Rishikohet penalizimi me “zero pikë” për lëndët me zgjedhje

September 16, 2016 14:15

Rishikohet penalizimi me “zero pikë” për lëndët me zgjedhje

U është kërkuar fakulteteve që në raundin e dytë, këto lëndë të njehsohen me lëndë të ngjashme që maturanti ka kryer përgjatë viteve të shkollës së mesme

Pranvera Kola

 

Kanë nisur tashmë diskutimet për ndryshimin e kritereve që do të zbatohen për fituesit e rinj, që do të dalin nga gara e raundit të dytë për kuotat e lira të universiteteve publike. Si rezultat i protestave dhe kritikave të mijëra maturantëve që mbetën jashtë listës së fituesve të raundit të parë (edhe pse kishin mesatare dhe rezultate provimesh të larta), autoritetet e arsimit bëjnë me dije se do të ndryshojnë kriteret e përzgjedhjes së fituesve të fazës së dytë.

Gjatë këtij raundi pritet të mos ketë më penalitete me zero pikë për lëndët me zgjedhje, të cilat kërkohen nga fakultetet për programet studimore, lëndë të cilat maturantët nuk i kanë zhvilluar në kurrikulën mësimore, apo në provimet me zgjedhje të dhëna përgjatë muajit qershor.

Burime pranë dikasterit të arsimit bëjnë me dije se u është kërkuar institucioneve të arsimit të lartë publik, që në raundin e dytë, këto lëndë të njehsohen me lëndë të ngjashme që maturanti ka kryer përgjatë viteve të shkollës së mesme. Kjo me qëllim që në përzgjedhjen  e re të degëve përgjatë raundit të dytë, këto lëndë të mos vlerësohen me zero pikë, pasi kjo ndikon në rezultatit final të pikëve me të cilat kandidati konkurron për të fituar studimet në degën përkatëse.

Vlerësimi i këtyre lëndëve me pikë do të bëhet sipas një skeme të caktuar nga çdo profil universitar. Ndërkohë, pas shpalljes së fituesve të dalë nga raundi i dytë, procesi i plotësimit të kuotave të lira do të vijojë sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e regjistrimeve të MAS. Çka do të thotë që pas mbylljes së regjistrimeve të fituesve të raundit të dytë, nëse do të ketë ende vende të lira në universitete, këto të fundit do të plotësohen me spostim të vijës së hequr për fituesit. Kështu nuk do të ketë më përzgjedhje të reja preferencash, por vetëm zbritje të vijës së fituesve, deri në plotësimin e kuotave të mbetura bosh.

Sipas udhëzimit zyrtar të MAS, me datën 22 shtator të gjitha universitetet duhet të shpallin në vende të dukshme numrin e kuotave të mbetura bosh për çdo degë. Ndërsa një ditë më pas, përkatësisht në datën 23 shtator, do të nisë zyrtarisht dhe aplikimi online për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë garën e raundit të dytë. Në vijim të shkrimit gjendet i detajuar kalendari i aplikimit të raundit të dytë për të gjitha drejtoritë rajonale të arsimit në vend.

Po sipas udhëzimit të MAS, në raundin e dytë mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z, e që rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, por që për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë në garën e raundit të parë. Gjithashtu, saktësohet se në raundin e dytë kanë të drejtë të aplikojnë edhe maturantët që kaluan provimet e vjeshtës, si edhe të gjithë kandidatët e tjerë që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe që nuk janë shpallur fitues, apo që nuk kanë arritur të regjistrohen në degën e fituar. Këto kategori duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në Portalin e Maturës Shtetërore, duke bërë renditjen e re të preferencave, numri i të cilave pritet të jetë edhe më i reduktuara se sa ka ndodhur gjatë fazës së parë të pranimeve.

Fituesit e listës së parë ngurrojnë të regjistrohen

Edhe pse kemi hyrë në ditën e katër të regjistrimeve për fituesit e raundit të parë, fakultetet raportojnë se numri i kandidatëve që kanë kryer këtë proces online, ose duke paraqitur pranë sekretarive mësimore të universiteteve me dosjen e dokumenteve të kërkuara, është shumë i ulët. Deri në mesditën e ditës së djeshme, në Universitetin e Tiranës janë regjistruar rreth 400 kandidatë nga 5300 kuotat e shpallura fituese të raundit të parë. Procesi i regjistrimit të këtyre fituesve do të vijojë deri më datën 20 shtator, e më pas do të nisë dhe aplikimi për raundin e dytë sipas rregullave të reja që do të zbardhë MAS.

 

Kalendari i zbardhur nga AKP për të gjitha drejtoritë rajonale të arsimit në vend

Datat e aplikimit online për kuotat e raundit të dytë

  • Në datat 23 dhe 24 shtator do të aplikojnë në sistemin online, maturantët e drejtorisë arsimore të Tiranës qytet dhe Tiranës qark.
  • Me 25 shtator do të përzgjedhin preferencat maturantët e Tiranës qytet , Tiranës Qark, si dhe ata të drejtorive të arsimit të Kamzës, Kavajës, Durrësit dhe Krujës.
  • Në datën 26 shtator do të listojnë preferencat maturantët e drejtorive të arsimit të Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit.
  • Në datën 27 shtator aplikimi vijon me maturantët e Fierit, Mallakastrës, Beratit, Kuçovës dhe Skraparit.
  • Në datën 28 shtator sistemi online i përzgjedhjes së preferencave do të vijojë me maturantët e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Lezhës, Kurbinit, si dhe të Mirditës.
  • Në datën 29 shtator procesi i aplikimit do të vijojë me maturantët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit.
  • Ndërsa në datën 30 shtator, të fundit që do të aplikojnë në sistemin online të renditjes së preferencave për raundin e dytë do të jenë maturantët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Dibrës, Matit dhe ata të Bulqizës.

/DITA

September 16, 2016 14:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*