REFORMA / Zanatçinjtë e lagjes plotësojnë vakancat e Kushtetueses

November 14, 2019 22:22

REFORMA / Zanatçinjtë e lagjes plotësojnë vakancat e Kushtetueses

Disa episode domethënëse të ditëve të fundit lidhur me plotësimin me mish e tule, të skeletit të drejtësisë së re shqiptare, kanë mbushur vendin me shpresë se më në fund shqiptarët do shohin një ditë të bardhë. Nga ana tjetër, ngjarjet në fjalë janë brohoritur me ovacione nga ndërkombëtarët.

Ja çfarë ka ndodhur:

-Kandidatja e përkohshme për kryeprokurore të përhershme Marta Harku, i dorëzoi komisionit të naltë një sondazh asnjanës të bërë nga vetë ajo, ku saktësohej shkencërisht se shqiptarët preferonin atë kundrejt dy kandidatëve të tjerë.

-Zonja Harku gjithashtu regjistroi veten në video në celularin e vet, ku fliste e mrekulluar për performancën e vet të derishme në krye të prokurorisë. Videon pastaj ua dërgoi të gjithë anëtarëve të komisionit të naltë.

-Nga ana tjetër, mësohet se zonja Harku ka shkuar tre herë në Kishë të Laçit dhe pastaj ka vizituar një hoxhë institucional dhe luajal, i cili u këndoi nga një nuskë denigruese dy kandidatëve rivalë.

-E caktuara si gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese për faktin se i doli emri sipër në listë si tapë peshkimi, zonja Varta Hopsi, shkroi me shkrim dore një letër ku sqaronte se e kishte me shumë qejf postin si gjykatëse e Kushtetuese. Në fund, pasi e firmosi, e kaloi letrën nëpër të gjithë zanatçinjtë e lagjes: Furrxhiu, rrobaqepësi, këpucari, orëndreqësi, shitësja e mini-marketit dhe noterja, të cilët gjithashtu i futën nga një firmë. Pastaj ja postoi letrën Presidencës.

-Menjëherë më pas, hyri në zyrën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe miratoi me dorë të vet një vendim ku sqarohej se këtej e tutje në këtë institucion nuk do lëvizte as miza pa lejen e saj. Kopje të vendimit iu dërguan edhe mizave.

-Pas informacioneve të fundit mbi zhvillimet në Reformën Shqiptare të Drejtësisë, nxitësi i madh i saj Ronald Du, i dërgoi një letër nga Kirgizstani bashkëautores kroate Vromana Lahutin, me titullin: “A e shef Shqipninë, e kena bo xhenet moj, xhenet!”

-Përgjigja e zonjës Vromana Lahutin, aktualisht përgjegjëse minimarketi në Zagreb, ishte e menjëhershme: “O rrusho, sa shpejt të vijnë lajmet shqiptare mër dreq!”

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike që cdo rubrikë të saj e çertifikon te kasapi këtu te kthesa.    

November 14, 2019 22:22
Komento

2 Komente

  1. r.p. November 14, 23:56

    Kryeprokurorja në detyrë Arta Marku thuhet se ka dorëzuar para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një sondazh të kryer me stafin e vet sipas të cilit rezulton se “populli” e do Arta Markun në krye të organit të akuzës. Në prezantimin e vet para KLP-së, Marku ka pranuar ndër të tjera se ajo ka kompetenca të kufizuara me ndryshimet e tanishme kushtetuese dhe ligjore, ndaj edhe kështu shpjegohen dështimet e saj. Mirëpo pyetja që shtrohet këtu është se nëse situate ligjore është kështu përse rikandidon zonja Marku?

    Si shpreson ajo të ketë sukses me këto kufizime? Inkoherenca e të zgjedhurve të Rilindjes nuk është vetëm në planin logjik, por edhe atë moral dhe etik. Zonja normalisht duhet të ishte tërhequr në emër të dështimit që pranon vetë. E kundërta ndodhi: ajo paraqiti një sondazh. Në KLP-në ku ajo paraqitet ka anëtarë që janë bashkëpunëtorë të saj dhe strukturimi i ri i të ashtuquajturës drejtësi është në thelb ristrukturim nepotizmi.

    Incidentit në fjalë iu shtua sot gafa noteriale e zonjës Vorpsi, e padëgjuar me çdo standard. Lëvizjen e saj e mbështetën media të pushtetit që interpretojnë se betimi para presidentit mund të jetë edhe vetë verbal, pra ai mund të bëhet kudo dhe i njoftohet kreut të shtetit. Sipas kësaj logjike betimi është një akt i liberalizuar që nuk lidhet detyrimisht me një ceremoni të organizuar nga institucioni që ka kredencialin e pranimit të tij.

    Absurditete të tilla zbulojnë një simptomë të përbashkët të atyre që po ikin nga pushteti e që është kalimi nga vjedhja me stil e premtuar nga Eduard Shalsi, te zhvatja e paduruar. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është asgjë më shumë sesa një luftë për ta kapur atë në emër të prerogativave që ka njëri pushtet apo tjetri. Por sjellja e atyre që do Rilindinin Shqipërinë dhe do ta afronin atë me Europën, është padyshim më sektarja. Nuk e gjen atë në asnjë regjistër të pushteteve në Shqipëri që padyshim është i pasur me gjëra surreale.

    Reply to this comment
  2. Zef Shpatari November 15, 00:07

    E nderuar redaksia e Dites

    Sulmi që Arben Ahmetaj, i bëri dje ministres Anila Denaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për “Projekt Buxhetin-2020”; nuk paska patur lidhje me rritjen ekonomike, uljen e varfërisë dhe shtimin e punësimit; por me një konflikt pazaresh të pista, ndodhur javën e kaluar në Ministrinë e Financave, mes shoferit të “tigrit” Arben Ahmetaj dhe ministres Denaj.

    Bëhet fjalë, për nxjerrjen këto ditë në ankand (është bërë gati), të 5.1 milionë euro pasuri shtetërore ish-ndërmarrje, toka, troje e kapitale të shoqërive aksionare në Tiranë, Vlorë, Durrës, për t’u dhënë falas me PPP për 10-35vjet dhe; për shitjen e 25 mijë m2 objekte e 17 auto-vetura luksi, me vlerë 80 mijë-110 mijë euro, të sekuestruara nga krimi.

    Këto ankande për PPP e blerje, ka dashur t’i “menaxhojë” Agron B. Ceka, me detyrë shofer zyrtar i Arben Ahmetajt, që nga dita e parë ministër e deri sot, në postin Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financave.

    Se me çfarë skemash shtetërore tipike mafioze; po dhurohen e shiten pasuritë publike nga banda “Rilindja”, kjo tashmë dihet dhe është bërë shkak dhune, zhdukjesh e vrasjesh të shumta të biznesmenëve, shefave të SHISH e policisë, deri me atentate ndaj gjyqtarëve e prokurorëve në mes të ditës.

    Por pyetja në rastin konkret, është kjo: – Kush ia jep të drejtën, shoferit të Arben Ahmetajt, që merr pjesë në mbledhjet dhe ankandet e Ministrisë së Financa-Ekonomisë, madje kush ia jep fuqinë, që kërkon të caktojë, se kush duhet t’i përfitojë pasuritë e shtetit?

    Përgjigja e kësaj çudie, jepet në denoncimin e dërguar në redaksinë “Pamfleti”, nga një zyrtar i Ministrisë së Financave, i cili konfirmon me dokumente shkresore; njeriu i Arben Ahmetajt, që tashmë paguhet si shofer gardist nga Kryesia e Kuvendit, është edhe funksionar i lartë i kësaj ministrie, në tre poste.

    Referuar shkresave zyrtare, rezulton se shoferi Agron B. Ceka; është Anëtar Bordi në Agjencinë Shtetërore të Regjistrimit të Shoqërive Aksionare e Administrimit të Aksioneve, në Ministrinë e Financa-Ekonomisë, emëruar me Urdhër Nr. 127, datë 14.11.2017, të ish-ministrit Arben Ahmetaj.

    Qysh prej datës 28 janar 2015; pas pajisjes me Status të Nëpunësit Civil, sikur gjoja ka kryer shkollën e Administratës Publike në peridhën qershor-dhjetor 2014, shoferi më 8 klasë shkollë faktike e diplomë juridiku maqedonase; është emëruar po nga kunati Arben Ahmetaj, në detyrën “Ekspert këshilltar” i Kabinetit të Ministrit të Financa-Ekonomisë.

    Në këtë detyrë, vazhdon akoma, në kabinetin e ministres Anila Denaj, si ekspert këshilltar për çështjet e amdinistrimit të pronave turistike, pronave të tjera shtetërore dhe pronave të sekuestruara. Kaq për sot.

    Sa për kujtesë, nga data 14 mars 1996, deri në vitin 2003, kryetare e më pas anëtare Bordi në Agjencinë Shtetërore të Regjistrimit të Aksioneve; ka qenë Lindita Xhillari (Rama), njeherazi qysh prej vitit 1992, ka qenë edhe drejtore e AKP në ish-pushtetin “Berisha”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*