REPORTAZH / Braktisja e frikshme e Kushtetuese City, çfarë thonë banorët e fundit…

May 11, 2018 22:11

REPORTAZH / Braktisja e frikshme e Kushtetuese City, çfarë thonë banorët e fundit…

Era fryn pa mëshirë në rrugët e braktisura të Kushtetuese City-t. Lëmshat e kashtës rrokullisen për qejf të vet, sepse tani zona është e tyre. Shumica e kaubojsave janë larguar prej kohësh, ndërsa pluhuri ngjitet nëpër xhamat e Kushtetueses, për t’u shqitur vetëm nga ndonjë erë e fortë që fryn nga drejtimi i Veting-Perëndimit.

Të gjitha zyrat dhe pajisjet janë ende aty. Duket sikur njerëzit janë larguar befas, të gjithë njëherësh, për të shkuar në ndonjë sebep, fejesë apo synetllëk. Ngjan sikur do kthehen shpejt, për të rifilluar aty ku e lanë; do ndezin kompjuterët, do hartojnë ndonjë vendim teksti i të cilit është lënë në mes, do porosisin një kafe të fortë në kat të parë, për të mbledhur xhanin dhe vijuar sërish punën.

Por jo. Kushtetuese City tani është gati-gati një gjykatë muze. Gojëdhënat thonë se veprimtaria e ethshme ekonomike që i mbante gjallë këta banorë, është shteruar. Nuk dihet mirë, nëse ishte ndonjë minierë arsyeja që u ngrit kjo qendër urbane; ndoshta kumari; mbase tufat me bagëti shqiptare që mbanin tufa rekursesh dhe vendimesh të apeluara në dorë, mbarështoheshin kollaj këtyre anëve. Ndoshta s’do ta marrim vesh kurrë.

Por e sigurtë është se qyteti fantazmë ngjall trishtim. Me fotografin tonë, Shefkiun, Gojët e Liga ecin nëpër korridoret e shkreta që të kthejnë mbrapsht jehonën e hapave.

Bërtasim, “a ka njeri këtu?” Asgjë. Nëpër zyra, kondicionerë ende ndezur, që dikush ka harruar t’i fikë. Pica dhe sanduiçë të kafshuar, lënë përgjysmë. Buzëkuqë dhe shishe manikyri lënë hapur. Aroma e fortë e acetonit konkurron me katër stinët e një pice tashmë të bajatosur…

Befas, në distancë dëgjohen hapa që largohen me nxitim. Vrapojmë nga ai drejtim; hija ende nxiton.

“Hej, prit aty zotëri, jemi gazetarë. Jam fotografi me nam Shefkiu, nuk të bëjmë gjë,” flet fotografi me zë qetësues grykor, si të Lenc Vangjelit. Hapat ngadalësohen gjersa ndalojnë.

Fotograf Shefkiu bisedon me Baçin

Fotograf Shefkiu bisedon me Baçin

Njeriu me një tip robdëshambri të zi krahëve kthehet ngadalë. Mjekra e gjatë dhe flokët e pakuruar prej kohësh, ja fshehin tiparet. Afrohemi dhe pak; robdëshambri paskësh qenë togë gjykatësi.

Dale dale… “Baçi, ti je mo gjigand?”, i thotë tjetrit Shefkiu me mosbesim.

Pastaj e njeh: “Qenka kryetari i Kushtetueses, Bashkim Dedja! Po ti këtu?”

Dedja ende ngurron të flasë. Shefkiu i ofron një çokollatë Hilal, një cigare të përdredhur dhe e ul në karrige.

“Kanë ikur të gjithë,” thotë ai, “por mua s’më iket. S’di ku të shkoj. Malet me dosje mbuluar nuk i përpunoj dot vetëm. Edhe po i mora në dorë, nuk di ç’vendim të jap. Kam frikë, e kupton? Kam frikë…”, dhe ai nis të dënesë.

Shekfiut i vjen keq, por nuk e harron zananë. I shkrep disa foto fshehtaz, pastaj i vendos dorën mbi flokët e shpupurisur.

-Mos u dekurajo. Ti duhet të çohesh, mos rri kështu. A ke ndonjë zanat tjetër, çfarë di të bësh?

-Po si të them… kam qenë gjyqtar i thjeshtë, i rëndomtë.

-Po tjetër?

-Mund të bëj prokurorin.

-Po tjetër, tjetër…

-Oficerin gjyqësor…

Shefkiut iu sos durimi.

-Ehuhaaa. Epo rri këtu se je mirë! Hajde ikim!

***

Shënim: Gojët e liga është rubrikë satirike reformatike juridike     

May 11, 2018 22:11
Komento

2 Komente

  1. Vet Kingu May 12, 04:11

    Hahaha! Po ky, perse i la shoket vetem?

    Reply to this comment
  2. dani May 12, 10:39

    O goje e piset, e ke qare. Po pse nuk i fut dhe nje muzike te enio morricones ne sfond, nga ato notat me fishkellima plumbash? Hahaha, peliceli perziem me serxhio leonen…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*