Rekuiem me rastin e tre vjetorit të ndarjes nga jeta të krimologut Sofokli Duka 

March 13, 2019 12:34

Rekuiem me rastin e tre vjetorit të ndarjes nga jeta të krimologut Sofokli Duka 

Nga Sefer Pasha

Pa u futur në fshatin Labovë e Zhapës zbres nga makina dhe çap pas çapi eci i dërrmuar si drejt një enigme. E ndjej që nuk jam mirë, sikur jam rrëzuar në ndonjë greminë, kam humbur një gjë me vlerë, më kanë zënë pusi, apo udhës ma patën bërë borxh. Ku po shkoj i them vetes? Në Labovën e Zhapës nuk kam asnjë të njohur. Edhe pse labovasit më përshëndesin udhës sipas zakonit me makina, e mushkat për dore, unë jam akull. Si të jem një i huaj që s’di ç ‘kërkon në këtë fshat. Dhe jam i huaj. Më nxjerrin nga kjo gjendje cicërimat e zogjve të marsit, blegërimat e qengjave dhe orkestra e zileve të tufave me dhi. Gjithsesi gjunjët si ndjej e si të jem i dehur nga ndonjë raki e keqe kaloj nga njëri cep i udhës në tjetrin. Më tund era e grykës së lumit dhe e rrëzës së malit. Por kur ju afrova shtëpive të para tek një portë druri me dy harqe më foli një njeri, i cili më ngjau me Sofokli Dukën.

-Po ti çdo në Labovën e Zhapës?- tha Sofokliu i habitur. Ai kishte lenë flokë të gjatë dhe mjekër.

-Pse gjallë je? – e pyeta në vend që t’i përgjigjesha.

-Ty ta merr mendja se mundet të kem vdekur? Kam qenë me shërbim. Merita si është? Po tri vajzat?

-Të gjithë janë mirë, – i thashë prerazi. I gjithë meraku është për Ty.

Pastaj Sofokli Duka nuk foli më. Unë e ktheva kokën nga mali i Çajupit. Një kalë hingëllinte në yrtin e shkretë të Pilo Dukës. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë Sofua më humbi nga sytë. Mos u fut tek porta me dru arre i thashë vetes. E shtyva me të gjithë forcën, por porta e madhe nuk u hap. E ndjeja se isha shndërruar në personazh të një drame. Më kishte dalë përpara në Labovën e Zhapës fantazma e mikut tim Sofokli Duka për të cilin sinqerisht isha munduar që nga Tirana. Nuk më tepronte koha. U dhashë këmbëve nga trualli i atit të Sofokliut, Pilo Dukës. U rashë gjithashtu kryq e tërthor sinoreve të vëllezërve Duka, të Vangjelit, Apostolit, Josifit, Sofokliut, dhe Arbenit. U ula në sofatë e shtëpive të dikurshme ku vëllezërit kaluan fëmininë. Gjezdisa varrezat e prindërve, arat, yrtet, udhët, koritë, rrëketë, krojet, përrenjtë që varen nga mali e xhadenë me dredha që të nxjerr në Urën e Subashit. Udha është po ajo ku dikur vëllezërit Duka u nisën në shtigjet e dijes e bën emër në të gjithë Shqipërinë. Vangjeli, Apostoli, Josifi, Sofokliu dhe Arbeni nuk janë si vëllezërit Frashëri, por i kanë imituar ata. Nuk e zmadhoj atë që më tha një bari delesh tek Kroi i Bardhë se për Odrien të pestë vëllezërit Duka njihen në zonën e Lunxhërisë si “Vëllezërit Frashëri”.

Me bllokun e mbushur ding futem në kafenë në qendër të fshatit që shërbente dhe si mëngjesore. Porosita kafe e i thashë të zotit të lokalit të më sjellë ndonjë gjë për të ngrënë. Nëse do të kishte dhe një gotë verë. E hapa laptopin dhe nisa të vë në resht ato që kisha stivosur në bllok në truallin e Dukajve. Sa hapa faqen e parë të bllokut detajet që i kisha shkruar shpejt e shpejt në avllinë e Pilo Dukës nuk i bindeshin “komandës” time. E mbylla bllokun dhe i hodha sytë jashtë dritares. Moti i vrenjtur nisi të hedhë një “brez me kripë” trishtimit tim. Nga mali i Çajupit krejt papritur filluan të bien kusarisht ca kokrriza dëbore e si të ishin “gjyle” shpërthenin në kopshtin e lagur, ku një man i zhveshur si balerin me dukej sikur bënte kryqin. Kaq u desh. Ato kokrriza dëbore të rëna si për mall në Labovë të Zhapës më “arratisën” në Dragobi të Tropojës. Isha bashkëpunëtor i Gani Malushit në komisariatin e Tropojës. Sofokli Duka kishte ardhur me shërbim. Të tre me Sofoklinë shkuam në Dragobi, ku ata të dy kishin dhe një punë të rëndësishme. U futëm në një restorant të vogël alpin. Porositëm raki dhe mish të tharë pastërmaje. Ishte vjeshtë dhe në Dragobi binte borë. Sofokliu fliste e merrej vesh që ishte në dramë. Përsëri e kishin kërcënuar se do ta shkarkonin nga detyra. Nuk ishte hera e parë. Ai ishte në luftë me të korruptuarit, servilët e të paaftit. Nuk pritej në këtë luftë të ciklontë. Por siç i thoshte Gani Malushit djajtë ishin të pamposhtur. Në një çast e mori gotën e rakisë e doli jashtë lokalit të drunjtë. Kur po vonohej Gani Malushi më tha të dilja e të shihja se ç’po bënte Sofoja. Eja brenda i thashë se u bëre akull. Të bën gur era e Valbonës. Kam një dëshirë më tha ai, por nuk po më ecën. Dua që një flok bore që vjen nga lart të futet në gotën e rakisë. Po qenka e pamundur. Dhe gotën e rakisë e zgjaste në mes të ushtrisë së flokëve të borës, që vinin vergje – vergje që nga shpella ku qe vrarë Bajram Curri. Dua të qetësohem më tha. Jam i tronditur. Trafikantët po bëjnë namin në Rinas me kontrabandën e armëve, me trafikun e femrave, me flori dhe me përcjelljen e kriminelëve jashtë vendit. Oficerët batakçinj të policisë po bëhen milionerë dhe nuk u hyn një gjemb në këmbë. Nuk vonoi dhe ai e ndërpreu rrëfimin. Për fat një flokë dëbore ra pëlltym në gotën plot me raki. Sofokli Duka qeshi. Gëzuar më tha. Kaq desha. Nuk do ta harroj këtë motiv. Sofokliu ishte agjenturist i klasit të parë, krimolog, shkrimtar dhe një romantik i paparë. Pas nëntëdhjetës jeta e Sofokli Dukës qe e stuhishme. Shkruante e botonte me pseudonimin Alban Kosova. Shërbimi Informativ i gjakosi gjunjët, pagoi para gjersa u mësua se Alban Kosova ishte Sofokli Duka. Dhe e arrestuan.

Motivin për Sofokli Dukën në Dragobi të Tropojës nuk e sosa dot. Më duhej të portretizoja në një farë mënyre profilin e vëllait të madh të Sofos, Vangjel Dukës, i cili qe “prokopia” e atit të tij Pilo Dukës. Vangjeli punoi kudo në Labovë. Qysh i ri shkonte në dasma e morte. Këndonte e sipas porosisë së Pilos mbaronte punë në Tiranë e Vlorë. Ai u bë tra i fortë për shtëpinë. Por një melodi me klarinetë ma ndërpreu lehën e prozës për Vangjelin. Ndjeva drithërimë. Mbaj mend në fëmininë time në Mallakastër kur në radio jepeshin herë pas here këngë me sazet e Odries. Janë pikërisht ato saze të cilat kanë ngulitur në mendjen time emrin Odrie. Nisa sërish të sistemoj ndonjë gjëkafshë për vëllezërit Duka. Doja të qëndisja ndonjë fragment nga jeta e Apostolit të cilin gjithashtu e kam mik. Apostoli është publicist, poet, kritik e botues librash. Por nuk qe e thënë. Vetëtimthi sytë më shkuan tek qoshet e një ode, jo shumë larg manit të zhveshur. Dhe ju ktheva jetës së Sofokliut. Kur e burgosën i vajta në burg për t’i çuar një trekëndësh djathë që ma kishte dhënë baxhieriFuatNikolla nga Golemi, i cili është ndarë nga jeta. Por në burg nuk më lejuan, bile më kërcënuan. Jeta e Sofokli Dukës u kthye në skëterrë. E detyruan të mërgojë në Greqi ku punoi si murator. Kur u kthye më rrëfente se si i skaliste gurët “rrugaç” e si u bë mjeshtër i qosheve të shtëpive. Sofokliu kërkohej nga ndërtuesit grek. Qysh në vegjëli pas të atit, Pilos, e kishte marrë zanatin. Nuk të lë pa bukë guri i kishte thënë dikur ati, Pilo Duka. Punonte si murator, pinte ndonjë gotë uzo greke e lexonte libra. Muratorëve helenas u kishte treguar një tregim të cilin e kishte dëgjuar kur qe më shërbim dhe Shqipërinë e vizitoi aktori i madh nga Kosova Bekim Fehmiu. Bekimi do t’ja linte amanet të birit, Uliksit, që të bëhej çfarë të donte në jetë, por të mësonte një zanat. Dhe Uliksi kur u rrit, e që u bë gjithashtu aktor, e vuri vëth në vesh porosinë e aktorit të madh Bekim Fehmiu. Punon në Amerikë ku ka hapur një furrë buke.

E lashë punën dhe gjerba një gllënkë me verë. Sikur erdha në vete. Nga e djathta e lokalit ku po hidhja reportazhin për vëllezërit Duka u dëgjua një këngë labe. Mbase labovasit këndojnë në ndonjë sebep i thashë vetes. Doja të fusja në shkrim motive nga jeta e vëllait të tretë Josif Dukës që prej motesh shërben në Ministrinë e Brendshme, por nuk qe e thënë. Me ata që këndonin labçe një zë më ngjante si i mikut tim Sofokliut. Ai këndonte bukur. Në ditë të zeza kemi kënduar dhe bashkë. Disa këngë të cilat i këndoj dhe sot janë të Sofos. Kënga: /Ku e shkove verën – o /Lule Adhe/ /Në mal të Çajupit-o/ / Lule Adhe/, më duket sikur është shkruar nga autor anonim këtu në Labovën e Zhapës. E ngre kokën lart e vështroi nga mali i Çajupit. Lart mali i florinjtë, në rrëzë të tij fshati Labovë e Zhabës, e përposh lumi i Drinos. Fshat me mal, me kroje e me lum. Kur publicisti Sofokli Duka nisi të nxjerr gazetën “Odria” ai më pati dhënë dhe një fletore me këngë të qëmotit, që janë kënduar në Odrie. Kënga, /Kur më shkon sokakut/ /Si mushkat me zile/ /Të vetëtin trupi si dyzetë kandile/ /Plumba dhe perona në zëmerën time/, Sofua më thoshte se duhet të jetë shkruar nga labovasit rreth 300 vjet më parë. Këngë labe jehon pak më tutje kopshteve me mollë e mana e unë vë në rresht vargje që m’i ka dhënë miku im Sofokli Duka. /Xhamadani mu ngushtu/ /Kraharori mu gufua/ /Herë si dardhë e herë si ftua/…./Fukaraja s’kërkon gjë/ /Një natë të fle më të/…../O moj ti që s’të do burri/ /Pa më dil një çikë tek muri/…../Unë ta dëgjova zënë/ /Hajde moj poshtë në lëmë/ /Unë vij po s’më lënë/…. /Pse s’u bëre diell, të ndrije dynjanë/ /Po u bëre hënë, më more vëllanë/…./Qyqja në mal të lart/ /Me se rron atje moj qyqe?/ /Me kumbulla stambollite/ /E me këngë gjirokastrite/…./Aman Banushe ku vete?/ /Vetë e bardhë e hunda grepe/ / Ç’tu vulos vula në djepe/…./Të prita tek gardhi/ /Më dole tek muri/ /Qepallat e gjata/ / Si hala prej gruri/ ……/Ç’ka bari që s’mbin në qafë?/ /Nga lotët që derdhin gratë/……… /Të bëhem rrasë në krua/ /Të mbush ujë ajo që dua/……. /Çorapet me lule/ /Dhe flokët mënjanë/ /Unë po s’të mora/ /Do të vras baban/……../Dale moj të puth një herë/ /Pa merr një gur dhe më bjerë/ /Dale që të zë për gishti/ /Çika le t’më dal shpirti/….. /Syzesë vetulla pe/ /Nga muri do ngjitemë/ /Me plumb të goditemë/ /Të vete të flë me të/.

E lë bllokun me këngë e sytë i hedh nga udha e vjetër që të shpie në vargmalin e Çajupit. Sofokli Duka më rrëfente se në shpatet e malit, ku të pickonte nepërka ai, kur ishte student, mblidhte sherbelë e bimë të tjera medicinale për të mbuluar shpenzimet e shkollës. Sofua nuk e hiqte nga mendja Vangjel Zhapën, udhën nga kaloi Bajroni, shtigjet nga erdhën ushtarët grek që bën masakrat e Hormovës. Lebërit vazhdojnë të këndojnë e këngën e merr era dhe e shpie tutje nga Burimi i Hosit. Dua të shkoj tek ata që nuk e presin këngën, por më duhet të shtoj edhe ndonjë fragment në shkrimin që po e radhis fjalë pas fjale si ato udhët e dhive në shpatin e malit. Ballë për ballë me malin e Golemit duken ca shtëpi të vetmuara si orteqe dëbore. Është fshati Picar. Sofua më ka treguar se kishte qenë në një drekë në shtëpinë e ShefqetPeçit, ku gjithashtu kishte qenë dhe DritëroAgolli. Në garë me ShefqetPeçin se kush mund të pinte më shumë raki me dolli Dritëroi kishte mbushur një gotë uji plot e për plot me raki dhe pasi e kishte pirë me fund rakinë e kishte përtypur qelqin me dhembë dhe e kishte kapërcyer sikur të qe pilaf orizi. Sofokliu e vlerësonte DritëroAgollin dhe herë pas here takohej me të. Kur unë i shkova për vizitë Dritëroit me rastin e 80 vjetorit të lindjes ai më pyeti për Sofokli Dukën. Kishte mall. Dritëroifoli me adhurim për Sofon si krimolog, shkrimtar, atdhetar dhe si një “majakovsk” i partisë socialiste.

Nuk jam i qetë edhe pse shënimet për mikun tim Sofokli Duka po i stivos për bukuri. Stivos dhe herë pas here sytë i hedh nga shpatet e malit. Po të ishte gjallë miku im do më thoshte të rrëmbejmë armët e të mos lejojmë që në magjinë e Zagories të fillojnë kërkimet për naftë. “Baçja e luleve” siç quhet Çajupi të spërkatet me naftë. Mendimet m’i ndërpret një shpend i madh që u ul në kërçepin e manit përballë. Nuk e kisha parë ndonjëherë këtë shpend. Po ky nuk ishte i vetmi shpend në Labovën e Zhabës. Nëpër avllitë e kopshtet fluturonin e “orkestronin” këngët, mëllenjat, harabelat, korbi, patat e egra, rosat e egra, qyqja, kali i qyqes, dallëndyshet, bishtëtundësi, bilbilthat, pupëthat, gjeli i egër, lejlekët e lumit, shapkat, pëllumbat e lart shqiponjat e malit. Shpendi i pazakontë në kërçepin e manit herë pas here shkund krahët sikur bën ndonjë yshtje. Mua më shkoi mendja tek shpirti i Sofokliut, por vetëtimthi i hoqa sytë nga i shpend i çuditshëm. Sofua nuk besonte jashtë kësaj bote reale. Vështroj nga krahu ku kënga labe gjëmon e për fat në faqen e murit shoh një fotografi të Vangjel Zhapës, të këtij biri të denjë të Labovës së Zhapës. Për këtë atdhetar të madh flisnim shpesh me Sofon. Vangjel Zhapa më rrëfente Sofua ishte mik i Marko Boçarit. Qe plagosur pesë here. Kishte ndihmuar për ngritjen e shkollës së Labovës së Zhapës. Pasaniku i madh Vangjel Zhapa kishte financuar lojërat olimpike në Greqi. Sefer mos u mërzit më tha në një rast kur unë isha i papunë dhe atë gjithashtu e nxorën në lirim. Nuk është hera e parë që më godasin tha ai, por ama nuk më kanë plagosur si Vangjel Zhapën. Dhe më molloiste çudira për këtë bir të Labovës. Aso kohe nuk po gjenim dot një sponsor për një nga librat e tij që me sa di ai e la në  dorëshkrim. Sofua u interesua dhe për botimin e librit tim, “Stina e fundit e Ukshin Hotit”, por qe  pamundur për të gjetur ndonjë lekë. Paratë janë në gojën e gjarprit thoshte ai me trishtim. I heq sytë nga fotoja e Vangjel Zhapës, që i zoti i lokalit e kishte varur si një ikonë. Më duhet të kthehem në varrezat e fshatit dhe të vendos ndonjë lule marsi në varrin e këtij njeriu të madh. Eshtrat e trupit të Vangjel Zhapës janë vendosur në fshatin e tij të lindjes, ndërsa eshtrat e kokës në pallatin “ZAPPEION” të Bukureshtit. Sofokli Duka e kishte ëndërr të shkruante një monografi, siç e dinte ai, për Vangjel Zhapën. Një studiues grek e nxirrte Vangjel Zhapën me origjinë nga Përmeti. Me sa mbaj mend Sofua po hulumtonte dhe për të nipin e Vangjel Zhapës. Mua nuk më kujtohet emri i nipit të labovasit të madh. Miku im, Sofokli Duka, më thoshte se i nipi i Zhapës ka folur e ka shkruar për ndjenjat humanitare e patriotike të xhaxhait të tij. Sofua çoç kishte zbuluar kur kishte punuar si murator në Greqi.

Pasi hëngra mëngjesin e porositur me meze Labove të shoqëruar me një gotë verë nga të vreshtave të Burimit të Hosit e ndërrova karrigen dhe laptopin e ktheva nga shpatet e fshatit të Hormovës. Nuk doja të isha ballë për ballë me shpendin që më vështronte si i merakosur. S’po më pëlqente filli i gjalmit të prozës. Hormova tej në monopat më ngacmoj. Dhe fillova të palos fjalë pas fjale këngën që e pëlqente Sofua i dashur: /Caush bej, Caush Hormova/ / Gjak e dyllë të pikova/ /Porse besën s’ta ndërrova/. Je si Caush Hormova i thojaSofos në kafenë poshtë banesës së tij. Çfarë nuk të punuan i thoja i revoltuar. Të burgosën. Në qeli të lanë me një batanie. Çajin ta jepnin pa sheqer. Nuk të lejonin të laheshe dhe trupi të mori erë. Drejtori i burgut kishte urdhëruar gardianët që të bëhet ç’është e mundur dhe Alban Kosova të vras veten. Sofokli Duka tundte kokën me dhimbje. Por besën nuk ma ndërruan më kthehej ai gjithë fisnikëri. E ngrita kokën dhe mbeta pa mend. Shpendi sa një dash ngjyrë gri kishte fluturuar nga kërçepi i manit dhe po nusëronte në degën e një fiku të madh. Tani e kisha dhe më afër. Po ky shpend që nuk po më ndahet thashë i merakosur. Pyeta një labovas që po pinte kafe në tavolinën ngjitur andej nga vinte kënga labe. Labovasi më tha se ky zog i madh që i thonë zhgabua vjen rrallë në Labovë. Bën konak në pyjet e Sheperit. Heshta i menduar. Sofokli Duka pas ca ditësh mbush tre vjet që është ndarë nga jeta. Për një vjetorin u grumbulluan miq dhe “armiq”. Mungonte ai që e shkarkoi Sofon për herë të fundit nga detyra. Sikur të më dëgjonte Sofokli Duka do t’i thoja se ai “kapteri” që të shkarkoi padrejtësisht para ca kohësh i pati pisk punët. Në fill të perit iu afrua laku tek fyti. E sikterisën. Ndofta e zuri mallkimi i miqve të Sofos. Në këtë botë lahen të gjitha thoshte i ndjeri. Në debate shpesh e kundërshtoja. Maskarenjtë janë të pamposhtur. Disa po bredhin nëpër gjyqe e po ulin moshën që të mos dalin në pension. Në lokal nisi një debat dhe unë ktheva kokën. Një stacion televiziv transmetonte pamje nga protesta e 16 shkurtit. Nuk u përzjeva në “grindjen” e labovasve. Po më vinte për të qeshur. Pas 21 janarit Edi Rama oficerët e Berishës nuk i largoi nga Garda. “Heronjtë” që e sollën në pushtet kryeministri i la në rrugë të madhe. Dhe ndodhi çudia. Oficerët e Berishës të 21 janarit, u detyruan dhe më 16 shkurt, u kthyen “grykat e zjarrit” njerëzve të tyre për të cilët votojnë. I kam takuar këto ditë në Tiranë dhe kam bërë humor me ta. Nëse Sofokli Duka do të ishte gjallë dhe do t’i shikonte me labovasit pamjet me ujqër dhe qenër, ai, do ta kthente në labçe këngën e qëmotit: – /Për xhenet u nisëm/ /Sosëm në xhehenem/ /Shqipëri moj kuçkë/ /Na bëre verem/.

Nuk e di se çfarë t’i them Sofos këtë mëngjes marsi në fshatin ku lindi. Sofua vdiq dhe unë jam i mundur nga “armiqtë” e përbashkët. Sofokli Duka e la gruan dhe vajzat me një dhomë e kuzhinë kurse maskarenjtë kanë vila, miliona euro të fshehura nëpër banka, makina të shtrenjta e pushimet i bëjnë nëpër botë në plazhet më të shtrenjta. Janë talente më thoshte dikur Sofua në kafenenë përballë Akademisë së Sigurisë. Dhe qeshnim me atë personazhin që ende vazhdon të jetë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Në ‘97- tën kur u hapën depot e armëve u mbyll në shtëpi dhe gjatë ditëve të qametit se zgjati kokën në dritare. Kur u qetësua shkoi në zyrë dhe u thosh kolegëve se ishte në Vlorë e në fill kishte shpëtuar nga plumbat. Asnjë minutë nuk është larguar nga puna. U shërbeu të gjithë ministrave, edhe më fashistit. Dhe s’ka lexuar asnjë libër e ngacmoja unë. Po të shtoj një anti-vlerë më kthehej ai. Nuk pi raki e s’di të ngrejë dolli. E kështu e shtynim kohën me “fenomenët”. Shembujt  nuk kishin të numëruar. Në gardë një qen bir qeni mblidhte në Pezë lakra të egra për familjen “mbretërore”. Tani skilja është strukur në një rajon policie. Shkon tek “shefi” i tij. Dhe nuk i shpie më lakra, por i çon dengje me informacione.

Vështroj orën dhe jam në rregull me kohën. Përsëri një shfaqje fshati më tërhoqi vëmendjen. Nëpër degët e fikut filloj të lëviz një nuselale. Kisha mote që nuk kisha parë nuselale. Kur nuselalja u ngjit në çatallin e fikut shpendi fluturoj për nga mëhalla tjetër e Labovës së Zhapës. Më mirë që ndodhi kështu i thashë vetes. Shpendi më trishtonte . Nuk doja ta besoja se ai ishte shpirti i Sofokli Dukës. Sofua i ndiqte mitet e megjithatë ishte me këmbë në tokë. Dhe ne debatonim pa fund. Në një vjetorin e vdekjes së Sofos më mbeti në mendje gruaja e tij dhe vajzat. Ishin të mjeruara përpara burrit dhe babait të dashur. Gruaja e Sofos e rrethuar nga vëllezërit dhe të dashurit e tij pinte cigare pa fund. Gjëma e kishte rënduar. Kisha qenë mes Perçevës e Gllarevës në vendin e njohur me emrin, “Çuku që kërcet”, e cila është shpella më e thellë, ku Shote Galica bashkë me trimat futën trupin e AzemGalicës sipas amanetit të tij, që trupin të mos ja gjenin shkitë. Siç më kanë treguar Shota e brengosur rrinte në hyrje të shpellës së bashku me trimin HalimPreçeva. Azemi që nga fundi i shpellës vikati fort: – “Ti qëndro, se vetëm ke mbetë!”. Qysh atë çast lindi kënga me të njëjtin titull që edhe sot këndohet në Kosovë. Paçka se Alban Kosova nuk ishte AzemGalica ai e pati jetën të vështirë. Qe një “Azem” në luftën për një Shqipëri më të mirë. Dhe gruas së Sofos i shkonte vargu: – “Ti qëndro, se vetëm ke mbetë!”. Nuk i harroi ato çaste dhe as vargjet e Nekrasovit që i recitonte shpesh Sofua i dashur: – /Ti do të rrosh, ty ditët pas të presin/ /Unë i perëndova, se mu sos/ /Ja po shkoj….Lavdia kaq më feksi/ / Se s’ke ç’i bën dhe ti mos u brengos/.

Fshatari i panjohur që ishte në tavolinën tjetër prej nga gumëzhinte kënga labe më solli me dorën e tij një tjetër gotë me verë, më përshëndeti fshatçe e unë nuk i thashë dot as “të faleminderit”. Mbeta disi i habitur me sytë nga udha me dredha që të nxjerr lart në mal. Udha gjithë dredha ma ngacmoj imagjinatën. Në rininë time së bashku me anëtarët e plenumit të rinisë së Gjirokastrës kishim qenë në malin e Çajupit për piknik siç thuhej në ato vite. Por jo nga kjo udhë me dredha që kam përballë, por nga ajo e Erindit. Në Çajup e kam takuar për herë të parë Sofokli Dukën. Më njohu me të Resul Llogo që ne e kishim Sekretar të Parë të Rinisë. Mbaj mend se na atë takim në një nga livadhet e bukur na folën Rrapo Dervishi dhe KiçoNgjela. Ata kishin ditë që pushonin aty. Bëmë dhe një fotografi ku u rreshtua me ne dhe Sofokliu, që kishte ardhur për qejf si dhe inspektori i qarkullimit rrugor Ilir Qejvani, që shoqëronte makinën me anëtarët e plenumit. Vite më vonë kur me Sofon u bëmë miq dramash, ai ma kërkoi atë fotografi, por unë nuk e gjeta në albumin tim. Por do ta gjej me ndonjë gjirokastrit që ishte anëtar i plenumit (të gjithë morëm nga një foto). Pas vdekjes së Sofos, meqenëse po përgatitet libri, fotoja në malin e Çajupit do të ishte një diamant. Qysh atëherë unë nuk kam shkuar kurrë në Çajup. Kënga që i kushtohet malit magjik, “O Çajup o vend i bukur” më ka rritur në odat e Mallakastrës.

Shkrimin për të pesë vëllezërit Duka nuk po e shpie dot në cep të arës. Ata kanë profile të ndryshme dhe janë njëri më interesant se tjetri. Gjithsesi edhe kur hedh ca fjali më shumë për Apostolin më zënë udhën motivet e jetës së Sofokli Dukës e unë nuk e ngjis dot të përpjetën për në mal. Sa herë që shkoi në kafenenë tonë të preferuar, ku është dhe banesa e Sofos do të shoh vajzën e vogël së cilës i thonë “djali i Sofos”. Kur Sofos i kishte lindur “djali” unë i dhurova librin “idhulli i mallkuar”. E kishte lexuar në dorëshkrim dhe Sofua më foli për një nga tregimet e librit që i kishte lënë mbresë. Bëhej fjalë për breshkën e Presidencës. Në ‘97- tën kur kishte rënë shteti tek hyrja e Presidencës afrohet një breshkë. Gardistët të pirë e marrin në duar dhe e ulin në kolltukun e Presidentit. Dhe parakalonin para saj. Por breshkën në ambientin e ngrohtë e zuri gjumi. Gardistët e zgjuan, i hapin me zor gojën, dhe i hedhin uiski nga ai që pinte Presidenti në ato ditë të mynxyrshme. Breshka me të gëlltitur uiskin filloj të kërcejë. Edhe gardistët kërcenin me të në mes. E bukur më thoshtëSofua. Për ta bërë film. Por ai nuk m’i ndante kritikat. Mos boto libër pa redaktor dhe pa korrektor letrar. Ishte i prerë.

Shkruaj nga një çikë e herë pas here i hedh sytë nga udhët e fshatit që i bien atij kryq e tërthor. Megjithëse shumë banor janë larguar Labova e Zhapës i ka ngulur “rrënjët” thellë. Ndërtohen vila e punohet. Nëpër kopshte fshatarët mbjellin perimet e stinës. Era e plehut më pëlqen. Një grua e moshuar me shami të bardhë në kokë prashitë qepët. Më duket sikur është në arën e Pilo Dukës. O zot thashë me vete mos është nëna e Sofokliut, Lena. Po mrekullitë nuk ndodhin në këtë botë. Sofua më fliste për mundimet e prindërve të Pilos dhe të Lenës. Në një rast ai më tregonte një rrëfanë. Kur kishte dal në jetë si ushtarak dhe ndodhej në fshat me lejë kishte marrë një kosh me pleh dhe po e çonte në arë. Nënës, Lenës, i kishte bërë përshtypje që i biri e mbante koshin me pleh në supin e majtë. Ai bëri disa udhë që nga kasollja. Dhe nëna e merakosur e kishte pyetur. Sofua ia kishte kthyer aty për aty. Supi i djathtë më dhemb i qe përgjigjur ai nënë Lenës. Të dy supet nuk janë në një nivel. Të djathtin e kam më poshtë. Automatiku dhe mitralozi ma kanë bërë gropë. Kur nuk e prisja sytë më shkuan vetëtimthi në degët e fikut. Shpendi qe kthyer sërish. Heshta. Në ato çaste mu kujtuan vargjet e LasgushPoradecit: /Lëndë – e thjeshtë. Lëndë ujem/ /Pata qenë. Do të jem/.

E le pakëz shkrimin dhe shfletoj një bllok ku tërë paraditen hodha mbresa nga vendlindja e vëllezërve Duka. Por për shumë arsye po e ngarkoj kalin nga njëra anë. Nga ana e Sofokli Dukës, që siç thonë në Labovë për mukajet u nda nga jeta. Në bllok kam shënuar ca fjalë që m’i thanë labovasit. Pas kishës, nga një dritare, një nuse e re i thirri një plake, e cila e kishte ngarkuar mushkën me dru lisi. Po ç’u bëre moj XHALLARE?. E kisha dëgjuar këtë fjalë nga Sofua kur i thoshte “djalit” të vogël. Mos u largo nga kafeneja “moj xhallare”(shpirt). Një mësues nga fshati i Labovës ma shkoqiti fjalën “xhallare”. Çuditesha sesi poeti Arben Duka nuk kishte bërë ndonjë tekst për ndonjë “xhallare” të bukur të Labovës së Zhapës. Pashë dhe ca fjalë të tjera, por ato do t’i shtrojë në “shtrungën” e fjalorit themeltar të gjuhës shqipe. Ndihesha i trishtuar dhe nisa ta thurja gardhin aty ku e kisha lënë. E hodha atë dhe një motiv tjetër siç ma tha një i moshuar në oborrin e shkollës. Lena, nëna e vëllezërve Duka gatuante si magjistare më tha ai. Por ishte e paparë për pjekjen e kërmijve. E mbante në gojë i gjithë fshati. Përsëri ndihesha i zbrazur. Doja të shkruaja një gjë që të mbetej në letër dhe vetë ta vija buzën në gaz. Tek shtëpia e Pila Dukës mu kujtua një motiv nga fëminia e Sofos. Vetë Sofua ma ka treguar. Brenda në shtëpi, në qilar, nëna Lena mbante kavanozat me reçel molle, fiku, arre, rrushi, ftoi e hurme. Nuk isha më shumë se 7 vjeç rrëfente Sofua. Nëna, Lena, ishte në avlli. Unë vajta tek qilari. Doja të merrja reçel molle që të ngjyeja përsipër bukën e misrit, të cilën ma kishte dhënë fare thatë, nëna, Lena. Dhe hapa një vazo. Qe errësirë. E theva copën e bukës më dysh dhe njërën e futa në vazon me reçel. Nuk prita dhe e kollofita në gojë se kisha uri. Por desh vdiqa. Goja më mori flakë. Ulërija. Kisha marrë vazon me piper të zi. Lena e mori vesh se ç’kisha bërë. Më dha me të shpejtë një hoje mjalti nga të Çajupit dhe me dorën e saj më shpëlau gojën. Mjalti i Çajupit më solli në vete.

Në krahun tim kënga labe është zëvendësuar me një kor të melodive të Odries. Është një melodi grarishte dhe unë përpiqem të përthith ndonjë varg. Në udhën kryesore lëviz një grup turistësh. Labova e Zhapës është shndërruar në pikë turistike. Sofua ma përmendtegjithnjë këtë gjë. Kështu ka qenë denbabaden më thoshte ai. Kush nuk e kishte vizituar Labovën e Zhapës. Miku im, Sofua, e kishte pikë të dobët AvniRustemin. Sipas historianit LefterDilo, AvniRustemi e vizitonte shpesh Labovën e Zhapës. Kur shokut tonë Bilblil Dervishit i vdiq nëna në Kryezi të Pukës, Sofokli Duka, u magjeps kur i thanë se në Kryezi përveç Migjenit kishte qenë dhe AvniRustemi, i cili në ato kohëra qe zgjedhur deputet i Lumës. Sofokli Duka më kërkoi me këmbëngulje në Kryezi që ta shpinim tek Kopshti i Gjeçovit. Ai preku me duar trugjet e vjetra të qershive, që siç thuhej i kishte mbjellë ShtjefënGjeçovi. Dëgjonte rrëfimet e kryeziasve të cilët thoshin se zogjtë e Kryeziut i merrnin bërthamat në sqep dhe i mbillnin në Gjakovë. Shumë qershi të Gjakovës i kishin mbjellë zogjtë e Kryeziut. Sofua i admironte heronjtë. Në Kryezi kishte qëndruarAvniRustemi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë. Në bisedë e sipër i vinte keq që nuk dinte hollësira për interesat që kishte pasur AvniRustemi për Labovën e Zhapës. Gjatë viteve 1916 – 1917 AvniRustemi ka qenë mësues në Tepelenë. Thuhet se në ditë festash e të kremtesh AvniRustemi siguronte fonde dhe me nxënësit nga Tepelena shkonte për vizitë në fshatin antik të Labovës së Zhapës. U bën tash sa vjet  që Sofua e kishte merak interesin e AvniRustemit për fshatin e tij të lindjes. Shkruesi i jetës së AvniRustemit, LefterDilua kishte mote që kishte vdekur.

Për ta hequr qafe Sofon e emëruan në Gramsh me një detyrë të rëndomtë. Ai e refuzoj me përbuzje detyrën që i afruan. A të ka shkuar mendja që të vrasësh veten e ngacmoja kur mora vesh palaçollëkun e Gramshit. Kurrë u përgjigj Sofua prerazi. Po që të vrasësh ata që duan të sikterisin në Gramsh? Kurrë u përgjigj përsëri ai. Fakti që unë mora çekiçin e skalita gurët e grekut tregon se pranova të mbijetoja në këtë kaos. Në fëmini jam përballuar në Çajup mes mjegullës me ujqërit. Sokëllita dhe i tremba e nëpër mjegullën që të nxirrte sytë arrita të dal në Selckën e Gaqo Bushakës.

Mbi koriet e fshatit filloj të fryj era e jugës. Vjen nga Burimi i Hosit thonë në lokal. Është era e gjethit. Ndihem mirë kur i hedh sytë nëpër yrte, ku shoh gratë dhe ndonjë burrë që mbjellin dhe prashisnin perimet e stinës. Sofokli Duka e kishte ëndërr të ndërtonte një shtëpi afër me ato të atit, Pilos. Do ta ndërtoj vetë për merak më thoshte më emocion. Ndërtova vila për grekërit e jo të mos ndërtoj një për vete, për gruan dhe vajzat. Sofua priste daljen në pension. Por nuk ja arriti. Iku me forcën e këtij shpendit që dua ta krahasoj me zgalemin, por që labovasit e quajnë zhgabua. E ngas dhe pak parmendën në arën e shkrimit. Dua të ngjis një ndodhi tregimi që lidhet me Apostol Dukën kur ai punonte në shtypin ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes. Apostoli më kishte botuar me dhjetra përshkrime, tregime e poezi. Por një tregim nuk ma botoi. Bëhej fjalë për një histori të jetuar. Shërbeja në malin e Buretos. Një bari nga Kuçi i Vlorës që veronte në kullotat e malit të Buretos mbante në një çantë të lëkurtë një bllok të madh sa një qengj. E pati mbushur plot me vjersha. Qe poet interesant. Në tregimin që ja nisa Apostol Dukës qenë dhe nja pesë a gjashtë poezi të cilat i kisha përzgjedhur vetë. Por redaktori i gazetës, “Luftëtari”, Apostol Duka, jo vetëm nuk m’i botoi, por nuk më ktheu as përgjigje. Qe vjeshtë dhe për habinë time bariu i Kuçit u arratis në Greqi. Me vete mori dhe bllokun me poezi. Në atë mot mua më transferuan në veri. E harrova bariun, por më mbetën merak poezitë me motive stanarësh,  të cilat ja pata nisur Apostolit për t’i botuar. I thosha shpesh Sofos nëse mund të gjendej ai tregim me vjershat e bukura të kuçiotit që mori arratinë. Dhe Sofokli Duka qeshte me të madhe me broçkullën time.

I lexova ato që kam shkruar varg pas vargu e ndjeva një boshllëk. Nuk dalin të plot portretet e vëllezërve Duka që nga Vangjeli, Apostoli, Sofokliu, Josifi e Arbeni. Më i përshkruar më dukej ai i vëllait më të vogël, Arben Dukës. Gjithë paraditen në trojet e Pilo Dukës mendoja se ku mund të vendosej një monument i Arben Dukës. Dhe ja vura syrin. Aty ku ishte një hurmë me pamje nga Subashi. Monumenti të vendosej që me gjalljen e poetit. Qysh nga NaimFrashëri e këtej nuk ka poeti si Arben Duka. Ka shumë poet të mirë Shqipëria. Por nuk ka asnjë si Arben Duka. Poetët shqiptar kanë profilet e tyre. Gjithsesi poeti që po digjet çikë e nga një çikë si lisi në mes të flakëve të së keqes ky është vetëm Arben Duka. Lufton kundër çdo kolere  për një Shqipëri që për dreq nuk do të marrë udhë. I hedh sytë nga mali i Çajupit. Po të stivosen vargjet e Arben Dukës që nga Labova e Zhapës ato dalin mbi “çatinë” e malit nga ku duket Nemërçka e Mali i Gjerë. Nëse të gjitha lulet e malit të Çajupit do të mblidheshin nuk do tua arrinin kurorës së vargjeve të poetit Arben Duka. I thojaSofos: Maskarenjtë e Ali Asllanit si nuk po e vrasin poetin Arben Duka? Sofokliu ngrinte supet. Edhe unë çudtitem se si Beni vazhdon të jetë gjallë më kthehej ai. Luftë me djallin e luftë me kriminelët. Tani që është larguar nga kjo botë Sofua unë nuk e di se kush mund të na ndihmoj për ngritejn e monumentit të poetit Arben Duka. SkluptoriMuntazDhrami e ka bërë gati bocetin. Skluptori mendon se shtatorja e Arben Dukës duhet të vendoset në mes të fushës së Çajupit. Poeti në mes të “baçes me lule” do të qe një mrekulli. Përpara fikut, ku u kthye shpendi misterioz, shtrihet një kopsht i madh i mbjell me spinaq, labot, qepë, hudhra, lakra e kastraveca. Fshatari që i ka mbjellë duket që është esnaf. Lehët e perimeve më ngjajnë si strofat e vargjeve të poetit Arben Duka. Kopshti është ndarë me rreshta e me katrorë. Çdo gjethe është një germë e katër vargje një poezi. Me merak të madh e ka shkruar fshatari këtë libër me vjersha. E heq vështrimin nga ara me perime e dua ta tejçoj më tej mendimin për poetin Arben Duka, më të voglin e Pilos dhe të Lenës. Poeti qe për Labovën e Zhapës një sfidë dhe natyrisht dhe një majë si ajo e Çajupit. Nuk besoj se ka bota mal kaq të bukur si Çajupi. Domosdo që Arben Duka qe me shumë fat që u lind në zemrën e malit të magjishëm. Kur Arben Duka erdhi me shërbim në Gjirokastër pas tij u dashurua një shoqja jonë e rinisë që e quanin Lola. Ajo e donte marrëzisht poetin rebel e shpesh skandaloz si Esenini. Merre për burrë i thojaLolës. Se do të marrësh një poet të çuditshëm që bashkë me burrin do të futësh në shtëpi dhe malin e Çajupit me lule, kroje e burime. Kur Arbeni kalonte në Qafën e Pazarit letrarët thoshin se po nxiton për në Grehot Arben Çajupi. Por Lola që nuk ja hapi shpirtin poetit bëri llogari. Ajo u njoh me një mësues letërsie me buzët e gjera si viç dhe nxitoi të celebrohesh për në Tiranë. Më mirë që nuk u njohën më thoshte Sofua. Arben Duka ka një jetë të vështirë. Qysh në fillimet e para letrare qe i paskrupullt ndaj të këqijave edhe në socializëm. Andaj shpesh e dënuan, e dërguan punëtor në minierë. Dhe atje në anë në Vjosës shkruante dhe si një karakter kompleks, ekzotike dhe misterioz, ngrihej si ato stuhitë e Labovës së Zhapës dhe shkruante me energji dhe zbrapste vdekjen, e cila shumë herë i është qasur. Ndër të pesë vëllezërit skica biografike për Arbenin po më duket e vështirë. Nuk i artikuloj dot fjalët. Poeti, që është ky që ka Shqipëria sot, ka pasur kosto të lartë. I përballoj shtrëngatat edhe kur tek Rruga e Kavajës barbarët e sulmuan për ta vrarë. Nuk e gjej dot fillin e përgjigjeve se si poeti Arben Duka brenda dimensionit të tij të madhështisë e kapërceu Labovën e Zhapës dhe poeti i fisëm lexohet me dëshirë në Kosovë e ku ka shqiptarë në të gjithë botën. Gjithaq poeti i Labovës misionar dhe asket nëpërmjet poezive me forma të qashtra ka krijuar një lis goxha qibar e të këndellshëm, ku bëmat e jetës së tij janë shumë të lidhura me universin e tij të krijimit. Vepra arbeniane sot për sot është një lloj ekografie ku shugurohet makthi i një tranzicioni të frikshëm.

Bota e Sofokli Dukës qe e trazuar. Prirja e tij natyrale ishte që të bënte të mira. Por kishte çaste në jetën e tij kur ai shpërthente si sfrat i lumit të Drinos. Ti nuk i njeh labovitët më thoshte shpesh. Sa janë të dashur dhe të sjellshëm janë dhe xanxar. Sikur e kam përpara syve një “sherr” midis tij dhe gazetarit Poli Hoxha. Ata të dy ishin miq. Qemë ulur në një lokal në cep të ish shkollës së partisë. Aty qe redaksia e një gazetë që vite më vonë falimentoi. Grindja me Polin e bë për faj të Sofos. Bile Sofua përplasi dhe një gotë me raki. Kur u ndamë me Poli Hoxhën unë e bëra fajtor Sofon. Kam ditë që nuk jam mirë më tha ai dhe më tregoi atë që i kishte ngjarë. Pas hotelit “Mondial” ballë për ballë me banesën e Sofos një burrë plak nga Saranda, i cili banonte në një shtëpi private, i kishte kërkuar ndihmë Sofokli Dukës. Sarandjoti e kishte djalin emigrant në Itali dhe një vagabond në dy – tre raste ja kishte marrë me dhunë nusen e djalit. Plaku qe ankuar në polici, por nuk ja kishin vërshëllyer. Kishte vajtur dhe Sofua e kishte ndodhur e njëjta gjë. Një natë Sofua kishte marrë një pistoletë të cilën ja kishte dhënë një miku dhe kishte shkuar tek shtëpia e plakut. Në çastin që pushti qe hedhur nga muri dhe po hapte portën Sofua e kishte qëlluar në ajër. Hajni qe larguar i tmerruar dhe nuk qe dukur më. Plaku i kishte thënë se po të vinte policia ai do t’u thoshte se e kishte qëlluar vetë. Pistoletën e kishte hedhur në Lanë. Por policia nuk u bë e gjallë. Plaku sarandjot sa herë që e takonte Sofon i puthte dorën. Kur unë i thoja se edhe këtë e ke bërë ti Alban Kosova ai më përsëriste atë proverbin e Labovës së Zhapës “Djali që si bën të gjitha, plastë e mos e zëntë dita”!. Kjo ndodhi Sofokli Dukës i kishte ndodhur kur ai nuk ishte në radhët e policisë.

E ndërpreva punën se më foli një fytyrë e njohur që nga trungu i manit. Ishte nga Palokastra. Dikur kishte qenë kapter në kufi. Nxitoj se jam për në Greqi më tha ai. Të kam paguar një meze fshati dhe një kanë me verë. Çoç po zgraps ndonjë gjë për Sofon tha shpejt e shpejt dhe mbylli derën e makinës. Kur ma përmendi emrin e Sofos disa fshatarë kthyen kokën. Mua nuk më erdhi mirë, që palokastriti ma nxori “sekretin”. Mu kujtua emri i kapterit dhe e shënova në cep të bllokut. Ishte i kushëriri i RakoXhavarës me të cilin kisha punuar shumë vite në Gardë. Shkrimi po më ngjizte mirë dhe unë doja të vija dhe ndonjë plis nëpër rreshta me atë motivin me Lolën e viteve të rinisë, që delte në Qafën e Pazarit për të parë oficerin më të pashëm të Korpusit të Gjirokastrës, Arben Dukën. Por ndërrova mendje. Edhe Sofokliu më kishte thënë se nuk ja vlen që këtë ndodhi t’ja thuash Benit. Ai nuk e di se për kë femër bëhet fjalë. Gjithsesi motivi më gjëmonte si përposh Lumi i Drinos. Lola e bukur dikur i merrte të gjitha gazetat ku botonte Arben Duka, i priste ato një nga një me gërshërë e kishte formuar me to një si punë libri. Vjershat e prera ja kishte treguar dhe anesë. Asaj ja kishte thënë shqeto se do të martohej me Arben Dukën. Por Lolës i pëlqeu Tirana dhe u martua me buzëviçin. Më mirë që i ndodhi kështu Lolës them me vete. Dhe i përziej fjalët. Ajo do të ishte divorcuar me poetin rebel që qysh njëzetë vjeç e nisi luftën me demonët. I fisshmi i vëllezërve Duka me natyrën e ndjenjave bajagi të egra me aso sjellje si në socializëm dhe në demokraci u grind me djajtë dhe për një pikëpresje. Gjithë jetën foli me gjuhën eprore të poetit. Nuk e duroj dot gurëzimin e kohës. Ngutazi i vuri në shënjestrën e “kallashnikovit” president, kryeministra, ministra, deputet e dreqin me të birin. Dhimbjet e popullit i ktheu në lëndë poetike dhe vazhdon edhe sot të “korri” majtas e djathtas. Mendjelarti Arben Duka nuk lind më. Në këtë kohë kaq të nderë ai lufon dhe është për shqiptarët shpresë. Në kafenenë time të preferuar “Mulliri i Vjetër” vjen shpesh studiuesi Agim Vinca nga Kosova. Para se të vija në Labovën e Zhapës i dhurova dy libra të Arben Dukës të cilat m’i kishte dhënë Sofua. Kur Agim Vinca i mori librat në duar më tha këto fjalë: “Poeti Arben Duka është i jashtëzakonshëm. Nuk ka poet tjetër si ai”. Agim Vinca donte ta takonte Arben Dukën, por nuk i teproi koha. Do të shkonte për vizitë tek familja e DritëroAgollit. Ishte ndarë nga jeta Sadija.

Edhe pse jam përqendruar tek skalitja e portretit të poetit Arben Duka më tërheqin vëmendjen zërat e labovasve që punojnë në ara e në vreshta. Ndonjë “grindet” me zë të lart me gjitonin. Në shtëpinë e tij modeste në Tiranë, Sofokli Duka, përpara ndonjë gote me raki më tregonte pikturat e të shoqes të hedhura rrëmujthi në korridorin e ngushtë. Por ai gjithashtu më tregonte dhe tufat me çaj, trëndafilin e egër, rigonin, lulet e blirit dhe shume erëza të tjera. Janë të gjitha të malit të Çajupit më thoshte ai. Sa herë që lëviz nëpër shtëpi dhe i vështroi më duket sikur jam në në Qafën e malit të Çajupit. Sofua më të shoqen, Meritën, në përditshmëri bënin jetën e artistit. Sofokliu ishte shkrimtar dhe e shoqja piktore. Mbase në librin kushtuar mikun tim Sofokli Duka jetën e tij dhe të Meritës do ta përshkruaj detaj më detaj. Sofua edhe pse ishte t’i bëje zjarrin në “sheshin e kokës” qe shumë civil me gruan dhe vajzat. E kemi amanet nga Pilua dhe nga Lena, më shkoqej shpesh ai, që të bëhemi si engjëjt e malit të Çajupit. Engjëjt nuk grinden. Edhe sot në Labovën e Zhapës nuk ka vrasje. Labovitët dinë të jetojnë në vëllazëri. E han kurbetin. Po ndërtojnë një Labovë të re dhe ajo po merr formën e një Janine të vogël. Sofokliu më rrëfente se edhe kur i vunë hekurat si Alban Kosova, sa herë që e pushuan nga puna, kur e shkarkonin, e merrte udhën e muratorit për në Greqi tufat me çaj e erëza, fiqtë e shkuar në vargje dhe arrat sa një kokë keci e qetësonin. Je yni i thoshte mali i Çajupit dhe kurorat me lule të takojnë Ty. Në burgun e Tiranës labovitët e thjeshtë i çonin fruta të thata, arrë, bajame, lajthi, fiq ,mollë e vazo me mjaltë. Qe kohë e keqe dhe u gjet një gardian nga Hundëkuqi, i cili i fuste në qeli thesaret e drufrutorëve të Labovës së Zhapës. Si në shtëpi dhe në qeli i dukej sikur shëtiste kopshteve të Pilo Dukës, që i rriti fëmijët me shumë mundime.

E piva dhe gotën e dytë të verës me mezen që e porositi palokastriti. I zoti i lokalit pruri dhe gotën e tretë të verës. Edhe pse nuk doja ta pija se isha për udhë nuk thashë as po dhe as jo. Ishte e taksur. Vetëm dy të rrahura të bëjnë dëm thonë labovasit. Nëpër tavolina dëgjoja që klientët porosisnin kos të leshtë deleje. Sa ka filluar mjelja tek – tuk e tufave të deleve. Shelegët nëpër lëndina kanë marrë pamjen e milorëve. Nuk porosita kos, por një tregim që ja kisha treguar Sofos trokiti tek unë. Në vitin 1968 në Valbonë kishte shkuar për vizitë Mehmet Shehu. Aty kishte ngrënë darkë. Për mëngjes valbonasit zunë qysh në mbrëmje një vedër me kos dhe e vendosën në një ujëvarë, që vinte nga mali i Rosit. Komandanti i Gardës Çelo Arrëza caktoi rojet e gardës tek vedra që ishte piksur me kos. Por komandanti i postës kufitare të Valbonës, i cili ishte nga Gjirokastra e kishte kundërshtuar Çelo Arrëzën. Kryeministri është në shtëpinë e gjirokastritit dhe vetë gjatë gjithë natës kishte qëndruar me automatik në dorë pranë vedrës me kos. Në mëngjes në livadhin e Fushës së Gjasë Komandanti i Gardës ia tha kryeministrit qëndrimin e gjirokastritit. Mehmet Shehu kishte urdhëruar që pjatën e parë me kos ta hajë komandanti i kufirit i Valbonës dhe pjatën e dytë ta hante ai. Dhe qysh atë ditë oficerin nga Gjirokastra kryeministri e mori me vete në grupin e shoqërimit në Tiranë. Sofokli Duka më pati dhënë porosi që t’ja gjeja emrin e oficerit nga Gjirokastra, që dikur kishte qenë komandanti i postës kufitare të Valbonës, dhe mbi atë motiv të shkruaja dhe një tregim. Për vite me radhë e pata kërkuar emrin e oficerit nga Gjirokastra, por nuk e gjeta dot ne regjistrat e kuadrit të Gardës.

Atmosfera e Labovës së Zhapës me erën e gjethit, të plehut, të qepëve e të rrëkeve ndaj udhëve sikur ma lehtësuan gjendjen shpirtërore. E harrova Sofon në ato freksione të minutës. Por kjo zgjati shumë pak. Mes labovasve nuk ishte më Sofokli Duka. Ai i kishte bërë hatanë vetes, por gjëmën ja kishte bërë të shoqes, Meritës. I la një mal me halle mbi kokë. Midis të tjerave dhe një sasi lekësh që Sofua i kishte fituar me gjak si murator në emigracion. U kishte dhënë me besë “miqve” të tij dhe ata pas ikjes së Sofos po bëjnë “naze”. E megjithatë të njohurit më thotë gjithnjë se Merita nuk dorëzohet. Merak ka martesën e vajzave. Kjo ishte dhe brenga më e madhe e Sofos. Një djalë i ri i hipur në kalë ka varur në ballin e samarit një tufë me lule. Me siguri i ka mbledhur rrëzave se lulet e marsit nuk janë rritur. Tek i pashë lulet sikur mu ngjall Sofokli Duka. Ai i donte shumë lulet. Veçse më thoshte shpesh se pas tufave me lule fshihen thikat e plumbat.

Qysh në Tiranë oficeri i qarkullimit rrugor AlbertGoxhaj më kishte dhënë një lëndë të pasur për të përshkruar figurën e vëllait të Sofos, Josif Dukës si punonjës i Ministrisë së Brendshme. Josifi njihet në punë e në shoqëri si një diamant që gjithmonë shkëlqen. Por bllokun po nguroja ta nxirja nga çanta ime e madhe. Shpendi që vazhdonte t’më vështronte i trishtuar nga dega e fikut, i cili porsa ka çelur sythat e para të fletëve si katër vargje poezie. Gjithsesi nuk po më lëshonte nga dora e reportazhit Sofokli Duka. Nuk i eci fare thashë me vete. S’besoj të jetë mallkim. Në oborrin e kishës një grua plakë më tregoi një bëmë të atit të Sofos, Pilo Dukës. Në rini Pilo Duka kishte dal për gjah me ca miq të tij nga Zhej e Topova. Kishin vrarë vetëm një sorkadhe. Qenë disa vetë dhe Pilos i kishte rënë si pjesë vetëm koka e sorkadhes. Gjahtarët e rinj qenë ndarë dhe Pilo Duka me kokën e sorkadhes në çantën e lëkurtë qe nisur për në fshat. Pilua qe merakosur për vrasjen e sorkadhes. Ishte mëkat në Labovën e Zhapës që të vrisje sorkadhe. Sorkadhja qante si grua. Në të dal të malit të Çajupit, aty ku pikon Burimi i Bratit, në një kodër vezake, Pilo Duka e kishte varrosur kokën e sorkadhes. Por ai e kishte varrosur mbi udhë, që ajo të dëgjonte blegërimat e tufës së sorkadheve. Tufat e kërkonin të mërzitura shoqen e tyre livadheve të malit të Çajupit. Edhe në ditët më të mynxyrshme rrëfenjat e Sofos ishin nga më të habitshmet. Të tjerët ishin në punë, me rroga të majme, me makina e me të dashura e me ryshfete, kurse ne kishim në tavolinë kafe e raki grapa. Por tregimet e Sofos kushtonin miliona. Shpesh Sofokliu ritregonte ato që i kishte thënë ati i tij Pilo Duka. Ujku nuk e mbante kurrë gojën mbyllur. Çdo tufë më ujqër kishte një “komandant”. Pa urdhërin e “komandantit” ujqërit nuk bënin zarar edhe kur kalonin mes për mes kopeve me bagëti. I rrezikshëm ishte ujku mallagar (i vetmuar). Ai nuk të falte. Ujqërit nuk i ngisnin delet e sëmura. As ato që barinjtë i zbukuronin me lule mali për festa. Tufave me dele u zinin pusi aty ku delet nga bari i keq fillonin e villnin. Ujku shikonte shumë natën, por vetëm nga lart poshtë. E dallonte delen e zezë që nga Qafa e Çajupit në livadhet në fund të Labovës. Por kur ai zbriste aty ku ishte delja nuk e dallonte. Nuk shikonte afër. Dhe gjithë natën ngjitej e zbriste malin e Çajupit. Në ditë festash stanarët këndonin këngën: – /Gjergjovica në një shkëmb/ /E pa ujkun me një dhemb/. Motivet me ujqër ishin dobësia ime. Dhe Sofokliu nuk pushonte. Ujku nuk e duronte dot zhurmën. Kur lëvizte po të  rrëzonte një gur e kafshonte këmbën. Kur qe i ri Pilo Dukës ujku i kishte ngrënë disa herë me dele. Pilua natën e tretë i kishte ngritur një lak (ujku kthehej aty ku kishte bërë dëm natën e tretë). Dhe ujku ra në lak. Por Pilua nuk e vrau ujkun e zënë në lak. Me terezi i kishte varur një zile të madhe në qafë dhe e kishte lëshuar. Ujku i tmerruar u gjet i ngordhur nga karvanet e rrëmenjëve afër një hani në Janinë. Gjithashtu s’kishin të sosur as tregimet me arinj. Një po e kujtoj këtu në Labovën e Zhapës. Ariu seç ka një krenari që të habit më thoshte Sofokliu. Ballë për ballë ariun duhet ta nderosh (ti përulesh) dha ai nuk të ngacmon. Me këto tregime e shtonim kohën dhe e rrufisnim kafen dhe farmaken rakinë grapa.

Marrëdhëniet e mia me Sofokli Dukën nuk ishin të qeta. Shpesh nuk shiheshim, por dhe kur bisedonim përplasjet nuk mungonin. Jeta kishte shumë dallgë. Pas grindjeve për fatin e keq ai më thoshte se kishte dëshirë të ishte në Labovën e Zhapës. Muaj i tij i preferuar ishte prilli. Kur isha i ri tregonte Sofua në orën dy të natës delja në dritare. Pilua më pyeste dhe unë i përgjigjesha se në mollët e kopshtit pikërisht në orën dy të natës e fillojnë këngën bilbilat. Nuk ka si Labova thoshte ai. Të zgjojnënga gjumi blegërimat e qengjave. Mëngjesin labovitët e fillonin me potere e humor. Nuk kishin të sosur bëmat me humor. Rrëfenin një ngjarje të rapsodit Tartar Zeka. Rapsodi nga Kuçi Tartar Zeka një mëngjes i kishte hipur kalit e do të shkonte në Bolenë për ngushëllim tek një mik. Në të dal të fshatit i del përpara kalit një djalë i ri, i cili bashkë  me të fejuarën nga Parisi kishte dal për gjah. Emigranti i kërkon Tartar Zekës që t’i ngrinte një këngë. Por Tartar Zeka nuk pranoi. I tha se ishte për udhë. U bë goxha debat. Në çast zagari lehu në arën me tërshërë. Dhe Tartar Zeka ia mori këngës: – /Lehu zagari në tërshërë/ /Kam e kum lepurin të zërë/ /Po i hëngri të përgërë/ /I q…. të zonjën në vërë/. Dhe Sofua me humorin e labovasve qeshte me të madhe.

Jeta e fshatit për shumë njerëz është më e mirë se ajo e qytetit. Në Tiranë hyr e dil nëpër kafene. Nuk ke një gur të vrasësh veten. Kurse këtu në Labovë gjërat ndryshojnë. “Kafenetë” janë në yrte e në mal. Plakat nëpër kopshte thërrisnin ne zë të lart: – “Haha! – Haha skifteri! Ju rëntë flama!” Skiferët e Hormovës janë llupsa i thoshin plakat njëra – tjetërës tek ruanin klloçkat me zogj. Nuk mundja t’i dëgjoja ato thirrje aq të bukura e aq të vjetra sa vetë Labova e Zhapës. Mungon Sofokli Duka që t’i dëgjonte i thoja vetes i merakosur. Nuk gjeja dot qetësi.

Më duhej të ngrihesha dhe u ngrita. Mblodhi koha thonë labovasit. Do të kthehesha dhe një herë në varreza për të prekur varrin e Vangjel Zhapës. Vajta në banak për të paguar, por nuk ishte pronari. Unë nuk e kisha vënë re. Ai qe larguar. Tavolina është e paguar më tha i biri. Një makinë është porositur dhe ju pret nën degët e fikut për në Urën e Subashit. E falenderova dhe dola në ballkonin me pamjen nga lumi i Drinos. Me çantën në dorë nisa të zbres shkallët. Shpendi kur më pa harboi sipër e më sipër nga mali i Çajupit. Të qe shpirti i Sofokli Dukës belbëzova me vete. Kushe di? Vetë Sofua nuk besonte. Por kjo botë është plot mistere. Në Tiranë do të mblidhemi për të përkujtuar 3 vjetorin e ndarjes nga jeta të mikut tonë të shtrenjtë Sofokli Duka. U nisa përsëri për në varreza. Ecja në heshtje dhe kur u afrova tek dera e varrezës nisa të përsërisë vargjet e Lasgushit, që mua me dukeshin sikur i kushtoheshin Sofos tonë të paharruar: /Lëndë – e thjeshtë/ /Lëndë ujem/ /Pata qenë/ /Do të jem/.

 

March 13, 2019 12:34
Komento

5 Komente

  1. kris 1 March 13, 03:52

    Respekt per cka shkruan per Sofon.Ishte nje kuader I talentuar,puntor dhe njeri I mire.

    Reply to this comment
  2. Sadete March 13, 19:25

    Si i paska shpetuar ky shkrim DEMOS te bej kritike, apo nuk ka njohuri? Demo psikopati bej detyren si sigurims te perdhosesh edhe Sofokli Duken.

    Reply to this comment
  3. Adi March 13, 23:10

    Faleminderit shume per kete artikull dhe i uroj autorit urimet me te mira!
    Kam 30 vjet qe nuk shikoja shkrime te tilla kaq te bukura ne gazetat shqiptare.
    Po citoj disa strofa poezie kushtuar Sofokli Dukes shkruar nga nje shok i tij ne emigracion kur degjoi lajmin e hidhur te ndarjes para kohe nga jeta te ketij luani te Kombit Shqiptar.

    Jo s’ka vdekur Sofo Duka.
    ————-———————-
    1.
    Lule Sofo
    Lule djale
    Po c’u bere
    Ku je vall
    2.
    Kacurrelat
    Pale-pale
    Me nje bukuri
    Te rralle
    3.
    Engjell Zoti
    Te kishe fale
    Kishe mjalte
    Ne c’do fjale
    4.
    Te kujtojne
    Shoket me mall
    Te na prish
    Prap ne ball
    5.
    Ti s’ke vdekur
    Por je gjalle
    Na bene drite
    Ne c’do mal

    Reply to this comment
  4. BOHOTINA March 14, 11:40

    E lexova tere shkrimin. Bravo! Shume bukur per kujtimin e nje njeriu te mire. Arbeni eshte tjeter gje. E lexoj me kenaqesi cdo dite. Poet mjaft i talentuar. lirik i paperserishem…

    Reply to this comment
  5. Illo March 15, 01:28

    Duke , qene me i moshuar , ne fisin e vellezerise Duka, me jepet rrasti te falnderoj autorin e ketij rekuemi , me sens shume lirik , per tre vjetorin e vdekjes se parakohshme te Sofokli Dukes , doktor i shkencave . Mema e Pilos , Babai i 5 djemve , eshte kusheri i pare i imi , nga Babai . Ti si autor , duket , qe ke afinitet shoqeror , me familjn e gjere te Pilos , kusheriut tim. Ajo Familje , ne fshatin Labove e vogl e Zhapes , ka qene strehe dhe vater e mikut dhe e shtegetarit . Te lumte pena dhe mendja , per kete trajtese shume emocionale dhe te merituar , per kete hidherim te familjes dhe te te aferteve te vellezerise Duka , nuk te ka udhehequr emocioni , por realiteti . I ke pershkruar ngjarjet dhe njerzit me vertetesi profesionale . Ti i ke njohur ne marrdhenie pune dhe ne sebet familjare, niprit e mi . Une I njof me pak se Ti, sepse puna dhe emigracioni na pat ndare , ne te dy sistemet , por gjithsesi kemi cfrytezuar c’do mundesi komunikimi , ne afinitet shume familjar .
    Me Vangjelin , kam qene ne pune te perbashket , ne ish kooperativen “Odrie“. Rrinim shume kohe , bashke , ne shtepine e mirenjohur te Pilos , ku na sherbente me shume halla ime , Athinaja , sepse Lenua punonte me ore te zgjatura . Ketu nuk mund te le pa permendur dy lidhje te tjera te familjeve. Ne krushqine Pilo- Leno , Mema ime ishte sebeplie . Bashkeshortia e Apostolit , eshte vajza e Vangjel Rrapit , kusheriut tim nga Babai . Te tera keto , kane bere , te jemi gjithnje afer shpirterisht , edhe kur kemi qene larg fizikisht . Kur shifja Vangjelin , pas pune , behesha me krah . Udhetonim bashke , ne distanca 5-6 Km . dhe ndiheshim si ne gosti. Vangjeli punonte ne ndertim , me pelqente era e djerses se tij , kur udhetonim , ose clodheshim bashke . Me te tere vellezrit krenohesha dhe vijoj , ne c’do bisede shoqerore me njerzit . Ata i kemi patur dhe i kemi afer nepermjet veprave te tyre te shkruara . Jane njerzit me te shquar nga ana intelektuale , ne te tere fisin . Ne raport me Kombin , Ti i ke cilesuar objektivisht . Josifin , po thuaj se e kam harruar . Ime shoqe pati mundesi ta takonte , kur ishte shtruar ne spitale te traumes , perpara 5 vjetesh , ne se jam teresisht i sakte .
    Niprit e mi jane njerez te shquar dhe une nuk dua te bije ne perseritje , qofte dhe per faktin e thjeshte , te mos i marrim shume hapesire , gazetes se dashur “Dita “ , qe na jep mundesi informimi te dakte komunikimi , sic ishte dhe ky rrast i permortshem . Nuk mund te le pa permendur nje epizod , nga jeta praktike e Sodokliut tone te dashur . Perpara dy muajsh , ose me pak , poeti i shquar , Agim Shehu shkruante nje shkrim ne portalin “Fjala e lire “ , qe moderohet nga F. Terziu , ne Londer . Midis te tjerah , Agimi shprehte konsiderata te larte , per Sofokliun , si funksionar i asaj kohe . Agimi ishte ndodhur ne kushte te veshtira , Sofokliu i dha zgjidhje te menjehershme problemit, ndoshta dhe te rrezikohej . Agimi ndihet familjarisht i obliguar , ndaj Sofokli Dukes , qe beri te mundur te cahej rrethimi , qe kishin stisur dashakeqesit e tij .
    Ju, Z. Sefer , i keni thene te tera , per Sofon , per vellezerine dhe familen meme . T’I shperblefshim ne te mira , ne familjen tende , per kete perkujtim , qe I Sofos se dashur . Njeheresh I bere homazh , shkencetarit qe ka dhene ndihmese ne shume fusha te zhvillimit shoqeror, ligjior dhe politik shqiptar . Familja , I. Foto – ne . NY

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*