Ribotohet “Kalendari Kombiar”

September 17, 2017 17:26

Ribotohet “Kalendari Kombiar”

Fondacioni humanitar dhe kulturor ALSAR risjell në duart e studiuesve dhe lexuesve shqiptarë në origjinal një nga veprat më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare

Zylyftar Hoxha

Një lajm i gëzueshëm për kulturën shqiptare: Punë ditësh dhe në Tiranë mbërrin që nga Turqia, ku është shtypur, kontingjenti i parë i “Kalendarit Kombiar”, një nga veprat më madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm.

Më kot ishte lodhur për vite me radhë nipi i Kristo Luarasit, prof. Genc Luarasi duke trokitur në dyert e Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera për ribotimin e “Kalendarit Kombiar”, jo se ishte vepër e gjyshit të tij, por se ishte vërtet një thesar vlerash kombëtare. Askush nuk e dëgjoi Gencin, përkundrazi e përcollën derë më derë për ta mërzitur. Në kushte të tjera, në një vend tjetër, ky nip gjyshi nuk do të lutej, por do t’i luteshin, dhe jo me fjalë, por me dollarë!…Të tilla gjëra nuk ndodhin askund në botë, ndodhin vetëm në Shqipëri…Na ndihmoftë Zoti!

Dhe vërtet paska Zot që të ndihmuaka! Atë që s’e bëri ministria dhe zyrat ku trokiti Genci, e bëri fondacioni ALSAR dhe personalisht presidenti i tij, teologu Mehdi Gurra, i cili, si një mirëbërës i madh, menjëherë u tregua i gatshëm dhe i dha udhë botimit.

Ç’përfaqëson ALSAR?…

Është një fondacion i emërtuar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), i cili vepron që prej vitit 2006. ALSAR u krijua me vendim të Gjykatës së Rrethit të Tiranës, dhe është pjesë e strukturës së shoqërisë civile shqiptare që operon në tri fusha, në fushën humanitare, arsimore dhe në atë të botimeve.  Kjo organizatë që drejtohet nga një bord specialistësh të fushave të ndryshme, me në krye presidentin e saj, teologun Mehdi Gurra; ka partneritet me Republikën e Turqisë, me qeverinë e saj, me institucionet shtetërore turke, por edhe me disa organizata simotra në Holandë, Belgjikë, etj.

Në këta 11 vjet të krijimit ky fondacion ka arritur të realizojë 440 projekte. Nga këta: 150 projekte humanitare ku kanë përfituar 110.000 familje të kategorive të njerëzve në nevojë; 20 projekte në fushën sociale për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, në institucionet e përkujdesjes sociale; 100 projekte në arsim, që konsistojnë në dhurimin e çantave shkollore, pajisjeve didaktike për 15000 nxënës të shkollave publike, në 10 qytete të ndryshme të vendit, restaurimin e mjediseve të shkollave, ofrimin e bursave të studimit dhe atyre të ekselencës nga i cili kanë përfituar 350 studentë, si dhe zhvillimin i kurseve të kualifikimit falas.

ALSAR dhe botimet

Por një kontribut të veçantë ALSAR ka dhënë në fushën e kulturës për promovimin e trashëgimisë dhe vlerave kulturore shqiptare nëpërmjet studimeve, konferencave, seminareve shkencorë, botimeve etj. Janë botuar deri tani gati 120 tituj librash dhe punimesh të karakterit enciklopedik, shkencor, historik, kulturor, social dhe fetar. Ajo që bie në sy, është përzgjedhja librave që botohen, sidomos ato që kanë të bëjnë me historinë e Ballkanit dhe të Shqipërisë, një histori e parë nga larg, e parë ftohtë dhe pa ndikime politike.

Në librat që ka përkthyer dhe botuar ALSAR studiuesit shqiptar u ofron një lloj literature ndryshe, me këndvështrim të paanshëm, siç janë dy librat e studiuesit amerikan Justin McKarthy “Historia e popullsisë së Lindjes së Mesme dhe Ballkanit”, “Vdekje dhe dëbim”; libri me autor Fikret Karçiç “Muslimanët e Ballkanit, ‘çështja lindore’ në shekullin e 20-të”, libri i prof.dr, Mehmet Maksudoglu “Historia Osmane dhe institucionet” etj. Në këto botime, ka shumë të dhëna të reja dhe dokumente të panjohur më parë edhe për Shqipërinë, si pjesë e Perandorisë Osmane, të cilat pasurojnë historinë tonë, por edhe shtrojnë detyrën për riformulime e konkluzione të reja që janë më pranë të së vërtetës.

 Kalendari “i ri”

Botimi i ri i “Kalendarit Kombiar” me një tirazh prej 500 kopjesh është bërë në origjinal, pa i ndryshuar asgjë, me alfabetet e dikurshëm, me frontespicet, pikturat dhe grafikat e dikurshme. Të vetmet ndryshime, po t’i quajmë kështu, janë se nga 22 vëllime është përmbledhur në 4 vëllime me letër dhe lidhje speciale për të zvogëluar vëllimin; dhe “ndryshimi” i dytë, është se çdo vëllim hapet me nga një parathënie të re, duke futur si parathënie edhe shkrimin e Mit’hat Frashërit, botuar në revistën “Minerva”, nr. 23-24, 1934, tri ditë pas vdekjes së Kristo Luarasit.

Studiuesit dhe lexuesit shqiptarë duhet t’i jenë mirënjohës veçanërisht dy vetave për botimin e Kalendarit ë “ri” Kombiar, zotit Mehdi Gurra, që është marrë dhe e ka ndjekur personalisht në çdo proces të botimit, duke u marrë edhe me detajet më të vogla, me qëllim për të nxjerrë një vepër cilësore; dhe personit të dytë, prof. Genci Luarasit, për një punë skrupuloze për grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe përgatitjen grafike të materialit.

