Vërtet 7 Marsi qenka festë pa domethënie për shqiptarët?

Alfred Uçi (REPLIKE) September 3, 2014 12:38

Vërtet 7 Marsi qenka festë pa domethënie për shqiptarët?

Duke e njohur mirë e prej kohësh prof. Françesko Altimarin, duke bashkëpunuar me të në të mirë të studimeve mbi historinë e kulturën shqiptaro-arbëreshe, nuk do ta kisha besuar se janë thënë prej tij ca mendime të çartura, që i paska përcjellë gazeta “MAPO” (27.08.2014, f.15). Së bashku me habinë e saj, gazeta, që e dispononte programin e Seminarit të përvitshëm të ”Studimeve shqiptare” në Universitetin e Prishtinës, në të cilin prof. Altimari do të mbante një ligjëratë për 200-vjetorin e lindjes të J. De Radës, por para se të lexonte atë, sipas gazetës, bëri këtë deklaratë: “Unë kam ardhur këtu që të flas për albanizmin, koncept ky i cili nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin, sepse koncepti i albanizmit ka të bëjë me njohjen e rrënjëve të popullit dhe të historisë tënde”. Ishin këto fjalët e para , – na njofton gazeta, – të cilat i hapën rrugën drejt temës së ligjëratës, e cila kishte pësuar ndryshim nga ajo e paralajmëruar në program “Mbi 200-vjetorin e lindjes së De Radës”. Në vend të kësaj teme, sipas tonit ironik të gazetës, “ende pa u shuar debati për rishikimin e kalendarit të festave zyrtare, nëse duhet festuar 28 apo 29 Nëntori, si festa të Çlirimit, apo 5 maji si dita e Dëshmorëve, një festë tjetër vihet në diskutim: ajo e 7 marsit, dita e festës së Mësuesit dhe e shkollës së parë shqip, që, sipas profesorit, të gjuhës shqipe, Altimarit,7 marsi qenkësh një festë pa domethënie për shqiptarët”(?!).

         Unë mendova personalisht se këto fjalë s’mund t’i thoshte një specialist i shquar i studimeve të gjuhës shqipe, ndoshta mund të ishin ndonjë lapsus i gazetarit qëkurse “gabimet e shtypit” kanë fituar “lirinë” dhe i mbushin faqet e tyre me gabime edhe më të rënda. Po ja, profesori ynë i pat shqiptuar, madje, me një zell të veçantë i ka zbërthyer me ca fjalë edhe më të çartura. Parathënies të ligjërimit Altimari i shton rrëfimin për kontributin e At Gjergj Guxetës, si “ideator dhe themelues i qendrës së parë dhe më të vjetër albanologjike”(?!). Altimari e vuri theksin te “prejardhja e arbëreshëve” dhe tha: “Gjergj Guxeta qenkësh “klerik i njohur i asaj kohe, që në një nga këto seminare pati deklaruar “arbëreshët nuk janë grekë, prejardhja e tyre në fakt nuk vjen prej grekëve, por prej epiriotëve dhe maqedonasve”(?!). Më tej: “As maqedonasit e as epiriotët nuk janë grekë, por pushtues të grekëve, krijues të perandorisë greke e për këto arsye quheshin grekë. Këto janë pjesë nga nga fjalimi i Guxeta-s, të botuara në librin “De Albanesium Italia ritibus execolendis ut sibi totique S.Ecclesiae prosint”, vepër që mbeti pa u botuar për më shumë se dy shekuj, për t’u botuar vetëm në vitin 2007’.

Alfred Uci

Alfred Uci

Pika kyçe”, në të cilën u fokusua më tej ligjerata e profesorit, paskësh qenë “Kisha e Napolit, – sipas “Mapos”, – e cila nga Altimari cilësohet si “pika qendrore kulturore e arbëreshëve dhe vatra e rilindjes arbëreshe”. Pikërisht nga kjo kishë në vitin 1744 doli dokumenti i parë zyrtar në gjuhën shqipe, dokument i shkruar nga at Gjergj Guxeta, drejtuar Vatikanit,- shpjegon më tej Altimari,- duke shtuar se “kjo datë duhet të festohet nga i mbarë populli shqiptar e jo datat pa domethënie si 7 marsi, datë në të cilën një sulltan despot pati dhënë lejë që të hapej një shkollë në shqip”- ka konkluduar Altimari. Në mes të ligjëratës Profesori, – thotë “Mapo”- shtoi edhe këto: “Me koka të mëdha intelektuale arbëreshe si Jeronim De Rada, Nikolla Keta, Zef Krispi e Emanuel Bidella u bënë përparime të mëdha në rrafshin politik e kulturor. Në sferën politike këta veprimtarë e dërguan çështjen shqiptare në botë, kurse në atë të kulturës themeluan letërsinë moderne shqipe.”

Nuk e di se si kish vlerësuar “Mapo”, por mua më duket se prof. Altimari me të tilla mendime ka krijuar një konglomerat të madh keqkuptimesh, të pavërtetash, të cilat pretendojnë se janë, sipas tij, një zbulim sencasional. Ose, po shtojmë, mund të jenë një pjesë që i ka mbetur pa e thënë prof. Altimari nga programi i tij, kur miratoi të marrë pjesë si anëtar i Komisionit zyrtar që ish ngritur në Tiranë për të bërë “Reformën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, program i cili e katandisi këtë Akademi në falimentim katastrofik, që tani njihet nga të gjithë, ndonëse nuk janë shpallur zyrtarisht shkaqet dhe fajtorët e kësaj përmbysjeje, që u shëmbëllen tërmeteve të fortë, dëmtimet e të cilëve janë të pandreqshëm.

