Rinia, viktima e parë e krizës në Evropë

August 29, 2016 13:07

Rinia, viktima e parë e krizës në Evropë

Unioni Evropian ka afërsisht 90 milionë të rinj të moshës 15-29 vjeç, duke përfaqësuar 17% të popullatës së tij. Por, një sërë të dhënash e pasqyrojnë rininë evropiane, si një prej viktimave të para të krizës në Evropë. Përkujtimi i ditës ndërkombëtare të të rinjve, gjatë muajit gusht, do të sillte në vëmendje, realitetin e të rinjve evropianë. Shifrat e ofruara nga Eurostat, flasin për 4 milionë e 235 mijë të rinj evropianë, që janë të papunë dhe 2 milionë e 932 mijë të tjerë, që i përkasin vetëm Eurozonës. Nga Portugalia deri në Evropën e Lindjes, përqindja e papunësisë së të rinjve ( më pak se 25 vjeç) ngelet e lartë. Në total, 18,8% e të rinjve evropianë (21,1% në Eurozonë) janë në kërkim të një punë, një përqindje, që paralajmëron formimin e konturit të një brezi të “humbur”.

Diferencat mes shteteve janë shumë të theksuara. Gjermania nuk është vend i vetëm me një përqindje papunësie të ulët, tek të rinjtë, prej vetëm 7% por edhe Republika Çeke 9,5% si edhe  Malta 8,9%, pozicionohen mirë. Më pas, vjen Austria (10,4%) Danimarka (11,6%) Holanda (11,2%) dhe Lituania (13,8 %), të gjithë nën nivelin prej 15%. Por, shifra pesimiste pasqyrohen në katër vende të Unionit, ku një pjesë e mirë e rinisë gjendet e papunë. Përqindja kulmon me Greqinë (51,4% ), me Spanjën (45 %), me Kroacinë (38,9 %) dhe Italinë (36,9%).

Problematikat

Mungesa e punësimit tek të rinjtë, nuk shfaqet shqetësuese vetëm për nga niveli i lartë i përqindjes, por ky punësim edhe kur kryhet, shfaqet problematik kryesisht ndaj cilësisë. Është pikërisht kjo cilësi, që është subjekt diskutimi i vazhdueshëm. Shifrat që ofron Eurostat për vitin 2013, tregojnë një panoramë ku rreth 42% e të rinjve evropianë, zotërojnë kontrata të përkohshme, një përqindje që është katër herë më e lartë se tërësia e popullatës aktive; dhe 32% e tyre ushtrojnë një punë me kohë të pjesshme, pra, dy herë më e lartë se përqindja e vëzhguar për tërësinë e popullatës aktive. Cilësisë jo të mirë të punësimit i shtohet edhe një tjetër faktor i konstatuar rëndom në funksionimin e tregut të punës, siç është ai i degradimit të pozicionit të të rinjve të punësuar, kur ekonomia fillon të hyjë në fazën e ngadalësimit.

Përtej faktorëve të mësipërm, çështja e punësimit të të rinjve, shfaqet e pashmangshme apo e ndërthurur me çështjen e formimit të tyre. Sidomos tek kategoria e të rinjve, që e braktisin formimin shkollor, pasi këtu gjendet edhe niveli më i lartë i të rinjve të papunë, sipas të dhënave të Eurostat. Është ky formim, që shfaqet si problematikë e vazhdueshme, pasi nuk përputhet me atë çka ofron tregu i punës. Nga ku kemi konstatime të vazhdueshme mbi papunësi të lartë të të rinjve, por edhe mijëra vende bosh, që nuk arrijnë të plotësohen pikërisht nga ky fenomen.

Zgjidhja e këtij problemi, nuk përfshin vetëm aftësinë për të përshtatur ofertën me kërkesën, pra që sistemet arsimore dhe ato të formimeve profesionale të përputhen me kërkesat e tregut të punës, por kjo ndërmarrje është kolasale në kuptimin e investimeve të mëdha, që duhet të kryejnë pushtetet publike. Dhe kryerja e këtyre investimeve është akoma më e vështirë kur politikat parashikojnë kufizime apo shtrëngesa të mëdha buxhetore. Nga ana tjetër, pavarësisht investimeve të nevojshme që duhet të kryejnë pushtetet publike, pa një rimëkëmbje ekonomike është e vështirë që ekonomia të rezervojë dhe të ofrojë zhvillim pozitiv të punësimit.

Një sërë vendesh anëtare, njihen për aplikimin e politikave të vazhdueshme të nxitjes dhe të zhvillimit, sidomos ndaj të rinjve dhe kategorisë më problematike të tyre, që kanë braktisur herët sistemin shkollor dhe që nuk ndodhen të përfshirë në tregun e punës.

Finlanda, ka kohë që ka vënë në zbatim një lloj sistemi, që lejon plotësimin e një kualifikimi profesional, në veçanti ndaj të rinjve, që braktisin herët sistemin arsimor, por edhe ndaj të sapo diplomuarve, duke i ofruar atyre një formim të mëtejshëm profesional, ose një punësim, brenda tre muajve të regjistrimit të tyre, në sistemin e sigurimit të papunësisë. Sistemi bazohet në një bashkëpunim të ngushtë me parterët socialë. Por, shembulli finlandez nuk pasqyrohet i jashtëzakonshëm, në logjikën e mos uljes në nivelin e duhur të përqindjes së papunësisë tek të rinjtë, çka lidhet edhe me logjikën e impaktit të krizës ekonomike, një faktor që nuk shmanget në analizimin e situatës. Në të njëjtën linjë vjen edhe shembulli i sistemeve të përdorur në Belgjikë apo edhe në Britaninë e Madhe, duke u vlerësuar si sisteme, që nuk prodhojnë një sukses automatik të aplikimeve të tyre.

Nga të gjithë shembujt në aplikimin e këtyre sistemeve, duket se rasti i Austrisë dhe ai i Gjermanisë janë nga më të suksesshmit. Të rinjtë e Austrisë pasi mbarojnë gjimnazin, mund të zgjedhin një formim të alternuar, pra teksa formohen, punojnë paralelisht në një ndërmarrje. Ky lloj formimi zgjidhet nga 40% e të rinjve austriakë. Dhe në përfundim të formimit, më shumë se 40% e tyre, zgjidhen nga ndërmarrja për t’u punësuar në gjirin e saj. Pra, është një lloj sistemi, ku përfitojnë të dy palët, ndërmarrja që investon tek të punësuarit e ardhshëm, për të pasur një krah pune të specializuar dhe të mirë-kualifikuar dhe të rinjtë nga ana tjetër kryejnë formimin e tyre, dhe njëkohësisht punojnë në ndërmarrjet, edhe duke marrë një lloj pagese në shumicën e rasteve.

Çelësi i suksesit, shtrihet tek bashkëpunimi i ngushtë i Shërbimit Publik të Punësimit në Austri, me gjimnazet, duke arritur të tërheqin të rinjtë nëpërmjet metodave pro-aktive, organizimeve të aktiviteteve të ndryshme informuese dhe argëtuese, por duke përfshirë në proces edhe mediet që arrijnë me sukses të tërheqin vëmendjen e të rinjve. Çdo nxënës përfiton nga një Shërbim Trajnimi dy ditë para përfundimit të sistemit të detyruar shkollor. Dhe sistemi i garancisë së të rinjve, ndryshe nga vendet e tjera ndërhyn vetëm si mjet i fundit, nëse formimi, programet e alternuara apo mësimi i kualifikuar i zanateve, nuk kanë sjellë si konkluzion punësimin e të riut/të resë.

Ndërsa sistemi arsimor gjerman është i dyfishtë. Përveç mësimit të përgjithshëm, Gjermania ka vënë në zbatim një formim me synim profesional, që kombinon përvojën e punës, eksperiencën në terren, dhe mësimin në klasa, në gjirin e shkollave speciale (Berufsschulen). Mësimi profesional përfshin përveç të tjerave edhe kompanitë si edhe sindikatat. Dialogu me partnerët socialë, lejon rinovimin rregullisht të trajnimit për secilin lloj të kualifikimit: kohën e të mësuarit të zanatit, kompensimin financiar, përmbajtjen arsimore dhe natyrën e provimit përfundimtar. Por, në të njëjtën kohë, ka një kontroll sistematik të kualifikimit të mësimdhënësve apo profesorëve. Këto janë meritat e sistemit gjerman, që shikohen si model në nivel evropian.

Plani Evropian

Përqindja alarmante e papunësisë, që ka prekur disa vende të Bashkimit Evropian, e ka çuar Komisionin Evropian të nisë në vitin 2012, një seri masash për t’i dhënë një impuls punësimit të të rinjve. Paketa e përpiluar përfshinte një propozim të miratuar nga Këshilli në vitin 2013, të një garancie punësimi për të rinjtë, një rekomandim të Këshillit mbi cilësinë e stazheve të miratuar në vitin 2014, si edhe një program aleance evropiane për mësimin e zanateve. Kësaj i shtohet, iniciativa për punësimin e të rinjve të lançuar në vitin 2013, që ka për objektiv të përforcojë dhe të përshpejtojë marrjen e masave, kryesisht në rajonet ku përqindja e papunësisë së të rinjve kalon nivelin prej 25%.

Vende të ndryshme evropiane, në fakt, kanë kohë që aplikojnë edhe marrëveshje dypalëshe, duke tentuar t’i japin zgjidhje këtij fenomeni. Gjermania, vendi model në suksesin e luftës ndaj papunësisë së të rinjve, shikohet si një partner shumë i privilegjuar. Ajo ka nënshkruar me Spanjën në vitin 2012, një Marrëveshje bashkëpunimi, objekti kryesor i së cilës, është t’iu mundësojë 5 mijë të rinjve spanjollë, punësimin sistematik, përmes një formimi profesional të alternuar gjerman, apo qasjen në një vend pune të kualifikuar në Gjermani. Një mekanizëm i tillë, në fakt shikohet si një vullnet gjerman për të orientuar migrimin spanjoll drejt Gjermanisë. Në fund të vitit 2012, statistikat flasin për rreth 45 mijë spanjollë që figurojnë në sistemin e sigurimeve sociale gjermane në fund të vitit 2012, një nivel që ka njohur vetëm rritje. Një Marrëveshje të tillë, Gjermania e ka nënshkruar edhe me Portugalinë.

Por, përtej përpjekjes për zgjidhje të fenomenit në forma dypalëshe, kemi edhe një iniciativë në nivel evropian. Më 29 maj të vitit 2013, Franca dhe Gjermania, me iniciativën e Italisë, do të shpalosnin publikisht “Marrëveshjen e Re” evropiane për rininë dhe punësimin e të rinjve me moshë nën 25 vjeç.

Ky Plan ambicioz evropian, i fokusuar ndaj të rinjve i jep një tjetër tonalitet veprimit të tij, që deri para këtyre iniciativa përmblidhej kryesisht, në një orientim ndaj luftës kundër deficiteve publike dhe borxhit. Marrëveshja me një investim fillestar prej 6 miliardë euro, ngrihet mbi tre akse kryesore, ku përfituese shfaqen të dy palët, si të punësuarit e rinj, por edhe ofruesit e punës. Aksi i parë, synon krijimin e hapësirës së duhur për ndërmarrjet, që rekrutojnë të marrin hua nëpër banka me përqindje të ulët. Banka Evropiane e Investimeve, mundëson gjithashtu hua me përqindje favorizuese për ndërmarrjet që punësojnë në gjirin e tyre të rinj; Aksi i dytë përfshin, mësimin e zanateve në ndërmarrje duke mundësuar një program të tipit Erasmus në favor të alternimeve; dhe Aksi i tretë  ndihmë ndaj të rinjve, dhe qasje e thjeshtëzuar në huamarrje, për t’i mundësuar atyre krijimin e sipërmarrjeve.

Një Marrëveshje, e frymëzuar nga politikat sociale amerikane të viteve ’30, “The New Deal”, i Franklin Ruzvelt, që synonte zgjidhjen e krizës më të rëndë ekonomike dhe sociale, që kishte pushtuar vendin që prej vitit 1929, me rënien e Uoll Stritit ku mijëra falimentime kishin nxjerrë në rrugë, rreth 13 milionë të papunë. Gjithsesi paralelizmat, duken se janë më shumë të natyrës frymëzuese, me synim nxitjen për veprim të përbashkët, duke marrë parasysh diferencat që ekzistojnë mes një sistemi federativ si Amerika dhe një Unioni me elementë të përzier, duke qenë tërësisht unik, në llojin e tij./im.ta/DITA/

August 29, 2016 13:07