e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Rekord i ri, interesi i bonove të thesarit bie në 3.85%

0
Postuar më: 9 Tetor, 2013 tek Ekonomi
bonoteprivatizimit

Interesi i bonove të thesarit regjistroi rekorde tjetër ditën e djeshme. Në ankandet e zhvilluara në Bankën e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor zbritën poshtë nivelit 4 për qind dhe u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 3.85 për qind. Përgjatë një viti, interesat e bonove 12 mujore kanë rënë me 43 për qind. Minimum të ri historik regjistruan edhe bonot me maturim 6-mujor, që u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 3.68 për qind, duke ju afruar nivelit të normës bazë të interesit prej 3.5 për qind, ndërkohë që bonot 3-mujore kanë zbritur tashmë poshtë këtij niveli, në fund të Shtatorit. Ecuria e dobët e kreditimit dhe likuiditeti i lartë i bankave kanë bërë që oferta për të financuar borxhin të jetë shumë e lartë. Në ankandin e djeshëm, qeveria kishte shpallur për financim një shumë prej 10.5 miliardë lekësh, ndërsa ofertat në ankand arritën vlerën totale të 13.6 miliardë lekëve. Në Korrik dhe Gusht kreditimi i ekonomisë ka rrëshqitur në vlera negative vjetore. Për shkak të kërkesës së dobët, rrezikut në rritje dhe shkallës së lartë të kredive me probleme bankat nuk po gjejnë zgjidhje tjetër, përveçse t’i investojnë depozitat në bono thesari, qoftë edhe me interesa shumë të ulëta. Rënia drastike e interesave natyrisht do të japë një goditje në të ardhurat e bankave, sidomos të bankave më të mëdha të sistemit që kanë një pjesë të lartë në borxhin e brendshëm të qeverisë. Për 7-mujorin dhe 8-mujorin rezultati financiar i sistemit ka qënë negative.


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)