REFORMA / Të drobitur e të rreckosur, ish-gjyqtarë e prokurorë bëhen avokatë për një copë bukë

June 3, 2019 18:19

REFORMA / Të drobitur e të rreckosur, ish-gjyqtarë e prokurorë bëhen avokatë për një copë bukë

TIRANË – Të moçmit thonë se nuk ishte parë hata si kjo. Ata kishin dëgjuar nga parardhësit e tyre për një kataklizmë të ngjashme, kur Mbreti Zog vendosi të bëjë reforma radikale dhe të heqë nga qarkullimi perçet dhe ferexhetë. Ah po, edhe çarçafat. Po që atëherë, në ujin e ndenjur të drejtësisë shqiptare nuk lëvizte asgjë, me përjashtim të mushkonjave anofele që bënin kërdinë.

Por sëpata e reformës vonon, por nuk harron. Dhe brezi fatlum i shqiptarëve të sotëm është dëshmitar sesi po krasiten degët e kalbura të drejtësisë. Sesi ata gjyqtarë e prokurorë që për 30 vjet rresht i masnin çështjet gjyqësore me peshën e tufave të parave, tani janë në mes katër rrugëve, jo detyrimisht të Shijakut.

Me dhjetëra burra e gra të inkriminuara kanë trokitur nëpër dyert e pushtetit popullor me shpresë se në njëfarë mënyre do ricikloheshin në sistem.

Kanë qeshur, kanë qarë, janë lutur, përdredhur e spërdredhur, por kanë marrë opingën e Sheros. Dhe vetë Sheroja, ka deklaruar se këtë e bën për sadaka, se po të qe për të, as opingën nuk do ua jepte.

“Punë do t’ju japim,” u tha pushteti popullor këtyre hijenave, “por jo ato që doni, edhe pse keni mbaruar liceun Francez të Plepave. Ju nuk keni ç’tu mësoni fëmijëve tanë. Aty le të ngordhni, të jetoni nëpër qymezet dhe kasollet e Katavaroshit, ku natën ju duket sikur minjtë do t’ju hyjnë në trup…”.

Dhe sot, ja ku janë.

Burrat, të dobësuar dhe me mjekër të parruar, të lënë pasdore. Gratë, krejt të pakuruar dhe pa taka, me mustaqet, vetullat dhe barsetat që kanë filluar të dalin jashtë kontrolli nga mungesa e trajtimit dermo-estetik. Të shokuar, ata nuk kanë më kokërr leku. Më saktë, nuk dinë ku i kanë, sepse kanë harruar bankat dhe numrat e llogarive nga tronditja.

Për shembull, ish gjyqtari i deklasuar Napolon Frangu kaloi në stres akut kur vetingu e hoqi nga puna.

“Si të jetoj tani? Me çfarë lekësh? Me ato të Lihtenshtejnit, të Qipros apo të Zvicrës? O botë mizore, si u katandisa kështu?” mërmëriste ai me vete.

Fëmijët e shqetësuar, e merrnin në telefon nga Oksfordi, nga Universiteti Boconi apo Kembrixhi.

“Babi, a të marr biznes klasin e parë dhe të vij në Tiranë? Më thuaj. Apo të nisem me Ferrari? Mos u shqetëso të lutem, ne tashmë jemi rritur dhe ja dalim vetë,” i thoshte vajza studente, Kuleta Frangu.

Me kalimin e ditëve, të deklasuarit e kuptuan megjithatë, se diçka duhej bërë sa për të nxjerrë bukën e gojës. Çfarëdo lloj zanati. Qoftë dhe avokat.

Po po. Ashpërsia e reformës ka mbërritur deri në pikën e mungesës absolute të mëshirës. Tashmë burra e gra të hedhura në rrugë të madhe, kanë zënë rradhë për t’u bërë avokatë. Të poshtëruar, të zverdhur, të tallur nga kalamajtë e rrugës që bërtasin, “Spekullatorët në litar”, ata marrin njëri pas tjetrit atë palo liçensë, me duart që u dridhen.

“Ja, kështu do përfundojnë të gjithë ata që kanë shirë në kurriz të popullit,” tha pushteti popullor duke vizatuar me lapsa me ngjyra mbi një vendim qeverie, “fundërrinat!”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që beson se edhe avokatia, sado zanat i ulët, është punë si gjithë të tjerat

June 3, 2019 18:19
Komento

5 Komente

  1. Kuleta e zbrazur June 3, 19:32

    Haha
    Gjigande

    Reply to this comment
  2. Umor Ishti June 4, 05:19

    Hahahaaa!
    Bukur.
    Hahahaaaahahaha!!!

    Reply to this comment
  3. !!!!!!! June 6, 06:12

    Eeeee! Keshu e ka puna kur han mut gjithe jeten… Mesohesh! Tani duhet te hash edhe çkulen q eke lene pas… “Gojet e Liga” jeni rubrike e mrekullueshme! Suksese dhe jete te gjate!
    !!!!!!!

    Reply to this comment
  4. Rezbat beu June 10, 09:17

    Do perfundojne edhe me keq se pushteti popullor sepse sistemi real kapitalist eshte sistemi i te afteve keta plera ishin agronome e shofera dhe u bene gjykates dhe prokurore do ti shikojme se shpejti qe Ferrari do behet Ferrkari

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*