Requiem për aktorin dhe regjisorin Lisenko Malaj që u nda nga jeta

March 5, 2018 13:06

Requiem për aktorin dhe regjisorin Lisenko Malaj që u nda nga jeta

 

Nga Sefer Pasha

 

Përsëpari po e them në këtë parahyrje e kryekreje se Ti i dashur Lisenko kishe mote që e prisje vdekjen. Ishte ndofta kjo arsyeja që bisedat tona në Vlorë kishin brenda tyre psikoemocione të tronditura e habitore. Edhe togfjalëshi më i shenjtëruar mekej nga drama. Pas sëmundjes se zehertë që po agravonte, kur jeta filloj të qëndrojë në fije të perit, këso here pasionet e tua nuk ishin më të matura, megjithëse si njeri e regjisor ekstazat e stuhishme dije t’i bëje zap me forcë të epërme olimpike. Në takimet tona të pakta nginjeshin tejet e tejet kushtimisht temat kur ishe student me talent e vlerë në Akademinë e Arteve, dhe fillove punë në Kinostudio kur konkurrueshmëria ishte e lartë, si dhe për gonxhet e larme të punëve, që u venitën e në kapërcyellet dramatike të tallazeve i shtytur nga rrethanat e reja more udhën e emigrantit si shumë të tjerë. Ti Lisenko e hape zemrën vitalisht në sofrën e kreshendove bujare të betejave të dramaturgjisë kur luajte si aktor nishanlli në rolin e Lonit në kinokomedinë muzikore “Karnavalet”, ku me guxim, ambicie e imagjinatë bashkë me aktoren Afërdita, e cila u bë bashkëshortja jote e ardhshme realizove shpengueshëm në artin kinematografik pa mëdyshje punë me talent e vlerë. Gjithashtu realizove filmat “Pranvera dy hapa pranë”, (i cili fitoi çmimin e tretë të filmit dokumentar), si dhe filmat “Tre ditë nga një jetë”, “Misioni përtej detit”, “Vdekja e burrit”, e punë të tjera si gur qemeri, ku u shqove si regjisor i përsosur e me talent, dhe që qenë prova universale se kariera jote në kinematografi kishte risi, vizion, shpresë e ngjizje për të cilat nuk lëshoje pe. Dhe për fat e fitove një grusht lumturi në tisin e artë të punës si regjisor sqimatar me shqisa të mprehta për art të virgjër, ku shkëndijat e gëzimit nuk qenë të kollajta. Në peizazhin tragjik të kohës bëre punë me magnetizëm të qashtër e tepër kompetitiv. Edhe pse ike shpejt punët që le pas me zë e trajtë e plotësojnë mjaftueshmërisht e përsosmërisht mozaikun e mjeshtrit sipëror e narcistik që diti të punojë me integritet paçka se ëndrrat dhe vegimet mbetën të pashfrytëzuara.

Ma pate thënë shumë herë se nënën që e kishe hënë e hyjni e humbe kur ajo ishte “nuse” e re. Goditjen e ndjeve gjithë jetën edhe kur t’u shfaq sëmundja e pabesë. Këtë ma the me dhimbje kur të vdiq babai, i cili për fat rrojti gjatë dhe që shquhej për inteligjencë gjenetike. Më thoje para banesës në Ujin e Ftohtë se kishe në duar ca krijime për nënën, bile ëndërroje të bëje dhe një dokumentar mbi një kumt letrar. Por ne u ndamë dhe u bën mote që nuk jemi parë. Shpresoj që ta kesh lënë diku “autobiografinë” si sojli i Bratajve. Thagma dhe talenti yt ishte vizual. Në këto çaste tragjike të sjell në mendje kur më flisje për temperaturat e larta të pasionit. Edhe në Itali shkruaje skenare e kishe projekte për filma. Recitoje aq bukur jo vetëm këngët e Selim Hasanit dhe të përtejasit Ali Asllani, por dhe Hamletin e Shekspirit. Edhe pse nuk ishe i kënaqur me këtë tranzicion të pambarimtë nuk i hiqje nga goja vargjet e Çajupit : /E dashura mëmëdhe/ /të dua dhe kështu si je/. Me një brerore e vështrim panoramik prej shenjtori kujtoje pedagogët e Akademisë së Arteve. I përshkruaje me mjeshtri një për një, të cilët shquheshin si ekzemplar të rrallë të virtytit. Me patosin e regjisorit flisje për filmat e yshtura nga ndjenja e jetës plotë tallazitet. Le mbrapa punë të pastra. E megjithatë Ti biri i Bratajve mbete zall i Lumit të Vlorës. Si regjisor punoje me nikoqirllëk e talent natyral të magjishëm. Ma përsërisje shpesh atë që kishte thënë Dikensi se “vogëlimat janë ato që përbëjnë kuptimin e jetës”. Shikimit tënd nuk i shpëtonte asgjë. Kishe një optikë të pashoqe. Depërtoje tek e padukshmja. Personazhet i pikturoje. Në universin tënd të ndjenjave vetëvëzhgimet me cifla e copëra qenë “paja” e punës tënde. Edhe pse ishe një regjisor atipik e shikoje kthjellët realitetin dhe me instinktin e vetëpërsosjes, sinqerisht e me natyrshmëri, punët i ngrite në shkallën më sipërore. Kur vinte hera, flisje për vlerat natyrale të flimit, dhe e mendoje thellë organicitetin për kompozimin. Në botë vështrimin tënd thesar qe Lumi i Vlorës, ku vërshimi i motiveve për skenar filmash qe i pambarimtë.  Fabulat gjerbeshin e brumëzoheshin nga bëmat e begata, ku dhe një zog shkretan në malin e Stogoit është violinë me vete. E kishe merak një film me gjuhë polifonie për udhëtimin e Ismail Qemalit në Mesaplik e Vransht, ku burri i madh çoi një kalë me abetare. Po pulsin e vrundujve e ndërpreu vdekja e pabesë, e cila e prajti pasionin e pafat. Me vegimet e një sojliu prej Bratajve e vuajte shumë tranzicionin si buzë një humnere. Për shkak të rrethanave në mërgim shkruaje skenar me qartësi diamanti e në mendje tirrje perin e muzës së zanave të Stogoit për të realizuar filma. Por si shumë të tjerë e pate të pamundur. Dhe kur vije me pushime tek shkëmbi i Kalasë në Ujë të Ftohtë me recitoje me zërin e tringëllimtë poezinë e ashpër: /Hani, pini dhe rrëmbeni/ /Mbushni xhepa, mbushni arka/ /Të pabrek’ ju gjeti dreka/ /Milioner ju gjeti darka/. Edhe pse shquheshe për një urtësi antike që e kanë në thua në Brataj në kalvarin e jetës plotë tallaze me sytë ngultazi tek e sotmja qe i zhgënjyer me realizimet në fushën e artit, jo vetëm për vete, por dhe për shumëkënd që lëvronte në këtë fushë. Gjithsesi ti e thoje shpesh atë që e thonë në Brataj se “shkon bota sipri”.  Shpresoje për ditë më të mira dhe e luftoje tisin e pesimizmit. Ëndërroje medalje e trofe si aktor e regjisor se kishe shpirt delikat artisti, i vure gjoksin burrërisht stuhisë së sëmundjes aq sa në familje u bërë pjesë e mitit. Atje, në spital në Itali, me Afërditën përballë gjersa të doli xhani përmes dialogësh e monologësh luajte aktin e fundit të tragjedisë. E keqja ishte në pragun apokaliptik. Edhe pse ishe gatuar nga brumi dhe guximi kryengritës e i mposhtje instinktet e frikës, se përputhshmërisht zotëroje universin e dijes, nuk ja dole dot. Dhe shkove në këndthin ku është nëna jote, e cila qe si e bukura e dheut. Kur luaje si aktor dhe punoje si regjisor të tmerronte thënia e kolegëve se “Lisenko është jetim”.

Ata nuk kishin faj. Mulliri i fatit kishte qenë sheshazi kundër teje. Por Ti i përkrahur vetëm nga talenti me energji, disiplinë, durim, pasion e racionalitet në kapërcyellin e pak viteve bëre emër. Dhe krijove një familje të mrekullueshme.

Në këto çaste tragjike tek mëtoj për Ty ndjej mahitje nga dhimbja. Të gjithë ndjenë tronditje, por shumëfish e vuan bashkëshortja jote Afërdita, gjithashtu artiste, me të cilën luajte në kinokomedinë “Karnavalet”. Dhimbjet janë klithëse. Afërdita do ta ndjejë shumë mungesën tënde. Gruaja e Zherar Filipit, Ani Filipi, pas vdekjes së aktorit të madh në librin “Koha e një psherëtime” shkruan: –  “Unë rrëshqas nga kujtimet në kujtime, kthej kokën nga jastëku yt, të cilin ashtu si më parë e vendos në të djathtë të timit dhe sërish vështroj fytyrën tënde të vdekur të kthyer nga unë……Ti u bëre përgjithmonë i palëvizshëm, ndërsa unë për një kohë ende do të lëvizja. Vdekja na kishte ndarë përjetësisht”. Ikja jote e parakohshme, kur në këtë palëvizshmëri nuk jam as në ëndërr e as në zhgjëndërr, më bën që fjalët të mos marrin ngjyrë, e dhimbja e parrokshme të mos artikulohet. Çfarëdo të them fjalërisht në këto rreshta çastore e keqja sëmbuese e ndarjes nga jeta m’i frenon imazhet e ndjeshme për të shkruar për Ty e veprën si aktor e regjisor autentik me prerje cezariane. Pikatorja e shpirtit nuk ka më fjalë. Edhe sikur të mblidhja të gjitha lulet e malit të Stogoit ato s’do të më mjaftonin për të bërë kurorën e lavdisë që ti meriton, për tharmin artistik e muzën e veprave që le pas e për mjaft ag gjërash të tjera. Në arkëmortin tënd Lisienko vdekja ishte shpërfillur dhe mjegullisht ftillizonte bajagi çuditshëm si nëpër mite, ani de, optimizmi yt, kur kapitulli u mbyll në skajshmëri nga realja tek makthi. Tek ecja i silloisur në krah të krah të fotografisë tënde në makth doja të thoja në vesh të rrokjezuar atë fjalinë që përdoret në Kosovë e që Ty të pëlqente shumë: “Çile guri gojën!”.

Por nga engjëjt nuk korr përgjigje. E pata ndjesinë se qe ngjitur në malin e Stogoit ku janë engjëjt, zanat e petritët. Miqtë të adhuronin për imazhin ideal që e kishe në thua për të mos ju dorëzuar trishtimit të madh, i cili të kishte pushtuar të gjitha indet. Gjithnjë ndofta do të ndjej një lloj pakuptimësie kur do t’i hedh sytë tek banesa në Ujin e Ftohtë të Vlorës, sidozot e art, e arkitekturuar e me strukturë si ato çukat e Stogoit e nxjerrë nga mendja jote brilante, e cila qe për Ty duhia e prushit dhe bregu i Itakës. Ikja jote Lisenko nuk pati ububushmëri. Ti e kishe për zemër thënien e Bajronit: – “Përpara! – Kurajo!”. E kësodore ike shenjtërisht me kryet ar të pastër i ndërgjegjshëm për përkohësinë tonë, megjithëse në fushën e artit nuk e përfundove dot autoportretin. Familja dhe miqtë në këtë çast të mbramë me frymën pezull mes thartësisë dhe vrerit janë të pangushëllimitë. Përballë kalvarit të brengës dhe me një ndjesi të mprehtë, mes realiteteve paralele, do ta gjej orën e pikut e një mesokohe do vete përsëri në Vlorë, se Ti ishe një dritë ndryshe. Dhe si në motërzimet e baladave do ta kthej kokën nga avllia e shtëpisë, që nuk e gëzove dot, e do të përcjell me metafora tragjike emocionet e një kohe të papërsëritshme. Përnjëmend do më duket sikur Ti si faustian në pikën më të lartë të pakuptueshmërisë do më recitosh me shpirt vargje rruazash nga Fausti. Dhe unë pas humbjes i brengosur do ta kthej me një strofë po me vargjet e Gëtes : /Fati yt nuk do vajtuar/ /Ta lakmojmë ne të tutë/ /Se ty zëmra të këndonte/ /Në mot të egër a të butë/.

March 5, 2018 13:06
Komento

3 Komente

  1. As March 5, 17:38

    Ngushellime familjes per humbjen eparakohshme te Lisenkos. Me shume dhimbje
    Ing.Astrit Zere

    Reply to this comment
  2. shpatar March 6, 10:57

    Ngushellime familjes per mikun tim te femjeris .

    Reply to this comment
  3. mirel March 6, 13:31

    Ky eshte aktori i Karnavaleve.
    Respekte per kete lab simpatik
    Ngushellime familjes

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*