Por le t’i renditim gjithë “albanizmat” e reja të Altimarit në ligjërimin e fundit të “mendimit të tij albanist”, që nuk e kemi pritur të arrinte deri këtu. Vërtet, nga cektësia jonë, e kemi ditur se dokumenti i parë zyrtar i shkruar në gjuhën shqipe ka qenë “Formula e Pagëzimit”(1462) (“Untë paghesont prementi Atit et birit et spertit senit”), që ishte qarkore zyrtare e Kryepeshkopit të Durrësit Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Dhe pas këtij shkrimi shqip ka pasur mjaft libra të tjerë, që janë përkthyer ose shkrojtur shqip si: ”Fjalorthi” i A. fon Harfit, (1462), “Meshari” i Gj.Buzukut (1555) etj., por ne paskemi gabuar se Altimari ia jep këtë meritë At Gjergj Guxetas (1744) e ca të tjerëve dhe na këshillon që kjo datë duhet të festohet nga i mbarë populli shqiptar e jo datat pa domethënie si 7 marsi, datë në të cilën një sulltan despot pati dhënë lejë që të hapej një shkollë në shqip”.

         Unëpersonalishtdo t’i qëndroj besnik “Formulës së Pagëzimit”, kurse dëgjuesit e profesorit në Seminarin e Prishtinës le ta urojnë prof. Altimarin për “zbulimet” e tij. Nuk bën të pranohet padituria e Guxetas, kur lëshon broçkulla të pavërteta për origjinën e gjuhës të magjishme arbëreshe të De Radës dhe për Kishën e Napolit, ndonëse sajesat e Guxetas e të disa të tjerëve nuk kanë qenë ato që “e dërguan në botë,shkruan Altimari,- gjuhën pellazgjike të arbëreshëve dhe aq më pak formimin e letërsisë moderne shqipe”.

       Sigurisht, me këto që pohuam nuk i quajmë të panevojshme kërkimet e reja shkencore për ta njohur më mirë origjinën e kulturës dhe të gjuhës arbëreshe, siç po e bën mjaft me sukses e seriozitet albanologu i shquar i ri, Mandalá, i cili në një ligjëratë të tij po në Prishtinë deklaronte se nuk bën të tepërohet me kontributet e klerikëve, pavarësisht se mjaft syresh, siç dihet, i janë kushtuar kulturës shqipe, kanë komunikuar me Vatikanin dhe kanë kultivuar edhe poezi në shqipen laike. Prandaj Mandalá konkludon në ligjëratën e tij: “Po kufizohem vetëm të them se nuk kanë bazë teoritë që e shohin Rilindjen shqiptare si meritë të kulturave fetare, që nuk kanë pasur asnjë lidhje me kulturën perëndimore”. Prof. Mandalá ka pjesërisht të drejtë edhe kur pohon se “letërsia arbëreshe u censurua nga regjimi i monizmit”, por censura vepronte edhe ndaj letërsisë në përgjithësi,ndonse pati përkrahje ato kohë botimi i gjerë i letërsisë arbëreshe edhe poetësh laikë, edhe fetarë; faji i censurimit ka qenë edhe përgjegjësi personale e atyre letrarëve që e merrnin përsipër vullnetarisht të bënin redaktime të gabuara nga mungesa e dijeve letrare e historike ose për të nxjerrë përfitime personale nga regjimi.

Personalisht e di mirë se kur kam qenë Drejtor i Institutit të Kulturës popullore, nuk censuroheshin dhe në numrat e parë të revistës “Kultura popullore” botova, pa marrë lejë nga askush, poezitë e bukura të një prifti arbëresh atdhetar, më duket mik i studentit Altimari. Dhe në përgjithësi vite me radhë kemi patur një bashkëpunim të shumanshëm e të frytshëm të ndërsjellë me studiuesit e komunitetit arbëresh, që nuk harrohet. Asnjë numër i revistës nuk dilte pa trajtuar probleme të Gjuhës dhe të kulturës të arbëreshëve dhe shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë. Unë kam mall të sinqertë për atë kohë bashkëpunimi edhe me veprimtarinë e shoqatës jofitimprurëse “Lisi i Arbrit”që vazhdon të punojë për këto qëllime fisnike.

***

Shtojca e ligjëratës të prof. Altimarit në Seminarin e Prishtinës, i bënte edhe më të ashpra sugjerimet e tij, sidomos, duke folur për kuptimin dhe kufijtë e shtrirjes kohore të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve. Fjala “Rilindje” në emërtimin e temës të Altimarit kishte marrë numrin shumës, për t’u bërë kështu “rilindjet arbëreshe” – dyshe, sepse, sipas Françesko Altimarit, “në histori kemi pasur dy rilindje arbëreshe, të cilave u paraprijnë seminaret italo-greke arbëreshe që u quajtën inkubatorë ideologjikë të mendimit albanist. Rilindja e parë arbëreshe daton qysh në vitin 1780, pra, Rilindja arbëreshe ndodhi një shekull para Rilindjes shqiptare”-shprehet Altimari.

Ka kohë që në studimet e tij prof. Altimari ka ngulmuar të largohet nga dy-tre data “të shenjta”, nga 1847 të “Canti di Milosao. Figlio del Despote di Scutari, Napoli”, që kish vargjet ungjillore profetike qysh më 1836: “Erdh’ Dita e Arbrit”, dhe nga gazetat e para shqiptaro-arbëreshe “L’Albanese d’Italia” dhe “Flamuri i Arbërit”, edhe nga kryevepra teorike e De Radës PRINCIPII di ESTETECA” e botuar në italisht në Napoli, jo më 1862, po më 1861. Në shqip, siç e ka dashur De Rada, u botua më 2003 prej meje, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes të J.De Radës, kurse këtë vepër italo-arbëreshët tash vonë e disponojnë vetëm italisht ?! Unë ua dhurova edhe italisht, edhe shqip. Ka edhe shumë fakte e vepra të tjera të De Radës dhe të atyre arbëreshëve që bashkëpunuan me rilindasit shqiptarë, të cilat në studimet shqiptare gjithnjë janë çmuar lart, si pjesë të pandara të kulturës kombëtare rilindase të shqiptarëve. Në studimet shqiptare njihet mirë kontributi i kolegjeve të S.Benedeto Ulanos dhe të S.Adrianos, ku mësuan gjuhën shqipe intelektualë arbëreshë, po edhe shqiptarë, si A.Xhuvani, Luigj Gurakuqi e atdhetarë të tjerë. Por vetë De Rada për historinë e këtyre kolegjeve, ka theksuar se Qeveria diktatoriale e Napolit “e katandisi kolegjin sikur të ishte burg e jo shkollë, duke caktuar mësues të pazot, të cilëve u mungonte ngritja e duhur profesionale për të kuptuar aspiratat e shekullit”, kurse Altimari i quan “inkubatorë të mendimit albanist”. Megjithkëtë, De Rada ka qenë jo vetëm nxënës, por edhe profesor i shkëlqyer i Kolegjit të famshëm të S.Adrianos me një kontribut të madh historik të paharruar rilindas.

Prof. Altimari theksin e vendos në një mendim të turbullt, kur thotë se Rilindja e parë arbëreshe ndodhi një shekull para Rilindjes shqiptare”. Ky është një mendim antihistorik i gabuar, që nuk e ka bërë kurrë ndonjë historian shqiptar, të cilët e shikojnë zgjimin jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të arbëreshëve në lidhje e vartësi të ndërsjelltë, sepse ai varej si nga zhvillimet e brendshme kombëtare të popullit shqiptar, ashtu edhe me ato të Italisë, madje edhe të Europës. Tek ne, kur flitet për “Rilindjen arbëreshe” merret në konsideratë edhe interesimi i De Radës, por edhe i gjithë arbëreshëve të tjerë, se si e kur zhvilloheshin kryengritjet antiosmane të shqiptarëve dhe ç‘bëhej me “Lidhjen e Prizrenit”, por për ta kishte rëndësi edhe ç‘bëhej në Itali, nëse arbëreshët i mbështesnin apo i luftonin pushtuesit Burbonë, ose ushtritë e Napoleonit, të Austro-Hungarisë, madje edhe kërcënimet e rreziqet që ishin të gjalla nga Perandoria Osmane kundër lirisë e pavarësisë të Italisë. Shqiptarët kudo ku ishin ato kohë, nuk bënin sehir, nuk u luteshin osmanëve, por i luftonin; shqiptarët arbëreshë bashkoheshin me kryengritësit e Garibaldit, mbështetnin luftën për Unitetin demokratik të shtetit italian. Sipas nesh, De Rada i ka patur parasysh si zhvillimet e brendshme të Italisë, por edhe të Shqipërisë, edhe të perandorisë osmane, të “shtetit osman të hatasë”, sipas shprehjes së I. Kadaresë. De Rada, si edhe fëmijët arbëreshë që ndiqnin shkollat italishte, se shkolla shqipe nuk kish aty gjatë Risorxhimentos italiane; ata mësonin krijimtarinë e mrekullueshme të poetëve të klasikës helene, romake e italiane, por njiheshin edhe me historinë, me dyndjet e barbarëve, me errësirën e Mesjetës, me marrshimet e kalorësisë fetare e grabitëse, me veprat kriminale të Inkuizicionit ose me Iluminizmin Europian, me revolucionet demokratike borgjeze të Anglisë dhe ato të Francës, prej tyre nxirreshin mësime edhe për të ardhmen e tyre, madje edhe për fatin e të ardhmen e bashkësisë italo-arbëreshe, që s’ishte e pakët dhe pa rëndësi për fatet e Italisë.

Studiuesit shqiptarë gjithmonë kanë çmuar bashkëpunimin e ndërsjelltë të De Radës e të intelektualëve të tjerë italo-arbëreshë me rilindasit e mëdhenj të Shqipërisë, që kanë marrë dhe i kanë dhënë njëri-tjetrit, me Naum Veqilharxhin (Evetari i 1846 dhe “Enciklika” që ndoqi abetaren e parë të shqipes), me vëllezërit N., S., A., Frashëriotë, Pashko Vasën, Jani Vreton, Thimi Mitkon, Dora D’Istrian, H. Tahsinin, Gj. Qiriazin, Thanas Tashkon, Y.Prizrenin, S.Vokshin, H.Zekën etj. etj. Rilindja Kombëtare e Shqipërisë ka qenë një e përbashkët për gjithë pjesëtarët e kombit shqiptar (1830-1912), pavarësisht, ku jetonin e vepronin, në Stamboll, Bukuresht, Aleksandri, Prishtinë e Shkup, Sofje, Kalabri, Siçili, Greqi, SHBA e gjetkë. Ja fjalët e De Radës të thëna në prag të zhvillimit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878: ”Nuk ka ndonjë komb tjetër, që t’i ketë shprehur aq bukur në poezitë popullore bëmat e tij trimërore se sa Atdheu ynë i rrëzuar, poezitë e të cilit janë këngë të thjeshta, por plot frymë shqiptare e dashuri të fortë. Bukuria e këtyre poezive të atij populli, që qëndroi si mburojë e Europës të kanosur nga otomanët” (410). De Radës nuk i humbi besimi në të ardhmen e Shqipërisë edhe pas disfatës së “Lidhjes së Prizrenit”, kur shkruante: “Për Shqipërinë, kah e cila janë drejtuar gjithmonë sytë tanë, edhe vepra me poezitë arbëreshe kanë qenë gjithmonë të gatëshme sa herë kur vendi i tyre sulmohet nga armiqtë, nxiteshin ata të hidheshin të fuqishëm dhe krenarë në luftë, duke pasur bekimin e fisit të vet”. Më 1886 De Rada botonte betimin e shenjtë të arbëreshëve, si pjesë të pandarë të platformës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: “Edhe sikur të na falnin tërë botën,/ne nuk u shërbejmë interesave të huaja/në dëm të kombit, bij të të cilit jemi”. (“Flamuri Arbërit”, 1886, nr.6, faqe 2).

Kuptohet se mjaftojnë vetëm dy-tre citime nga fjalët e De Radës, për të mos e pranuar përpjekjen për t’ia kundërvënë Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë Rilindjen arbëreshe në njëjës të shek.XIX, kundërvënie që nuk ka të bëjë me pasurimin shkencor të historisë, por me një “thashethemnajë” që nxit dhe ushqen përçarje, grindje, nacionalizëm të vonuar, që godasin lidhjet e natyrshme, e të pamohueshme midis Rilindjes arbëreshe dhe idealit demokratik të unitetit të kombit shqiptar.

E dyshimtë është për mua edhe “rilindja e dytë arbëreshe” nga që nuk mund të përligjet me ca fakte të kufizuara të At Gjergj Guxetas. Koncepti “Rilindje” në përgjithësi nënkupton një veprimtari të gjerë, të shumanshme e të vazhdueshme politike e ushtarake, historike e kulturore, arsimore e gjuhësore për një kohë të gjatë të gjithë kombit, një kthesë për mbarë të gjithë anëve të jetës dhe të historisë dhe jo “copra-coprash” të kombit.

Por le t’i renditim edhe “albanizmat” e reja të Altimarit në ligjërimin e fundit të “mendimit të tij albanist”, ndonëse nuk e kemi pritur të arrinte deri këtu, kur shtrembëron të vërtetën historike përse dhe kur u çel shkolla e parë shqipe, por edhe festa e arsimit shqip e 7 Marsit. Sipas Altimarit, çelja e shkollës së parë shqipe qenkësh një lloj “dhurate”, që u paska bërë shqiptarëve “Sulltani despot i Turqisë”.

Ajo shkollë ishte modeli i parë i mishërimit të ideve të platformës së Rilindjes kombëtare në arsimin shqiptar. Krijimin e kësaj shkolle e përgatitën ideologët e Rilindjes Kombëtare, duke përsosur abetaret e alfabetin e shqipes, librat shkollore në shqip. Altimari e di se lejën zyrtare për të hapur shkollën e Korçës e pat siguruar poeti Naim Frashëri, që pat vënë firmën e tij personale, atij Naimi, të cilit dikur, Altimari i pat kushtuar një vepër studimore serioze, kurse tani ia dhuron meritën një tirani anadollak dhe e harron Poetin që i këndoi poezi të magjishme çeljes së shkollës shqipe në vitin 1887 dhe gjuhës shqipe: ”Lumja ti, moj Korç‘o lule/q’i le pas shoqet e tua,/Si trimi në ball u sule,/Ta paçim për jetë hua…/Gjuha jonë sa e mirë!/Sa e ëmbël, sa e gjerë!/Sa e lehtë!Sa e lirë!/Sa e bukur!Sa e vlerë!”.Nuk pat qenë ngjarje e rastit që drejtor i saj u caktua Petro Nini Luarasi, i cili kish çelur pa lejë zyrtare, me inisiativën e vet shtatë shkolla qysh më 1882, në të cilat mësohej shqipja në fshatrat e Kolonjës, por shkolla e Korçës ishte model i arsimit kombëtar modern europian. Kur përpiqet të diskreditojë shkollën e festën e arsimit shqip, ne i kujtojmë albanologut arbëresh se nuk është as i pari, as origjinal në përbuzjen e kësaj date e feste të arsimit shqip, se e kanë bërë para tij dhe vazhdojnë ta bëjnë, veglat e shovinizmit grek, këtë punë e kanë bërë dhe e bëjnë ata, tre dhespotët e Greqisë që kishin vrarë Papa Kristo Negovanin, që mallkuan Petro Ninin dhe e helmuan, duke dashur t’i heqin gjuhën shqipe si shkollës shqipe, ashtu edhe Kishës autoqefale të Shqipërisë. Prandaj thuhet tek ne se “shkolla shqipe ka lindur me gjakun e mësuesve atdhetarë shqiptarë”. Kur e kërcënonin se do ta vrisnin, Petro Nini u përgjigjej: ”Nëqoftëse më vrisni, ruajeni gjakun tim, që me të të shkruajnë gjuhën shqipe fëmijët tuaj”. Petro Nini ishte një rilindës trim, hero që thoshte : “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”. Krijimi i arsimit kombëtar nuk ishte thjesht dëshirë e një mësuesi shqiptar, por ishte kërkesë e Rilndjes Kombëtare, e gjithë popullit shqiptar, që luftonte për lirinë e pavarësinë e vendit, që i bashkonte shqiptarët e krishterë, ortodoksë e katolikë, myslimanë e bektashinj, besimtarë e laikë, në unitet duke i begatuar besimet e ndryshme me fenë e përbashkët të shqiptarizmës, sipas shprehjes të rilindësit katolik Pashko Vasës.

Këto e fakte të tjera jemi të bindur se prof. Altimari i di: Kur e përse u caktua një festë për mësuesinë dhe shkollën e parë shqipe; por është e turpshme ta bëjë tani autor sulltanin despot të Turqisë. Këtë festë e ka përshëndetur edhe prof. Ferrari, kur jepte gjuhën shqipe në Universitetin e Barit. Çelja e shkollës shqipe ishte një e drejtë e pamohueshme e një kombi të robëruar, siç ishin shqiptarët gati pesë shekuj nën sundimin e Perandorisë osmane dhe vetëm vendosmëria e shqiptarëve për ta fituar këtë të drejtë e detyroi Perandorinë e Hatasë t’ua njohë këtë të drejtë shqiptartëve, ashtu si nga lufta e tyre çlirimtare u shtrëngua t’ua njohë edhe pavarësinë shqiptarëve më 28 Nëntor 1912. Kanë qenë dëshira e madhe për liri e arsim e kulturë kombëtare dhe kryengritjet e pandërprera të shqiptarëve, ka qenë platforma e madhërishme e Rilindjes Kombëtare që i përgatiti shqiptarët të kultivonin edhe nën hijen e zymtë të kullave perandorake të sulltanëve e diktatorëve të huaj e të vendit, por edhe e shqiptarëve të kolonive emigrantë të Stambollit, Sofjes, Bukureshtit, Aleksandrisë, të arbëreshëve të Kalabrisë e Siçilisë, Prishtinës e Prizrenit, të Tetovës e Gostivarit, të Siçilisë e emigrantëve në SHBA e gjetkë. Shqiptarët me të drejtë krenohen se në kushtet më të vështira të mundshme, në kushtet e pushtimeve nga agresorët e huaj, por edhe të izolimit total të monizmit, populli ynë zhduku analfabetizmin, që më 1944 gati 85 përqind e popullsisë ishte analfabete dhe krijoi një sistem modern arsimor të të gjitha niveleve, krijoi institucione shkencore e teknike, që janë mbështetje për t’u futur sa më parë në Bashkimin Europian e në qytetërimin modern botëror. Prandaj, më ka habitur albanologu i mirënjohur arbëresh që qenkësh shqetësuar për festën e 7 marsit! Festa nuk u bë me ndonjë urdhër të ndonjë diktatori, por për shkak të gëzimit që e kishte tashmë këtë sistem që mbulonte gjithë nevojat e vendit në zhvillim. Këtë festë e kërkonin, pas një diskutimi të lirë demokratik mbarëkombëtar mësuesit e profesorët, familjet e nxënësve e të studentëve universitarë. Altimari mund të njohë gjithë emrat e atyre intelektualëve e shkencëtarëve që ishin iniciatorët e zhvillimit të kësaj feste, e cila nuk i sjell popullit asnjë dëm, por, përkundrazi, është stimul që arsimit t’i kushtohet vëmendje më e madhe nga drejtuesit e sotëm të shtetit, për ta ngritur më lart nivelin e tij cilësor, për të ndihmuar me arsimin e kulturën kombëtare të shpejtohej përfshirja e vendit në Bashkësinë Europian, në qytetërimin e sotëm demokratik botëror. Eshte absurde kërkesa që kjo festë të zhduket, duke e shpallur si fillim të arsimit shqiptar, diçka që nuk ka ekzistuar dhe që na kthen drejt Mesjetës, shek.18.

Në vend që të mohojë vlerat e Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, do t’ishte mirë të na thuhej se përse nuk po zbatohet në qytezat e fshatrat arbëreshe të Italisë ligji i të drejtave të gjuhës amtare i “pakicave linguistike”, që e pati firmosur, në emër të Qeverisë italiane edhe prof. Altimari: Përse nuk po zbatohet për shkollat e komunitetit arbëresh? Ka ndodhur që në Shqipërinë Demokratike vijnë politikanë e deputetë nga Bashkimi Europian e pyesin për gjendjen e respektimin e të drejtave të pakicës etnike greke, por nuk dëgjojmë të ngrihen zërat e qeverive, parlamentit, partive politike italiane për të drejtat gjuhësore të arbëreshëve, kur aty s’ka asnjë qendër televizive të flasë shqip, të pasqyrojë gjendjen dhe të drejtat e kësaj pakice, pale pastaj për emigrantët, që përbëjnë gati gjysmë milion, që s’kanë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë edhe gjuhën amtare se italishten e mësojnë vetë.

Në fund, i drejtohem mikut tim të hershëm, prof. F. Altimarit se ndoshta do ta ndihmonte të mirëkuptoheshim më mirë për problemet e ndërlikuara që ka ngritur në Seminarin e Prishtinës, po të lexonte dy-tri libra të mi, që ia kam dërguar atij e që kanë të bëjnë me këtë tematikë dhe jemi të gatshëm t’i diskutojmë seriozisht në aktivitete shkencore të përbashkëta, për të konsoliduar pikëpamjet shkencore, ashtu siç kemi pasur edhe më përpara mirëkuptim:

1) Jeronim De Rada “Parime të Estetikës” Përgatitur për botim në shqip nga Alfred Uçi, me rastin e 100-v jetorin e vdekjes të J.De Radës. Tirana, Globus

2) Petro Nini LuarasiMendimtari martir i Rilindjes kombëtare (1865-1911) (Jetëshkrim, Studime, Vepra).Përgatitur nga A.Uçi, Tirana, Toena.

3) Alfred Uçi – Da un secolo all’altro. Cento anni di storia d’Albania. Edizioni Orizzonti Meridionali,2012. Cosenza.

Alfred Uçi (REPLIKE) September 3, 2014 12:38
Komento

14 Komente

  1. Thanas Mustaqi September 3, 17:00

    Pershendetje Profesor!
    Gjithmone i kthjellte!
    Ju admiroj.

    Reply to this comment
  2. Cobani nga Kurveleshi September 3, 17:13

    Profesor Uci!
    Nuk i luan as topi i allamanit vleresimet e tua per shkallen shqipe dhe Rilindjen. Te lumte

    Reply to this comment
  3. xhaja September 4, 07:35

    Profesor Ju lumte dora. Prof. F. Altimari duhet te kuptoje qe ka ardhur kohe te shkunde pluhurin qe ka zene katedren e gjuhesise ne Universitetin e Kozences. Fakulteti i Gjuhes shqipe thith jo pak fonde nga shteti italian por prodhimi i ketij fakulteti eshte skarco kur mendon se ne sportelet linguistike ne fshatrat arbereshe ose mungojne kopetentet ose gjen njerez qe te pergjigjen italisht kur te pakten duhet te flasin arberisht dhe jo me shqip per te cilen gjuhe pretendon Ky se i meson studenteve. Megjithese ne kete drejtim ka nje non sens pasi une mendoj se duhet te mesohet ne fillim arberishtja autoktone ne shkollat elementare dhe te mesme. Pervec pyetjeve shume te vyera te bera nga Ju profesor une me modesti do te shtoja Sa studime krahasimore kane bere studentet e Universiteti te Kozences fillimisht per dialektet e fshatrave dhe mundesine e pastrimit te leksikut te italianizuar nepermjet ulumtimeve ne moshat e thyera qe jane jo pak (pjeqte dhe pjakat sic thuhet ne arberisht). Mendoj se ” detyrat ” e lena nga Ju profesor duhet ta prokupojne shume Prof. Altimarin duke u bere me i thjeshte se sa te provokoje me ndryshime datash se ata qe skaliten me gjak keto date jane ne majen e olipimpi te gjuhesise dhe jo ne Lumarinen e shen mitrit ku u le franco i Altimarit.

    Reply to this comment
  4. mersin September 4, 09:14

    Thellesisht i qarte dhe i sakte si gjithnje profesor. Do te deshiroja shume qe te rimerrni Akademine tone te Shkencave dhe jo vetem ta ringrini ne vlerat e saj te dikurshme,por ta beni nje institucion shkencor modern ne pershtatje me zhvillimet e kohes

    Jete te gjate dhe mendim te kthjellet!

    Reply to this comment
  5. dardan September 4, 13:32

    SHTATE MARSI ESHTE FESTE ME SHUME DOMETHENIE, POR SHKOLLA E PARE SHQIPE ESHTE HAPUR 340 VJET ME PARE.

    Shtate marsi nuk eshte feste pa domethenie dhe si dite e mesuesit permban simboliken e perpjekjeve per arsimin shqip, por mos te festohet si dita e shkolles se pare shqipe, kur dihet se ne vendin tone ka patur shkolla shqipe qe ne vitin 1632.
    Qe ne vitin 1985, ne Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ku Uçi ishte ne komisionin pergatitor eshte futur si ze me vete shkolla e Kurbinit, si shkolla e pare ne gjuhen shqipe.
    Pse atehere zoti Uçi e perdor konceptin “shkolle e pare shqipe” edhe 340 vjet me vone, duke na kaluar drejtperdrejt ne Afrike, sepse asnje komb europian, i vjeter, apo i ri nuk e ka shkollen e pare 130 vjeçare. Keto standarte gjenden ne Afrike, ne vendin e zuluve.
    Ka shuma motive, aresye, shqetesime pse veprohet kunder percaktimit shkencor per shkollen. Qenia shkolle fetare ne shqip nuk mund te sherbeje si alibi qe te mos quhet shkolle shqipe. Shkolla fetare shqipe dhe shkolla shqipe, kur ato perdorin gjuhen tone tregojne te njejten gje.
    Deri ne shekullin XIX, pra dhe ne periudhen kur u hap shkolla e Korçes, shkollat ne Europe, kryesisht kane patur karakter fetar, madje arsimi fetar edhe sot ne Europen e shekullit XXI eshte shume i zhvilluar.
    Te gjithe shkollat e para ne gjuhet vernikulare (e popujve) kane qene fetare. Te gjithe universitetet e para europiane kane qene fetare. Ne nuk kemi bere perjashtim nga kjo prirje.
    Çfare e shqeteson Alfred Uçin, i cili nuk tregohet i sakte ne terma, dhe e perdor per shkollen e Korçes konceptin “shkolle e pare shqipe”, ne vend qe te percaktohej me qarte se shkolla e Korçes ishte e para shkolla laike shqipe. Vetem kaq, por per historine tone kjo ka rendesi te madhe dhe veç per kete ia vlen qe dita e hapjes se saj te nderohet si dita e mesuesit.

    Profesori i nderuar nuk ka pse shqetesohet se te arbereshet ndjenjat kombetare u zgjuan nje shekull para se kjo te ndodhte ne Atdhe. Nuk ka si te ndodhte ndryshe. Rilindja shqiptare qe Uçi perpiqet te na binde se u formua ne Atdhe, te arbereshet u formua njeqind vjet me pare, pastaj dhe ne Rumani, Bullgari, Misir, madje dhe ne Stamboll te Turqise. Ne Shqiperi fryma e Rilindjes u vu ne zbatim, ndersa veprimtaria rilindase kryesisht u zhvillua jashte vendit.
    Rilindja Kombetare Shqiptare ka qene levizje kulturore, si e te gjithe europianeve te tjere. Per kushtet e Shqiperise ajo levizje ka ndikuar ne krijimin dhe forcimin e nacionalizmit shqiptar. Por, si dukuri mbare europiane, e ftilluar ne nje vend europian, siç ishte Italia, fillimisht kishte te bente me ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor te arberesheve dhe te shqiptareve ne teresi.

    Natyrisht me Rilindjen e pare arbereshe te shek. XVIII, tezat e Alfred Uçit qe Rilindja Kombetare Shqiptare u formua kryesisht ne gjysmen e dyte te shekullit XIX bien poshte.

    Dhe ne fund po shtroj pyetjen: Pse kur flitet per Rilindje Kombetare te shqiptareve nuk merret ne konsiderate Kuvendi i Arberit, me vendimet e te cilit u hapen shkolla shqipe qe zhvilluan vetedijen kombetare te shqiptareve?!

    Reply to this comment
  6. Petro Luarasi September 4, 15:54

    Akademiku Alfred Uçi është parimor.
    Mësonjëtorja shqipe e Korçës është E PARA SHKOLLË SHQIPE me platformë mbarëkombëtare e laike, ku gjithë mësimet jepeshin shqip, financohej nga atdhetarëshqiptarë, me tekste të idealit rilindas, me nxënës pa dallim feje e gjinie. Ajo ishte dhe mbetet pararoja e simboli i shkollës moderne shqipe, kombëtare e laike ku kalitet ndërgjegjia dhe uniteti i kombit shqiptar.

    Reply to this comment
  7. varthi September 4, 18:57

    Megjithëse ligjërata e prof. Altimarit nuk është botuar, të paktën në gazetat këtu, në veprimtaritë që kanë zhvilluar prof. Altimari e prof. Mandalaja në Universitetin e Gjirokastrës, ideja e tyre ka qenë që rilindjes kombëtare i ka prirë një “pararilindje” arbëreshe. Kështu e kuptuar, kjo ide nuk më duket e gabuar. Sepse arbëreshët, duke filluar me Lekë Matrangën e duke vijuar me Nikollë Ketën, Gjergj Guxetë, Engjëll Mashin dhe kolegjet arbëreshe kanë lujtur një rol tërëndësishëm në lëvizjen kulturore shqiptare. I gjithë prodhimi letrar arbëresh i shek. XVI―XVIII dhe fillimi i shek XIX buron nga ndjenja e fortë e dashurisë së kësaj diaspore për dheun mëmë. Pa këtë lidhje me Arbërinë, arbëreshët do të ishin asimiluar, siç ka ndodhur me diasporën greke të Italisë. Këtu mendoj se gabon prof. Altimari. Arbëreshët kanë qenë pjesë e kombit shqiptar, përndryshe përse duhej një rilindje arbëreshe? Për të fituar lirinë nga kush? Ata nuk ishin të pushtuar, po ishin shtetas të mbretërisë së Napolit.

    Reply to this comment
    • Pëllumb zaimi September 5, 11:50

      Kthjelltësia dhe thellësia e prof. Uçit edhe në këtë moshë të shtyrë të tij gjithnjë më ka habitur dhe më ka ngjallur admirim? Nderime profesor nga lexuesi yt i hershëm e pasionant i “Labirinthe të modernizmit”!

      Reply to this comment
  8. labinot September 5, 13:41

    Shteti shqiptar,ose shteti ame, ka qene ose teper i dobet,ose teper indiferent per te ndihmuar diasporat shqiptare kudo ku jane.(Greqi,Itali,Bullgari,Ukraine,Kroaci,Turqi)Nuk po i quaj diaspora pjeset integrale te tokes ame Kosova,maqedonia,malesia dhe bregdeti i Malit te zi,Cameria,per te cilat shteti ame ka te tjera kusure. Flitet per nje diaspore ilir-folesish ne Pakistan,ku kane realizuar dokumentare Amerikane,engleze,greke bullgare,vetem nje televizion shqiptar,nga keto,qe extrapaguhen me taxat tona nuk ka qene atje!Merrni shembull nga greket!Nje diaspore mjerane me 30 mije banore kane ne Dropull dhe jane gati te bejne greke gjysmen e Shqiperise,Nuk kane lejuar asnje shkolle elementare per 2 milon arvanitas dhe 150 mije came te greqise,por kane detyruar shtetin shqiptar te mbushe Shqiperine me shkolla greke edhe atje ku s`ka greke.Nuk egziston asnje platforme te mbrojtjes se vlerave gjuhesore,etnike,zakonore,folklorike,etnografike per diasporat shqiptare
    ne shtete te tjera.Ne Shqiperi nuk botohen texte shkollore per ta.Edhe ne momentet te krizes ekonomike,Greqia dergon mijra ton libra pa pagese(Vec pensioneve vorio epirote dhe Homogjeneve)Ndaj mos u habisni kur diasporat shqiptare nje dite te afert te assimilohen krejt dhe te na shkruaje beni ose ilia se per dy-tre shqipfoles nuk do te hape shkolle qeveria greke(!)

    Reply to this comment
  9. ARBERI DR.sekretbdabulla September 6, 03:59

    Une jam 80% dakord te shkojn me tej shkolla e gjuhes shqipi bile perapa
    mesharit gjon buzukut 1555.
    Duka ka mesur gjon buzuku ne nje mesus apo prift ,frate ,fetar shqiptare.
    Gjuha shqipe esht me e vjetra ne europe e esht se paku “12.500 vjet me pare”
    “gjuha e zotit”,”Nena e gjuhve” (Profxhuzepe katapaono,Aref Mathieu Akademik R.qosja. dijetar Dhimiter Pilika,Akademik K.Frasheri,Dr.Elena Kocaqi)
    Jo nder me te vjetrat por me e vjetra ,jo hindo europjane,por Pellazgjke,Ilire,
    Thrake,epirote, Arberia e Shqiperia_albania.
    Ani pse shkollat kan qen fetar ato kan patur shume deg vec teologjise dhe
    filozofine deg teknike9Shif studjusi Isuf B.Bajrami).
    Nuk kemi pse ti mohojm .
    Une kam shkruar nje mendim -komentte nje gazet kosovare dhe nuk u
    botuan jo vetem ate per gjuhe por ase tjetrin per gazetarine pse ber kritika
    per nepotisem,e supereltiva.
    Piramida (Ne bosnje) me e madhe dhe me e vjetra e Ing .arkelog
    samilri verteton
    lashtesin 30.000 vjet me pare.
    Gjuha dhe kultura,folklori,zhvillim industrial, Thrako-Ilire esht asimiluar,
    pervetsuar dhe fallsifikuar e nje popolli para HELEN.
    Ne falkte Elena esht fisite Ilire,lufta e trojes esht nder shqiptare
    (ndemjet fiseve) dhe lufta e ndrije esht nder shqiptare .
    Grekrit e kane marr nga shekulli IV-V dhe dergojn ne shekulli
    (Periudhen “Time dark” periudha e errte e tyre.
    periushe errte Tima darke 1200-800.

    Reply to this comment
  10. Lexuesi. September 6, 08:58

    Nga pozitat e nje lexuesi te thjeshte qe kupton artikulimin normal ne gjuhen shqipe, shoh ketu dy linja, njeren shkencore te prof A.Uçit dhe nje amatore,”patriotike-krahinore”te te tjereve. Referojuni konceptit unik te kultures boterore mbi shlollen e pare kombetare dhe do te menjanoni si te tille shkollat e shkollezat te ngritura per qellimet te ndryshme tregtare,fetare. Nen sundimin e romak ishte nje shkolle ne Apoloni,ku pat studiuar edhe Cezari, por nuk besoj se ka aq studiues naive sa ta quajne shkollen e pare shqiptare, as akademine e Voskopojes, as te Delbnishtit te Kurbinit,as te Pdhanes e te tjera si keto te radhes..Nuk dua te cenoj parapelqimet e askujt,por besoj ne kriteret qe perdor bota se shkolla e pare kombetare eshte ajo qe perfshine tiparet e kombit: vendin, gjuhen prinderore e boten shpirterore. Sekularizmi ka qene dhe mbetet tipari kryesor permbajtesor i atyre qe quhen shkolla kombetare.

    Reply to this comment
  11. ARBERI DR.sekretbdabulla September 6, 18:33

    M fani
    Korektim i vockel
    arkeologu,Ing. DrSemier Osmonogic Boshnjak punon ne amerik dhe ben studime arkeologjike

    Reply to this comment
  12. ARBERI DR.sekretbdabulla September 7, 03:31

    Alfredi qe nga vitet pesdhjet esht student i Marksizem leninizmit.
    i bruimosur me fillozofin M.- udhehoqi katedre e M-L e PKSH per dekada te tera.
    Ai ate ideologji te partise komuniste sepse edhe ne krye te shtetit ishte nje gjimnaziste nga Korca.
    Len pastaj te gjith soj e sorollopi i Koci Xoxes.
    Kur kemi bere letersin e degjojsha se gjuha shqipe esht shkruar nga Buzuku.
    Thonja po pse themi shkolla e par esht hapur me 7 mars 1887??????.
    Pastaj u lidhen 7-8 marsi dita e mesusit dhe e gruase dhe u bene udhetare ne cdo pervejtore.
    Eshte pak veshtire te shkeputesh nga nje tradite 50- e 70 vjecare
    e kuptojm se M=l ka lene gjurme te thella.
    Dicla esht dhe lokaliste dhe krahinore.asgje nuk i ule vlerat e korce si qender arsi,ire.kulturore e qytetrimi.
    Tani shifen ka dy tendenca

    Shkollat jan hapur ne shkoder,Mirdite Prizren perpara 1887.
    rreziku esht pse te humbin kjo e 1887.
    Jam dakord shuem e nuk jemi mesuar me prejardhje e kultures .
    Edhe sote ne SHBA ka shkolla fetare ku shkojn studentet e “ARISTIKRACISE” te privilegjuarit qe kane edhe nje bucet shume te mire.
    Studentet kan uniformen e shkollave.
    Per cudi kur kam shkuar ne nje varrim te nje shqiptari qe kishte vdekeur aksidentalisht dhe e kishin mbajtur ne Momog 7-8 muaje :Ketu nuki varrosin njerzit e pa identifikuar./
    Une rastsisht u bera deshmitar qe esht shqiptar Nuk disha asgj per te vec quhej – Imer Tahir Kibja pra ne formular shkrova emrin i babajt tahir dt.l. afersisht 1922 dhe asgje tjeter emri nenes?? ,ku ka punaur? kur esht arratise? ,kur ka ardh ne amerik? etj Jo,Jo.Doli problemi i varrimit
    Arkivoli ,varri,transporti.Une nuk kisha asnje te ardhur pa dokumenta:
    Mora telefon 4-5 vende nuk me ndihmuan me perjashtim te Pubblicistit Gjek gjonlekaj e shoqata motrat gjiriazi Dr.Ana kohen e shqipet -malushi e biba.

    Shpenzimet i moren persiper dy xhamite e Brooklynit dhe e state island .
    Perfundimisht e varrosi xhamila e -ishullit.
    i autorizova qe ta merrnin kufomen por ju thash me tergoni ditet e daten ore e varrimit se do vij dhe une.Ska nevoj me thane .Jo ,jo do te vij.
    Ata u treguan korrekt Imamet.shkova ne ishull e prej andaj tek varrezat 2 ore larg
    Kur u kthyem me than a do ta vizitosh qendren kulturore te xhamise???.
    Mendova c qender kulturore lka xhamija???
    Po ju thash me gjith qef.
    Me shoqeruan 2 imame.
    Shikova klasa per nxensit para shkollor.salla shume te bukura me parket e shtruar me tapet.
    Lodra , kukulla,filma kompjuter etj.
    Me deguan ne klasat e shkollel fillore Tavilina te ulta karrige te vogla dhe anekse te shtruara ku meson sic i thami ne per toke.
    7- vjecarja me moderne.
    E mesmja super moder cdo student. kompjuter ne tavolin.
    Salla mbledhjesh salla koncerti sall per e per burra per ritet fetare.
    Une shtrova pyetje cfar gjuhe mesoj
    Shqip,anglisht
    dhe Turqisht
    Mesimi ne c far gjuhe jepet?
    Ne turqisht.
    Po keta student sikur qarkillojn familjet a u njfet kjo shkolle Fetare.Po me thane ne te gjith amariken esht e unifikuar dhe vazhdoj studimet rregullisht ne ate klas qe jane ketu.
    Ja thash ne i percmojm shkollat fetare.
    ghat kohes erdhi dhe nendrejtoresh e shkolles vetem hecte me ne e degjonte nga nje her fliste
    Ne perfundim i thash ju jeni arsimtar??
    jo tha jam nendrejtoresha.
    por me fal ne nuk u a japim doren meshkujve
    Ska rendesi per mua
    vetem a mund ta di pse nuk jepni doren meshkujve.
    Sepse tha dhenja e dores mund te provokojn femren.
    Flitet se ne shqiperi shkollat kane qene fetare
    Por bota i ka patur shkollat fetare gjikund .
    Une kam njohur Hoxhollar qe kan mbaruar shkollem ne stamboll.e kan ber dhe dege teknike.ne shqiiperi kan qen Mekanik,agronom te shkelqyere,
    Jam shume dakrd me diskutantin qe ne europe e ne bote shkollat fetar kane qen zanafille
    Shume njerz kane mesaur ne shkolle nga prifti mesue e hoxha mesuse ose mesuse private.Por esht mentaliteti qe pse ta ndyshojm 1887.Jmi strikt.
    Nijeri permend bibloteken dhe akademin e Konstandinopojes.Medomosdo.
    po a nuk esht krenari.studmet mund te nxjerrin gjera te reja e ne nuk do rrim strikt vijes M_L 50 vjecaree.Te perulemi para greqise e Serbise.
    Tani po kritikohet ashper metoda e alfred Ucit per universitet .dmth brada 10 vjetve

    u shue gjith arsimi i ALFREDIT u mbyllen 17 universitet e disa shkolla te mesme e kushe sa deri ne fune te vitit 2014
    Alfredi te kalojn pleqri te mare .

    Reply to this comment
  13. Everesti DR.sekretbdabulla September 7, 04:10

    Hej Mr arber po harrove pervec Buzukt me 1555 kane qene:
    Fjalori latinisht shqi i frang bardhit,
    Gramatika e Pjetr bogdanit
    Pjeter Budi
    shkolla e kurbinit 1632
    arbreshiLek matranga 1560-1619
    shkollashqipe ne hkoder 1638
    shkolla e larte ne shkodr par 140 vjete
    observatori i pare ballknik ka qene ne shkoder.
    le ti mbrojn ne jeten tjeter alfred uci vjetersin e gjuhes shqipe
    ti hapin rruge shkencaave jo sllave grek
    te tjerat shtet e vertetojn lashtesin e shkrimit te gjuhes shqipe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*