Reforma në Drejtësi, disa nga propozimet e PD-së

September 16, 2015 09:58

Reforma në Drejtësi, disa nga propozimet e PD-së

PD thotë që ka gati propozimet e saj për Reformën në Drejtësi që do t’i dorëzohen Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

Aty gjenden rreth 200 rekomandime për të cikat PD thotë se ua ka dërguar paraprakisht ambasadave.

Në mjaft pika, propozimet e opozitës janë tërësisht kundër masave të propozuara nga mazhoranca.

Në platformën e tyre, demokratët kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të mos prekin çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

“Ndryshimet kushtetuese të mos prekin çështje të organizimit të përgjithshëm shtetëror, por vetëm çështjet e sektorit të drejtësisë. Formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk është çështje sektoriale”, -thuhet aty.

Gjithashtu, mësohet se PD-ja, do t’i kërkojë Komisionit të Reformës në Drejtësi që Ministri i Drejtësisë të mos jetë organi i vetëm që nis procedime disiplinore për gjyqtarët.

“Po ashtu, PD në mënyrë të prerë, kundërshton rekrutimin e gjyqtarëve jashtë sistemit. Sipas tyre, kjo është një praktikë që e dëmton sistemin e drejtësisë duke e zhveshur nga imuniteti ndaj ndërhyrjeve dhe ndikimeve politike.

“Të mos përfshihet në sistemin gjyqësor asnjë individ që nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës”,- thuhet në draft. Po ashtu, demokratët kërkojnë, gjithashtu që Gjykata e Lartë, të shndërrohet në gjykatë karriere.

Partia Demokratike, në draftin e saj, ka përfshirë dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke kërkuar që ky organ të jetë vetëm nën përgjegjësinë e Prokurorisë, ashtu si, sipas tyre, theksohet dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ekspertët e selisë blu kërkojnë gjithashtu të mos suprimohet, por të forcohet Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Gjithashtu opozita nuk përkrah ngritjen e inspektorateve jashtë Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Prokurorisë, pasi sipas tyre nuk gjen mbështetje në asnjë akt apo rekomandim të organizmave ndërkombëtarë.

Mazhoranca ka kërkuar që të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit, duke e rikthyer variantin e zgjedhjes me shumicë të cilësuar të votave.

Gjithashtu në “sirtar” ka dhe një variant tjetër, atë të zgjedhjes së Presidentit me votat e popullit dhe jo nga Parlamenti.

Një përplasje mes dy kampeve të politikës pritet të jetë ajo mbi Byronë e Hetimit. Opozita po kërkon që të mos jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme, por e varur nga prokuroria.

Brenda këtij sesioni parlamentar, mazhoranca synon të realizojë reformën në drejtësi, por deri më tani nuk ka ende një draft konkret, pasi dy palët nuk po arrijnë një konsensus paraprak.

September 16, 2015 09:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*