RINGJALLJA

February 7, 2018 02:38

RINGJALLJA

Moikom Zeqo

Clode Levy Stross (në foto) e tregon një parabolë. Një misionar i krishterë në shekullin XVII diku në Afrikë, a në Zelandën e Re (Vendi në të vërtetë nuk saktësohet përfundimisht) shkoi midis fiseve të egra. Pamja e tij e habiti të egrit e paepur, gati lakuriq, që mbanin gjerdanë prej dhëmbë krokodili dhe vertebra gjarpri. S’e shpjegonin dot praninë e njeriut të bardhë. S’e ngacmuan nga ndrojtja e tyre (ndoshta e shenjtë.) Të egrit qenë kanibalë. Hanin kërmij, tru të gjallë majmunësh, ndonjëherë peshq, por më shpesh kundërshtarët luftëtarë. Gjallimi i tyre qe përleshja rituale. E pabesueshme: prifti misionar e mësoi gjuhën e tyre primitive, ku foljet « jetoj » dhe “ha” ishin e njëjta gjë, kurse koncepti për vdekjen nuk ekzistonte. Të egrit nuk e kuptonin se ç’ishte vdekja as për të tjerët as për veten e tyre. Prijësi i të egërve, që mbante në veshët e shpuar një kthetër jaguari dhe një kthetër shqiponje shprehte simpati (gjeste mirëkuptimi) me priftin e bardhë.

U bë e zakonshme të bënin biseda lakonike, të çuditshme. Me kuptimshmëri të pamjaftueshme.

Prifti i foli (aq sa mundej) për ungjijtë, Krishtin. I egri i lemeritshëm por dhe madhështor përpiqej të mësonte diçka (pavarësisht se qytetërimi s’perceptohej dot prej tij si botë tjetër më vete.)

I bardhi synonte t’i shpjegonte ç’është vdekja. Qe absolutisht që i egri ta kuptonte vdekjen. Jetën po. Vdekja s’kishte asnjë kuptim. Ahere misionari e bëri një lloj shpjegimi, fatkeqësisht teologjik. Ai tha qeniet e gjalla vdesin sepse kështu do Zoti i madh dhe i vetëm. I egri duke mos e kuptuar (ditur) vdekjen s’arrinte dot dhe tek ideja universale për Zotin. Ahere misionari i mëshirshëm i foli për ringjalljen, njerëzit që e donin Zotin, çmoheshin nga Zoti dhe mbas vdekjes i ringjallte për të jetuar një jetë të re, më të mirë, më të ndritshme.

I egri e dëgjoi këtë me kërshëri. E pyeti disa herë për ringjalljen. Koncepti i ringjalljes ju duk më i afërt, shumë më i kuptueshëm. Kjo bisedë u bë në muzg buzë një lumi me krokodilë, nën një palmë shekullore. I egri e pyeti sërish për ringjalljen. I bardhi buzëqeshi. I tha se ai ishte njeri i Zotit, gjithçka që shpjegonte qe tërësisht e vërtetë. U duk disku i madh i Hënës. Mbaroi dita, që s’ngjante me të tjerat. I egri u duk sikur po ngazëllohej. I pëlqente shumë ky njeri i bardhë, i pafuqishëm, por që atij po i mësonte diçka. Kjo ju duk shumë miqësore. Gati një zbulim për trurin e tij brenda natyrës, por shumë pak të aftë për çdo gjë jashtë natyrës.

I egri ngriti dhe uli krahët disa herë, shenje e një ekstaze.

Mëngjesin e nesërm i egri e hëngri të bardhin pikërisht se besoi tek ringjallja që ja mësoi i bardhi. Qe një formë naive dhe fillestare e besimtarisë. E hëngri që ta kishte brenda trupit të tij, tërë trupin e misionarit i cili me siguri do të ringjallej nga Zoti i tij. Me këtë mënyrë të sigurtë, të padyshimtë, do të ringjallej dhe ai vetë, pra do të kishte dy ringjallje! Pohim i dyfishtë për Zotin e vetëm dhe largpamës.

Clode Levy Stross-i subjektin e parabolës e sheh në rrafshin e antropologjisë strukturaliste, gjakftohtë, pa rënë në mëkatin e komenteve shterpe, ku ngatërohen tërë letrarët por sidomos filozofët, e njëjta racë me teologët. Komentet e abstragojnë (e artificializojnë) natyroren. Akti i prijësit të të egërve (tashmë të zhdukur dhe të paverifikueshëm në xhunglat afrikane) ishte në harmoni me natyrën. Lëviz, s’humbet sëbashku me natyrën. Përjetësisht.

Botuar në Dita. Botimi i parë, Durrës 1993

 

 

February 7, 2018 02:38
Komento

5 Komente

  1. anticensurë25642654 February 7, 09:34

    o mojkom çdo të thuash për RINGJALLJEN e tradhëtisë sot??
    për kartabjankën që po i jepet gërkut për aneksimin e tij??
    lëre Clode Levy Stross,pavarsisht se parabola është fantastike!!

    Reply to this comment
  2. Kris 1 February 7, 13:15

    Keshtu dhe ne po e hame shqiperine me besimin se neser ate zoti do ta ringjalle a rilide neser

    Reply to this comment
  3. betixho February 7, 16:45

    Të egrit mund ta hanë të “bardhin”

    Reply to this comment
  4. demo February 7, 21:06

    Parabole=perralle=pallaver.Moikomi duhet perkthyer,qe t`i bjere Varaku i Kornizes.

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 February 8, 08:07

      demo ti e di fare mirë se “përkëthimi” që kërkon ti mund të “përkëthehet” pak a shumë po aq sa ka lëvizje shahu!!pra mund të interpretohet në shumë mënyra!!
      mojkomi ka “përkëthyer” atë të mundësisë së ringjalljes së “të egrit”nëpërmjet misionarit!!
      unë do ta interpretoja si një mudësi “perpetum mobile”të ushqimit!!pra meqënëse i misionari mund të ringjallej ai mund të rihahej,por në të njëjtën kohë,nuk kishte “mëkat” në vrasjen e tij!!
      kurse betixho ka dhënë zgjidhjen më të drejtë!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*