Rihapet Kalaja e Tiranës, Veliaj: Një tjetër histori suksesi

December 22, 2018 14:16

Rihapet Kalaja e Tiranës, Veliaj: Një tjetër histori suksesi

Nga sot, Kalaja e vjetër e Tiranës është hapësira më e re kulturore e tregtare e qytetit, ku qytetarët dhe turistët e shumtë mund të gjejnë dyqane suveniresh, mozaikë e restorante tradicionale.

Pas sheshit “Skënderbej dhe Pazarit të Ri, falë bashkëpunimit me familjen e vjetër Toptani për rehabilitimin e saj, Kalaja e vjetër e Tiranës i është kthyer qytetarëve si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin të artizanisë, kulturës dhe artit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, vizitoi mjediset e rehabilituara të Kalasë. “Jam i bindur se kjo do të jetë një histori suksesi, jo vetëm për të gjithë ne që jemi në Tiranë, dhe që do ta shijojmë, por për shumë turistë. Jam i sigurt se do të kthehet në një destinacion, do të jetë ndoshta një nga vendet më të vizituara. Nëse vazhdojmë me këtë frymë, ku përtej ndasive themi – a ka disa gjëra që biem dakord, se si mund të ecim përpara – jam i bindur se edhe skeptikët, edhe ata që e luftuan këtë projekt e çfarë nuk sajuan, duhet të vijnë ta shohin. Duhet të kuptojnë se si ne shqiptarët, sa zihemi e grindemi, aq edhe bëjmë gjëra të mrekullueshme kur vendosim të bashkëpunojmë dhe kur vendosim të ecim përpara për ta zhvilluar këtë qytet”, deklaroi Veliaj.

Sikurse është treguar edhe me projektet e mëparshme, rehabilitimi i zonës së Kalasë së Tiranës do të sjellë një impakt pozitiv në ekonominë e qytetit, duke hapur vende të reja pune. Veliaj nënvizoi se në këto 3 vite të gjitha projektet e bukura transformuese të nisura nga Bashkia e Tiranës në fillim janë shoqëruar me debate. Gjithsesi, tha ai, qyteti është i destinuar të rritet. “Ky qytet, në këto 3-4 vite që unë jam përpjekur të shërbej, është rrethuar gjithmonë me sherre dhe debate për çdo gjë të bukur. Mbaj mend kur erdhëm këtu në fillim, thanë: po shqyejnë Kalanë, po e shkatërrojnë, mori fund qyteti, na mbytën kullat, betoni. Tani le t’i sqarojmë disa gjëra: një qytet që rritet çdo vit me 25-27 mijë vetë, ka nevojë të ketë patjetër vende ku njerëzit do banojnë. Ne s’mund të bëjmë geto, nuk mund të shtojmë ndërtimet informale. Më mirë të rrinë në pallate të rregullta ku mblidhen plehrat, ku vjen adresa, ku vjen uji, ku vjen energjia”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se ky është edhe një moment për të reflektuar, pasi shqiptarët nuk do të duhet të humbasin kohë duke i vendosur pengesa njëri-tjetrit, por për të ndihmuar dhe për të qenë të gjithë bashkë. “Është edhe pak moment për të reflektuar për çfarë zihemi ne shqiptarët, për çfarë harxhojmë kohë, debate, për çfarë i hedhim duart në fyt njeri-tjetrit, për çfarë u vëmë njerëzve stërkëmbësha, për parti. Në vitin 2018 zihemi për ideal të partisë – ky i kuq, Toptanët blu, këta kështu, ata ashtu. A ia vlen që të sillemi si tifozë histerikë për parti, që njëherë në katër vjet votojmë kush e bën më mirë këtë punë dhe a është sot koha që të bashkohemi si tirons, si shqiptarë, si europianë për të thënë: Po bën një gjë të mirë, o burra ta ndihmojmë të gjithë sepse duke siguruar një hapësirë këtu ku ka ekonomi, ku lëvizin paratë, ku punësohen njerëz, ku paguhen taksa, ku merr vlerë prona, i gjithë qyteti bëhet më i mirë”, deklaroi Veliaj.

Për ta bërë më të aksesueshme do të ndërtohet edhe një rrugë e re në shërbim të këmbësorëve, që do e lidhë me Unazën dhe rrugën e “Elbasanit”. “Një nga gjërat e bukura që kemi bërë, është se këtu kemi hapur një rrugë, e cila do të jetë gati shumë shpejt. Në fakt, edhe nga pedonalja “Murat Toptani”, por edhe nga Unaza, midis BKT-së dhe SHQUP-it, do të ketë një rrugicë; pra, do të thotë që njerëzit mund ta përshkojnë këtë hapësirë, edhe në një farë mënyrë për të gjithë ata që janë pedonale, dhe që ecin në këmbë do të lidhim dy cepa të qytetit, nuk ka më nevojë të dilni në bulevard ose rrugën “Xhorxh Bush”. Besoj do të jetë një nga rrugët më të preferuara në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Por, investimi i Bashkisë së Tiranës nuk ndalet me kaq. Me rehabilitimin e zonës së Kalasë, Bashkia e Tiranës ka parashikuar në Buxhetin e vitit të ardhshëm rehabilitimin e gjithë pedonales “Murat Toptani”. “Një nga gjërat që kemi buxhetuar këtë vit është rregullimi i të gjithë pedonales “Murat Toptani”. Tani që ka mbaruar edhe ky ishull special, dhe ka filluar aktivitetin e vet, tani mund të lirohemi dhe të fillojmë me gjithë rregullimin e pedonales”, siguroi Veliaj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro deklaroi se sfida me këtë projekt ishte ruajtja e trashëgimisë, por njëkohësisht edhe hapja e këtyre vlerave për publikun. Ajo siguroi se gjithçka është bërë me materiale të lëvizshme, të cilat në të ardhmen mund të zhvendosen lehtësisht. “Sfida jonë e madhe nuk ishte vetëm ta bënim këtë zemër të Tiranës të hapur për publikun, pronarët të mund vërtet ta gëzonin pronën e tyre, por edhe ta ruajnë atë që është vlerë kolektive, që në fakt është nëntoka dhe pjesa arkeologjike e cila është ende e paeksploruar. Në fakt, gjithë sfida nuk është të mos i prekësh; sfida është t’i përdorim duke i ruajtur. Nuk është prekur nëntoka, arkeologjia është aty nën tokë. Gjithçka është ngritur sipër me materiale të lëvizshme; nëse një ditë pronarët e familjes duan ta kthejnë në një sit arkeologjik kanë gjithë mundësinë t’i zhvendosin të gjitha dhe t’i kthehemi një tjetër jete të kësaj pjese”, tha Kumbaro.

December 22, 2018 14:16
Komento

1 Koment

  1. alphade December 23, 12:10

    Ky zoteria ben shume pune por, ka edhe shume llafe,me
    keq se Saliu dhe Rama. Pergjithesmisht qeveritaret shqiptare por edhe analistet shqiptare neper Televizionet
    e vendit flasin e flasin pa pushim dhe asgje konkrete . Bejne debate kotI.Sidoqofte Erioni do beje mire qe te
    marre persiper gjendjen e mjerueshme te konvikteve
    te studenteve dhe te mos lere me ne te ardhmen gjen-
    djen sic eshte sot. Megjithate nuk e di ne se e ka ne ju-
    ridiksion qytetin e Studentit apo jo ?! Sepse universiteti
    gezon edhe statusin e Autonomise……..!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*