Si për të gjitha botimet e ALSAR, do të veprohet edhe për “Kalendarin Kombiar”: ai nuk do të shitet, por do të shpërndahet në formë dhurate nga fondacioni, ku prioritet do të ketë Biblioteka Kombëtare, ajo e Akademisë së Shkencave dhe bibliotekat e institucioneve të tjera shkencore dhe kulturore. Po kështu, falas do të jetë edhe për studiuesit, njerëzit me interesa shkencore dhe lexuesit e thjeshtë që e duan dhe e ndjekin librin.

Ndër punët e mira që ka bërë Biblioteka Kombëtare, është edhe “botimi” elektronik i “Kalendarit Kombiar”. Nga 22 vëllime janë dixhitalizuar 14 vëllime. Edhe pse e dinte këtë fakt, zoti Gurra nuk u tërhoq. “Letrën, librin nuk e zëvendëson asgjë”, thotë ai.

Për botuesin Gurra, me botimin e “Kalendarit…” në origjinal është bërë gjysma e punës, pasi, siç thotë, “Kalendari…” do deskriptuar, dmth, krahas gjuhës dhe alfabetit së vjetër, do sjellë në gjuhën dhe alfabetin aktual. Por që të bëhet një punë e tillë duhet një angazhim gjithëpërfshirës shkencor, duhen edhe fonde. ALSAR është i gatshëm të ndihmojë në këtë projekt, por edhe me aktorë të tjerë dhe financime të tjera, pasi është një projekt shumë i madh”.

“Kalendari Kombiar (1897-1916, 1926,1928)”

“Kalendari Kombiar” (1897-1916, 1926,1928), botim i përvitshëm enciklopedik kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli më 1897 me titullin “Ditërrëfenjësi” (kalendari) Kombiar” dhe nga viti 1901 e deri në fund u titullua “Kalendari Kombiar”. Gjatë viteve 1897-1900 u drejtua nga Kristo P. Luarasi me Kosta Trebickën dhe më pas edhe me Nikolla Naçon. Pas vitit 1900 botues i vetëm ishte Kristo Luarasi deri në numrin e fundit. Në vitin 1909-1910 u botua në Selanik; më 1911-1916 përsëri në Sofje. Më 1926 rinisi botimi në Tiranë nën drejtimin e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndos), i cili mundi të nxjerrë një numër të fundit në vitin 1928. E gjithë seria përbëhet prej 22 vëllimesh. Në këto botime kanë shkruar artikujt e tyre shumë pena të Rilindjes shqiptare, arbëreshë, etj. sipas tematikave të cilat zgjidheshin nga botuesi. Për rritjen e nivelit kulturor intelektual të lexuesve, krahas autorëve shqiptarë, botuesit kanë përzgjedhur materiale të autoreve të huaj, gjithnjë me një sens për të rritur ndjenjën kulturore dhe kombëtare shqiptare. Vihen re edhe materiale të përkthyera nga historia, gjeografia,shkencat e natyrës, teknike etj, ku një peshë të madhe ka patur Mit’hat Frashëri në saje të arsimit  dhe kulturës së tij gjerë. Me vlerë janë përmbledhjet e bëra të ngjarjeve të vitit të mëparshëm, reklamat e lajmërimet dhe një risi ishte botimi i listës së ndihmëtarëve financiarë anë e kënd botës, që shërbente si një lidhje mes shqiptare  që nga Rusia në Argjentinë dhe Australia në Amerikën e Veriut. “Kalendari Kombiar” është shkruar me tre alfabete që përdoreshin në atë kohë. Pas vitit 1908 është shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit që përdoret edhe sot.

E deskriptuar

Të dashur mëmëdhetarë,

Moti i ri 1897 i cili na dhuroj rrojtje të re, dhe fat të mirë, na gëzoj edhe me këtë Ditërrëfenjës (Kalendar), të cilin do ta këndojmë me zjarr të madh të gjithë neve Shqipëtarët, që flasim gjuhën Shqip. Ky Ditërrëfenjës vë gurnë e parë të themelisë për mbrothësinë e kombit tonë dhe bje dashuri të madhe për çdo punë bese, ashtu pra, bekim e vëllazëri që të kuptojnë Kombet e huaj se nuk jemi të egër dhe neve Shqipëtarët, sikundër po na quajnë ata.

Megjithëse jemi të varfër nga gjithë të tjerët, po dashuria për mëmëdhenë dhe dëshira që kemi për të hapurit e gjuhës sonë, dalëngadalë, me emrin e të Madhit Zot së pari, do hapim qëllimet tona dhe do të vinjë kohë që do të hapen dhe kishë mbë gjuhën Shqip si kundër kanë hapur dhe Kombet e tjerë. Të kemi dashuri me njëri tjetrin, të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishterë e Myslimanë; të ndihmojmë sa të mundet për çdo farë pune të shenjtëruar, të mos qajmë e përçmojmë gjuhën e mëmës sonë, por sa të mundim ta lavdërojmë së gjithash etj., etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari që ngashëron mbrothësinë e gjuhës së vetë. Këtë Ditërrëfenjës që na i dhuroj e ndiçmja Shoqëri e Sofjes “Dëshirë” e bëmë format më të madh pakë, meqenëse kemi nevojë të madhe fjale më shumë, si ndonjë vjershë, këngë, a përrallë të Kombit.

Me nder

  1. I. T.

 

 

September 17, 2017 17:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin