RISIA MË E RE / Nxënës, protestues dhe delegatë prej kartoni për të rikthyer kohët e vjetra

August 19, 2020 21:40

RISIA MË E RE / Nxënës, protestues dhe delegatë prej kartoni për të rikthyer kohët e vjetra

TIRANË e gjetiu – Teknika e krijimit të një iluzioni normaliteti në mes të pandemisë së koronavirusit, duke shtuar imazhe njerëzish të lumtur prej kartoni në karriget bosh, ka patur sukses të konsiderueshëm në stadiumet sportive.

Me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor, kjo teknikë do të përdoret edhe në klasat e shkollave shqiptare, njoftoi ministrja e Arsimit Besa Shahini.

“Duke përfituar nga përvoja e më të mirëve, mund të them se shtimi i nxënësve prej kartoni në vendet bosh që do krijohen në klasat tona për shkak të masave anti-pandemi, do qetësojë shpirtërisht mijra nxënësit dhe mësuesit tanë,” pohoi për mediat Shahini.

Sipas saj, ndjesia që gjithë sistemi arsimor do marrë, se gjërat janë kthyer si më parë me klasat e tejmbushura dhe vështirësinë e mësimdhënies për shkak të rrëmujës, do të prodhojë një lehtësim të madh psikologjik.

“Të gjithë, nxënës dhe mësues, do provojnë ndjenjën e bukur se asgjë nuk ka ndryshuar; se jemi sërish si atëherë; se e kaluam dhe këtë vështirësi,” pohoi Shahini për reporterët, gjysma e të cilëve ishin qenie njerëzore me maska dhe gjysma figura prej kartoni me mikrofon në dorë.

Më tej ministrja saktësoi se nxënësit prej kartoni do të jenë pa maska, në mënyrë që nxënësit e vërtetë me maska, si dhe mësuesit, të kenë mundësi t’u bërtasin, t’u kërkojnë llogari figurinave për neglizhim të masave anti-covid, e madje t’i detyrojnë që radhës tjetër të sjellin prindërit në shkollë.

“Po mendojmë madje dhe thyerjen e notës në sjellje për nxënësit prej kartoni, në mënyrë që panorama e ambientit tipik shkollor shqiptar të riprodhohet me besnikëri,” tha Shahini.

Një tjetër risi e re, sipas ministres, do të jetë dhe mbështetja teknike me zëra të rrëmujshëm të regjistruar altoparlantë, që do përforcojnë idenë e mjedisit të vjetër në klasat dhe në oborret e shkollave.

“Njësoj si në stadium, ku tifozët bërtasin goool nga bokset, ndërsa shkallët janë pothuajse bosh,” sqaroi ministrja.

Burime për Gojët e Liga pohojnë ndërkaq, se gjithë paketa teknologjike e figurinave prej kartoni dhe zërave të regjistruar, qofshin këta të fundit protestues anti-qeveri, pjesëmarrës në konventat kombëtare apo duartrokitës entuziastë, do të kopjohet edhe nga partitë politike.

Prova e parë u bë në një mbledhje të Partisë Demokratike, kur salla kryesore u mbush me delegatë kartoni që kërkonin caktimin medoemos të Sali Berishës si kandidat për deputet. Pas mbledhjes, kryetari Lulzim Basha deklaroi për mediat, gjysma e të cilave si gjithmonë ishin prej kartoni, se nuk kishte si t’ja prishte zërit të bazës, ndaj Berisha do mbetej kandidat për deputet.

“Ju i dëgjuat vetë ulërimet brenda në mbledhje. S’kam ç’tu bëj,” mblodhi supet Basha.

Por zhvillimi më i fundit vjen nga konventa e Partisë Demokristiane, e mbajtur në selinë e kryegjyshatës bektashiane. Mësohet se demokristianët prej kartoni votuan njëzëri rikonfirmimin e Nard Ndokës si kryetar partie.

Siç pohuan delegatët kartonas, “vetëm Nard Ndoka mund ta udhëheqë partinë nëpër këto tallaze politike. Ai qëndron gjithnjë një shkallë më lart se ne. Ne të shkretët jemi thjesht kartona, ndërsa Nardi ka përbërje solide prej kartonxhesi”.

 

——-

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-karton, pro-maskë            

August 19, 2020 21:40
Komento

3 Komente

  1. Blom August 20, 06:37

    Kjo esht satiir? Gjynaf

    Reply to this comment
  2. Person i Kualifikuar August 20, 14:01

    Une propozoj ti bejme prej druri se rrojne me shume. Ja ti themi njehere xha petos!
    -Nejse kishte shume porosi xha petua e ish shume i zene gati kaps, keshtuqe me mire jane dru prej verteti pa arsim fare sesa dru te xha topes. Dmth gjeni pune pa shkolle ara, hë, hidhuni e kërceni kecat e xha Dashit. Pune pune karantine-shtepi, pa shkolle s’ju do as partia tashi. Me 85,5 vota, nja 2 abstenim, 3-4 kunder, MIRATOHET. Do ta japim arsimin me Konçension (PPP).

    Reply to this comment
  3. Dash August 20, 15:31

    Propozoj qe ramen, lilon, lulin, salen, gramozin etj ti bejne prej buke peshku. Kshtu dhe amerikes i mbushet mendja se i kane kapur peshqit e mdhenj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim