“Reuters”: Armët shqiptare në Kongo, ndihmuan luftën civile

Redaksia Online November 23, 2012 21:56

“Reuters”: Armët shqiptare në Kongo, ndihmuan luftën civile

Qeveria shqiptare është përfshirë në një tjetër aferë që lidhet me tregtinë e armëve. Mediat prestigjioze ndërkombëtare kanë publikuar lajmin se armët shqiptare janë përdorur nga rebelët në Kongo. Bëhet fjalë për grupin e rebelëve kongolezë, të quajtur M23, që kanë pushtuar një qytet të rëndësishëm, të quajtur Goma dhe synojnë të marshojnë edhe në kryeqytet, pavarësisht thirrjeve të liderëve afrikanë apo të komunitetit ndërkombëtar për t’u dorëzuar.

Pamjet me armë shqiptare

Në pamjet e regjistruara nga gazetarët e agjencisë “Reuters” zbulohet se ushtria kongoleze përdorte armatim shqiptar. Këto janë predha mortajash të rënda 120 milimetra që kanë dalë nga rezervat e Ushtrisë Shqiptare dhe kanë përfunduar në duart e ushtrisë kongoleze. Një ushtar i forcave rebele tregon arkat me predha mortajash mbi të cilat nga mbishkrime në gjuhen shqipe. Armët shqiptare furnizojnë një konflikt të përgjakshëm shumëvjeçar në Republikën Demokratike të Kongos në një kohë kur ndaj këtij vendi ka embargo armësh si një masë për të kufizuar mundësinë e vijimit të konfliktit. Por këtë embargo e kanë çarë armët shqiptare të cilat janë përdorur në masë në luftën e Kongos. Predhat 120 milimetërshe janë në sasi shumë të madhe në depozitat e Ushtrisë Shqiptare. Për to është vendosur që të demontohen dhe kjo gjë u realizua deri në momentin e shpërthimit në Gërdec, ndërsa vijoi më pas në uzinat ushtarake në gjithë vendin në Gramsh, Poliçan dhe Skrapar si dhe në disa poligone ushtarake të caktuara nga Qeveria.

 

Debatet në Shqipëri për armët
Pak muaj më parë, në Kuvendin shqiptar u zhvillua një debat i ashpër, pasi deputeti Erjon Braçe, akuzoi se Ministria e Mbrojtjes po bënte trafik armësh duke çuar sasi kolosale një kompanie serbe në Malin e Zi. Me rindezjen e konfliktit Republikën Demokratike të Kongos, që për president ka një emër të njohur, Laurent Kabila në skenë dolën armët shqiptare që po shkaktojnë viktima dhe po ushqejnë një konflikt të përgjakshëm në këtë vend të trazuar afrikan. Frika e luftës civile në shkallë të gjerë është rikthyer në Kongo, pas një përshkallëzimi të ri të situatës me mësymjen e qytetit lindor të Goma-s nga forcat rebele. Një muaj pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-se deklaroi se ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj liderëve të lëvizjes rebele M23 dhe të gjithë atyre që shkelin embargon e armëve të vendosur Republikës Demokratike të Kongos, kryengritësit morën nën kontroll Goma-n dhe refuzojnë të largohen prej andej. Mësymja e tyre detyroi Forcat e Kombeve të Bashkuara të tërhiqen. Mijëra vetë janë larguar nga zona e luftimeve përreth qytetit Sake, që e pretendojnë të dyja palët. Pas marrjes së Goma-s, lëvizja rebele M23, që besohet se mbështetet financiarisht por edhe me armë nga Ruanda është betuar të çlirojë të gjithë vendin, duke përshkallëzuar sërish tensionet në rajonin e paqëndrueshëm.

Konflikti në Kongo
Teksa Kongo përpiqet të rigrupojë ushtrinë e saj të copëzuar, presidenti Laurent Kabila pezulloi nga detyra kreun e forcave tokësore pas akuzave që një paneli ekspertësh të OKB-së se i ka shitur armë grupeve të tjera të armatosura në lindje. Shefi i krahut politik të M23-shit, Jean Marie Runiga deklaroi se pavarësisht apeleve të qeverisë, rebelët nuk do të tërhiqen të paktën jo derisa Kabila të vendosë të hyjë drejtpërdrejtë në bisedime me ta. Konfliktet e brendshme e mundojnë këtë vend prej shumë kohësh, aq sa Kongo është kthyer në epiqendrën e asaj që ekspertë e përkufizojnë si “lufta e madhe e Afrikës”.
 

Kulluri: Kemi bërë tregti me Kongon, por ishte e ligjshme

Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar dje se tregtia e predhave 120 milimetërshe me Kongon është e ligjshme. “Për shitjen e predhave qeverisë kongoleze i është vënë në dijeni dhe OKB, ndërsa gjithë aktiviteti tregtar është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Eksporteve.” Deklarata është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri.  “Në përgjigje të akuzave të televizionit “Top Channel” për të ashtuquajturin skandal të përdorimit të predhave shqiptare në luftimet e Kongos, Ministria e Mbrojtjes sqaron se, këtu nuk ka asnjë skandal dhe as lajm. Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Ndaj për t’i kursyer televizionit në fjalë monitorimin e agjencisë së lajmeve “Reuters”, aktiviteti i tregtimit të mallrave ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes gjendet në këtë raport. Ky është raporti i AKSHE për vitin 2011, publikuar në faqen e internetit me adresë “www.akshe.gov.al” ku pasqyrohet shitja e 10 mijë predhave mortaja 120 mm”, u shpreh Kulluri.  Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes paraqiti para mediave dokumentin e marrjes në dorëzim të këtyre predhave nga qeveria kongoleze. “Bëjmë me dije se qeveria e Republikës Demokratike të Kongos nuk është nën embargo. Shitja i është bërë qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos konform të gjithë rregullave dhe akteve ligjore. Nëse rebelët kongolezë kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Kulluri.

Redaksia Online November 23, 2012 21:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim