Reforma në drejtësi, mundësia për të qenë i barabartë para ligjit. Një model për vendet e tjera të Ballkanit

October 6, 2019 11:40

Reforma në drejtësi, mundësia për të qenë i barabartë para ligjit. Një model për vendet e tjera të Ballkanit

Nga Juxhin Ngjelinaj

Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku pa dyshim nuk bën përjashtim as Shqipëria, po ndodhin reforma gjyqësore intensive, kjo përsa i përket çeljes së negociatave me BE dhe statusit të tyre aq të dëshiruar si një vend kandidat. Që nga viti 2014 vendi është gjithashtu kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një nga kërkesat kryesore të BE-së është edhe procesi i vettingut i të gjithë gjyqësorit.

Shqipëria i është nënshtruar presionit të jashtëm për një rishikim të imtësishëm dhe intensiv të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, një proces ky që ka filluar vonë dhe që ka qenë mjaft i ngadaltë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha pas fitores në zgjedhjet parlamentare në vitin 2013 se “duhet një reformë radikale e gjyqësorit”, duke përfshirë edhe ndjekjen penale si një nga qëllimet kryesore të qeverisë së re.

Pas rënies së komunizmit, Partia Demokratike (PD) u përpoq të de-politizojë strukturat e saj gjyqësore. Në mandatin e parë të qeverisë, PD urdhëroi largimin nga puna të disa gjyqtarëve të regjimit komunist dhe organizoi trajnim për një gjeneratë të re të gjyqtarëve. Ky rishikim, i kërkuar nga jashtë, duhet të shihet në kontekstin e përpjekjeve intensive të Shqipërisë për të reformuar sistemin juridik shqiptar, përfshirë krijimin e autoriteteve të reja gjyqësore.

Po ashtu në verën e vitit 2016 ishte një reformë e madhe e Kushtetutës së vitit 1998. Më tej u kërkuan ndryshimet legjislative për reformën e gjyqësorit, përfshirë ligjet e reja për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjyqësorit, organeve drejtuese të sistemit gjyqësor, për strukturën dhe funksionin e prokurorit ose strukturën dhe funksionin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Republikën e Shqipërisë, si dhe ndryshimet në Aktin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Rama në një konferencë shtypi me gazetarët është shprehur se reforma e sistemit gjyqësor, një nga më të suksesshmet dhe më të rëndësishmet në Shqipëri, tani po sjell frytet e saj: 800 gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë i nënshtrohen një kontrolli të rreptë, që njihet edhe si “procesi i vettingut”, ku ata duhet jo vetëm të provojnë aftësitë e tyre profesionale, por edhe të justifikojnë burimet e tyre të parave dhe pasurive të patundshme me dokumente. Në të njëjtën kohë ata duhet të dëshmojnë se nuk kanë lidhje me kriminelë ose grupet kriminale.

Rezultatet e procesit të vetingut deri më tani janë:

-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shqyrtuar 92 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës gjyqtarë në një vit.

-42 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar të tre këto provime dhe mbeten në sistemin gjyqësor,

-35 gjyqtarë dhe prokurorë janë përjashtuar nga sistemi gjyqësor shqiptar për një periudhë 15 vjeçare, sepse nuk mund të vërtetonin burimet e tyre të parave dhe pasurive të paluajtshme.

Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar përfshijnë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, ndërsa disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë kanë dhënë dorëheqje vullnetarisht për të shmangur procesin e verifikimit të vettingut, ku njëri prej tyre është edhe ish Prokurori i Përgjithshëm.

Si rezultat i kësaj disa gjykata, siç është Gjykata Kushtetuese, bllokuan punën sepse nuk kishin kuorumin e duhur për një padi.

Në Dhjetor 2018, u krijuan dy organe të rëndësishme: Këshilli i Lartë i Gjykatësve dhe Këshilli i Lartë i Prokurorëve, i cili gjithashtu do të zgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët për të gjitha instancat e sistemit gjyqësor brenda 30 ditësh.

Në vitin 2019 do të formohen gjithashtu dy institucione të rëndësishme: Struktura speciale e hetimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Një proces verifikimi me të njëjtat kritere mendohet që të ekzistojë edhe për politikanët shqiptarë dhe Policinë e Shtetit shqiptar.

Duke ju referuar një deklarate të Kryeministri shqiptar Edi Rama, “Reforma e gjyqësorit, e hartuar dhe e miratuar në Shqipëri, është unike dhe mund të shërbejë gjithashtu si një model për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

October 6, 2019 11:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*