RISIA / Ankthi i vettingut në polici, lulëzojnë kurset private të poligrafit

January 8, 2018 09:44

RISIA / Ankthi i vettingut në polici, lulëzojnë kurset private të poligrafit

 

Një biznes i ri, i panjohur më parë është duke u zhvilluar në heshtje dy muajt e fundit, pohojnë burime të certifikuara për Gojët e Liga: Disa kurse private për t’u stërvitur me testin e poligrafit, i njohur ndryshe si makina e të vërtetës, janë hapur në kryeqytetin shqiptar dhe në qytetet kryesore të vendit.

Frekuentuesit e garantuar të tyre janë disa mijë policë të të gjitha gradave, që po ndjekin metoda të përshpejtuara sesi t’ja hedhin poligrafit. Në pritje të vettingut në rradhët e uniformave blu, ku testi i makinës së të vërtetës është përfolur si pengesa kryesore për të dalë të pastër nga kontrolli rigoroz, policët në masë u drejtohen këtyre kurseve sapo lënë turnin.

“Është një frekuentim surprizues,” thotë për rubrikën tonë themeluesi i njërit prej këtyre kurseve, hashashisti në pension Miço Këllira, “kemi të paktën 20 klasa me nga 25 studentë dhe mësimet vijojnë deri natën vonë”.

Zoti Këllira pohon se pagesa është 250 euro në muaj dhe kërkesat kanë ardhur në rritje. Ai ka siguruar disa makina të vjetra poligrafi të porositura dikur për FBI-në nga vetë Presidenti Ajzenhauer. Mësimi gjithashtu zhvillohet edhe me simulime kompjuterike ose në iPad, ku janë instaluar programe që të ndihmojnë t’i dredhosh anketuesit pa t’u dridhur qerpiku.

Siç mësojnë Gojët e Liga, pyetjet kryesore që u bëhen policëve të lidhur me fisha, kabllo dhe fije me impulse elektrike në gishta, gjymtyrë dhe në kokë, janë të natyrës çoroditëse, si psh:

“Ku ke lindur?”, dhe pasi thuajse të gjitha përgjigjet përmendin Tepelenën, Vlorën ose fshatrat përreth, vijnë bombat:

“Je marrë hashash? Sa ka qenë kilja e hashashit në qershor 2015? Po në nëntor 2016? Ku ke fshehur në shumë para: Në mullarin e shtëpisë në fshat apo në ngrirjen e frigoriferit?”

Specialisti Këllira vëren se shumë prej policëve humbasin toruan, djersiten, dridhen apo skuqen; ose të gjitha bashkë. “Dikush bile nxehet aq shumë nga provokimi, sa harron se po bën kurs për të mirën e vet dhe e çon direkt dorën tek pistoleta,” thotë ai. Por pedagogët i qetësojnë dhe i instruktojnë si ta kalojnë provokimin.

“Fjala vjen, u themi që sa herë nervozohen, të imagjinojnë momente pozitive të jetës si psh një kartmonedhë 100 euro brenda dokumenteve të një shoferi, një qingj Progonati në hell, apo fytyrat e vrerosura të marinarëve të Garda di Financës kur u shpëton gomonia që e kanë ndjekur prej pesë orësh…”, zbulon Miço Këllira.

 Përgjithësisht rezultatet janë premtuese. Madje disa oficerë policie janë stërvitur t’ja plasin të qarës të ofenduar, pas pyetjeve provokuese si “Je pronar i tre restoranteve dhe katër apartamenteve; si i bëre lekët?”

Kështu, ata përgjigjen me lot në sy: “Mua të ma bësh këtë pyetje, mua që ja kam kushtuar jetën rendit dhe sigurisë në vend dhe rajon? Unë që kam qenë faktor stabiliteti dhe kam eksportuar siguri që nga 1996-ta? Më mirë të më kishe vrarë!”

Por siç vëren eksperti Këllira, nga dhe nga ata studentë të dobë që shpërqëndrohen dhe pas 10 minutash kërkojnë të luajnë “spathi në kompjuter. E mo, ajo loja me letra”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, materiali i mësipërm është fiksion. Personazhi Miço Këllira është i sajuar. Ndërsa kurset e poligrafit janë aty sot e gjithë ditën. Nxitoni të regjistrohi, hëni, o burrani…. 

January 8, 2018 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*