Republika e Lazarijuanës

Besnik Mera November 11, 2012 22:40

Republika e Lazarijuanës

Një vizitë në fshatin ku besohet se ka nisur së fundmi kultivimi i drogës “Skunk”, një prodhim i veçantë i marihuanës, me cikël të shpejtë rritjeje. Ngarkesa e parë e “Skunk”-ut u kap disa ditë më parë në Igumenicë. Dyshohet se droga e re që kushton më shtrenjtë se kokaina po prodhohet në Lazarat, me farë të ardhur nga Holanda. Përse shteti shqiptar ka dështuar në luftën kundër hashashit dhe historia e fshatit të rrethuar nga teqe e xhami

 

Lazarati është nga fshatrat më të mëdhenj të vendit, me rreth 5.500-6.000 banorë. Gjuha, zakonet, ritet, krenaria e banorëve të tij janë njëlloj me ato të pjesëve të tjera të Labërisë, trevë të cilës ai i përket. Kushdo që e njeh sado pak fshatin e shumëpërfolur e di se pozicioni gjeografik i tij është disi i veçante: i gjelbër mes grisë së stërmadhe që karakterizon shpatin e gurtë të Malit të Gjerë. Lazarati është vendosur midis qytetit të Gjirokastrës dhe Dropullit të Poshtëm, zonës së minoritetit grek. Fshati është i rrethuar nga objekte fetare: teqe e xhami: ndërkohë që janë të shumtë toponimet me emra kishtarë.

Rënia e perdes komuniste i rreshtoi lazaratasit në vijën e parë si kontigjent i Partisë Demokratike. Komuniteti i Lazaratit u përfshi në bumin e madh të zhvillimit të ekonomisë në atë periudhë. Një pjesë e të rinjve të fshatit, të cilët kishin emigruar në Greqi, pas disa vitesh u kthyen dhe hapën bizneset e tyre private. Disa prej këtyre njerëzve, që dikur mezi mbanin ekonominë e familjes së tyre, befas u kthyen në tregtarë të fuqishëm. Gjatë vitit 97’, kur shteti po shkërmoqej, grupe të rinjsh nga Lazarati demonstronin hapur në rrugë mbështetjen e tyre për qeverinë e PD-së. Por ngjarjet e vitit 1997 dëmtuan rëndë  aspektin ekonomik dhe social të këtij fshati. Nderkohë që, pak e nga pak, ashtu si pa kuptuar, në fshat nisi të lulëzonte një biznesi i ri, shumë herë më i fuqishëm dhe më fitimprurës së çdo lloj biznesi tjetër: kanabisi.

 

*****

Lazarati është sot fshati më i njohur i Shqipërisë, ku kanabisi ka gjetur terren. Një pjesë e mirë e banorëve të tij ose mbjellin vetë, ose punojnë tek ata që kanë mbjellë dhe shesin. E ka filluar herët këtë industri, aty nga mesi i viteve 90-të dhe e vazhdon edhe sot e kësaj dite, me metoda më të kamufluara. Ata që e shpërndanë farën e kannabisit në Vlorë, Shkodër, Durrës e gjetkë, e sollën edhe në Lazarat, ku ndryshe nga të tjerët terreni qëlloi më i favorshëm, njerëzit “më të guximshëm”. I pashlyer ka mbetur në kujtesën e banorëve, jo vetëm të jugut të vendit, 18 Gushti i vitit 2004, kur në një sulm të paprecendetë, disa banorë të Lazaratit qëlluan një helikopter të forcave italiane të NATO-s, i cili po asistonte forcat shqiptare të policisë për identifikimin dhe me synimin e asgjësimit të parcelave të mbjella me kanabis sativa në fshatin rebel. Mediat në atë kohë dokumentuan me pamje plumbat që kishin goditur trupin e helikopterit duke vënë në rrezik edhe jetën e pilotëve që drejtonin mjetin fluturues. I menjëhershëm ishte reagimi i policisë shqiptare, por i pamjaftueshëm për t’i dhënë fund njëherë e mirë rebelimit të fshatit. Incidenti  i të qëlluarit me armë të helikopterit të INTERFORC është përmendur edhe në një raport të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Ky është Lazarati, që për disa ngjall respekt për kompaktësinë që ka fshati dhe «zotësinë» për të mbijetuar në një shtet me demokraci të dobët. Ndërsa për disa të tjerë ngjall frikë për namin e keq si një “oaz” i drogës në jug të vendit.

 

*****

Të ndodhur përpara një lloj presioni të policisë, medias dhe opinionit të brendshëm e ndërkombëtar, disa prej kultivuesve të drogës kanë nisur të sofistikojnë prodhimin e marihuanës. Bëhet fjalë për një lloj droge të quajtur “Skunk”, një prodhim i veçantë i marihuanës, me cikël më të shpejtë rritjeje. Studimet e bëra nga specialistë të drogës kanë zbuluar se “Skunk” përmban 18 % tetrahydrocannabino, krahasuar me 4 % që përmban marihuana.

Policia britanike e rendit këtë lloj droge në klasin “A”, ku hyjnë kokaina dhe extasy. Sipas ekspertëve të Institutit Psikiatrik të Londrës, “Skunk” ka gjasa të shkaktojë shtatë herë më shumë sëmundje psikiatrike, si skizofrenia, se sa hashashi normal. “Skunk” është cannabis-sativa i prodhuar në mjedis të mbyllur (serë ose shtëpi) dhe disa herë më i fortë se kanabisi normal. Të paktën kështu janë shprehur oficerët grekë të Antidrogës, kur para pak javësh kanë gjetur një sasi të madhe të drogës “Skunk”, mes një ngarkese të sekuestruar në kufirin shqiptaro-grek, në Igumenicë pranë Qafë-Botës. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për mbjelljen e kësaj fare, por dyshimet janë se ajo mund të jetë prodhuar në Lazarat, me farë të ardhur nga Holanda dhe me veçori që ajo piqet shumë shpejt. Sipas burimeve policore greke, dyshohet se sasia e “Skunk” nuk ka qënë destinuar për tregun grek, por për tregun britanik në Mbreterinë e Bashkuar.  Në vitin 2007, 1 gram “Skunk” shitej 5 funte, por tashti çmimi i tij ka shkuar në një vlerë më shtrenjtë se kokaina.

Duke u ndier ngushtë nga manovrat e pasuksesëshme te saj, policia kohët e fundit ka  ndryshuar mekanizmin e veprimeve, duke ndjekur një politikë “më profesionale” ndaj kultivuesve të drogës, me shpresën e  minimizimit të këtij fenomeni. Tani fshati rrethohet me forca policore, me qëllim që çdo kg kanabis, që mund të dalë nga Lazarati, të sekuestrohet dhe autorët të dërgohen para drejtësisë. Por fakti që pamvarësisht këtij rrethimi, në Kakavijë apo në “Tri Urat” vazhdon të kapet drogë “made in Lazarati” tregon se “mjeshtrit” e marihuanës vazhdojnë zanatin e vjetër edhe pse flitet për kontrolle të rrepta nga ana e policisë. Pëshpëritet se mbi fshat, në njerën prej faqeve të Malit të Gjerë, ekziston një plantacion i vërtetë i mbjellë me hashash, por që deri tani, përveç të zotërve të shtëpisë, askush tjetër nuk ka guxuar të shkojë aty për vizitë, pasi rrugëtimi për aty është me rrezik për jetën, madje edhe për vetë policinë

 

*****

Lazarati, kjo komunë që ka kufij territorialë, popullsi e organizim social-ekonomik, si çdo komunë tjetër e vendit njihet në opinionin publik brenda e jashtë Shqipërisë si “mbretëria e kanabisit”. Në Lazarat, që ende ruan “pavarësinë” e tij nga shteti, sa herë që policia bëhet gati të mësyjë në fshat, shperthejnë e kërcasin armët nga brenda fshatit.

Një demonstrim i tillë force përballë shtetit si dhe tërheqja e këtij të fundit përballë një “ushtrie fshati” ka tre spjegime: Ose shteti bën sikur dëshiron të futet aty duke u përpjekur që të fshehë qëllimet e vërteta të kësaj mosndërhyrjeje, ose ai është plotësisht i pafuqishëm përballë krimit, ose nuk do të prishë atmosferën parazgjedhore shqiptare. Nuk ka bërë “vaki”, nuk mbahet mend në asnjë histori shteti që krimi të ketë qënë më i fortë se shteti. A nuk të lë shije të hidhur sot, “pamundësia” e shtetit për ta disiplinuar një fshat si Lazarati duke përlyer në fajësi e në krim një shumicë popullsie të pastër, të ndërgjegjshme e të painkriminuar të atij fshati?

Një fshat që vetëqeveriset me ligjësitë e “më të fortëve”, por që ruan formën e organizimit formal si ai i shtetit, nuk mund të quhet ndryshe veç se një “shtet brenda shtetit”. E gjitha kjo ndodh kur, ndër 12 prioritet e Bashkimit Europian, më i rëndësishmi pas kërkesës për reforma të bazuar në dialogun politik mes paleve, mbetet lufta ndaj krimit te organizuar, pjesën më të veçantë të të cilit e zë ajo e luftës kundër drogës.

Raportet e kohëve të fundit në të gjitha agjencitë, përfshi edhe Interpolin, rendisin rezultate të dukshme pozitive gjatë vitit 2012, por pika ku Shqipëria merr notë pakaluese mbetet droga.Te gjitha raportet vënë në dukje se, Shqipëria mbetet një eksportuese e drogës në rajon dhe të gjithë u referohen për këtë të dhënave dhe pamjeve filmike të marra nga helikopterë monitorues nga ajri, që kanë fluturuar hera-herës mbi fshatin Lazarat. Kryeministri shqiptar e paralajmëroi këtë situatë katër vjet më parë, kur iu adresua Policisë së Shtetit, se ishte e patolerueshme që në kancelaritë më të mëdha evropiane të ekspozoheshin pamje të tilla nga fshati Lazarat.

Në mënyrë permanente, që nga vitit 2007, z. Berisha, thuajse për çdo vit në analizat policore, ka ripërsëritur të njejtën këngë, atë të “luftës ndaj narkotrafikut”. Vecse problemi qëndron në faktin se më pak se dy muaj përpara një prej sprovave të fundit për integrimin e vendit në BE, lufta kundër drogës në fshatin e identifikuar me kanabisin, ka mbetur vetëm propagandë shifrash, larg rezultateve konkrete që do t’i jipnin problemit zgjidhje definitive.

 

*****

Situata në Lazarat është e komplikuar dhe nuk mund të zgjidhet aq lehtë, por sidoqofë  kjo dramë do të marrë fund një ditë. Dhe kur kjo të ndodhë, do të ketë një kosto të rëndë për  banorët e tij. Stimulimi i industrisë së drogës ka krijuar aty një mbijetesë dhe mirëqenie të gënjeshtërt për një pjesë të komunitetit. Mbetet emergjente një ndërhyrje energjike e shtetit, që banorët të kuptojnë se shteti e ka seriozisht, pasi kultivimi i hashashit kërcënon sigurinë si dhe dëmton imazhin e vendit. Sipas ndërkombëtarëve, fenomeni nuk mund të luftohet vetëm me fushata, por kërkon veprime konkrete dhe bashkëpunim me pushtetin lokal dhe autoritetet e zbatimit të ligjit.

Mali i Gjerë është shndërruar në një plantacion droge dhe aty duhet të nisen forcat e rendit dhe të ushtrisë për t’i dhënë fund parajsës së rreme për një pjesë të banorëve dhe keqpërdorimit të këtij fshati për interesa të pushtetit. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe “pakti” i heshtur i shtetit me kultivuesit e drogës duhet të marrë fund. “Bërja e llogarive» për t’i patur lazaratasit një kontigjent të sigurt votash në zgjedhjet parlamentare të radhës, është një metodë që nuk “pi më ujë”. Lazarati duhet të përgatitet që një ditë do të përballet me humbjen e kësaj parajse. Aq më mirë për fëmijët e këtij fshati, të cilët thithin çdo ditë në mushkëritë e tyre të njoma “aromën” e hashashit. Aq më mirë për atë pjesë të rinisë lazaratase që paratë e fituara t’i investojë  në një biznes më të sigurtë se sa industria e drogës. Dehja nga droga një ditë do të marrë fund. Sa më shpejt, aq më mirë!

 

 

Besnik Mera November 11, 2012 22:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*