“Regjistrimet audio në mbledhjen e PD i kam bërë unë!”

September 24, 2017 09:19

“Regjistrimet audio në mbledhjen e PD i kam bërë unë!”

 

Nga Artan Fuga

Opozita në audio

Regjistrimet audio i kam bërë unë!

Puna m’a donte para dy ditësh të merresha me një tekst të Herbert Markyzit, si një nga autorët më në zë të asaj që në shkencat sociale quhet “Shkolla e Frankfurtit”. Nuk po ndalem në përmbajtjen e detajuar të këtij teksti, por më linte mbresa argumentimi i tij se në shoqërinë teknologjike të masave edhe grupet opozitare kanë prirje të jenë identike me kulturën e pushtetit pavarësisht që deklarojnë se janë një alternativë tjetër. Argumentet e përdorur në atë tekst janë të larmishëm, por më mbeti në mendje njeri prej tyre, pikërisht ai që pohon se opozita dhe pushteti kanë prirjen fatale të identifikohen me njeri tjetrin sepse edhe opozita në grupe të caktuara të lidershipit të saj nis e integrohet me struktura pushteti.

—–

Nuk po i hyj as analizës nëse ky argument është ose jo logjikisht i drejtë, por po atë ditë që e lexoja e rilexoja atë, si për telepati, media jonë jepte copa tekstesh të botuara, dialogje, të zbardhura nga rregjistrime audio, të bëra gjatë mbledhjes, nga pjesëmarrës në të, fshehurazi,dhe që sillnin para publikut debate në kryesinë e partisë demokratike.

Kaq nuk mjaftoi. Pas ngjarjes të regjistrimit të debateve në kryesinë e partisë kryesore opozitare, ndodhi ngjarja e dytë. Nisi debati. Nga partia demokratike u bë një deklaratë verbale për shtyp që e anatemonte këtë regjistrim të fshehur dhe dhënien medias të përmbajtjes së tij. U quajt gati në kufijtë e skandalit, një veprim i ulët, dhe u theksua se ata që e kishin bërë këtë gjë kishin vepruar mbi bazën e kulturës së çimkave, dhe se etikisht, “përgjimi”, kështu u quajt, dëmtonte imazhin e atyre që e kishin ndërmarrë. Sigurisht këta do të supozohej të ishin nga kritikët e kryetarit.

Sikur të kishte mbetur me kaq nuk do të ishte e gjitha. Një reagim prej dikujt, anëtare kryesie, që iu keqpërdor emri në një portal, dhe pa prova u akuzua se kishte dorë atje, u revoltua dhe kërkoi të vinte nderin në vend.

——-

Këtu nis historia. Çfarë ishte skandal, fakti që u bënë regjistrime audio, që u bënë fshehur, apo skandal ishte që dalja e debateve në kryesinë e një partie u quajtën skandal?

Kemi skandal apo kemi skandal të skandalit!

Mua më duket se opozita mund të japi një model transparence para publikut duke i nxjerrë hapur debatet që u bënë në kryesi. Ajo, si opozitë, ka nevojë të japi një model alternativ për të gjitha partitë, edhe atë në pushtet, që të mos jenë agjenci opake, por të jenë të hapura ndaj mediave, elektroratit, militantëve, shoqërisë.

Opozita pa alternative kulture politike e ka kot që shkon në fushata zgjedhore!

Pritej që menjëherë pas mbledhjes me një deklaratë shtypi dhe me një seancë pyetje-përgjigjesh të gazetarëve me drejtuesit kryesorë të partisë demokratike, kjo e fundit të bënte transparencën e debateve dhe përfundimet që dolën.

Pritej, përse jo, që edhe vetë debatet e redaktuara dhe të para nga vetë debatuesit të botoheshin në një buletin. Por, në vend të tyre morëm një anatemim të regjistrimeve audio që në fund të fundit, çfarë bënë? Bënë transparente përmbajtjen e një mbledhjeje analizë.

Po a bënë mirë që bënë regjistrime audio fshehurazi?

E para, nuk mund të quhet përgjim, a thua se u bën Ëatergate! Përse? Sepse poqese shiku ose partia socialiste, ose qeveria do të kishte bërë regjistrime dhe kjo do të dilte, atëhere kjo po do të ishte përgjim, i dënueshëm me ligj, do të kishte qenë skandal. Por, kur vetë pjesëmarrës në mbledhje regjistrojnë debatet quhet regjistrim i fshehtë, pa autorizim, por jo përgjim. Dallojnë si nata me ditën!

A bën mirë që i bën regjistrimet fshehurazi? Unë mendoj se nuk bënë! Sepse kritikët ndaj kryetarit, as nuk duhej të kishin pranuar t’a fillonin atë mbledhje pa ngulur këmbë që ajo të bëhej transparente, me kamera, ose gazetarë, e hapur ndaj këshillit drejtues. E cfarë të keqe do të kishte poqese do të bëhej para gazetarëve dhe me praninë e tyre?

Pra, opozita e kryetarit nuk mund të jetë legjitime nëse ajo nuk tregon brenda partisë alternativë organizuese dhe politike. Përndryshe nuk bëhet veçse luftë për pushtet që publikut dhe militantëve ose elektoratit as i intereson fare.

Mirëpo në kushtet kur kryesia bën mbledhje të mbyllura dhe madje e quan daljen e debateve në media si të dënueshme, çfarë rruge kanë anëtarët që duan transparencë? As më pak dhe as më shumë, por t’a rregjistrojnë fshehurazi debatin ku janë edhe vetë pjesëmarrës dhe t’ua japin gazetarëve. Unë po të kisha qenë atje, pa turp, me moral politik të lartë, do ta kisha bërë këtë rregjistrim, qoftë edhe fshehurazi, dhe do t’ia jepja mediave, duke deklaruar se e kam bërë unë.

E pamoralshme dhe e ndyrë është të rregjistrosh një mik, një koleg, një njeri diku në kafe, në mjedis pune, në shtëpi, për qëllime të ulta, të shkelësh besimin e tij, por jo për të bërë transparente jetën publike.

Pra, unë nuk kuptoj as kryesinë e partisë që në vend të bëj transparencën e debatit, kërcënon për censurë dhe e mban partinë opake. Nuk është kjo kultura demokratike e një opozite.

Por, habitem që edhe kritikët e kryetarit nuk kanë guximin të thonë, njeri ose disa prej tyre : Po, ne e bëmë sepse ashtu duhet! Transparenca është morale, censura është amorale!

Si edhe nuk kuptoj që anëtarët e kryesisë nuk e marrin në mbrojtje aktin e regjistrimeve audio për median!

E njejta mendësi!

A thua se ishin Vietnam – papers!

A thua se u thanë sekrete!

Po Fatos Nano që në KPD e famshme dha modelin!

Edhe doktor Berisha gjithçka që kishte për lidershipin e partisë e tha në media, hapur!

Çfarë do të thuhej më shumë sesa tha ai!

Madje edhe gjyqet kundër “grupeve armiqësore” edhe diktatura i regjistronte dhe i bënte njerëzit t’i dëgjonin në salla të mëdha!

Çfarë çimkash! Sot në kohën e teknologjisë numerike të informacionit çdo telefon regjistron si ma do!

————

Dhe sot gjithë ditën më është kujtuar Markyz kur thotë se opozita në shoqëritë masive ka prirje të imitojë qeverinë, partinë në pushtet, që kritikon. Prandaj nuk ka sukses! Sepse atje ku pushteti dhe opozita luftojnë për pushtet, pa ndjekur parime alternative, atëhere nëse partitë e tjera kanë vendosur standardin që të jenë opake, si shoqëri dhe klube të fshehta, edhe opozita ashtu bën!

Por, këtu bie edhe ideja e opozitës si kulturë e re alternative!

Sa shumë ka nevojë të emancipohet ajo!

Skandali i vërtetë është skandali i skandalit!

September 24, 2017 09:19
Komento

5 Komente

  1. Demokrati i vertete September 24, 10:03

    Z. Fuga. Jam i një.mendimi.me ju. Por kur nuk ka alternativa për zhvillim, prosperitet dhe fuqi garuese me palën tjetër (po të.kishte jam i sigurtë se do i llapte me.megafon , bile te madh), por të tilla alternativa mungojnë. Në këto kushte ata në këtë dhe në ato mbledhje nuk pritet tjetër veç të shajnë, fyejnë dhe të grushtohen me njëri-tjetrin.
    Si thoni ju z. Fuga është mirë që këto mbledhje me sherre të dalin në publik? Prandaj jepi pak të drejtë edhe këtyre vendimeve të atyre të PD-së. Nuk e di nëse e ke lexuar “mendimtarin dhe ideologun e pd-së” z. Tritan se sa “bukur” e ka trajtuar atë skandal që ne e quajmë ndryshe.
    Respekte për mendimet tuaja.
    Përpiqemi të ndihmojmë për ngulitje në mendje dhe tru të parimeve të demokeacisë, por nuk qenka e lehtë!
    Demokrati I vertetë.

    Reply to this comment
  2. Lili September 24, 10:11

    Ouah sa gjate e bere kete pune !Edhe markysin e thirre per te thane nje gje shume te thjesht:transparenca eshte akt qytetarie edhe i duhet si partive si shoqerisete tjerat jane blablabla qe po na humbin kohe me i lexuar bile!

    Reply to this comment
  3. Arberia September 24, 11:02

    Fjalor: Opake = o pak = osht pak plako!

    Reply to this comment
  4. Adih September 24, 17:17

    Zoti Fuga ,i keni rene gjate ..Shkurt do ishte ,Ke pefaqson PD e socme ?.Cfare ndryshim programi ka nga PS kjo PD? . Ke shtrese perfapeson .?Apo eshte e veteshpallur si force e djathte? . Apo larqofti Berisha nuk e le te lir te veproje Bashen ? Apo vazdhgon Katovica ,si qe moti nen stop, si i thone kosovarce ?As edhe nje gje e re dhe per zhvillim te vendit,. Nuk ja vlen me u marre me keto principe e sjedhje diktatoriale dhe pa transparence ,jeni lodhur me kete shkrim te gjate z Fuga . Skemi opozite me keqeardhje dhe shume e demshme ku rendon mbi zhvillimet e vendit ,qofte per zbatim te kushtetutes e te ligjit ,transparences e tj . ..Mjere populli shqiptar …

    Reply to this comment
  5. Adih September 24, 18:45

    lut

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin