Reflektime nga terreni i tensioneve

November 25, 2015 12:02

Reflektime nga terreni i tensioneve

Brenda 24 orëve kryeqyteti i Evropës, Brukseli u shndërrua në një qytet fantazmë. Të vetmet hije, që qarkullonin ishin blindat e ushtrisë, forcat ushtarake dhe trupat policore në terren. Nën nuancën gri që e karakterizon, shiun e imët dhe të ftohtin e acartë, situata përngjet me skenat e filmit “Qyteti i Mëkatit”, aty ku teknologjia e lartë ofron penetrimin e ngjyrave të ndezura, në skenat bardhë e zi, për të përforcuar emocione të veçanta, kryesisht “Kauzën për të vrarë”.

Por, përtej përshkrimit letrar, çfarë reflektimesh nxit terreni i menaxhimit dhe administrimit të tensioneve të tilla dhe pse vëmendja shkon drejt situatave delikate, me të cilat është përballuar opinioni publik në Shqipëri ?

Janë disa elementë që tërheqin vëmendjen, teksa politika belge përpiqet të administrojë dhe menaxhojë situatën e tensionit, që është krijuar në territorin e saj.

Së pari, tërheq vëmendjen komunikimi perfekt shtetëror dhe një shpjegim i vazhdueshëm dhe i qartë për publikun, se kush janë arsyet e marrjes së masave jo të zakonshme dhe shndërrimin në një gjendje shtetrrethimi, kryesisht të Brukselit. Thelbi i njohur, që lidhet me mosrealizimin e skenarit të vetë hedhjes në erë, të terroristit kryesor në Paris dhe presionin, që mund të vinte nga segmente lokale të Daesh në Bruksel, që plani të shkonte deri në fund. Informacionet e Policisë Federale fokusoheshin tek realizimi i një skenari të njëjtë me skenarin e Parisit, duke marrë parasysh edhe lidhjet e forta, që ekzistojnë në terren dhe faktin që mos kapja e terroristit, konfirmon shtrirjen e gjerë të rrjetit mbështetës në Bruksel. Shpjegime të qarta me një kalkulim racional në brendësi, se dëmi ekonomik nuk mund të krahasohet aspak, me rëndësinë që ka jeta e një individi.

Së dyti, ajo që vëzhgohet është një sjellje dhe qëndrim i unifikuar nga e gjithë klasa politike, duke mos vënë aspak në dyshim, politikat e ndërmarra nga elita drejtuese politike, në bashkëpunim me strukturat e analizimit të riskut terrorist. Sigurisht, që është e pamundur të mendohet se parti të ndryshme politike, nuk kanë rezervat e tyre apo nuancat, që ndikohen edhe nga programet e tyre ndaj këtyre lëvizjeve apo pozicionimeve. Por, ajo që prevalon është pikërisht dalja në një qëndrim të përbashkët dhe mbështetës, për të lehtësuar barrën e drejtimit qeveritar, ndaj një interesi të caktuar kombëtar.

Së treti, vëzhgohen elementë të një solidariteti mbresëlënës nga qytetarët, si edhe një bashkëpunim tërësor nga strukturat mediatike. Në momentet që Policia Federale dhe forcat speciale po kryenin operacionet në terren, kërkohet bashkëpunim nga publiku për heshtje totale në rrjetet sociale, për të shmangur si lajmërimin e mundshëm të terroristëve të tjerë në terren, por edhe kujdes, për të mos venë në rrezik jetën e forcave policore. I njëjtë ky solidarizim edhe nga strukturat mediatike. Një mekanizëm efikas, që tregon jo vetëm besueshmërinë e lartë që opinioni publik ka ndaj forcave të rendit, por edhe ndjeshmërinë ndaj përgjegjësisë qytetare, për të mos kryer veprime, që mund të cenojnë sadopak jetën e tyre.

Së katërti, ka një element shumë të rëndësishëm, që lidhet me kujdesin psikologjik, që strukturat shtetërore tregojnë ndaj qytetarëve në përgjithësi dhe sidomos ndaj një kategorie të ndjeshme, siç janë fëmijët. Një sërë mekanizmash janë venë në veprim, duke sensibilizuar nga njëra anë, riskun që ekziston për rritjen e stresit dhe simptomave të traumave, që mund të shfaqen tek fëmijët, pa neglizhuar gjithashtu përballjen me rritjen e stresit kolektiv, dhe menaxhimin e duhur të tij. Struktura shtetërore, specialistë të fushës dhe ekspertë janë angazhuar në mënyrë aktive për të sqaruar prindërit se, kush është forma më e rekomandueshme për t’i shpjeguar këtë lloj situate të paprecedentë fëmijëve, metodat që duhen përdorur, si edhe format më të lehta për shpjegimin e saj. Synimi, evitimi i stresit dhe i simptomave traumatike, që mund të shkaktohen sa tek fëmijët, por edhe tek një publik i gjerë.

Së pesti, duke marrë parasysh rëndesën, që ky fenomen mbart dhe deklaratat e vazhdueshme apo intervistat e kryera nga vëllai i terroristit në kërkim, tërheq vëmendjen fokusi i analizave. Ekspertë të fushës dhe akademikë të specializuar në analizimin e fjalimeve komplotistë, kanë shpjeguar një fenomen shumë të rëndësishëm, që kanë konstatuar në intervistat e vazhdueshme të vëllait të terroristit në kërkim: përdorimin e vazhdueshëm të së njëjtës fjalë “manipulim”. Gjatë intervistave publike, vëllai i terroristit në kërkim, ka insistuar mbi të njëjtin fakt se: “ Vëllezërit e tij, nuk janë të radikalizuar, por të manipuluar dhe duke qenë të tillë ato nuk kanë venë re aspak shenja radikalizmi tek to”. Sipas specialistëve, kjo është diçka e rrezikshme, sepse trajtimi si “manipulim” dhe jo “radikalizim” pengon nxjerrjen në dritë të fakteve racionale dhe të provuara, duke i akredituar statusin e viktimës autorëve të këtyre akteve. Ideja e përsëritur nga i vëllai se janë të “manipuluar”, shmang përgjegjësinë jo në kuptimin juridik por në kuptimin psikologjik, pra në përforcimin e idesë se, kemi të bëjmë me një viktimë të manipuluar.

Por, ku qëndron shqetësimi në këtë pikë ?

Specialistët shqetësohen për krijimin e një motori psikologjik të fuqishëm, që ndihmon vetë terrorizmin. Ato theksojnë se, pas çdo ngjarje të kryer nga terroristët, sidomos atyre në Francë, të rinjtë e periferive, në rrjetet sociale dhe sidomos rrethet e islamistëve, përhapin menjëherë tezën e komplotit të shërbimeve franceze, amerikane, apo izraelite, siç ndodhi menjëherë edhe pas ngjarjeve të Charlie Hebdo. Këto teori komploti, shërbejnë për përforcimin e ideologjisë të grupeve terroriste, me synim shndërrimin në viktimë të çdo terroristi, por edhe më gjerë të çdo myslimani.

Por, elementi që tërheq vëmendjen në këtë situatë është fakti, që mbas analizimit të këtij fenomeni, ka menjëherë udhëzime të qarta në nivel shtetëror për shpërndarje të materialeve pedagogjike, me synim orientimin drejt reflektimit, këndvështrimit dhe optikës së duhur të nxënësve, studentëve dhe të rinjve, ndaj ngjarjeve të tilla. Këto udhëzime janë tashmë pjesë e politikës shtetërore si në Francë, por edhe në Belgjikë.

Reflektimet, që nxiten nga terreni i tensioneve në Bruksel, administrimit dhe menaxhimit të tyre nga strukturat shtetërore, sigurisht që nuk mund të jenë të një plani krahasues me terrenin shqiptar. Publiku shqiptar, fatkeqësisht ka njohur dhe është përballur me kriza shumë të forta në vend. Ndonëse ndryshimi i sistemit në vitet ’90 u krye në një formë relativisht të butë dhe me një kujdes shtetëror për shmangien e gjakderdhjeve të mundshme, kriza e vitit 1997, ishte një moment i rëndësishëm ku strukturat qeverisëse, demonstruan një shmangie tërësore nga logjika e ligjit dhe zbatimit të tij, duke kaluar në terrenin e palogjikshëm dhe të paligjshëm të përdorimit të forcës dhe shtypjes nëpërmjet mjeteve të dhunës në dispozicion. Edhe ngjarjet e fundit të janarit 2011, janë të profilizuara në të njëjtën kornizë, tejkalim të kompetencave shtetërore, shpërfillje të ligjit, vrasje dhe plagosje të qytetarëve.

Por, ky terren reflektimesh nxit të paktën, jo vetëm nevojën për krijimin dhe forcimin e një shteti ligjor, të aftë për të imponuar tek qytetarët e tij respektin për demokracinë dhe sundimin e ligjit, simbol i të cilit duhet të jetë fillimisht ai vetë, por nxit drejt reflektimit edhe për detyrimet e larta, që shteti dhe strukturat shtetërore kanë dhe duhet të kenë ndaj qytetarëve dhe formave të veçanta të kujdesit ndaj tyre./im.ta/

November 25, 2015 12:02