REKORDI / Shqiptarja hyn në librin e GUINNESS: Llomotiti 16 orë papushim

May 14, 2018 12:42

REKORDI / Shqiptarja hyn në librin e GUINNESS: Llomotiti 16 orë papushim

Ajo quhet Gjenovefa Llapa, është 42 vjeçe dhe sapo ka shënuar emrin e vet me gërma të arta në librin e rekordeve Guinness. Rekordi që ka thyer? Gjenoja ka arritur të dokumentojë përmes filmimit, në praninë e një përfaqësuesi të Guinness-it, një arritje origjinale:

Ajo ka folur papushim për veten, jetën e saj, familjen, të afërmit, gjërat që pëlqen, sherret, miqësitë dhe antipatitë, për plot 16 orë e 21 minuta.

Po si ndodhi zbulimi? Faktikisht, gjithçka nisi spontanisht, pasi zyrave qëndrore të rekordeve në Londër u kishte ardhur një sinjalizim për llafazanërinë e pandalshme të shqiptares Llapa.

Siç mësohet, ishte i dërguari i Guinness, James Walkie-Talkie, ai që zbriti këtë të hënë në Rinas thjesht me kuriozitetin për ta njohur Gjenovefën.

“Më thanë që ekzistonte një shqiptare e denjë për rekordin e llapaqenërisë, por nuk e besoja,” pohoi Walkie Talkie për Gojët e Liga, “ndaj dhe unë vendosa të ndez regjistratorin që me kontaktin e parë”. Gjithë pjesa tjetër ishte një mrekulli e gjallë…

“Uaaa, sa ngjan ti me një kushëririn tim që ka emigruar në Australi në 95-ën”, nisi Gjenovefa, dhe për 20 minutat në vijim, i tregoi anglezit që e kupton shqipen (gjyshi i tij ka marrë pjesë në operacionin “Radioloja” me diversantët në vitet 50-të) krejt historinë e jetës së kushëririt.

Walkie-Talkie i bëri shenjë kameramanit të mos e ndërpriste filmimin. Në vijim, gjithçka rrodhi normalisht: Gjenovefa Llapa nuk pushoi së foluri në makinë, në kafene, në telefon, në supermarket, në parrukeri, në kopsht me edukatoren ku shkoi në marrë vajzën Mersuelinduela, sërish me shoqet në telefon, me bashkëshortin, me tre kunata njëra pas tjetrës etj.

I dërguari nuk e kishte lëshuar kronometrin nga dora, dhe surprizimi në fytyrën e tij merrte përmasa gjithnjë e më apokaliptike.

“Nuk e dija që isha duke thyer rekord”, tha për reporterët Gjenovefa Llapa me natyrshmërinë e dikujt që të folurën llapaqene e ka një ditë të zakonshme në jetën e saj, “vetëm kur pushova një minutë të pija ujë se më ishte tharë gurmazi, të gjithë rrotull meje brohoritën si të çmendur: Rekord i ri, 16 orë e 21 minuta! Bravo!”

Gojët e Liga mësojnë se para gjysmë ore reporterët u larguan, duke e lënë rekordmenen të flasë.

***

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike fjalëpakë 🙂

May 14, 2018 12:42
Komento

4 Komente

  1. Pensionisti May 14, 19:00

    Ko gjinovefa apo Vefi sic e perkedhelin perkrahesit e zjarrte te saj me ngjan shume me Monen me cizme apo ate Malajn se edhe ajo njisoi si Mona , ne mos ja kalofte , por le te bejne nji konkurs per kete dhe me kete rast fitojne ca para se kane harxhuar shume deri tashti , prandaj po u ikin keshilltare e deputet1

    Reply to this comment
  2. ben May 14, 20:37

    Ahaha, edhe i derguari Uoki-Toki paska qen fiks per te testu llapaqenen

    Reply to this comment
  3. Çentrale May 15, 12:48

    E pastaj thone qe pipinot jane llafazane, ku ka si shqiptaret

    Reply to this comment
  4. Skenderbeu May 17, 03:27

    Gets chicken Llapa Oregon as debts lampoons e llapes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*