Refleksione nga libri autobiografik i Vlashi Filit “Magnet”

October 8, 2019 09:59

Refleksione nga libri autobiografik i Vlashi Filit “Magnet”

Po! Isha nga të parët që lexova librin e shkruar nga i njohuri që prej fëmijërisë, Vlashi Fili. Si libër autobiografik, ishte normale pritshmëria që aty, të gjeja edhe unë fëmijërinë time, pasi siç kam venë në dukje, kemi qenë në një lagje, e që përveç rrugës së përbashkët për te shkolla 7 vjeçare “Gaqi Karakashi”, të qenit nxënës e në një oborr shkolle, gjithashtu, kisha rastin të kaloja disa herë në ditë për mbi dhjetë vite, pranë derickës së shtëpisë së tij. Por se mos vetëm kaq! Të dy, ashtu si edhe dhjetëra fëmijë të tjerë, kemi qenë të angazhuar në grupet e pionierëve në veprimtaritë pas shkolle, kemi qenë bashkënxënës në Teknikumin e Naftës në Kuçovë, bashkëstudentë në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave veçse Vlashi shkoi drejtpërdrejt nga shkolla e mesme ndërsa unë, pasi punova mbi dy vjet si teknik gjeolog. Si inxhinierë, punuam sëbashku, ai në kantieret e shpimit dhe unë në kantieret e nxjerrjes së naftës. Nga fillimi i viteve ’70, të dy punonjës të Instituteve Shkencore të naftës por në sektorë të ndryshëm. Por njohja ime nuk ka qenë vetëm personale. Kam pasur fatin të njoh xha Naunin, punëtorin e naftës, fjalë pak e punë shumë e bashkë me të, mamanë e tij por sidomos, me vëllain e tij Ilia në punën e përbashkët, në Institutin e naftës dhe të dy pedagogë në Fakultet, të njoh Thanasin, Llambin etj.

E kush e mendonte se do të isha eksperti shkencor në shqyrtimin e shkaqeve të fontanës në Pusin Ca-37 në Drenovë. Por me sa dukej kjo, vinte nga fakti se unë vetë, drejtoja hap pas hapi punimet për saktësimin e kufijve naftëmbajtës të grumbullimit të zbuluar nga pusi Ca-12 dhe bëja vlerësimin e sasisë së naftës dhe të gazit që do të shkonte në dobi të ekonomisë, në atë kohë jashtëzakonisht e “uritur” për naftë dhe valutë. Drejtuesit e lartë të pushtetit, nën zë, si me shaka, më konsideronin si “Ministri i Thesarit”. Unë dija se Vlashi përgatitej për provimet pasuniversitare për gradën “Doktor i Shkencave” dhe më saktësisht për provimin e gjuhës së huaj, “vërdallë” së cilës, vinim pothuaj të  gjithë inxhinierët. Emërimi im si ekspert shkencor, kishte ardhur menjëherë pas porosisë së ish Kryeministrit Mehmet Shehu, që ekspertiza të kryhej sa më shpejt dhe gjyqi i fajtorëve të kryhej në pus. Nuk mund ta dija se Vlashi sapo ishte ngarkuar me detyrë në pusin në fjalë dhe aq më pak të dija se shpërthimi kishte ndodhur ditën e dytë të pranisë së tij në pus. Dhe vërtet, tronditja ime ishte e madhe.

Por ç’më rezultoi nga leximi me një frymë i librit? Kam shkruar në FB për përshtypjet e mia por mbi të gjitha për problemin në fjalë, dënimin e tij me burg, si fajtori kryesor për shpërthimin. Muajt e fundit, me nxitjen e një shoqate në Filadelfia,ky dënim i asaj kohe, është bërë objekt debati dhe diskutimesh. Deri tani, pafajësia e Vlashit, verbalisht është pohuar nga dhjetëra kolegë të tij dhe kjo edhe për mua ka qenë mbështetje.

Ja cili ka qenë reagimi im pas leximit dhe bashkëbisedimi im me Vlashin që është edhe zanafilla e këtij refleksioni!

 “ Përshëndetje Vlashi!

Gëzohem të marr vesh që je mirë vetë dhe familjarët e tu! E lexova me shumë kuriozitet librin tënd deri te përfundimi i gjyqit. E kam njohur që nga natyra tënde, kontributin dhe përkushtimin për punën dhe për të qenë në pararojë për kryerjen me sukses të të gjithë punëve që të ishin ngarkuar. Nuk kisha dyshim se ashtu do të paraqitej dhe ashtu është paraqitur!

Duke mos duruar për të bërë një vlerësim të plotë për librin, nuk mund të rri pa bërë disa pyetje:

  • Nuk i di gjithë rrethanat si ndodhi dhe pse ndodhi fontana apo nuk ke dashur që t’i përmendësh? Ka shumë e shumë gjëra të bëra shumë keq nga ata që ishin drejpërdrejt përgjegjës dhe unë kam besuar se ti i di!
  • A e ke parë me sy apo t’u dha me shkrim, shkresa e emërimit tënd nga Komisariati i naftës dhe detyrat përkatëse? Kam dyshuar se jo! T’u shpjegua kuptimi i termit “Komisar”. Ne, na erdhi një shkresë shumë vonë, pasi kundërshtuam fajësinë! Kush e bëri shkresën?…

Dhe përgjigja e Vlashit:

“I dashur Gjergji

Të falënderoj për interesimin dhe leximin e vëmendshëm të librit.

Për pyetjet:

1)Për rrethanat e ndodhjes së fontanës, unë kam përmendur vetëm ato që di. Kurse ato që nuk di, pavarësisht se kam dëgjuar, nuk mund t’i vë në libër mbasi nuk mund t’i mbështes faktikisht. Ky është shkaku dhe jo që nuk kam dashur t’i shkruaj.

2)Shkresë për emërimin në pusin Ca-37, nuk më është dhënë asnjëherë. Veç ç’na u tha me gojë në Komisariatin e naftës. Kurse termi “Komisar” nuk na është shpjeguar asnjëherë. Kështu që për shkresë unë nuk kam ditur gjë deri në këtë çast që po më shkruan ti.

3) Ti, mund të dish më tepër për rrethanat e fontanës dhe jam i bindur se di dhe do të më bëhet qefi që t’i shkruash e t’i publikosh. Unë u arrestova menjëherë dhe nuk kisha si të analizoja gjendjen, aq më tepër që në birucë  gjendja shpirtërore është në vështirësi. Vetëm ai që ka provuar birucën, më kupton saktë…..

Por çfarë nuk ka thënë në libër dhe nuk ka ditur Inxh. Vlashi, e që ne i mësuam gjatë kohës që ai ishte në qeli, para çeljes së gjyqit:

  • Kryesondatori që mori turnin në orën 22°° të datës 10 Shtator, sapo kishte ardhur nga fshati Ngraçan, ku banonte me familjen e tij. Atje, pasi kishte kryer gjithë punët e stinës që ka një shtëpi fshati, duke ecur më këmbë për disa orë rrugë, mori “komandën” e brigadës së turnit të tretë në pusin Ca-37, pus me rrezikshmëri shumë të lartë e të njohur për mundësinë e shpërthimit të gazit.
  • Në këtë turn, mungonte një punëtor. Përgjegjësi i pusit, kishte marrë “borxh” një punëtor nga një pus tjetër fqinj, duke e cenuar edhe brigadën e atij pusi. Për fatin e keq të tij, punëtori në fjalë, sapo ishte pranuar në punë si punëtor shpimi. Ai, ishte mallakastrioti me moshën më të re.
  • Në pus, në momentin e shpërthimit, ishte i pranishëm përgjegjësi i pusit, por jo inxhinieri i shpimit të brigadës, i cili ishte larguar për në “zbor ushtarak”. Përgjegjësi i pusit dhe Inxhinieri, sipas Rregullores së shpimit të puseve, ishin njëherësh edhe drejtuesit organizativë dhe teknikë për shpimin për të tre turnet, deri në përfundim të pusit, në përputhje me Projektin Teknik ku parashikohej gjithçka me hollësi, sipas Rregullores përkatëse.
  • Përgjegjësi i pusit, ishte një i diplomuar “Teknik i mesëm shpimi”, i ri në moshë, i cili kishte përfunduar Teknikumin e Naftës në Kuçovë, kishte punuar rreth dy vjet në repartin ndihmës të makinave agregat të naftës në Patos, kishte bërë rreth tre vjet shërbimin ushtarak, ishte rikthyer në punë në po atë repart agregatësh. Me sa më kujtohet, rreth dy vjet më pas, atë e thirrën dhe e emëruan përgjegjës të pusit Ca-37. Atij, siç pohoi, nuk i kishin thënë asgjë për detyrën, se pusi ishte në momentin më të rrezikshëm e të vështirë të shpimit; nuk dinte se pusi kish një Projekt shpimi dhe një Rregullore Gjeologo-Teknike. Siç kuptohet, përgjegjësi i emëruar nga Ndërmarja ishte krejtësisht pa përvojë pune dhe i pa njohur me detyrën e tij.
  • Duke shfletuar “Rregulloren për shpimin e puseve për naftë dhe gaz”, në fuqi në atë kohë, ne si ekspertë, shpërthimin e pakontrolluar të pusit Ca-37 e shihnim thjesht së pari si një shkelje të rëndë të disiplinës në punë nga kryesondatori që drejtonte turnin e tretë dhe së dyti, nga shkelja e rregullave dhe rregulloreve për pranimin në punë të punonjësve të rinj dhe sidomos të një përgjegjësi pusi,dhe largimin pa zëvendësim të inxhinierit të pusit, parregullsi që lidheshin drejtpërdrejt me Ndërmarrjen e Shpim- Shfrytëzimit në Patos. Ishin këto premisa që kishin shpënë në shpërthimin e pakontrolluar të gazit në pusin Ca-37. Rregullorja e shpimit të puseve ishte shkelur rëndë dhe Ndërmarrja përkatëse, kishte vepruar krejtësisht në dëm të punës.

Këto përfundime, i a paraqitëm të ngarkuarit nga hetuesia, z. S.L, ballafaquar me kërkesat e Rregullores së Shpimit të puseve për Naftë dhe Gaz, sipas së cilës brigada e shpimit, ishte e aftë të kryente detyrën e shpimit të pusit dhe e plotësuar me gjithçka; punëtorë të testuar, të vetëdijshëm, pajisjet teknike dhe materiale. Sipas saj, siç gjykuam ne, gjithë personat e tjerë që mund të gjendeshin në pus në momentin e shpërthimit të pa kontrolluar të gazit, nuk mund të ishin drejtpërdrejt përgjegjës. Sipas nesh, Inxhinier Vlashi Fili, tepër i përkushtuar dhe duke sakrifikuar, kishte bërë atë detyrë që ai ose kolegët e tij, kishin pasur rast ta bënin përherë gjatë punës. Pra, për ne, Inxhinier Vlashi Fili, ishte jashtë përgjegjësisë konkrete.

  • Nuk do harruar që në atë kohë, në ish Komitetin e Partisë së Fierit, ishte vendosur “Komisariati i Industrisë së Naftës”, organi i Komitetit Qendror të Partisë dhe i Këshillit të Ministrave e që drejtohej nga i ngarkuari Hekuran Isai. Në këtë Komisariat, kishte edhe një grup ish punonjës nafte, midis të cilëve me përvojë në shpimin e puseve dhe në punimet e prapavijës në kantieret e naftës. Të tjerët, ishin më shumë se specialistë, këshilltarë për naftën në institucionet e Partisë dhe të qeverisë. Për shkak të rrezikshmërisë në puset e Cakranit por edhe për të përfunduar në kohë disa nga puset e tjerë, ne dinim se Komisariati kishte shpënë për mbështetje edhe disa specialistë ekspertë.

