Reforma në drejtësi shkon drejt një përballjeje

Fatjona Mejdini / BIRN June 10, 2016 18:34

Reforma në drejtësi shkon drejt një përballjeje

Negociatat në vijim të partisë qeverisëse dhe opozitës në Shqipëri mbi një paketë të reformave në drejtësi kanë dështuar të arrijnë një konsensus, por mazhoranca së shpejti shpreson të kalojë draftin në Parlament pa bashkëpunimin e opozitës.

Kryeministri, Edi Rama nga Partia Socialiste dhe Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, u takuan për disa orë të hënë , por nuk arritën të binin dakord mbi draft-reformën pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar.

Reforma detyron ndryshime kushtetuese në strukturën e sistemit ligjor të vendit dhe punën e gjyqësorit. Reformat janë punuar në Parlament për rreth një vit.

Por pas negociatave të dështuara të së hënës, kryeministri Rama shprehu  optimizëm se reformat mund të kalojnë në parlament pa votat e opozitës.

“Ne nuk do ta presim më PD. Do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi, por deri ditën e votës në Parlament, ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me ne këtë tren,” tha Rama.

Deklarata shtoi dyshimet se nëse shumica dhe opozita nuk mund gjejnë dakordësi, ka një plan B dërgimin për votim të reformës, pavarësisht vendimit të PD për të mos e pranuar draftin aktual.

Presioni ndërkombëtar

Deklaratat nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, partnerët kyç në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë, i shtuan zjarr spekulimeve se mazhoranca mund të detyrojë deputetë individualë të votojnë reformën.

Të mërkurën, një deklaratë zyrtare e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë theksoi përgjegjësinë individuale të deputetëve për reformën e gjyqësorit.

“Të gjithë anëtarët e parlamentit mbajnë përgjegjësi të veçantë ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve të Shqipërisë të cilët kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv”, lexohet në deklaratë.

Deklarata e BE-së gjithashtu shprehu keqardhje për paaftësinë e liderëve politikë për të gjetur konsensus për reformën.

Shtetet e Bashkuara fajësuan në mënyrë të qartë opozitën në një deklaratë të lëshuar nga ambasada në Tiranë: “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund të fundit opozita nuk bëri të njëjtën gjë”.

Deklarata vazhdoi, ” Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.

Një front i përbashkët

Mundësia në rritje që reforma mund të kalojë edhe pa bashkëpunimin e PD, e bëri opozitën që të fillojë negociatat me aleatët e vegjël në mënyrë që t’i rezistojë presionit kundër draftit aktual.

Të mërkurën, opozita u mblodh së bashku për të bashkuar pozicionin e saj. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti një takim me Fatmir Mediu, kreu e Partisë Republikane dhe Dashamir Shehin, liderin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe i kërkoi atyre të votojnë me PD-në kundër reformës.

“Vota jonë [në parlament] do të bashkohet me PD-në. Nuk mund të qëndrojmë në parlament nëse do të rezultojë në një tregti politike,” tha Mediu i PR pas takimit.

Lojë shifrash

Parlamenti ka 140 deputetë dhe paketa e reformës ka nevojë për 93 vota që të kalojë.

Shumica qeverisëse përbëhet zyrtarisht nga tre grupe parlamentare. Së bashku ata mbajnë 87 vende në parlament. Partia Socialiste ka 61 deputetë, pasuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, me 18 dhe partneri i tretë i koalicionit, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka 8 deputetë.

Edhe pse disa deputetë brenda mazhorancës e kanë kritikuar qeverisjen e kryeministrit Rama, asnjë nuk ka qenë kundër reformës në drejtësi dhe besohet se të gjithë do të votojnë për të.

Kështu, matematika e thjeshtë dikton se shumica ka nevojë vetëm për gjashtë deputetë për të arritur shumicën e nevojshme për ndryshimin kushtetues.

Ka pesë deputetë të pavarur në Kuvendin e Shqipërisë: PS ka dëbuar dy prej tyre, ndërsa të tjerët i përkasin partive të vogla që nuk janë në koalicion. Është e paqartë se si pesë deputetët do të votojnë për reformën.

Nga ana tjetër, me negociatat për reformën që ende janë duke u zhvilluar, është e paqartë nëse opozita mund të mbajë 48 votat e saj, pa kundërshtime.

Ajo që është e qartë është koha. Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbarojë me projekt-ligjin e reformës deri në fund të qershorit, pas së cilës Parlamenti merr një pushim veror tre-mujor.

Afati i qershorit është gjithashtu i rëndësishëm për shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave të pranimit në BE këtë vit.

Opsionet e tjera ende të hapura

Edhe pse koha nuk pret, analistë politikë besojnë se ka ende kohë që partitë politike të gjejnë një konsensus.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, tha për BIRN se ka opsione të tjera përveç “provës së forcës”, siç e konsideron ai thirrjen e mazhorancës për votimin individual të reformës në drejtësi.

“Diplomatët ndërkombëtarë mund të vazhdojnë negociatat e tyre në kërkim të një marrëveshje të minutës së fundit. Ata mund ta ndihmojnë procesin duke përfshirë reformën e proceseve të tjera si: Zgjedhjet më transparente për institucionet e reja të drejtësisë, një zgjedhje konsensuale për presidentin e ardhshëm etj…”.

“Kjo mund të konsiderohet si një zgjidhje optimale për të kaluar reformën pa efekte anësore në skenën politike të vendit”, tha Krasniqi.

Një tjetër mundësi për të janë negociatat më të gjera ndërkombëtare, përfshirë edhe grupin e Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, ku PD është anëtare dhe Aleancën Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, ku është anëtare PS.

Opsionet e fundit që Krasniqi sheh janë një referendum publik mbi reformën ose zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nëse përpjekjet e reformës dështojnë.

Mazhoranca ka një mundësi ta vërë reformën për votim në parlament. Nëse nuk kalon, rregullat parlamentare nuk do të lejojnë një përpjekje tjetër pa kaluar gjashtë muaj.

Fatjona Mejdini / BIRN June 10, 2016 18:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*