REPORTAZH / Helikopterë dhe plumba, një jetë mes rrezikut, ç’thonë pilotët e Farkës

April 21, 2016 10:11

REPORTAZH / Helikopterë dhe plumba, një jetë mes rrezikut, ç’thonë pilotët e Farkës

 

Nga Entela Resuli

Nëse njeriu e shijon fluturimin, do të ecë përgjithnjë me sytë nga qielli me etjen e pashuar për të fluturuar sërishLeonardo Da Vinçi.

Farka, njihet ndryshe si fshati i vreshtarëve, poçarëve dhe helikopterëve. Ne sot, kemi ardhur për këta të fundit. Këtë 24 prill kremtohet 65-vjetori i krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar (sot Forca Ajrore).

Baza e Farkës, e ndodhur në një zonë të distancuar nga qendra e Tiranës, në një territor të rrethuar e të mirë ruajtur, është në gatishmëri, për çdo emergjencë apo rast ku kërkohet ndihma e tyre.

Me një leje të posaçme, DITA vizitoi këtë Bazë për t’u njohur nga afër me këtë repart, por edhe me punën që bëjnë djemtë të cilët pilotojnë në lartësi.

Nga oborri i godinës kryesore, shohim nga larg, helikopterët, të cilët si karkaleca gjigantë, qëndrojnë hijerëndë në vendin e krijuar enkas për ta.

Komandanti i Regjimentit të Farkës, kolonel Kuto Hasani, na thotë se data 24 prill është një ditë feste për regjimentin, por edhe për t’u kujtuar se puna e tyre është me mjaft përgjegjësi. Ai thotë se gjatë këtyre dy viteve, trajtimi i specialistëve të forcave ajrore ka ndryshuar dhe se shumë reforma janë në proces. kolonel Hasani nuk lë pa përmendur dyfishimin e rrogës, i cili është një veprim që duhej bërë vite më parë, megjithatë, heronjtë e qiellit, nuk ankohen asnjëherë.

4Balil Hysaj dhe sekretet e pilotimit

Me sy të mprehtë, jeshilë dhe me një trup hollak, Balil Hysaj na tregon se me gjithë kohën e shkollës, ka 30 vite në aviacion. Hysaj me gradë nënkolonel është prindi i dy vajzave dhe dy djemve, të cilët janë krenar për babanë e tyre që ka profesionin e ëndrrave, ndoshta, të çdo fëmije.

50-vjeçari me origjinë nga Tepelena, na tregon se e ka filluar orientimin drejt aviacionit në vitin 1985. Gjashtë muajt e parë të shkollës i ka kryer në mënyrë të fshehtë nga prindërit, pasi ata nuk do e pranonin asnjëherë që ai të kishte një profesion me rrezikshmëri të lartë, por ja që kur e morën vesh, rrudhën buzët, por lejuan që djali ta çonte ëndrrën e tij deri në fund.

Ime më edhe sot e kësaj dite, që kam 30 vite punë, më merr vazhdimisht në telefon dhe interesohet. Nuk besoj se ka për t’i ikur ndonjëherë meraku. Sa herë që zbres nga fluturimi, flas dhe më thotë: kaq doja, sa të dëgjoja zërin që je gjallë!”- tregon Balili për shqetësimin e vazhdueshëm të së ëmës, i cili është i shpjegueshëm për një punë të vështirë si pilotimi. Ai thotë se të gjitha fluturimet që ka kryer deri më sot i vijnë përpara si një shirit filmi, kanë qenë të bukur dhe me tension. Nëse do të kthehej në rininë e tij, me bindje thotë se do të bënte sërish të njëjtën zgjedhje. “Pavarësisht vështirësive, adrenalina dhe bukuria që ka si punë, i tejkalon të gjitha”- tregon ai me një ton të vendosur.

-Zoti Balil, në ç’gjendje janë forcat ajrore, kanë kaluar 65 vite që nga krijimi i tyre?

Sot, ka ndryshuar doktrina e mbrojtjes. Ne tashmë jemi pjesë e aleancës dhe nuk jemi vend i izoluar. Pjesë e aleancës do të thotë edhe një mbrojtje kolektive. Kjo e ka bërë të domosdoshme daljen jashtë përdorimit të armatës së avionëve MIG si edhe koncepti i mbrojtjes shoqërohet me një paketë tjetër modernizimi dhe mbrojtjeje. Aleanca sot, mbrohet në mënyrë kolektive, i ka asetet e përbashkëta, ka metodologjinë dhe qendrat përkatëse, të cilat koordinojnë dhe orientojnë veprimet në rajon. Sigurisht edhe ne kemi pjesën tonë, të mbrojtjes dhe të elementeve të ndërveprimit me aleatët. Ndërsa si pjesë e aviacionit, kemi vetëm mbështetjen me helikopterë, me të cilët këto kohë, edhe vendi ynë është modernizuar me mjete të gjeneratës së fundit, me disa versione përdorimi.

-Ardhja e helikopterëve me një teknologji të re a shkon paralel me njohuritë që merr piloti? Domethënë, ju që jeni më të vjetër në këtë profesion si jeni përshtatur me teknologjinë e re?

5

Nënkolonel Balil Hysaj

Ky problem nuk është vetëm për vendin tonë, pasi teknologjia e aviacionit ka ndryshuar dhe ndryshon shumë shpejt. Përshtatshmëria bëhet me kurse kualifikimi jashtë shtetit. Ne kemi plane bashkëpunimi me vendet tona aleate, siç janë, Italia, Gjermania, Franca, Anglia, ku një pjesë e madhe e efektivëve ka bërë kurse trajnuese si në praktikë ashtu edhe në teori.

-Ju, sa vite keni që punoni në aviacion?

E kam filluar shkollën në vitin 1985, punën e kam filluar në ’89 dhe vazhdoj deri më sot të jem në detyrë. Kam punuar shumë vite në Kuçovë, Rinas, dhe tani jam në Farkë.

-Si u orientuat drejt aviacionit?

Me përfundimin e shkollës “Skënderbej” në vitin ’85, së bashku me shokët e klasës ne bënim disa analiza mjekësore në përfundim të vitit të katërt dhe përkundrejt rezultateve që më dolën, unë rezultova në gjendje të mirë për të vazhduar për pilot dhe padyshim kisha dëshirë të njihja nga afër aviacionin. Ishte shumë intrigues ky profesion, të paktën për moshën e atëhershme.

-Sot, nëse e kujtoni, si kanë qenë eksperiencat tuaja të para në fluturim?

I mbaj mend të gjitha, pothuajse. Mbaj mend sepse ne kemi një kolektivitet pune dhe shokët që kemi këtu i kemi patur edhe në shkollë. Si rrallë profesione, kjo punë na mban të bashkuar sepse pak regjimente kanë qenë në aviacion dhe ne kemi qenë edhe në punë bashkë. Kjo koherencë grupi është ruajtur për gjatë gjithë jetës sonë. Dhe si shoqëri i rikujtojmë ato momentet e para në fluturim, apo eksperiencat e para. Kujtoj edhe çapkënllëqet e moshës së asaj kohe.

-Po fluturimi më emocionues?

Fluturimi në lartësi të madhe, 16 mijë metra. Aty e kam parë veten vërtet ngushtë. Territori i Shqipërisë më dukej si një qytezë e vogël. Deti Adriatik dhe Liqeni i Ohrit, dukeshin shumë afër me njëri-tjetrin. Ishte e vështirë të eksploroje teknikën ajrore në atë lloj lartësie.

-Gjatë këtyre viteve punë, Shqipëria ka kaluar shumë situata ku ju mund të keni marrë pjesë…

Pjesëmarrja në emergjenca civile është një pjesë që ne na bën krenar. I kemi shërbyer vendit. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për të mbajtur këtë armët, le të themi lozonjare, pasi aviacioni është shumë i kushtueshëm, por në një farë mënyrë, mbështetja në emergjenca civile, kur transportohet një i sëmur nga larg, sigurisht që na bën krenar që ne i shërbejmë këtij komuniteti.

-Me kalimin e viteve, sa të vlerësuar ndiheni?

Mirë. Nëse duhet me notë, unë do të them diku te teta. Brenda realitetit shqiptar, mendoj se kemi qenë të vlerësuar. Kohët e fundit ka dy zhvillime cilësore. Është pjesa e siguracionit të teknikës ajrore të efektivit fluturues, është një zhvillim cilësor në drejtim të këndvështrimit dhe mbështetjes morale, por edhe materiale. Sigurisht edhe rritja e pagave që është bërë vitet e fundit.

-Përveç rritjes suaj profesionale në karrierë, ju keni edhe familje. Si kanë ecur paralelisht këto duke patur parasysh që keni një profesion me rrezikshmëri të lartë?

Familjes në një farë mënyre ndoshta i kam shumë borxhe. Por si shpërblim i kam bërë xhiro me helikopter (qesh).

-Ju është mërzitur ndonjëherë profesioni?

Fatkeqësisht, gjatë punës, kemi përjetuar shumë tragjedi, aksidente ajrore, shumë herë kemi mbajtur arkivolet e shokëve, kanë qenë momente të rënda. Shumë herë kemi reflektuar, me veten edhe nën zë… Kur e mendoj sot, kemi qarë shumë, kemi psherëtirë, por nuk kemi thënë ndonjëherë: Hajde ta lëmë. Nuk e di pse! Kjo ngelet një pyetje pa përgjigje. Më ka dhënë shumë kënaqësi kjo punë. Është një zanat që bëhet me dëshirë, nuk mund të them unë tani që nuk e pëlqej. Është një mrekulli.

-Ju keni qenë fëmija në familje që i keni bërë prindërit më shumë merak?

Këtu kam një histori që sot e tregojmë me të qeshur në familje. Në gjashtë muajt e parë të shkollës, familja ime nuk dinte akoma që unë isha në shkollë të aviacionit. E kisha filluar shkollën e aviacionit në Vlorë dhe atje kam pas edhe gjyshen. Prindërit e mi, erdhën për te gjyshja dhe aty i thotë halla që është edhe Balili në shkollë! Ata u habitën, se më dinin në Tiranë. Aty e morën vesh, ndërsa unë kisha gjashtë muaj që e kisha filluar.

6

Në hambarin e Farkës ku qëndrojnë helikopterët e ushtrisë shqiptare

-Z. Balil, si ngrihet një helikopter, ka procedura?

Sigurisht. Fillon me një plan vjetor, të hartuar nga ne dhe të miratuar nga Komandanti i Forcave Ajrore. Që në muajin e parë të vitit bëhet plani, duke përcaktuar saktë se çfarë programi teorik dhe praktik do të ndiqet përgjatë 12 muajve. Ky është programi makro, dhe sigurisht vazhdohet me detajime në plan mujor dhe ditor. Duke ndjekur hap pas hapi të gjitha hallkat teknike për t’u bërë gati. Ky lloj fluturimi miratohet nga komandanti i forcave ajrore. Çdokush gjatë veprimeve, firmos për detyrat që merr.

-Në bazë të ligjit, autoritetet shtetërore, a udhëtojnë me helikopterët e Farkës?

Në misionin e Farkës një nga detyrat është edhe transporti VIP, ku futet Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit etj.

-A ju ka ndodhur të transportoni ndonjë prej tyre?

Jo, unë personalisht jo, pasi kemi një ekuipazh të deklaruar dhe helikopterin e caktuar për udhëtimet e personaliteteve VIP.

-Kur udhëton në mënyrë private me avion… si ndiheni, ju përfshin dëshira të shkoni në kabinë…

Po, dhe e kam bërë, jam futur në kabinë, sigurisht nuk kam marrë drejtimin e avionit, por kam mundur të jem prezent në kabinën e tyre.

-Sa mund të zgjasë një fluturim me helikopter?

Dy orë, dy orë e gjysmë.

7

Baza Ajrore e Farkës

*****

Çlirim Plaku, Major / Kush është djali nga fshati Tapi e Kuçovës, që ka lindur duke dëgjuar zhurmën e avionit dhe sot është pilot aktiv.

 

Kush është piloti që mori plumbin në bishtin e helikopterit, në Malësinë e Madhe

Çlirimi Plaku ka lindur në fshatin Tapi të Kuçovës. Në fëmijëri është rritur më zhurmën e helikopterëve dhe avionëve që i kalonin mbi kokë. Kjo “melodi” ndoshta ndikoi që ai një ditë të studiojë dhe të bëhet drejtuesi i këtij mjeti fluturues. Ka përfunduar studimet e larta në Itali dhe sot është një pilot aktiv pranë regjimentit të Farkës. Në rininë e hershme ka kaluar tri momente të sikletshme në fluturim gjë që e kanë bërë të reflektojë dhe të mendojë që kjo punë që po bënte ishte e rrezikshme.

8

Major Çlirim Plaku

Sot, 41 vjeç është prind i një vajze (15) dhe i mungon me orë të gjata familjes, por ndjen shumë kënaqësi kur e bija tregon me krenari që e ka babin… pilot. Në këtë bisedë për Dita-n, Major Çlirim Plaku, ndan me ne pasionin për fluturimin dhe çastet e vështira. Ai ka qenë shok fëmijërie me Floran Delinë i cili humbi jetën në një aksident tragjik dy javë më parë dhe thotë se ndjen dhimbje për atë çka i ndodhi shokut të tij. Me vështrimin ulur poshtë duke u munduar të fsheh përlotjen në sytë e tij thotë se, sapo është kthyer nga varrezat dhe ende nuk e beson që Florani nuk është më me të. E pavarësisht të gjithave Major Plaku thotë me bindje që: “po ta pyesnit tani Floranin, përsëri ai do të pohonte se do të zgjidhte këtë profesion, pasi e donte shumë, si të gjithë ne. Jam i bindur që këtë përgjigje do e jepte edhe Donaldi”!

 -Sa vite keni në aviacion?

Kam që në vitin 1993, kur kam kryer vitin e parë në shkollë, në Vlorë. Pasi përfundova vitin e parë u zhvendosa në Itali, në Napoli ku ndoqa shkollën e aviacionit atje. Përfundova studimet në vitin 1998. Deri në 2001 nuk kam qenë i angazhuar, më pas fillova t’i përkushtohem me kohë të plotë këtij profesioni.

-Si kanë qenë këto vite punë për ju?

Siklet kam kaluar dy herë. Kur kam qenë në shkollë në Vlorë dhe jam hedhur me parashutë, pa dashje kam hapur edhe parashutën rezervë, aty kam shpëtuar mirë. Ndërsa në vit të parë të shkollës në Itali, kam patur një fikje motori dhe jam ulur në një plazh. Aty më ka shpëtuar Zoti, 19 vjeç kam qenë dhe nuk e kuptoja shumë se çfarë ishte rreziku. Aty edhe mund të kisha vdekur, pasi një vit më parë, në të njëjtin vend, një student kishte humbur jetën. Unë pata shansin të shpëtoja. Atëherë më dukej gallatë, sot nuk e shoh më me atë sy, e shoh që është vërtetë e rrezikshme, ku edhe mund të vritesh. Përveç këtyre dy rasteve, nuk kam patur momente të sikletshme.

-Tani që e keni kuptuar që nuk është gallatë, jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Asnjëherë.

-Pse?

Shikoni! Një ditë po shihja në internet profesionet më të pëlqyera në botë dhe në vend të parë ishte Piloti. Kur e kam zgjedhur, kam patur arsye të çuditshme, që besoj se nuk është turp t’i thuash sot. Unë kam lindur në një fshat, ku fshatarët jetonin në kushte të mjerueshme. Kur shihnim pilotët, ne nuk e dinim se çfarë ishte Zoti, por për ne, ata ishin Zoti. Ishte dhe një mundësi për të jetuar mirë, përveç pasionit, pasi një 15-vjeçar, më shumë niset nga pasioni. Por kur kam fluturuar për herë të parë, ajo shprehja që, preka qiellin me dorë, ka funksionuar në të gjitha dimensionet dhe që atëherë mendoj se, jam njeriu më me fat në botë që bëj këtë profesion. Këtë nuk e them se duhet thënë, por kështu e ndjej, pavarësisht se tani po vij nga varrezat… Isha te varri i atyre dy djemve, Floranit dhe Donaldit. Me Floranin kemi hyrë bashkë në shkollën e mesme, jemi rritur bashkë… Me Donaldin kemi punuar dhe kemi kaluar shumë mirë. Por përsëri, edhe ata po t’i pyesja, jam i sigurt që do të thonin se do e zgjidhnin përsëri këtë punë.

-Familja, e ka pranuar profesionin tuaj?

Prindërit, asnjëherë! Sidomos pas aksidentit në Itali. Dhe kur ka ndodhur aksidenti im, ata kanë ndjekur mediat italiane, kanë përjetuar panik, pasi u tha që ka rënë një avion, ka qenë një pilot shqiptar në të me emrin Çlirim Plaku, po se ç’fat ka patur, se gjallë se vdekur, më vonë e kanë marrë vesh. Që nga ajo kohë, nuk është se kanë qenë shumë të lumtur.

-Një pilot i mirë në ajër, duhet të jetë domosdoshmërisht edhe një pilot i mirë në tokë, d.m.th si drejtues makine, apo nuk ka lidhje kjo?

Jo, ka lidhje sepse se sa i disiplinuar je ti me gjërat, atë disiplinë që ke në shtëpi, atë korrektësi që ke me të tjerët, atë transmeton edhe në fluturim.

-Cila është zona më e vështirë në Shqipëri, për të fluturuar?

Unë do të quaja pjesën e Alpeve, pasi aty, edhe marrja e shërbimeve në rast nevoje është e pambuluar.

9

Pjesa e brendshme e helikopterit Cougar

-Por a është e bukur…?

Për e bukur, të lë pa frymë! Kur jemi në helikopter dhe shohim ato maja, aq sa të frikshme janë aq edhe të bukura. Sidomos pjesa e Valbonës deri në Vermosh, ku është pjesa më e thepisur, nuk të shkon mendja të zbresësh poshtë. Ndërsa një pjesë ku ka ndërhyrë dora e njeriut, është shkatërruar. Të shohësh Lurën sot, është një terror i paparë. Liqeni i luleve në Lurë, ka qenë një mrekulli. Sot s’ka asgjë.

-Major, sa ulët ju lejohet të fluturoni?

Ka një gjë, ne jemi pilot ushtarakë, përgatitemi për luftë, nuk përgatitemi për ‘gallatë’. Ne duhet të mësojmë të fluturojmë ulët me terrenin, midis pengesave, ditën dhe natën. Nëse ne fluturojmë ulët, nuk e bëjmë nga qejfi apo se duhet të çudisim njeri, fluturojmë ulët sepse duhet të mësohemi pasi në raste të jashtëzakonshme na kërkohet dhe është e nevojshme. Kujtoj rastin e Lazaratit dhe të Malësisë së Madhe, ku shyqyr që dinim të fluturonim ulët, se po të mos dinim nuk do të ishte shumë e këndshme situata.

-Keni qenë në Lazarat?

Kam qenë në ‘Lazaratin e dytë’, kur është vrarë ushtaraku komando dhe kam qenë në Malësi të Madhe dhe kam qenë piloti që kam dëgjuar breshërinë e parë të automatikut në vesh dhe kam marrë një plumb në bishtin e helikopterit. Edhe këtu, kam shpëtuar mirë, duke e futur te rastet e sikletshme.

10

April 21, 2016 10:11
Komento

4 Komente

  1. Kugari April 21, 10:25

    Shkrim shume i kendshem. Keta me vertet jane heronj te cilet ju dihet ngritja po kurre nuk dihet ulja. Respekte Entela

    Reply to this comment
  2. lymi April 21, 15:05

    Sa mire qe ka folur ku tepelenasi. Te fluturoj di shume mire por futboll hic fare.

    Reply to this comment
  3. piloti April 21, 20:47

    E lexova. Nje reportazh per gazeten. E lexova e ndjeva mall. Eh kujtime te paharruara. Qendrojne te fresketa ne kujtese. Kujtoj kur Benin pergatitje fluturoi nje dite me pare. Leximin e planit te fluturimit per diten e neserme. Fillimi i fluturimeve. Perfundimi i dites fluturimit. Diskutimi me shoket. Me komandatet. Me pilotet me te vjeter. Kujtoj analizen e fluturimit. Oh sa bukur ishte. Balili nuk paska ndryshuar. Suksese Balil. A te kujtohet kur shkuam ne kavalishence e luanim futboll ne rere. Ishte bukur shoqeri e paster pa hile. Ndersa Ti ben planin vjetor. Ndersa un sot mar planin e shkruar. Mi do jem neser. Ne cilin shtet p asneser. Un i bie rruzullit verdalle. E askush nuk me pyet si shkoi F luturimi. Un Jam anonimi. Ndersa vendi jot mbetet vendi jot. Ja pas tre oresh nisem. Pas kater oresh nga ngritja do ulem. Atje Jane tè gjithe te huaj. Jam vetem un. Por ne jemi te Fort. Na mesoi e pergatiti shkolla Skenderbej e Aviacioni.

    Reply to this comment
  4. kumrie muco April 22, 12:39

    Ishte vertet nje tregim i bukur dhe un e kam jetuar gjithmon ngritjen e helikoptereve dhe e shikonim nga afer kur hipnin ne helikopter pilotat perqafoheshin e kur zbrisnin ashtu vaxhdonin prap dhe i shikonim me kenaqesi kur vinin pilotat kishin nje edukat te jashtezakonshme dhe nje karakter te fort dhe te edukuar na besdiste ajo zhurma qe benin kur ngriheshin po edhe ishim mesuar ja dinim diten kur benin stervitje dhe thonim qe sot nuk na len te nigjojm asgje nga zhurma e madhe qe benin sot po e kuptoj qe esht nje zanat i mire dhe i rrezikshem dhe me mungon ajo zhurma qe e nigjonim dhe ajo era qe u afronim pak afer kur ngriheshin jan vertet heroj qe duhen vleresuar dhe zoti i dhent kurajo e forc

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*