“Ringjallja” e Kristo Floqit

June 27, 2020 13:31

“Ringjallja” e Kristo Floqit

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

U desh më shumë se një shekull nga botimi i veprës së parë, dramës patriotike “Fe e kombësi”(1914), të Kristo Floqit, dramaturg, poet e publicist, që të shkruhet e të botohet një monografi shkencore mbi jetën dhe krijimtarinë e tij letrare. Merita për këtë shkrimtar, që i mungonte historisë së letërsisë shqipe, i takon studiueses dhe pedagoges së letërsisë në universitetin “Fan S.Noli”, Korçë, Prof. as. dr. Jonela Spaho. Është ky një studim monografik shumë i çmuar, që hedh dritë mbi figurën dhe veprën e shkrimtarit që kishte mbetur në hije padrejtësisht për disa dekada me radhë. Por, fatmirësisht, sado që me vonesë, barrën për këtë figurë, që do ta quaja madhore, e mori përsipër dhe e realizoi me sukses të plotë autorja, e cila ka botuar një sërë artikujsh në revista të ndryshme shkencore, brenda dhe jashtë vendit, mbi disa autorë të traditës, por që nivelin më të lartë të punës së saj shkencore e dëshmon me monografinë kushtuar Kristo Floqit.

Vlera e kësaj monografie fillon me zgjedhjen e temës, duke marrë si objekt hulumtimi e studimi shkencor jetën dhe krijimtarinë letrare të një shkrimtari për të cilin studimet tona ishin të mangëta. Kjo tregon se ajo ka punuar në një fushë djerrë, ku mungonin shkrimet hulumtimet për këtë autor. Asaj i është dashur një punë e madhe kërkimore e gjithanshme nga pikëpamja historike, letrare, estetike, etj. Këtë e dëshmon qartë bibliografia shumë e pasur që ka mbledhur dhe ka shfrytëzuar për hartimin e monografisë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës së saj shkencore është përgatitja serioze dhe e specializuar, me të cilën i ka hyrë punës, duke u përballur me çështje kritike, social-historike dhe letrare. Ajo kishte të bënte me një personalitet krijues poliedrik, me një jetë të pasur politike, me veprimtari të gjerë patriotike, me një formim kulturor të gjithanshëm, të pajisur me talent letrar, aktivist i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, një nga liderët e federatës “Vatra”, drejtues i gazetës “Dielli”, “Zëri i popullit”, “Indipendenca Shqiptare”, revista “Agimi” etj. Në këtë fushë ai u dallua si një nga publicistët e talentuar dhe origjinalë, që trajtoi probleme jetike nga pozita patriotike dhe progresiste. Por, veprimtaria më e pasur e K. Floqit ishte dhe mbeti letërsia ku ai bëri emër të shquar si dramaturg, poet, gazetar, kritik letrar, etj. Autorja e hulumton gjithë këtë material të pasur dhe e studion në bazë të gjinive letrare duke marrë parasysh kushtet social-historike, me një njohje të jetës dhe veprës në gjerësi dhe në thellësi, udhëhequr nga kritere shkencore dhe koncepte të sakta letraro-estetike. Gjuha me të cilën shprehet është larg retorikës dhe sloganeve.

Vendin kryesor në këtë monografi e zë studimi i krijimtarisë dramaturgjike të K. Floqit, ndaj dhe qasja dhe hulumtimi i saj mbështetet në të dhëna të sakta teorike-letrare.

Ajo e njeh profesionalisht poetikën e kësaj gjinie, veçoritë e llojeve të ndryshme të saj; drama, tragjedia komedia, farsa, duke pasur parasysh veçoritë e epokave dhe të rrymave letrare, ne kushtet social- kulturore-letrare te ne. Ajo tregoi objektivitet në gjykimet dhe analizat e saj, larg çdo subjektivizmi, vihet në rolin e historianes së letërsisë, të kritikes letrare, si dhe të interpretueses të mendimeve dhe ideve duke dhënë gjykime dhe ide të specializuara për probleme të ndërtimit të subjekteve, karaktereve dhe kontradiktave komike, strukturës kompozicionale, gjuhës artistike të veprave etj.

Kristo Floqi ishte një nga autorët më prodhimtarë, po të kemi parasysh numrin e veprave dramaturgjike e veçanërisht ato komike që shkojnë deri te 20 të tilla. Ato karakterizohen nga një humor i natyrshëm, i individualizuar sipas personazhit dhe mjedisit, nën-shtresave e përkatësive të ndryshme. Komizmi i tyre vjen natyrshëm dhe plot ngjyra. Komeditë e tij kanalizohen në të gjitha shkallët e humorit: nga ironia e lehtë deri te grotesku. Mjaft tërheqëse janë situatat komike dhe batutat që dëshmojnë për vlerat e veçanta të këtij dramaturgu të talentuar. Ngjarjet, situatat personazhet rrjedhin nga jeta, larg sajimeve artificiale dhe efekteve komike të kërkuara.

Nivelin e lartë dramaturgjik K. Floqi ka arritur ta realizojë me dramat e tij, të cilat kanë në themel të tyre realitetin shqiptar, problemet e frymëzuara nga idetë e Rilindjes Kombëtare.

Dallohen veçanërisht dramat me temë historik “Fe e kombësi”, “Karllo Topia”, “Triumfi i lirisë”, etj.
Dramaturgjia e Kristo Floqit, (ndonëse ka të bëjë me një gjini të vështirë) ka arritur nivele që e bëjnë autorin një nga dramaturgët më përfaqësues të letërsisë shqipe, të gjysmës së parë të shek. XX. Dramaturgjia e tij karakterizohet nga tipare romantikë, por nuk mungojnë dhe notat realiste që i bëjnë ato me vlera dhe jetëgjata. Autorja e monografisë zbulon veçoritë më karakteristike të personazheve dhe idetë që ato mbartin nëpërmjet një gjuhe elokuente e të qartë, si dhe nëpërmjet një shprehje të goditur.

Kristo Floqi, në dramaturgjinë e tij do të përfshijë dhe tragjedinë duke ju bashkuar autorëve shqiptarë të kësaj gjinie.
Ai shkroi me një frymë idealiste tragjedinë “Pirro Neopltolemi”. Trashëgimia letrare e këtij autori është e mangët pa poezinë e tij. Ai e lëvroi këtë gjini në disa trajta, duke krijuar poezi lirike, erotike, poezi patriotike, poema epike e deri te vjershat për fëmijë.

Edhe në këtë gjini ashtu si në gjithë krijimtarinë e tij do të zotërojë tema patriotike që kulmon me poemën epike “Dëshmorët e rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Në krijimtarinë poetike të Kristo Floqit zë vend dhe lirika erotike e cila dëshmon për botën e pasur shpirtërore, për ndjeshmërinë e tij, spontanitetin dhe origjinalitetin si dhe nivelin artistik. Është interesante që Kristo Floqi shkroi dhe vjersha për fëmijë që u përmblodhën në vëllimin “Shkëndijat ose Anthologji shkollare” Monografia e Prof.as.dr. Jonela Spaho është një kontribut me shumë vlerë, që jo vetëm e nxjerr në dritë figurën e këtij shkrimtari të shquar dhe krijimtarinë e tij, por është edhe një ngjarje e shënuar në historinë e letërsisë shqipe veçanërisht për periudhën e Pavarësisë. Kjo vepër mbush një zbrazëti shumëvjeçare dhe i jep Kristo Floqit vendin e merituar në letrat shqipe. Studimi serioz me kritere shkencore dhe me një pasuri të dhënash të panjohura, me argumente bindëse, shkruar me një gjuhë të pasur e të saktë e ngrejnë autoren në nivelin e një studiueseje të formuar të përgatitur dhe shumë premtuese në fushën e studimeve letrare shqiptare.

June 27, 2020 13:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim