Refuzuan certifikimin, mbi 11 mijë punonjës të shëndetit janë pa kredite

July 18, 2019 12:29

Refuzuan certifikimin, mbi 11 mijë punonjës të shëndetit janë pa kredite

Janë me mijëra mjekët, stomatologët, infermierët dhe farmacistët që vijojnë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe pse nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të dytë të programit të certifikimit për edukimin në vazhdim. Raporti i zbardhur nga QKEV tregon se një pjesë e konsiderueshme e personelit mjekësor rezulton të jetë me detyrim të pakryer, pasi kanë marrë kredite më pak se numri minimal vjetor i kërkuar, teksa shumë prej tyre janë edhe me zero kredite. Këta të fundit janë në total 2251 profesionistë, nga të cilët 1331 mjekë, 585 stomatologë dhe 335 farmacistë. Mungesa e krediteve shfaqet edhe më e theksuar tek personeli infermieror. Çka do të thotë se të gjithë këta punonjës të shëndetit duhet të kalojnë në provimin e certifikimit për të mbrojtur vendet e tyre të punës. Ekspertët e QEKV-së bëjnë me dije se gjatë periudhës 2015-2018 kur është zbatuar edhe cikli i dytë i certifikimit, pjesëmarrja e profesionistëve në aktivitete të edukimit në vazhdim paraqitet pothuaj e njëtrajtshme nga një vit në tjetrin për mjekët, farmacistët e stomatologët, ndërsa për infermierët ka një rritje të ndjeshme në vitin 2016, që është viti kur filloi programi i detyrueshëm i edukimit në vazhdim për ta.

Zbatimi i programit të dytë të certifikimit

Programi i dytë i certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë përfshiu periudhën katërvjeçare janar 2015-dhjetor 2018. Brenda kësaj periudhe profesionistët e përfshirë në program kishin detyrim të mblidhnin një numër të caktuar kreditesh të edukimit në vazhdim, që sipas kategorive ishte: 120 kredite për mjekët, 60 kredite për farmacistët e stomatologët dhe 40 kredite për infermierët. Krediet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në vazhdim me temë të lidhur drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve, kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara dhe kreditet e përfituara nga aktivitetet e vetëraportuara mund të përllogariten deri në 20 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të marra nga profesionisti. Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohej nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.

Vlerësimi i njohurive për infermierët

Sipas të dhënave të detajuara në raport, programi përcakton që brenda një cikli 4- vjeçar, infermierët e mamitë duhet të mblidhnin një numër jo më të vogël se 40 kredite të edukimit në vazhdim. Numri i nevojshëm i krediteve që infermierët dhe mamitë e përfshirë në programin e certifikimit duhet të siguronin deri në përfundim të ciklit sipas kategorive të aktiviteteve është deri në 20 kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura me profesionin, jo më shumë se 20 kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë dhe deri në 8 kredite nga aktivitete të vetëraportuara. Për periudhën e zbatimit të programit për këtë kategori nuk ka përcaktuar detyrim minimal vjetor.  Kjo gjë ka bërë që infermierët të mos paraqesin interes në vitet e para të ciklit. Një arsye tjetër që kjo kategori profesionistësh nuk e ka përmbushur numrin minimal të rekomanduar për vit mund të jetë dhe mungesa e aktiviteteve të organizuar enkas për infermierë.

Problemet e hasura në program

Raporti evidenton edhe një sërë problemesh sa i takon identifikimit dhe regjistrimit të profesionistëve të shëndetit në këtë program. Sipas ekspertëve të këtij institucioni, regjistrimi i profesionistëve në programin e certifikimit është bërë mbi bazën e listave të marra nga urdhrat profesionalë, si dhe nga regjistrimet individuale të kryera nëpërmjet formularëve të regjistrimit. Në këto kushte, regjistri i profesionistëve paraqet shumë pasaktësi sepse jo të gjithë profesionistët janë regjistruar vetë pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, siç kërkon ligji. Gjithashtu, kjo qendër sqaron se ende nuk ka marrë nga Urdhri i Mjekut dhe Urdhri i Infermierit të dhënat që lidhen me vlefshmërinë e lejeve e ushtrimit të profesionit dhe kohën e lëshimit të tyre. Nga ana tjetër institucionet përkatëse nuk kanë njoftuar QKEV për ndryshimet e statusit të profesionistëve në lidhje me ndryshimin e qendrës së punës, largimin nga Shqipëria apo ndryshimet në statusin e gjendjes civile.

Ndryshimet në program

Më tej raporti saktëson se gjatë viteve që përfshiu ciklin i dytë i certifikimit të punonjësve të shëndetit janë bërë disa përmirësime dhe ndryshime të kuadrit ligjor që kanë ndikuar si tek profesionistët e shëndetësisë në procesin e certifikimit ashtu dhe tek ofruesit në procesin e akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim. Së pari, përfshirja e infermierëve në programin e certifikimit që prej 1 janarit 2016 përfaqëson një zhvillim shumë të rëndësishëm. Për infermierët, ashtu si për mjekët, është po aq i rëndësishëm përmirësimi dhe përditësimi i dijeve dhe aftësive të tyre përmes programeve të edukimit të vazhdueshëm. Kjo risi e sistemit të edukimit në vazhdim do t’i shërbejë zhvillimit e forcimit të kujdesit infermieror, që është i një rëndësie të veçantë. Më tej në maj të 2017-ës u miratua kuadri ligjor për akreditimin e ofruesve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, që shënon fillimin e një etape të re në sistemin e akreditimit. Qendra e Edukimit në Vazhdim do të luajë rol mbikëqyrës, monitorues dhe këshillues në mënyrë periodike, duke marrë dhe masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi. Së treti, janë forcuar kriteret e akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim me synim rritjen e cilësisë së tyre. Kriteret e reja promovojnë organizimin e aktiviteteve me një numër të ulët pjesëmarrësish, të cilat konsiderohen më cilësore, lejojnë interaktivitet dhe pjesëmarrje aktive dhe kanë një përqindje më të lartë të përvetësimit të dijeve nga profesionistët e shëndetësisë pjesëmarrës në to. Gjithashtu janë forcuar kërkesat për akreditimin e aktiviteteve të edukimit në distancë, me qëllim rritjen e cilësisë së tyre. Eksperienca e QKEV me akreditimin dhe monitorimin e aktiviteteve të edukimit në distancë tregoi që cilësia e aktiviteteve të linte për të dëshiruar. Kjo ishte rrjedhojë e kapaciteteve të ulëta të ofruesve nga pikëpamja e teknologjisë së përdorur si dhe pamundësisë së QKEV për të verifikuar siç duhet zhvillimin efektiv të këtyre aktiviteteve.

Testimet për të ndëshkuarit e ciklit të parë të certifikimit

Bazuar në raportin e përgatitur nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim për ciklin e parë të certifikimit, profesionistët me detyrim të pakryer arrinin në 2,180, nga të cilët 1,212 mjekë, 760 stomatologë dhe 209 farmacistë. Që të gjithë këta profesionistë duhej të kalonin në testim. Por të dhënat treguan se vetëm 8 për qind e profesionistëve me detyrim të pakryer i janë nënshtruar provimit. Në këto kushte QKEV sqaron se duhet verifikuar nga institucionet përgjegjëse se sa nga profesionistët me detyrim të pakryer vazhdojnë të ushtrojnë profesionin në sektorin publik ose privat.

July 18, 2019 12:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin