bërë nga ana jonë. Për këtë qëllim, u organizua një takim i përbashkët me specialistët e Shkodrës nën drejtimin e titullarit të kësaj ministrie ku dolën edhe vështirësi të mëdha, gati të pamundura për prodhimin e tij. Takimi u mbyll me porosinë që specialistët e MMP-së dhe UTE-së të punonin bashkarisht për zgjidhje. Brenda dy-tre vjetësh përmes takimesh e konsultimesh të vazhdueshme u arrit në përfundimin se UTE-ja në Shkodër mund ta prodhonte kabllin duke bërë disa përshtatje e adaptime në procesin teknologjik të prodhimit. Krahas impenjimit me Shkodrën për prodhimin e kabllove, paralelisht punoja për zgjedhjen e transhesë të kalimit të kablove nga brigjet e Vlorës në Ishull. Për të tre variantet që mora në studim për kalimin e hapsirës ujore: nga Karaburuni, nga Triporti dhe nga Zvërneci, nxorrëm reliefin e fundit të detit ku mendohej se do flinin kabllot. Kjo punë u krye nga reparti i hidrografisë i Durrësit me përkushtimin e komandantit të repartit Selam Qejvanaj dhe topograf Dhimitrit nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer që pata me ta. Nga krahasimi, zgjodha variantin Triport si më të mirin.

 

– Si u bë i mundur prodhimi i kabllove për linjën nënujore me karakteristika të veçanta?

– UTE-ja e mori përsipër prodhimin: Kabëll monofazor, 10 kv, seksioni 35 mm katror, gjatësi 12,5 km duke e mundësuar procesin e prodhimit me masa shtesë: Dy makina Skania që përdoreshin për transport tankesh, i mora në repartin e tankeve në Zallherr; një motogjenerator për rezervë energjie nëse ikën korenti gjatë proçesit, të cilin e sigurova po nga ushtria; barabanët specialë metalikë me përmasa 3,2 me 2,7 m, të projektuar dhe prodhuar nga specialistët e uzinës me në krye inxh. Zydiun. Barabanët së bashku me motorr-reduktorët u vendosën në shtratin e Skanieve ku do mblidheshin kabllot. U hapën të dy muret ballorë të repartit të prodhimit të kabllove, i cili ishte 100 m i gjatë prej nga do kalonin kabllot nga njeri baraban tek tjetri të vendosur mbi skanie jashtë ndërtesës. Nga barabani i parë, kabli çmbështillej, kalonte proceset teknologjike të veshjes të radhës dhe mblidhej në barabanin e dytë po jashtë ndërtesës. Makinat jashtë ndërtesës ndërronin vendet dhe fillonte procesi tjetër deri në përfundim të prodhimit. Ministria e Mbrojtjes na vuri në dispozicion edhe një togë ushtarësh për ndihmë në procesin e prodhimit. Drejtoria e uzinës më krijoi kushte të mira pune duke më vënë në dispozicion edhe një dhomë fjetjeje brenda uzinës meqenëse procesi teknologjik i prodhimit të kabllove vazhdonte pa ndërprerje. Kabllot, tre të tilla monofazë, u prodhuan gjatë muajve gusht-shtator 1981. Drejtoresha e uzinës Tereza Marubi dhe kryeinxhinieri Hashim Mokshi ishin bashkëbiseduesit më të këndshëm për mua, më të mirëpritshmit, më të mirëkuptueshmit dhe shumë të përkushtuar për realizimin e asaj detyre. Reparti i prodhimit të kabllove kishte një kolektiv të shkëlqyer puntorë e specialistë shumë të aftë, por edhe shumë miqësorë. Ruaj kujtimet më të mira për kohën që punova me ta.

 

– Sa kohë ju desh që ta realizonit atë projekt?

