Renditja: Gjimnazet dhe 9-vjeçaret më të mira të Tiranës

November 24, 2017 11:00

Renditja: Gjimnazet dhe 9-vjeçaret më të mira të Tiranës

 

Pranvera Kola

Pas vlerësimit të një sërë treguesve që kanë të bëjnë me rezultatet e arritura në provimet e maturës shtetërore, provimet e lirimit, numrin e mungesave, largimin e nxënësve nga shkolla, etj, Drejtoria Arsimore e Tiranës, ka detajuar edhe renditjen e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare që listohen si më të mirat, si dhe ato që kanë rezultatet më të ulëta të matura përgjatë vitit mësimor 2016-2017.

Vlerësimi është realizuar mbi shtatë tregues, matja e të cilave është kryer në të njëjtën kohë si në shkollat e arsimit parauniversitar publik, ashtu edhe në ato private. Në vijim të shkrimit do të plotë renditjen e shkollave sipas Kartës së Performancës, që ofron të dhëna për arritjet e çdo shkolle gjatë një viti mësimor, rezultatet e të cilës u shërbejnë prindërve, drejtuesve, mësuesve, nxënësve, mbi cilësinë e arsimit parauniversitar.

Vlerësimi i gjimnazeve

Referuar treguesve mbi arritjet e realizuara gjatë vitit të shkuar mësimor, listën si gjimnazi më i mirë në kryeqytet e kryeson Shkolla “Sami Frashëri”, e ndjekur më pas nga Shkolla “Qemal Stafa”.

Ndërsa në vend të tretë dhe të katërt rezultojnë të jenë me pikë të barabarta Shkolla “Ismail Qemali”, si dhe Shkolla “Petro Nini Luarasi”. Ndër shkollat që kanë raportuar treguesit më të dobët janë Shkolla “ Kostandin Ksristoforidhi” që listohet e fundit, si dhe Shkolla “Sandër Prosi”, në të cilat nota mesatare e provimeve të maturës, numri i mungesave të nxënësve, si dhe largimet nga shkolla pa mbaruar viti mësimor rezultojnë të jenë më të lartat krahasuar me gjimnazet e tjera të vlerësuara.

Vlerësimi i shkollave 9-vjeçare

Vlerësimi i shkollave 9-vjeçare është realizuar mbi bazën e treguesve të tillë, si: përqindja e nxënësve kalues në provimet e lirimit, nota mesatare e shkollës në provimet kombëtare të lirimit, pikët mesatare në testimin e realizuar për klasat e pesta, realizimin e objektivave të planit vjetor, përqindja e mungesave të bëra nga nxënësit, numri i nxënësve të larguar, si dhe treguesi mbi numrin e fituesve që secila shkollë ka realizuar në konkurrimin rajonal. Sa i takon realizimit të këtyre treguesve, në radhët e shkollave 9-vjeçare publike, lista kryesohet nga Shkolla “Emin Duraku”, e cila renditet në vend të parë sa i takon arritjeve të realizuara. Ndërsa pas saj vijnë Shkolla “Mihal Grameno”, si dhe Shkolla “Misto Mame”. Pikët më të ulëta sa i takon plotësimit të treguesve i kanë Shkolla “Ibrahim Brahja”, e cila është e fundit në listë, si dhe Shkolla “Kolë Jakova”.

Sa i takon numrit të mungesave rekord mbajnë nxënësit e Shkollës “Bajram Curri” me 12 për qind. Ndërsa sa i takon rezultateve të dala nga testimi i klasave të pesta, rezultatet më të dobëta i raportojnë nxënësit e Shkollës “Ibrahim Brahja”.

Vlerësimi i shkollave private

I njëjti vlerësim nëpërmjet Kartës së Performacës është realizuar edhe në gjimnazet dhe shkollat 9 vjeçare private që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet. Referuar këtyre institucioneve, listën e gjimnazeve më të mira e kryesojnë Shkolla “M. Akif”, si dhe Shkolla “Ernest Koliqi”.

Ndërsa sa i takon rankimit të shkollave të arsimit të detyruar, lista kryesohet nga Shkolla “Rreze Drite”, ndërsa me rezultatet më të ulëta është “Drita e Dijes”.

Klikoni për të parë renditjen e shkollave 9-vjeçare publike

Klikoni për të parë renditjen e shkollave 9-vjeçare private

Klikoni për të parë renditjen e gjimnazeve publike

Klikoni për të parë renditjen e gjimnazeve private

Klikoni për të parë renditjen e shkollave të Ciklit të Lartë

Klikoni për të parë renditjen e shkollave të Ciklit të Ulët

November 24, 2017 11:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*