Rexhep Qosja: Rama dëshmoi superioritet politik, u konfirmua si lider i rajonit

November 11, 2014 05:43

Rexhep Qosja: Rama dëshmoi superioritet politik, u konfirmua si lider i rajonit

Ngjarja e kësaj të hëne është vizita historike e kryeministrit Edi Rama në Beograd, vizitë që nxori në pah mungesën e komunikimit mes dy vendeve dhe ku përmendja e realitetit të Kosovës së pavarur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Aleksandar Vuçiç, u cilësua si provokim nga ky i fundit.

Në një  intervistë për emisionin “Shqip”, akademiku Rexhep Qosja tha se vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Evropian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot marrëdhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e marrëdhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë – Serbi”, ka thënë Qosja.

I pyetur se si i është dukur qëndrimi i kryeministrit Rama në Beograd, Qosja ka thënë se e ka ditur që “kryeministri i Shqipërisë me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët”.

Ndërkaq, për qëndrimin e kryeministrit serb Vuçiç, Qosja ka thënë se si Vuçiçin, ashtu edhe Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçic, i njeh që kur ka qenë fëmijë, duke theksuar se Vuçic ka qenë konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Daçic ishte komsomolas i Milloshevicit dhe i partisë së tij socialiste.

Vuçiç… më ka befasuar shumë zgjedhja e tij si kryeministër, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste, por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimaneve të Bosnjës e të Hercegovinës. Jo vetëm për mua, zgjedhja e tij si kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, por ja që u zgjodh sepse ai mori një drejtim politik pro evropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve dhe intelektualëve në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë kurse këta i quajnë pro-evropianë”, ka thënë më tej Qosja.

Ndërkaq, gazetarja Xhunga tha se Vuçiç, evropian apo jo, tregoi se nuk është profesionist si politikan në momentin që hoqi kufjet, apo, siç tha ajo, nuk i duhen dëshmi profesioniste, por patriotike për vendin që udhëheq?

“Çdo njeri e bën jetëshkrimin e vet në shtëpinë e tij dhe ai atë biografi të tij, ato sjellje të tij, atë mentalitet të tij politik e tregoi dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, i ranë maskat menjëherë dhe filloi të flas pa kontroll për shqiptarët, për Shqipërinë për ato çka ndodhën në futboll”, tha Qosja.

Më tej, akademiku Qosja tha se Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë pasi që Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën, dhe se ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre.

Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kanë shpallur veten një popull qiellor. Popujt qiellorë nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20-të me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve”, u shpreh Qosja.

Qosja tha se këtë vizitë mund ta shikojmë në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin, e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë, u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh për fund, akademiku Rexhep Qosja. (Express)

November 11, 2014 05:43
Komento

2 Komente

  1. Pëllumb zaimi November 11, 14:08

    !????!

    Reply to this comment
  2. Mark uk November 12, 18:44

    U ngjall perseri agjenti i UDB Jugosllave.Komunisti i devotshem,si dhe islamiku i thekur Rexhep Taip Qosja.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*