Si do ngrihen “organet e rivlerësimit” të Drejtësisë

August 31, 2016 16:16

Si do ngrihen “organet e rivlerësimit” të Drejtësisë

Të hënën e 26 shtatorit duhet të jenë të ngritura institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Me miratimin e ligjit në Kuvend me 88 vota, pa konsensusin e opozitës e cila votoi ndryshimet kushtetuese, nis dhe ndërtimi i arkitekturës së re të drejtësisë, mes sfidash, akuzash për kontroll dhe kërcënime për beteja ligjore.

Organet e rivlerësimit do të ngrihen sipas formulës së konsensusit të arritur një ditë përpara miratimit të reformës në drejtësi më 20 korrik.

Të gjithë gjyqtarët që duan të jenë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili përbëhet nga 12 anëtarë, Kolegjit të Apelimit i përbërë nga 7 anëtarë dhe Komisioneri Publik, duhet të aplikojnë fillimisht te Presidenti i Republikës, i cili 7 ditë pas përfundimit të aplikimeve, nën monitorimin e ONM, paraqet një listë me kandidatët që i plotësojnë dhe që i nuk plotësojnë kushtet formale.

Një Komision i përbërë nga 3 vëzhgues ndërkombëtarë, brenda 14 ditësh i paraqesin rekomandimet e tyre Presidentit për të dy listat.

3 ditë pas marrjes së dy listave nga Presidenti dhe listës së rekomandimeve të ONM, Kuvendi krijon një komision ad-hoc me 6 anëtarë, 3 nga shumica dhe 3 nga opozita.

Ky Komision ka të drejtë që me 4 vota, të mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk i plotësojnë kushtet formale, tek lista e kandidatëve që i plotësojnë kushtet formale dhe me të paktën 5 vota kanë të drejtë të kalojnë një kandidat të përjashtuar nga rekomandimet e ONM, tek lista e kandidatëve që shkojnë për votim në Parlament, apo siç thuhet me gjuhën e thjeshtë, do fusin sërish ata që fusten në listë të zezë nga ndërkombëtarët.

Pas kësaj, Kuvendi brenda 10 ditëve krijon 2 Komisione të tjera ad-hoc, të ndarë në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe opozitës, ku një Komision ka 12 anëtarë dhe tjetri 6 anëtarë.

Brenda 30 ditëve, Komisioni me 12 anëtarë përzgjedh me votë të fshehtë elektronike 12 anëtarët e komisionit të pavarur të Kualifikimit si dhe Komisionerin Publik, në një proçes ku secili anëtar i Komisionit ad-hoc, ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat.

Të njëjtën proçedurë ndjek edhe komisioni ad-hoc me 6 anëtarë, i cili me votë të fshehtë elektronike zgjedh 6 anëtarët e Kolegjit të Apelimit.

Me një votim të thjeshtë, Komisioni përzgjedh edhe anëtarin e 7 të këtij Komisioni, ku fitues shpallet kandidati me më shumë vota.

Më pas radha është e Parlamentit, i cili merr listat e paraqitura me kandidatët fitues nga komisionet ad-hoc dhe brenda 10 ditëve, duhet ta miratojë këtë listë me 3/5 e votave të tij.

Nëse Kuvendi nuk e miraton me 3/5 e votave, kryetari i Parlamentit ia rikthen listën Komisioneve për ta përsëritur proçesin dhe brenda 10 ditëve në Kuvend mbërrin lista e re.

August 31, 2016 16:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*