Risia, Bashkia e Urës Vajgurore prezanton sistemin e-Bashkia

March 18, 2018 12:50

Risia, Bashkia e Urës Vajgurore prezanton sistemin e-Bashkia

 

Pas një periudhe të suksesshme të aplikimit të sistemit të Integruar Informatik të Shërbimit, Bashkia e Urës Vajgurore së bashku me Shoqatën për Autonominë Vendore dhe partnerët e projektit prezantuan mënyrën sesi sistemi i shërbimeve e-Bashkia funksionon për qytetarët.

Në takimin e zhvilluar në Qarkun e Beratit, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore, Adelina Farrici, vlerësoi marrjen e hapave të tilla për ndërtimin e aplikacioneve që sjellin më shumë shërbim për qytetarët dhe eleminojnë korrupsionin.

“Ne jemi koshient edhe për këtë që çdo bashki ka një plan ku realizon pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjes e Bashkisë, paralelisht edhe transparenca e cila çon në drejtimin e eleminimit të opinionit për korrupsion, si edhe eliminimin e këtij fenomeni që ka qenë prezent”, deklaroi Farrici.

Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore, Juliana Memaj, sqaroi se sistemi e-Bashkia që tashmë po jep rezultatet e para në këtë bashki, është krijuar në mënyrë të atillë që të gjithë qytetarët të marrin shërbime përmes telefonit.

Ky projekt, ndryshe nga ata projekte që janë të realizuara në të gjithë territorin e Shqipërisë, ka një avantazh, që çdo modul aty është i integruar dhe ndërvepron me modulin tjetër. Gjithashtu, krahas këtij avantazhi, aty mund të hostohen projekte të tjera që mund të ketë secila bashki. Ky projekt e mundëson këtë me arkitekturën që ka”, tha Memaj.

Ndërkohë ajo lançoi nisjen e projektit alternative që Bashkia e Urës Vajgurore do të zhvillojë, e cila do të jetë “Farm and Market” (Ferma dhe tregu).

“Ky projekt synon që produktin e fermerit të vogël ne ta ekspozojmë nëpër botë. Kjo është një ndihmë e madhe që kthen përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të tilla siç është çmimi, që fermeri është skeptik, apo problematikave që ngrenë ato. Kjo do të ishte një mundësi që këtë bashkim ta bëjnë përmes këtij tregu online”, theksoi Memaj.

Sipas saj, të gjitha bashkitë që do të përdorin këtë sistem, për këtë ndërmarrje, do të përfitojë një komision të caktuar, të cilën e blen blerësi në llogaritë e bashkive.

Eksperti i cili mori pjesë në zhvillimin e programit e-Bashkia, bëri të ditur se Sistemit i Integruar Informatik për Shërbimet në Bashki ka në fokus një transparencë më të madhe. “E gjithë marrëdhënia e Bashkisë me qytetarin është transparente. Në momentin që qytetari ka kërkesa ndaj bashkisë, Bashkia në mënyrë transparente tregon se si po i plotëson këto kërkesa. Në kohën kur qytetari ka detyrime ndaj bashkisë siç janë taksat, Bashkia ia bën të ditur në mënyrë transparente, e informon qytetarin në kohë reale kur është koha për të paguar dhe gjithashtu informon se kur është koha për të paguar, për të bërë edhe statusin final të taksave”, sqaroi eksperti.

Gjithashtu ky sistem ndër të tjera i shërben edhe vetë bashkisë për të kontrolluar punën e bërë nga inspektorët në terren. “Gjithashtu që të monitorohet edhe puna e inspektorëve të bashkisë, aplikacioni ka një tracking, që gjurmon inspektorin atje ku ka bërë veprimin. Në momentin që ka bërë një veprim, mbahet pozicioni gjeografik, që tregon se veprimi është bërë nga lokali i fshatit apo shtëpia e taksapaguesit”, theksoi eksperti.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, njëherësh edhe deputet i PS për Qarkun e Beratit, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi sistemin E-bashkia si një hap shumë të guximshëm të ndërmarrë nga Bashkia Ura Vajgurore.

“Është një gjë e guximshme. Në fund të fundit është edhe produkt i decentralizimit. Pra, se si një njësi e pushtetit vendor trajton një sërë problematikash që kanë të bëjnë me komunitetin. Është fakt që Bashkia e Urës Vajgurore, të paktën për Qarkun e Beratit ku ne jemi dhe që e dimë, edhe pse ka përqindjen më të ulët të kostos në bashki për paga dhe shpenzime për stafin, prapë ka përqindjen më të madhe të mbledhjes së të ardhurave dhe kjo ka ardhur nga vendosja me guxim e këtij sistemi të parë që u shpjegua, që taksat të jenë transparente për të gjithë dhe online”, deklaroi Klosi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranss, Andi Seferi, vlerësoi sistemin e prezantuar nga Bashkia Ura Vajgurore, duke theksuar se “kjo formë dixhitalizmi në radhë të parë do t’u vinte në ndihmë  vetë bashkive tona për të bërë një koordinim sa më perfekt të drejtorive dhe që më pas do të përkthehej në shërbimin që ne u japim qytetarëve”.

a.s/dita

March 18, 2018 12:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*