Reforma territoriale duhet të nisë nga …fshati!

Luan Shahollari February 17, 2014 09:28

Reforma territoriale duhet të nisë nga …fshati!

Përgjatë një shekulli, territori i shtetit shqiptar prej 28,748 km² ka pësuar ndarje administrative, të cilat në periudha të ndryshme historike dhe politike kanë marrë emërtime të ndryshme si: sanxhak, kaza, nahije, bashki, komunë, lokalitet, qark, rreth, fshat i bashkuar, fshat, përsëri bashki, komunë, etj.  Por një fakt nuk ka ndryshuar: këto ndarje dhe organet e tyre qeverisjes vendore janë ngritur mbi bazën e qëndrave të banuara që janë fshatrat dhe qytetet. Po çfarë quhet fshat dhe çfarë qytet? Ku dallojnë midis tyre? Sa ka qënë numri i tyre në vite? Përgjigja e këtyre pyetjeve ka rëndësi për nisjen e procesit të reformës administrative pasi do të dalin përkufizime dhe të dhëna të tjera që shërbejnë si bazë për analizën e gjëndjes dhe për një riorganizim sa më real të njësive të qeverisjes vendore.

 

Fshati dhe qyteti-dallimet midis tyre

 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 108/3) i përcakton komunat dhe bashkitë si njësi bazë të qeverisjes vendore. Sipas ligjit 8652/2000 (neni 5) për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, komuna përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh, si rregull në zona rurale dhe në raste të veçanta edhe në zona urbane. Kurse, bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh kryesisht në zona urbane e në raste të veçanta edhe në zona rurale.

Kur bashkia përfshin zona rurale, nëndarja quhet fshat. Fshati krijohet në një territor me mbi 200 banorë. Qytet, shpallet një qendër banimi e cila ka një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Shpallja e qytetit bëhet me ligj.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (2008), fshati përbën një vendbanim në një hapësirë të caktuar, me emër përkatës, brenda të cilit jeton në numur shtetasish, që merren kryesisht me bujqësi ose me blegtori.

Për shkak të prapambetjes shekullore deri në Shpalljen e Pavarësisë (1912), por dhe dekada më vonë, Shqipëria mbeti një vend thellësisht bujqësor, për rrjedhojë shumica e popullsisë banonte në katunde (fshatra). Qytetet numuroheshin me gishtat e duarve dhe për më tepër me një numur të vogël banorësh. Më 1912, popullsia qytetare zinte vetëm 12-13 për qind të popullsisë gjithsej.Qyteti më i madh i vendit me 25 mijë banorë ishte Shkodra, pasuar nga Korça me 22 mijë, Tirana me 10 mijë, Vlora rreth 4 mijë dhe Durrësi rreth 3 mijë banorë.

Sipas regjistrimit të vitit 1923, Shqipëria kishte rreth 804 mijë banorë, nga të cilët vetëm 15.9 për qind banonin në qytet kurse 84.1 për qind banonin në fshat. Pas 15 vjetësh, në vitin 1938 popullsia ishte 1,040,4 mijë banorë nga të cilët 15.4% në qytete dhe 84.6 % në fshatra. Pra, raporti mbeti gati pa ndryshime, madje me ulje të popullsisë urbane.

Në vitin 1945 popullsia ishte 1,122,0 mijë banorë, nga të cilët 21.3% banonin në qytete dhe 78.7% në fshatra. Kurse dhjetë vjet më vonë, më 1955, në qytete banonin 27.5 % e popullsisë gjithsej, kurse në fshatra 72.5 %.

Në vitin 1969, popullsia arriti në 2,068,1 mijë banorë dhe raporti përkatësisht 31.5% në qytete dhe 68.5% në fshatra. Kurse më 1979 popullsia banuese arriti në 2, 590, 6 mijë banorë dhe raporti 33.5% dhe 66.5%. Raporti kishte ndryshuar pak edhe pas dhjetë vjetëve.

grafik

Më shumë banorë në qytetet se në fshatrat

 

Një nga gjetjet kryesore që doli nga censusi 2011 është se, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, numri i banorëve që jetojnë në qytet (në zonën urbane) e kalon atë të banorëve që jetojnë në fshat (në zonat rurale) në raportin 53, 5% me 46, 5%, kundrejt 42.2 % dhe 57.8 % më 2001, dhe 35.7% me 64.3% më 1989.

Pra, midis viteve 1989-2011, popullsia banuese në zonën urbane është rritur me 17.8% kurse popullsia në zonën rurale është ulur me të njëjtën përqindje

Lëvizjet e brendshme të popullsisë kanë vazhduar me ritme të larta gjatë periudhës 2001-2011 kryesisht nga zona rurale në zona urbane. Në vitin 2011, krahasuar me vitin 2001, kishin ndryshuar vendbanimin e zakonshëm brenda vendit rreth 10, 6 % e popullsisë.

Raporti midis popullsisë urbane dhe asaj rurale paraqitet më i lartë: në qarkun e Durrësit 74.6% me 25.4%; në qarkun e Tiranës 70.2% dhe 29.8%; në qarkun e Vlorës 65.6 % dhe 34.4%; në qarkun e Lezhës, 53.8% dhe 46.2% etj; kurse më i ulët në qarkun e Dibrës 26.1% dhe 73.9 %, në të Kukësit 34.1% dhe 65.9%, të Elbasanit 39.1% dhe 60.9% etj.

Dendësia e popullsisë në shkallë vendi është zvogëluar nga mesatarisht 107 banorë për km²  në 2001 në 97 banorë për km² në 2011. Qarku i Tiranës dhe ai i Durrësit shënojnë vlerat më të larta krahasuar me qarqet e tjera: respektivisht 454 dhe 343 banorë/ km². Ky fenomen shpjegohet me lëvizjen e popullsisë nga zonat më të largëta në drejtim të këtyre qarqeve.

Procesi i urbanizimit do të vazhdojë të ndjekë në të ardhmen prirjen vendeve të zhvilluara kapitaliste, ku popullsia në zonën rurale ze një peshë të vogël, nën 25 për qind,kundrejt mbi 75 për qind në zonën urbane.

Kjo prirje do të fuqizohet pasi parashikohet të zgjidhen problemet lidhur me pronësinë mbi tokën bujqësore, të shtohet mekanizimi i proceseve të punës, të përmirësohet rrjeti ujitës, furnizimi me farna të zgjedhura, shpërndarja e prodhimit etj. Kjo do të thotë se në të ardhmen do të kemi një shtim të qyteteve si në numur ashtu dhe si zona urbane, kundrejt atyre rurale.

 

Sa fshatra dhe qytete ka Shqipëria?

Ndryshimi i ndjeshëm i raportit të popullsisë që banon në qytete ndaj asaj që banon në fshatra në vitin 2011 kundrejt vitit 2001 nuk shoqërohet me ndryshim të numrit të këtyre vendbanimeve. Një fenomen i tillë vjen për shkak se nuk është bërë ndonjë invetarizim, të paktën sipas kritereve të deritanishme: jo më pak se 200 banorë për fshatin dhe një plan urbanistik të miratuar për qytetin.

Po a mund të quhet fshat një vendbanim me më pak se 200 banorë? Po një fshat (i madh) që ka një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar a mund të quhet qytet?

Pa u shtyrë më thellë, bazuar në të dhënat dokumentare të kohës, del se në vendin tone në vitin 1947 kishte gjithsej 22 qytete dhe 2,602 fshatra. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1967, numri i qyteteve kishte arritur në 39, kurse i fshatrave në 2,698.

Sipas të dhënave me burime nga INSTAT, në vitin 1990, Shqipëria kishte 67 qytete dhe 2,848 fshatra. Kurse në këto njëzet vjetët e fundit, raportohet gati i njëjti numur vendbanimesh prej 74 qytete dhe 2,962 fshatra. Dhe kjo ndodh kur, gjatë kësaj periudhe, shumë qëndra të banuara, të njohura si qytete, për shkak të ndryshimeve ekonomike, sociale dhe demografike i kanë humbur tiparet që karakterizojnë një qytet.

Me të drejtë lind pyetja, sa për të sjellë ndonjë shembull: a mund të quhet qytet Kurbneshi në Mirditë me vetëm 50 banorë, vetëm se në një moment të caktuar ka qenë shpallur dikur qytet? Kështu mund të përmenden edhe qyteza të tjera industriale, që tani janë të rrënuar.

Nga ana tjetër, a mund të quhet fshat Frashëri në Përmet, kur aty sot ka vetëm 4-5 familje, kurse më 1990 kishte  91 familje me 432 banorë? Po kështu ka ndodhur edhe në thuajse 90 për qind të fshatrave të Oparit të Korçës apo dhe të tjerë në zonat malore të vendit?

Po Golemi në rrethin e Kavajës, apo Ksamili në rrethin e Sarandës psh, (nëse kanë plane urbanistike), quhen fshatra apo qytete?

Pra, sa fshatra ka tani Shqipëria? Po qytete? Një përgjigje mund të jepej pasi të bëhej një “skanim” sipas kritereve të tanishme. Por më vlerë do të kishte një përgjigje që do të jepej pas miratimit të kritereve të reja, të përgatitura mbi bazën e përvojave apo standarteve europiane. Në këtë mënyrë reforma për ndarjen e re administrative-territoriale do të siguronte një përmbajtje sa më reale.

 

 

Luan Shahollari February 17, 2014 09:28
Komento

1 Koment

  1. Labi 2 February 17, 13:16

    Jam dakord me argumentet Z.Luan,por lind pyetja:

    Kane levizur shume banore fshati neper zonat urbanene nje kohe qe ata ne fshat kane marre toke ne baze te ligjit.Por eshte i njohur edhe fakti qe shume banore po i kthehen perseri fshatit se nuk kane mjete jetese ne qytet.Po keshtu po kthehen edhe nga emigracioni dhe po shkojne ne fshat,ku edhe kane token dhe po mundohen te investojne.
    Thuhet se duke bere reformen territoriale sherbimet ndaj komunitetit do te jene me te mira.
    Thjesht nese nje banor i nje fshati kerkon te marre nje dokument nga zyrtaret e komunes do te detyrohen te bejne mbi 100 km rruge vajtje-kthim,do te paguaje edhe nja 1000 leke te rinj pervec sherbimit qe kerkon te marre nga komuna.
    A mund te thuhet se i eshte lehtesuar marrja e sherbimit ketij shtetasi?
    Po nese per mungese energjie,apo zyrtari i ngarkuar nuk gjendet ne zyre dhe shtetasi eshte i detyruar te shkoje perseri ne qender te komunes dhe atij i dyfishohen shpenzimet pa llogaritur rruget qe jane cope-cope dhe njerezit e shkrete ulerijne nga dhembjet e veshkave?
    A nuk mendoni se duhet bere referendum per te bere ndarjen territoriale?
    Eshte kollaj te besh projekte ne letradhe per ato nuk vuajme se kemi boll,ndersa halli i qytetarit shqiptar nuk ka per tu qare kurre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*