Ripyllëzimi i Fanit

February 2, 2016 15:02

Ripyllëzimi i Fanit

Edhe Lugina e Fanit në Reps të Mirditës do të pyllëzohet. Fillimisht janë mbjellë rreth 1500 fidanë të lloji akacie. Ripyllëzimi dhe rehabilitimi vjen në kuadër të moratoriumit 10 vjeçar kundër prerjes së pyjeve.

Pas inspektimit të terrenit në të dyja anët e Rrugës së Kombit, Zv/Kryeministri Peleshi dhe Ministri Koka mbollën simbolikisht fidanët e parë.

Ministri i Mjedisit theksoi se rehablilitimi i sipërfaqeve të degraduara dhe ripyllëzimi do të vijojnë gjatë gjithë vitit në mbarë vendin si masa dhe investime paralele me Moratoriumin 10 – vjeçar të ndalimit të shfrytëzimit të pyjeve. Ministri Koka theksoi se bëhet fjalë për një sensibilzim të politikës dhe të shoqërisë shqiptare që kjo masë drastike të jetë funksionale.

“Unë jam i bindur se që të mundemi të administrojmë këtë masë kaq drastike kërkohet pjesëmarrje e të gjithë aktorëve dhe e të gjithë shoqërisë shqiptare. Shpreh besimin se do të jetë një masë e cila do të përkrahet nga pjesa e më e madhe e shoqërisë shqiptare dhe do të japë efekt shumë të frytshëm duke i konsideruar pyjet si një nga asetet më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë”, tha Ministri Koka

Zv/Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare ka vendosur të përmbysë qasjen ndaj mjedisit duke investuar tek shkaqet.

“Moratoriumi do të shoqërohet me sanksione shumë të forta për ata që do të guxojnë që ta shkelin atë. Kështu që nga njëra anë në menaxhimin e pushtetit vendor dhe nga ana tjetër nën inspektimin e kontrollin e Inspektoriatit të Pyjeve do të mund të vendosim një regjim të ri për pyjet. Natyrisht që do të lejohen bashkitë të shfrytëzojnë pyjet vetëm për nevojat e ngrohjes”, tha Peleshi.

Zona ku ka nisur ripyllëzimi ndodhet në një pjesë të pellgut ujëmbledhës të lumit Fan, dhe karakterizohet nga pyje të degraduara në masën 70% nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimet pa kriter.

Dëmtimi i pyjeve ka sjellë erozion sipërfaqësor dhe të rëndë ndërsa aluvionet që depozitohen në shtratin e lumit janë një shkak për përmbytje. /Dita/

 

 

February 2, 2016 15:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*