Rekomandimi i mjekut të familjes shmang faturën e vizitës tek specialisti

Pranvera Kola July 22, 2013 08:02

Rekomandimi i mjekut të familjes shmang faturën e vizitës tek specialisti

Krahas sistemit spitalor, rekomandimi i marrë nga mjeku i familjes është një ndër kushtet e përcaktuara në sistemin e referimit, si e vetmja formë për të shpëtuar nga pagesat e vizitave. Pagesa të cilat janë të pashmangshme edhe në rastet kur pacienti ka derdhur kontributet e tij shëndetësore. Kështu para se të nisin rrugën drejt mjekut specialist për vizita të caktuara, pacientët duhet të konsultohen më parë me mjekun e tyre të familjes, pasi rekomandimi i lëshuar prej tij, është kusht për të vijuar vizitat e mëtejshme tek mjeku specialist, kusht ky i detajuar edhe në sistemin e referimit. Bluzat e bardha pranë poliklinikave vënë në dukje se shpesh herë pacientët e neglizhojnë një fakt të tillë, (e konsiderojnë të vlefshëm vetëm për rrjetin spitalor), duke krijuar kaos në dyert e shërbimeve të specialiteteve, pasi kundërshtojnë tarifën e vizitave që u jepet në mungesë të rekomandimit.

Sipas tyre pacientët duhet të respektojnë sistemin e referimit për marrjen e kujdesit shëndetësor edhe në shërbimin parësor (poliklinika apo ambulanca), në të kundërt do të jenë të detyruar që të paguajnë faturën financiare për shërbimin përkatës. Kjo përfshirë edhe rastet kur pacientët rezultojnë të jenë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Sipas mjekëve të Poliklinikës Qendrore në kryeqytet, me dhjetëra pacientë janë rikthyer pranë mjekut të familjes për të kërkuar një rekomandim të arsyetuar, për ndjekjen e mëtejshme të gjendjes shëndetësore pranë një mjeku specialist. Në mungesë të këtij rekomandimi, pacienti duhet të paguajë tarifën reale të shërbimit. Konkretisht, për të kryer një vizitë te mjeku specialist, pacientët duhet të jenë pajisur detyrimisht me autorizimin e lëshuar nga mjeku i familjes.

Në këtë formë ata do të paraqiten pranë poliklinikave të specialiteteve për të marrë shërbimin e duhur pa u dashur të paguajnë tarifë. Sipas sistemit të ri të sigurimeve shëndetësore, të gjithë pacientët që drejtohen në poliklinikat e specialiteteve për vizita të mëtejshme mjekësore duhet të kenë rekomandimin e mjekut të familjes. Megjithatë, janë vetë mjekët ata që këshillojnë pacientët që të tregohen të kujdesshëm e të respektojnë kriteret për marrjen e shërbimeve shëndetësore, e kjo gjë mund të arrihet vetëm në saje të marrjes së informacioneve të duhura që në kontaktin e parë me mjekun e tyre të familjes. Sipas specialistëve respektimi i këtij sistemi jo vetëm që do të ndikojë në shmangien e pagesave nën dorë, por do të ndikojë gjithashtu edhe në rritjen e cilësisë dhe kujdesit shëndetësor që do të ofrohet kundrejt popullatës.

Ndërsa për pacientët e pasiguruar do të vijojë të zbatohet i njëjti sistem, këta të fundit do të jenë të detyruar që të paguajnë tarifën reale të përcaktuar për çdo vizitë që do të bëjnë, qoftë në rastet kur i drejtohen mjekut të familjes, atij specialist apo për rastet kur do të paraqiten në spital. Në kontratat e lidhura me qendrat shëndetësore është përfshirë dhe paketa e shërbimeve, e cila specifikon 7 shërbimet bazë që do të ofrohen në çdo qendër falas për të gjithë pacientët që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Por, për të përfituar këto shërbime edhe pacientët e siguruar duhet të ndjekin rregullat dhe kriteret e përcaktuara në sistemin e referimit.

 

Shërbimet në paketën bazë

Paketa e shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës, që duhet të këtë qendra. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë qendra për trajtimin e urgjencave, duke filluar nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik. Ndërsa pjesa tjetër e paketës përbëhet nga kujdesi shëndetësor për fëmijët, për të rriturit, gratë dhe shëndetin riprodhues, të moshuarit, për shëndetin mendor si dhe promocionin përkatës të edukimit shëndetësor.

 

Pranvera Kola July 22, 2013 08:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*