Reformimi i BE fillon me zgjerimin e plotë

May 27, 2018 10:14

Reformimi i BE fillon me zgjerimin e plotë

 

Prof.As.Dr. Artan Xh. Duka

Qershori nuk do të jetë një muaj i lehtë për BE. Saga e hapjes së negociatave me ne nuk është as e vetmja dhe as e para në listën e gjërave për t’u marrë nga proteksionizmi amerikan, prirjet autokratike në Europën Lindore, Brexit, reformat në BE, Rusia, Irani, Siria, terrorizmi, eurozona etj.

Sa për negociatat, thamë se iku dhe kjo punë kur KE rekomandoi pa kushte hapjen e negociatave me BE. Por, ja që del një gjerman atje me miq shqipfolës që bën qimen tra për ne ndërkohë që Serbia e luftrave tragjike negocion rehat, del Franca e habitet që ende dalldisemi për një BE që e ka humbur fillin(!) etj. Dhe kjo kur praktikisht jemi “protektorat” i BE dhe po rrimë pas orarit me “detyra” shtëpie pafund!

Dhe që të mos shkojë “kështu më djeg, kështu më pjek”, shpresojmë që Këshilli, në respekt të Komisionit, vetvetes dhe qytetarit shqiptar, të argumentojë qoftë PO apo JO-në këtë qershor. Ia ka kaq detyrim një publiku që ndryshe nga gjithë vëndet në rajon ka historikisht një përkushtim konstant e gjithëpërfshirës ndaj integrimit në BE.

PO-ja në qershor nuk ka pse të jetë lajm!

Me botën që po zien, Këshilli Europian që mblidhet njëherë në kaq kohë, ka leverdi t’a heqë “qafe” sa më shpejt çështjen e hapjes së negociatave me ne. Ose duke e “varrosur” apo arkivuar atë për një kohë të pacaktuar (me riskun e ekspozimit të Ballkanit), ose duke hapur dyert “kanat” dhe miratuar atë me një të rënë të lapsit (vendimarrje teknike e politike njëkohësisht).

Aprovimi i hapjes së negociatave është pritshmëria më normale dhe është në lartësinë e BE që të mos shtyjë një problem por ta zgjidhë atë. Një vendim i tillë jo vetëm nuk provokon kohezionin e balancën e gjeopolitikave mes vëndeve të BE në qasjen ndaj rajonit por dhe dëshmon seriozitet ndaj kritereve të përmbushura dhe të çertifikuara paraprakisht nga Komisioni Europian si institucion i besuar nga Këshilli Europian për këtë qëllim.

Një PO për të na “hequr qafe” nuk do të ishte ulje “steke” prej KE. Ndërsa nuk befason diskriminimi pozitiv (shtete të Ballkanit problematik me më shumë banorë, janë në BE apo në negociata me të), KE nuk i shkon diskriminimi negativ për vënde që janë çertifikuar apriori dhe nga Komisioni Europian. Nuk bëhet fjalë për anëtarësim dhe krimi i organizuar, droga etj plagë sociale (që nuk janë eskluziviteti ynë) nuk përballohen përmes “karantinës” por hapjes dhe partneritetit të ngushtë me BE.

Këshilli Europian ia delegoi vlerësimin e përmbushjes së kritereve Komisionit Europian. Ky e bëri të tijën dhe tani Këshilli duhet t’a çertifikojë qoftë dhe duke rekomanduar të tjera kritere e detyra shtëpie po të jetë nevoja por me statusin e ri të vëndit negociator. Një JO e Këshillit është JO ndaj Komisionit e kjo do të ishte krizë mirëbesimi brënda vetë BE dhe dhe jo premisa e duhur për reformimin e BE. Një PO e KE (që i ka ardhur e shkuar koha) është premisë jetike për aspiratën paqësore, stabilitetin dhe triumfin e vlerave perëndimore në rajon. Tanimë që mosbesimi ndaj BE po haset edhe mes anëtarëve në BE, besimi e konsensusi pan-shqiptar dhe sidomos i brezit të ri ndaj vlerave europiane është një stimul më tej ndaj dilemave post-Brexit në BE.

Reformimit të BE nuk i vihet “kapaku” pa “variablin” ballkanik

 

Një JO në qershor ndaj hapjes së negociatave do të ishte lajm. Aq sa zhgënjim për ne do të ishte dhe dështim i BE. Ajo do të shihej si (a) promovim indirekt i frymave autokratike dhe ekstremiste në BE e rajon dhe shtim i influencës së të tretëve (Rusia, Kina, Turqia etj) gjë që do të sfidonte aspiratën pro BE të rajonit si i tërë, (b) diskriminim dhe aplikim dy-standartesh ndaj vëndeve të ndryshme në rajon (ne dhe Serbia), (c) diskretitim i autoritetit të BE në rajon e humbje e besimit të qytetarit ballkanik ndaj tij, (d) një krizë reale në raportin mes vetë palëve në BE (Këshilli Europian dhe Komisioni Europian, një vënd kundër tjetrit etj) me efekt në kohezionin e vetë BE etj. Një JO thjesht nuk e zhbën por thjesht e shtyn problemin por me kosto shtesë më pas.