Pas paraqitjes së përfundimeve tona, i ngarkuari nga Hetuesia për kontaktet me ekspertët Spiro Lame, kërkoi një pushim dhe ritakim pas pak kohe. Më pas, ai na paraqet një shkresë ku pak a shumë gjendej e shkruar në emër të Komisariatit të Naftës, emërimi i Inxh. Vlashi Naun Filit si Komisar, përgjegjës për ndjekjen e të gjitha proceseve dhe punimeve në pusin Ca-37 me të drejtën e posaçme për të ndërmarrë gjithë veprimet brenda dhe jashtë ndërmarrjes, që pusi të realizonte me sukses detyrën. Kjo shkresë gati një faqe,firmosej, në emër të Komitetit Qendror të Partisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga Komisari i ngarkuar për Naftën, Hekuran Isaj.

Pas paraqitjes së kësaj shkrese, dukej se elementët e përgjegjësisë që ishin përcaktuar qartë në Rregulloren e Shpimit të puseve, kalonin nga brigada e shpimit te Komisari i ngarkuar Inxh. Vlashi Fili. Shkresa e komisariatit, ishte formuluar teknikisht qartë dhe e hollësishme,me përgjegjësitë konkrete të komisarit të pusit.Gjyqi, me sa duket, me këtë emërim të Komisariatit të Naftës, e pati shumë të lehtë të merrte ato vendime që mori.

Unë, nuk mbaj mend datën e formulimit të shkresës por asnjëherë nuk më kish shkuar në mend se kjo shkresë, nuk i është dorëzuar Inxh. Vlashi Filit në dorë, para fillimit të detyrës si Komisar. Kjo shkresë, ka qenë në dosjen e Gjykatës dhe ne kemi besuar se Vlashi ishte në dijeni të detyrave që zhvlerësonin Regulloren e Shpimit dhe ngarkonin “Komisarin” si përgjegjës për gjithçka. Me sa mbaj mend, problemi i emërimit si “Komisar” dhe detyrave të posaçme, nuk u përmend në gjyq.

Ka ende në aktivitet, anëtarë të ish Komisariatit të Naftës të cilët kanë dijeni të hollësishme për këtë shkresë dhe arsyet se pse kjo shkresë, teknikisht shumë e saktë, nuk i u dha në dorë Inxh. Vlashi Filit, kur u ngarkua me këtë detyrë. Do të ishte në nderin e tyre sqarimi përkatës, pasi fajësia e Vlashi Filit, lidhur me fontanën e pusit Ca-37, bie ndesh me gjithë veprimtarinë e tij e përshkruar qartë në librin në fjalë, me përgjegjësinë e vetë Ndërmarjes së Shpim Shfrytëzimit por edhe vetë Komisariatit të Naftës që kish lejuar çrregullime në plotësimin me kuadrin e specializuar të brigadës së shpimit në pusin me rrezikshmërinë më të lartë për shpërthim gazi në atë kohë.

Ky është refleksioni im për Librin e shkruar nga Inxhinier Vlashi Fili “Magnet”. Vlashit, si autor edhe i shumë librave të tjerë, i uroj suksese të mëtejshme dhe një jetë sa më të gjatë e plot gëzime!

Prof Dr. Gjergji FOTO

7 Shtator 2016

October 8, 2019 09:59
Komento

1 Koment

  1. Novruz Limaj October 9, 18:29

    E lexova dhe jam dakord me argumentet e bazuar ne fakte, rregulla e regullore teknike te sigurise se shpimit. Ne ate kohe, qofte nga veshtrimi politik i pergjegjesise se inxhinjerit te pusit qofte edhe per mungese informacioni mjaft naftetare kane qene te duzuar, por llogjika e perdorur nga ekspertet per ndarjen dhe identifikimin e pergjegjesise reale ka qene e drejte dhe me burrerorja qe mund te behej ne ate kohe te veshtire, qe perseri nuk eshte degjuar dhe inxhinheri u denua 15 vite burg, sepse kryesondatori e turni i nates fjeten gjume dhe e lane pusin hapur e pa kontroll qe gazi te tregonte fuqine e tij. Ishte shkelje e rende qe solli pasoja aq te medha ekonomike e jetesore per inxhinjerin qe kishte marre detyren para nje dite te nje brigade te pa ndergjegjesuar e te paafte per shpimin ne ate zone e ne ate faze te shpimit, sic eshte shpimi me humbje ne gelqeror.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*