– Kisha tre-katër vjet që merresha me këtë projekt. Ishte një inisiativë shumë e guximshme e frikshme për t’i hyrë, dukej e pamundshme për t’i dalë në krye. Sa më shumë thellohesha në studim, aq më shumë më dilnin çështje të vështira. Ky projekt ishte marrë vesh, ishte bërë i njohur dhe diskutohej në rrethet teknike e shkencore, sidomos në institutet studimore projektuese, herë si një inisiativë e guximshme që duhej përshëndetur e mbështetur e herë si një ndërmarrje e frikshme që mund të përfundonte me pasoja. Ndërsa po përgatitesha të ndërmerrja aksionin për zbatimin e projektit në udhëheqjen e lartë të MMP-së kishte arritur shqetësimi mbi suksesin apo ndoshta dështimin e tij. Prandaj, shtroheshin disa pyetje: a duhej lejuar fillimi i këtij aksioni, a duhej të jepeshin fondet për prodhimin e kabllove, a janë zgjidhur të gjitha problemet e vështira të kalimit të kabllove në det? Shqetësime nga më të ndryshmet kishin shkuar tek ministri i Mbrojtjes, tashmë Kadri Hazbiu, duke përdorur edhe “argumente” se këtë punë nuk e morën përsipër kinezët e as institutet e ministrisë të Ndërtimit pa u specializuar jashtë shtetit dhe kablli të blihej në import. Qëllimi i kësaj iniciative, marrja përsipër nga inxh. Alikaj, është shumë i mirë dhe me leverdi të madhe por… në vendin tonë nuk ka përvoja të kësaj natyre deri më sot dhe ndërmarrja mund të përfundojë në një aventurë. Për këtë shqetësim të natyrshëm, zëvendësministri i Mbrojtjes, Mendu Backa, më fton në një takim në zyrën e tij me porosi të Ministrit. Ai ishte një burrë i vlore-sazaniurtë, i matur, i arsyeshëm, fliste qetë me zë të ulët dhe të dëgjonte me vëmendje. Mbas përshëndetjeve rutinë, Mendui hyri në temën për të cilën ishin të shqetësuar dhe më drejtohet me fjalët: More Mane! Ku je me projektin për elektrifikimin e Ishullit të Sazanit? Me sa jemi në dijeni, po bën përgatitjet e fundit për zbatimin e tij, por a kanë marrë zgjidhje të gjitha problemet e vështira që paraqet zbatimi? A je i sigurt se do i’a dalim me sukses?

Në dialogun që vazhduam më tej, Mendui më bëri edhe shumë pyetje të tjera sqaruese rreth shpjegimeve që bëja unë. Në substancë thashë se të gjitha problemeve që më kanë dalë, të gjitha hipotezave që kemi shtruar u kam dhënë zgjidhje. Nuk kam çështje të pa sqaruara. Nuk e mendoj se gjatë zbatimit të projektit të na dalin pengesa të pa kapërcyeshme. Me mbështetjen tuaj, besoj se do dalim me sukses. Këto ditë, në flotat tona ushtarake e civile, jam duke kërkuar anijen më të përshtatshme për shtrirjen e kabllove në det. Ndërkaq UTE-ja në Shkodër është gati të hedhë kabllot në prodhim. Së fundi Mendui më tha se a nuk është më mirë të organizojmë një Këshill Teknik-Shkencor të posaçëm? Ky këshill e vlerësoi projektin, por nuk dha ndonjë kontribut për këtë qëllim.

Në këto kushte, MMP-ja urdhëroi gjithë komandat dhe drejtoritë e saj të angazhoheshin dhe të jepnin ndihmesën e tyre në zbatimin e këtij projekti. Veçanërisht ndihmesë të madhe më ka dhënë Bajo Topulli, Drejtor i Drejtorisë të Përgjithshme të Prapavijave. Nga ky angazhim mbështetës i MMP-së, unë, gjithashtu po ndieja përgjegjësi dhe barrë më të rëndë, po më shtoheshin netët pa gjumë.

 

– Si u realizua transporti i kablove nga Shkodra në Ishullin e Sazanit dhe shtrirja e tij në hapësirën nënujore nga Sazani në Vlorë?

– Kisha shumë kohë që inspektoja mjetet lundruese të flotave tona detare për të zgjedhur më të përshtatshmen për shtrirjen e kablove në det. Tani kishte ardhur koha të konkludoja dhe të zgjidhja njerën. Në takimin në Durrës me Sandri Karanxhën, drejtor i kantierit të ndërtimit të porteve, një njeri shumë energjik, dashamirës, i përkushtuar për punë të mira, pasi i tregoj arsyen pse kisha shkuar, më thotë: Hallin që ke ti mund ta zgjidhim fare mirë me maunen vetëshkarkuese që përdor unë për ndërtim portesh. Aktualisht ajo ndodhet në punë në ndërtimin e një pontili në Kakome në Sarandë. Shkuam dhe e pamë në vend. Ramë dakord të përdorim këtë maune por duheshin bërë disa modifikime. Maunia u tërhoq në Durrës dhe Dhimua, inxhinieri mekanik i kantierit bëri përshtatjen e saj.

 

– Çfarë diskutohej konkretisht nga specialistët?

– Në këtë fazë kur projekti kishte marrë rrugë për zbatim, ishin ndezur më shumë diskutime midis specialistësh të instituteve projektuese për suksesin, optimistët më të paktët dhe për dështimin, pesimistët më të shumtët. Dita e punës nëpër zyra apo kafene, hapej e mbyllej me sofizma e hamendje për këtë temë. Shumë nga ata që e dëshironin dështimin, përveç të tjerash, shpresonin të krijoheshin kushte për dalje jashtë shtetit për specializim, për të blerë kabllin jashtë dhe të sigurohej edhe anija për shtrirjen e kabllit. Por këto kërkesa ishin bërë edhe më përpara po nuk pranoheshin nga qeveria. Edhe këtë herë që Kryeministri Mehmet Shehu na shtroi detyrën për zgjidhje, na tha prerë: “Mos e mbani syrin nga jashtë!”

 

– Dhe kjo detyrë u zbatua?

– Natyrisht. Në fundin e muajit shtator mbaroi dhe prodhimi i kabllove. Nën kujdesin e drejtoreshës Tereza Marubi barabanët me kabëll u ngarkuan në UTE Shkodër mbi shtratin e Skanieve të ushtrisë dhe u transportuan në teritorin e repartit ushtarak të marinës në Shëngjin fare afër buzës të detit. Këtu mbërriti nga Durrësi edhe flotilja e vogël e përbërë nga maunia, dy rimorkiatorë dhe biga lundruese. Procesi i shkarkim-ngarkimit të kabllove nga barabani në tokë tek barabani bosh në maune u krye për tre ditë me krah nga marinarët nën kujdesin e komandantit të tyre, Robert Bali. Të tre barabanët u vendosën mbi bordin e maunes të çfazuar midis tyre në gjatësi e gjerësi në formë zig-zag për të patur një manovrim sa më të mirë me kabllot mbasi mendoja që t’i shtrija njëkohësisht në një guidë të tre kabllot, paralel midis tyre. Inxhinier Dhimua i lidhi barabanët me maunen nëpërmjet tirantesh çeliku të salduar dhe flotilja u nis për në Durrës. Në Kantierin e Ndërtimit të Porteve në Durrës qëndruam rreth një javë bëmë përgatitjet përfundimtare të pajisjes së maunes me motorr-reduktorët për rrotullimin e barabanëve, bëmë prova në boshllëk të rrotullimit të tyre, bëmë edhe një përforcim mekanik shtesë dhe u nisëm për në Ishull. Lundrimi nga Durrësi në Ishull shkoi qetë pa probleme.

 

sazan shkoll– Kur mbaruan punimet?

– Më 1 Nëntor 1981 që në orë tetë të mëngjesit u nis puna për shtrirjen e kabllove në det. U grumbulluam të gjithë tek Kaustika (uzina e Sodës) buzë detit: teknikët elektrikë dhe ushtarë e oficerë që do ndihmonin për nevojat në nisje. Mjetet lundruese që do përdoreshin: maunia me tre barabanët me kabllo ngarkuar, dy rimorkiatorët, biga lundruese të shoqëruara edhe nga anija polumbare e marinës të ishullit, dolën nga moli ku ishin ankoruar dhe u vendosën në formacion përballë Kaustikës fare pranë buzës të ujit. Për vajtje-ardhje nga bregu tek anijet kishim në dispozicion dy lança. Ishte një ditë e kthjellët plot diell, pa erë dhe deti ishte shumë i qetë si në vaj. Nuk mund të gjeje ditë më të bukur për lundrim. Me ndihmën e ushtarëve tërhoqëm fillimet e kabllove nga maunia drejt bregut duke i fiksuar tek kabina lidhëse afër Kaustikës ku krijova edhe rezervën përkatëse të nevojshme. Në orën nëntë çdo gjë ishte gati dhe nisa shtrirjen. Sipas trajektores të përcaktuar na udhëhiqte anija polumbare. Pas saj vinte rimorkiatori i madh që tërhiqte maunen e ngarkuar me kabllot. Të tre barabanët rrotulloheshin njëkohësisht me të njëjtën shpejtësi nëpërmjet të tre grupeve motorr-reduktor që ushqeheshin me energji elektrike nga dizel-gjeneratori i vendosur në rimorkiatorin e dytë të cilin e kishim vendosur përbrinjë maunes. Për krah tyre ecte edhe biga që e kishim marrë me vete për çdo nevojë që mund të na dilte. Flotilja jonë e vogël zhvendosej përpara dhe të tre kabllot lëshoheshin në det paralel midis tyre. Kishe kënaqësi të shikoje një lundrim të tillë kompleks në natyrën e vet që dy-tre vjet më përpara më dukej e pamundur ta realizoja. Fantazoja e krijoja shumë variante e nuk dija akoma si do ta zgjidhja problemin, por ja, sot më duket një mrekulli kjo rrëshqitje e bukur lehtas mbi sipërfaqen e qetë të detit duke lëshuar kabllot poshtë të shtrihen e të flenë në fund të tij.

 

– Si e kujtoni sot atë punë kolosale që u bë 35 vite më parë?

– O Zot sa emocione që kam! Si atë ditë, më përzihen bashkë gëzimi dhe shqetësimi. Përfyroj gjithçka ndjeva atë ditë: se po ja dal; frika se mos më ndodh ndonjë gjë e pa parashikuar këtu në mes të detit. Qëndroj në këmbë me sytë tek rrotullimi i barabanëve; tek këndi i rënies të kabllove në det; tek shpejtësia e rimorkiatorit që na tërheq. Gëzimi dhe shqetësimi ishin bashkë në qenien time deri sa dolëm në breg në Triport. I përqafova fort Sandrin, Dhimon, dhe gjithë ekipin që mori pjesë në këtë aksion të vështirë, i menduar dhe organizuar në mënyrë perfekte që zgjati katër orë pa ndërprerje nga Ishulli i Sazanit në Triport dhe që përfundoi me sukses. Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin dhe respektin maksimal për punën e bërë dhe ndihmën që më kanë dhënë kuadrot e larta të Ishullit Tasim Meçe, Ibrahim Guxholli, Halil Leli dhe shumë specialistë e kuadro të tjerë të flotës luftarake të Sazanit.

Intervistoi Dr. Arqile Veshi

October 5, 2015 16:07
Komento

11 Komente

  1. Mërgimtari October 5, 17:42

    KOHË TRIMASH E TRIMËRISHË QË NUK PËRSËRITEN MË.

    Reply to this comment
  2. toni October 5, 18:05

    Keta jane patriote te vertete, punuan me shpirt dhe dhane gjithcka per Shqiperine. Respekte

    Reply to this comment
  3. karamamund elefanti i trete October 5, 18:29

    Cfare beri Sali qelbesira me fabriken e telave ne Shkoder?…….e zhduku derri i ndyre.

    Reply to this comment
  4. pilo October 5, 18:47

    A ka sot njerez te tille te perkushtuar per shoqerine dhe per vete?! Po keta qen politikane e deputet, keta jurista e ekonomista, keta ministra e presidente a mund te krahasohen me ata te diktatures? Demokraci qe thone, eshte fatkeqesi per shoqerine shqiptare se nuk eshte me shoqeri, por turme qe s’merr vesh. E lexova me kenaqesi shkrimin dhe ndjeva shpirtin e atyre qe kane punuar me vendosmeri, perkushtim qe nuk shikonin nga parate, por nga realizimi objektivit te madhe per shoqerine. le te kete sa te duash sateliter, kompjutera, telefona te çmendur, xhipjes,… nuk ka me njerez me shpirt, por roboter parash. Po ama duhet ta dini qe nuk do ti merrni ne varr.

    Reply to this comment
  5. lato October 5, 18:55

    Pas malokut Berisha erdhen specialist irlandeze qe ta na mesojne si milen lopet,specialiste turq,qe te na tregojne si shtrohen rruget,specialiste amerikane qe na treguan si c`armatoset ushtria,specialiste te bujqesise qe na treguan se si kalbet prodhimi ne are,specialiste italjane qe na mesuan si vidhet.

    Reply to this comment
  6. "BALASHI" October 5, 20:57

    Njerez te jashtezakonshem. Respekt pa kufi per ta…

    Reply to this comment
  7. shpatar October 5, 21:05

    Une e pershendes zotin Mane per ate guxim te pa mohushem qe mori para shetit diktator per te furnizuar Ishullin me energji elektrike .Nuk kishim eksperience ne keto fusha teper te pa njohura . Inxhgjinjer Mania e mori persiper gjithe suksesin apo deshtimin e saj .Mua me kujtohen detajet qe matematikishte ishin te zgjidhura saktesish .Problem qe gjatesia e kablit a do ti duronte faktorve fizik kimik dhe hidrometerologjike te reljevit ku do te kalonte kabli. Mbas shume diskutimeve me kujtohet se egzistonte mundesia brenda kushteve teknologjike. Ishte nje eksperiment qe do ti hapte rrugen shume problemeve te tjera qe kishin te benin me teknologjine nenujore .
    Inxhjinjer Mania ja arriti qellimit dhe Ishulli nga nje sketer dhe i shurdhet filloje te gjallerohet.Jeta nga lindja dhe perendimi i diellit u zgjate ne 24 ore .Ushtaret dhe banoret, qe leviznin me pare si qora, tani me kete dhurate te medjes se specialistve,leviznin e patrullonin me sy hapur .Shtepite e familjarve , repartet dhe ambjentet e stervitjeve gumezhininin 24 ore .Buzet e thara nga kripa e detit dhe ererat tashme njomeshin nga pijet freskuese e birrat e ftohta e firogriferve .Ishulli u be vendi ku njerzit jetonin me ajrit me te pastert e jeta sa do e izoluar kishte kenaqsit qe nuk ti ofronin qytetet .Sic thote dhe Mania atje jetonin 200 familje e 2500 ushtarak pa me te voglin problem .Ishte nje mbrekulli qe fatkesishte kemi hequr dore.
    Mendjet e reja jo vetem qe nuk u interesuan per keto avantazhe por hajdutet qe erdhen ne pushtet nuk kishin si objektive risjelljen e vlerave te se shkuares .Gogoli i luftes se komuniste prishi dhe ate djerse e mendje te shqiptarit qe tani nuk behet fjale per inisjativa te tilla .Risjelljen e jetes ne kete ishull magjike do ta paguajme disa here me shtrenjte se me pare .
    Nese ka ndonje mendje nga keta te socmit per ti hapur prespektive ketije ishulli rishpurja e energjise elektrike do te jete nje mbrekulli per te ardhmen .Probleme ka dhe me uje e pishen por eshte me thjeshte per tu zgjidhur se sa energjia .
    Duan vetem te beje nje sygjerim projektit te pare .Ai nuk pati jetegjatsi per shume arsye qe dhe inxhinjer Mania i ka shprehur .Gjatesia e kablit te prodhuar nga ne nuk kishte siguri te plote .Shpesh here u duken defekte qe riparoheshin periodikishte . Si zone gjuetie kabli keputesh nga tratat e peshkarexheve .Sot varjanti me i mire eshte qe Ishulli i Sazanit te furnizohet nga kepi i Karaburunit .Gjatesia eshte me e vogel ,thellesit jane me te medhaja qe nuk lejojne tratat e peshkarexheve apo ndonje akte tjeter sabotues .Me kete varjante merr fryme dhe Gadishulli i Karaburunit qe eshte mbrekullia e dyte e Gjiut te Vlores .
    Keto nuk duan shume mendje te realizohen vetem vlersim nga politika e socme qe eshte perqendruar ne fitimet me te kapshme per qellimet e tyre .Vejna ne shfrytezin e Ishullit dhe Karaburunit i japin nje tjeter vlere qytetit te lene pas dore .Vafshin keto ne veshe qe degjojne dhe ngacmojne etjen per fitim .

    Reply to this comment
  8. N.P October 5, 21:12

    uroj z,Arqile veshi,njeri fjale pak e pune shume,ish Drejtor i Logjistikes per kete te intervistim te nje njeriu te thjeshte, te zakonshem qe puna i beri te jashtezakonshem, ne kushtet e veshtira te realizimit te sistemin elektrik te ishullit, inxhinjeri mane alikaj, per kushtet e jeteses e te gadishmerise , ne ishull ku sherbyen shume familjare ushtarake,
    Ne vitet e fundit te ndrimit te sistemit poskomunist me ate demokratik, kur ky sistem elektrik per shkak te amortizimit te kohes pati shume nevoje per riparim,dhe u krye nen drejtimin e inxhinjerit te Drejtorise se Logjistikes, punes se palodhur te
    inxhinjerit Fitim Behri dhe te specialistave e flotes.
    Me ardhjen e demokracise, urojme qe ky ishullme projekte investimesh te kthehet ne vend turistik,por mirenjohje per te gjithe specialistat qe punuan ne Digaster e baze,perkujdesin e atyre njerezve qe sherbyen me sakrifice te madhe
    Sot F.A, jane ne Nato dhe persosmeria e logjistikes me mjete eshte mjaft optimale ne operacionet e stervitjeve te perbashketa.

    Reply to this comment
  9. Arben October 5, 21:34

    PO SOT, PER CFARE NA HYN NE PUNE VEPRA E KETIJ, MANES???!!!!!!

    VEPER QE NE FUND TE FUNDIT U BE ME PARATE MUNDIN DHE DJERSEN E PRINDERVE TANE???!!!!

    PRANDAJ O MILET, DUHET TE JEMI ME KRITIKE NDAJ QEVERRIVE, TE CFAREDOLLOJ QOFSHIN, DHE TE JEMI SHUME KONSERVATORE KUR BEHET FJALE PER TE SHPENZUAR PARATE TONA.

    Reply to this comment
  10. kampaçurreta October 5, 21:43

    ISHIN KOHE TRIMASH DHE PATERJOTESH,PSE JO EDHE SHKENCETARESH,
    ERDHEN KOHE ME TE MIRA MASKARENJESH DHE KUSARESH.

    Reply to this comment
  11. Adrian October 5, 22:27

    Ti do jesh Deda qe akoma i qan zemra per te hypur neper shtylla telefoni megjithese celularet jane sheshit. S’ka nevoje per kabell nen ujor Sazani. Atje nuk pushon era dhe nuk “perendon” ndonjehere dielli. Me ato parate e kabllit ble paisje per te shfrytezuar energjine diellore dhe te eres qe te zgjidhin problemin e elektrikut jo vetem per Sazanin por edhe per Vloren bashke.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*