Ballkani është i rrezikshëm kur lihet në fatin e tij. Reformimi i nevojshëm i BE apo sfidat e ditës së tij nuk janë argumente për të bllokuar zgjerimin. Reformimi i BE nuk komplikohet por përkundrazi është më koherent dhe efektiv nëse BE është e plotë kur e ndërmerr atë me Ballkanin brënda tij.

Dhe nëse flitet për reformë, ajo që BE duhet të rishikojë është si institucioni i “vetos” që shpesh për interesa të ngushta nacionaliste apo elektorale kompromenton vendimarrje historike ashtu dhe sanksionimi i penalizimit deri në përjashtim prej BE, i vëndeve që kompromentojnë vlerat e qytetërimit modern europian.

Vokacioni ynë pro-perëndimor është historik

BE nuk është e “vogël” që të sillet si i tillë duke thënë JO. Shqipëria e stër-meriton afrimin e mëtejshëm në BE. Si vëndi i vetëm në rajon që vuajti historikisht gjeopolitikën e 1913, ka bërë gjithshka që rajoni të mbetet i stabilizuar dhe i predispozuar për integrimin në BE. Shoqëria shqiptare nuk pret ndonjë “medalje” qoftë për epopenë e Kastriotit në mbrojtjen e Europës së krishterë, heqjen e bazave të Traktatit të Varshavës në vitet 60 etj. As ndonjë “mea culpa” për 1913 apo “bekimin” europian të shumë politikanëve të mbrapshtë që shkaktuan tranzicionin më dramatik dhe më mizor pas rënies së murit të Berlinit. Shoqëria shqiptare pret që BE të vlerësojë përkushtimin historik e të palëkundur pro-perëndimor të shqiptarëve ndaj qytetërimit europian. Një vokacion ky që nuk ka pse merret i mirëqënë në një rajon të trazuar ku ndonse shqiptarët kanë më shumë arsye se kushdo të pretendojnë rishikim të historisë, bashkimin e shohin tek BE.

Anëtarësimi në BE nuk ka pse të shihet si një proçes i njëanshëm ku njëra palë vë kritere dhe premton dhe tjetra bën detyra pafund shtëpie dhe pret! Anëtarësimi është një proçes reciprok përfitimi ku paraja, siguria, stabiliteti, shanset për investimet, turizmi etj janë pasuri për të gjithë pa dallim në BE.

Në një BE të hapur ndaj vlerave progresive ku fashizmi e neofashizmi nuk kanë vënd, Shqipëria, me kontributin e saj unik në luftën e dytë botërore, vullnetin dhe përkushtimin për stabilitet në rajon këto 30 vjet, harmoninë mes besimeve dhe tolerancën e pazakontë me sfond paganizmin antik dhe ateizmin modern etj, jo vetëm nuk do të stononte por do të ishte vlerë e shtuar në të.

Pas PO së Komisionit, në provë është besueshmëria e BE ndaj zotimit të dhënë. Një PO e KE është PO ndaj vetë reformimit të BE. E sa kohë “topi” është në BE, më kot rreket dyshja PD-LSI se mund të luajnë me të. “Teatri” bajat i rrugës duhet të marrë fund. Boll bënë “guralecin” në këpucën e kombit si deri tani. Ndryshe, me kë “ekip” janë?

May 27, 2018 10:14
Komento

4 Komente

  1. per As Dr e As Prof Ducken May 27, 12:13

    As Dr e As Prof or ti Xhaxhi Duka mos prrallis gjera koti qe as ti si Artan nuk i beson . Plaka BE nuk shkon dot ne maternitet te pjelle se i ka ardh vakti per ne varreza…

    Reply to this comment
  2. Epo kjo pune! May 27, 13:20

    Reforma e vetme qe mund te beje BE eshte te zgjerohet me Ballkanin dhe pastaj thjesht te mundesojne lirine e levizjes, punesimit, investimit etj. Nga ana burokratike, po nuk hoqi veton dhe te fuse votimin ponderik (dmth sipas numrit te popullsise), nuk do jete ne gjendje te marre vendime strategjike dhe do jete gjithnje as mish as peshk

    Reply to this comment
  3. Lili May 27, 15:48

    A doni me va rendit arsyet per jo,qe i dini ma mire vete?
    Kujtoni vertete si duke persirit e meritojme evropen do e bindeni evropen,
    A e dini se duhet te pranoni ligjet e evropes,per trashegimin per shembull e duhet te va ktheni pronat qe i keni zaptuar shqiptareve ,prinderet e te cileve u arratisen ne kohen e Enverit? Kujtoni ju se shtetet e evropes do futen ne konflikt ligjor me qytetaret e tyre per b..e juaj?
    Keni halla shume pune me ba per me merituar evropen. Nuk mjafton nje pare atleta e nje peme ne park.

    Reply to this comment
  4. info analitike May 28, 23:05

    Aaaa tani qe e tha Prof. As. Dr. Filozof etj etj Artan Xh. Duka me siguri BE-ja do te na pranoje vetem se qy ka nje qerre llagap.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*