Rihapet thirrja për gjyqtar apeli kandidat për KLGJ

August 1, 2018 17:48

Rihapet thirrja për gjyqtar apeli kandidat për KLGJ

 

Gjykata e Lartë njoftoi vakancën në faqen e saj të internetit të mërkurën më 1 gusht, pak orë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimet e fundit mbi kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Në mbështetje të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ,” thuhet në njoftim.

Ligji thotë se nga gjashtë anëtarët gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dy duhet të jenë nga gjykatat e apelit dhe së paku njëri duhet të jetë nga gjykatat e këtij niveli jashtë Tiranës.

Në thirrjen e parë për këtë nivel gjyqësor kandiduan tre gjyqtarë, Ilir Toska, Nertina Kosova dhe Besim Trezhnjeva, ku dy të parët janë nga Gjykata e Apelit të Tiranës dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndërsa Trezhnjeva i përkiste apelit të Durrësit dhe ishte i vetmi kandidat që plotësonte këtë kriter.

Trezhnjeva nuk arriti të kalojë procesin e vetingut duke lënë dy kandidatë nga Tirana dhe duke sjellë detyrimin për rihapjen e thirrjes.

Ilir Toska dhe Nertina Kosova do të garojnë në Mbledhjen Gjyqësore për një vend në KLGJ, ndërsa për vendin tjetër nga gjykatat e faktit kandidojnë pesë gjyqtarë që kanë kaluar vetingun.

Kandidatët do të duhet të plotësojnë kriteret e hollësishme të cilësive profesionale të përcaktuara në ligj si dhe do të duhet të kalojnë në procesin e vetingut para se të mund të fillojë punë Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Të interesuarit kanë afat deri më 15 shtator për të dorëzuar aplikimet.

a.s/dita

August 1, 2018 17:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*