Reforma në arsim, mësuesi guximtar përdor byreçkat si shembull

May 25, 2016 14:16

Reforma në arsim, mësuesi guximtar përdor byreçkat si shembull

 

Një hap revolucionar që dëshmon seriozitetin e reformës së re arsimore, ka ndodhur në qytetin e Gramshit. Burime pranë shkollës nëntëvjeçare “Aristidh Muhedini” të qytetit, bëjnë me dije për Gojët e Liga se të gjithë shembujt praktikë që ofron në klasat e shtata A dhe B mësuesi 52 vjeçar i aritmetikës, Tare Tare, përfshijnë byreçkat, këtë njësi minimale dhe autonome të byrekut, që mund të konsumohet në një apo më shumë pjesë nga konsumatorët.

“Ta zëmë se Myrvetja dhe Anastasi zakonisht hanë 20 byreçka në dy javë”, tha të hënën mësuesi, “miqtë e tyre që do të vijnë për vizitë dyditore, Sheqerja dhe Shemja, hanë byreçka dy herë më shpejt se ata. Sa byreçka duhet të përgatisë nëna e Myrvetes, që të kënaqen të gjithë?”

Edhe pse shumica e nxënësve nuk i njohin byreçkat, sepse janë mësuar me patatina dhe kruasan (ky asortiment i fundit gati gjithnjë shqiptohet korason), nxënësi i dobët Ernest Kolloqithja pranoi se “mjafton që ne ta konsiderojmë byreçkën si njësi gjenerike unike, e vlefshme për të kalkuluar ekuacionin në terma të përgjithshëm”.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e përshëndeti këtë risi pedagogjike, që shkrin në një kulturën kulinare të popullit, me lëndën e dashur të matematikës.

“Ne kemi një projekt pilot”, deklaroi Nikolla, “që do shtrihet edhe në rajone të tjera të vendit sipas kuzhinës tradicionale të çdo treve. Kështu, mësuesit e matematikës në Përmet do përdorin si shembuj vetëm qollofacet, në Labëri vetëm delet e grabitura etj”.

“Vetëm në Korçë do bëjmë një përjashtim”, shtoi ministrja, “pasi mësuesit do jenë të lirë të zgjedhin mes kërnackave dhe lakrorit”.

***

Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo ngjarje ose personazh që përputhet me realitetin është rastësore

May 25, 2016 14:16
Komento

1 Koment

  1. Zysha May 25, 22:20

    Muaahhaaahhha. Po pse nuk perdor bananet si shembull msusi Tare Tare ne tajare?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*